HISTORI
ËSHTË KOHA T’U JAPIM FUND PARADOKSEVE TË HISTORISË, SFIDA E KRIMINELËVE TË PANDËSHKUAR (II)
Prof. Xhelal GJEÇOVI
Në vijim, në errësirën e natës së ftohtë të 3-4 shkurtit, forcat e angazhuara në aksion, me listat e njerëzve që do të ekzekutonin, të cilat qenë përgatitur në zyrat e Gestapos, me klithma e britma si kafshët e egra, duke zbrazur armët e duke goditur me kondakët e pushkëve, shqyenin dyert e shtëpive, nxirrnin zvarrë burrat dhe djemtë, i ekzekutonin në sy të familjarëve, të grave e të fëmijëve dhe i hidhnin në vijat e ujërave. Një skenë e llahtarshme, e paparë dhe e pa imagjinuar.
Dëgjoheshin vetëm të qarat e grave e fëmijëve,që përpiqeshin të mbanin njëri tjetrin, tek shihnin të dashurit e tyre që tërhiqeshin zvarre dhe ekzekutoheshin në sytë e tyre. Dhembja ishte e rëndë, tepër e rëndë, por në një kuptim dhe epike. Epizmi shihej në qëndresën shembullore të qytetarëve të Tiranës, në radhë të parë të ekzekutuarve e të arrestuarve, të familjarëve të tyre, shiheshin tek urrejtja, për autorët e kësaj gjëme, shihej më në fund në qëndrimin e ne përballimin dinjitoz te humbjes së njerëzve të tyre të dashur. Në këtë rast, populli po shihte me sytë e tij se kush ishin nazistet që nacionalistët i paraqisnin si miq të shqiptarëve; kush ishin dhe ballistët e nacionalistët e tjerë,që pa pikë qederi masakronin dhe ekzekutonin bashkëkombasit e tyre, qytetarët e pafajshëm, për t`u bëre qejfin e për fituar besimin e gjermanëve.
Të nesërmen e ngjarjes, në qytet ra heshtja, një heshtje e frikshme, një heshtje varri, që të tmerronte. Njerëzit e shokuar pyesnin njeri-tjetrin, përse ndodhi e kush e bëri këtë kasaphanë. Ata nuk donin t`u besonin syve, kur panë në krye të bandave mafioze që kryen krimin, ballistë e nacionalistë të tjerë; u shastisën kur morën vesh që, veç Devës, qëndrimet e të cilit njiheshin me kohë, në krye të operacionit qenë venë dhe bashkëpunëtorët e Mit’hat Frashërit, Kadri Cakrani, Osman Kazazi, Xhelal Staravecka etj.
Paradoksi historik
Gjysmë shekulli më vonë, në gjysmën e parë të viteve 1990, Osman Kazazit, do t’i ngrihej bust mu pranë qendrës së Tiranës.Ia ngritën ata që do të përgjaknin bulevardin e madh të Tiranës më 21 janar 2011; ata që nuk kanë reshtur së hedhuri baltë ndaj luftës antifashiste nacionalçlirimtare, që kanë ngritur në piadestale dhe kanë dekoruar pambarimisht antiheronjtë dhe bashkëpunëtorët e regjur të fashistëve e nazistëve; ata që i hoqën emrin “Dëshmoret e 4 shkurtit”, rrugës, sic u tha me një histori te veçantë. E, si mund t`u besohet këtyre? Çfarë demokracie mund të na sjellin këta që na vranë e na masakruan djemtë e burrat? Pyesnin atëherë, 77 vite më parë, por pyesin edhe sot e kësaj dite, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë ven dit, tek shikojnë presidentin që dekoron pa hesap njerëz nga ky soj, për ca vota pa vlerë që mund t`u marre për partinë e vet.
Paradoksi i dytë i madh historik lidhet me 21 janarin e dhjetë viteve më parë. Është e tmerrshme të besosh në llafollogjinë dhe në gjoja programet e për demokraci të vrasësve të 21 janarit. Pikërisht kjo është sfida e madhe e kriminelëve të pandëshkuar.
***
Ngjarja e 4 shkurtit 1944 u pasqyrua atë ditë, në gazetën “Bashkimi i Kombit”, që nxirrej nga një grusht kolaboracionistësh. Në artikullin “Gjaku don gjak”, e shkruar enkas, ndër të tjera, thuhej se, “Për të vendosur qetësinë duhet përdorë terrori. Në këto çaste vendimtare nuk shikohen mjetet, por qëllimet. Një ditë terror siguron dhjete vjet qetësi”.
Po, pasi e përgjakën Tiranën, a e siguruan kolaboracionistët shqiptarë qetësinë që kërkonin, për vete e për gjermanët? Shpejt do të shihej e do të bindeshin, se llogaritë qenë bërë gabim, pasi ajo nuk u siguroi as dhe një ditë qetësi, madje u kthye në një bumerang për ta. Populli i kryeqytetit e forumet e LANÇ-it, do t`u jepnin menjëherë përgjigjen që meritonin.
Po atë dite, në mëngjesin e 4 shkurtit, Gogo Nushi, Sekretar Politik i Qarkorit të Tiranës, pa pyetur për rreziqet e shumta që ishin ende prezente, doli vetë në rrugët e Tiranës, mori kontakt e ngushëlloi disa nga familjarët e të vrarëve e të arrestuarve dhe bëri takime me kuadro e aktivistët e LANÇ-it, duke iu përcjellë atyre mbështetjen e PK e të Enver Hoxhës, e duke i siguruar se të rënët e kësaj dite të zezë, do të përkujtohen e nderohen gjithmonë nga populli, ndërkohë që autorët e masakrës i pret ndëshkimi i shpejtë e i merituar. (AQSH. Historiku qarkut te Tiranes,maket).
Sa aktual është ky mesazh dhe për ditët tona, për 21 janarin, për të masakruarit e kësaj dite te zeze, por dhe për terroristet, autoret e masakres. Po, a janë nxjerrë vallë mësimet e duhura, nga kjo e ngjarje të tjera si kjo, nga keta e nga pasardhësit e tyre. A ka ndonjë reflektim prej tyre, a u ka shkuar ndonjëherë mendja se duhet të kërkojnë falje, ashtu siç e kërkojnë, me të drejtë dhe ata nga regjimi komunist për persekukucionin ndaj tyre?
***
Çdo përvjetor të çlirimit të Tiranës, ballistët dhe trashëgimtarët e tyre, përkujtojnë me zhurmë viktimat e terrorit komunist, të vrarët në ditët që luftohej për çlirimin e Tiranës, duke servirur lista të hartuara nga historianët e tyre. Në to ka jo pak nga ata që njihen për ndjenjat e simpatitë për gjermanët dhe për gurët qe nuk lanë pa lëvizur për t’u ardhur në ndihmë, duke bërë çmos që të pengohej përparimi i forcave partizane dhe përfundimi i luftimeve për çlirimin e Tiranës. Megjithatë, unë them se nuk bëjnë keq që i përkujtojnë të dashurit e tyre,edhe ashtu siç ishin. Por, si nuk u ka vajtur në mendje,të paktën një herë, që të nderojnë dhe të masakruarit e 4 shkurtit. A thua ata s’e meritojnë të nderohen e të përkujtohen, e pse jo t`u kërkohet dhe falje, pasi dihet që shumica e ekzekutorëve te tyre ishin nga radhët e ballisteve e të kolaboracionistëve të tjerë,të cilët siç shkruan De la Roka, autor i njohur Italian, kryen krime që nuk i bënin as gjermanët? A thua të masakruarit e 4 shkurtit nuk ishin shqiptarë, nuk ishin patriotë e antifashistë, që sakrifikuan çdo gjë dhe jetën për vendin e tyre, për ta parë atë të lirë e të pavarur?
Unë nuk e di se ku e gjejnë kurajën ata që përpiqen të bëjnë të zezën të bardhë e anasjelltas, duke i paraqitur vrasësit e 4 shkurtit si njerëz paqësorë, si demokratë e luftëtarë kundër diktaturës(!). Kushedi çfarë ndjenje u krijohet familjarëve të masakruarve të 4 shkurtit dhe veteranëve të luftës, kur, në vend të një përmendoreje, që duhet të ishte ngritur me kohë në nderim të tyre, në qendër të Tiranës, shohin bustin e Osman Kazazit, njërit nder organizatorët e masakrës dhe pjesëmarrës direkt në vrasjet e 4 shkurtit. Kurse Godole, një goce e re,pedagoge e atashuar dhe ne Institutin e studimit të krimeve të komunizmit, thotë se duhet të ngrihen aty, pranë tij, në qendër të kryeqytetit, përmendore e shtatore dhe për bashkepunëtorët e tjerë të fashizmit, që të njihemi e të vlerësohemi nga bota(!). E, çfarë mund të kerkohet e pritet, ateherë nga Prendi, me moshën e frymën që ka?
Konkluzione:
Ngjarja që përjetoi Tirana 77 vjet më parë,është e do të jetë gjithnjë e gjallë në kujtesën e shqiptareve, sepse gjaku i të masakruarve me 4 shkurt, (por edhe i atyre që u vranë më 21 janar 2011), gjaku i dëshmorëve të rënë në çdo kohë e në çdo cep të vendit, qëndron në themelet e Shqipërisë se Re, atdheut të përbashkët të shqiptarëve kudo që ndodhen, që do t`i frymëzojë ata për të punuar e luftuar që ajo të bëhet, siç e ëndërronin rilindasit, një zonjë e rëndë, në mes kombeve të qytetëruar, siç ka qenë në kohët më të mira të lavdisë së saj. Por kjo nuk arrihet sado fuqi të ketë nga njeri, aq me pak duke luftuar tjetrin, por së bashku. Pa mohuar ndryshimin që solli, këtë s`mund ta bëjë as Rama i vetëm, sic nuk e bëri para tij Berisha, e aq me pak Iliri me Bashën, që kanëe kapacitete e mbështetje më të pakta. Pavarësisht se thuajse të gjithë janë antikomunistë dhe në një farë shkalle proballistë të deklaruar. Jemi të detyruar të jetojmë e të punojmë së bashku, për interesat e larta të atdheut, por jo duke bërë të fortin, duke kërcënuar, provokuar e vrarë njeri tjetrin, demonstruesit, opozitën, si më 21 janar 2011, të cilët ishin në të drejtën e tyre. Ky nuk është moralizim. Është një apel dhe një konkluzion historik që demokracia e shumë ëndërruar të funsionojë. Është paradoksale që si viktimat e 4 shkurtit 1944 dhe ata të 21 janarit 2011, të mos i lënë të qetë as sot, aty ku janë, me emisione të stisura, si ai me Prendin, apo me Berishën dhe Bashën, që në vend të ulin kokën bëjnë sfidantin, ndërsa drejtësia bën sehir.
Nuk mund të vazhdojë pafundësisht një sfidë e turpshme e kriminelëve të deklaruar dhe të njohur botërisht!
***
Ngjarjet e ditëve të fundit në SHBA na treguan, se sa e rëndësishme është ngritja e një drejtësie të pavarur dhe përzgjedhja me kujdes e njerëzve në organet e reja të saj. Drejtësia nuk mund të bëhet duke ricikluar figura që nuk u preokupuan asnjëherë për mosndëshkimin e kriminelëve të Luftës së Dytë Botërore dhe as për fatin e të vrarëve më 21 janar, e disa prej tyre dolën haptazi në mbrojtje të masakrës, duke dhënë dënime qesharake, që banalizojnë çështjen, legjitimitetin e seriozitetin e saj. Kërkesa e ndërkombëtarëve për ngritjen e kompletimin e organeve të reja të drejtësisë është e drejtë, por me plotësimin e saj nuk duhet abuzuar duke dërguar në to njerëzit e tyre, duke injoruar kërkesat e duke shmangur dhe vetingun. Dardha e ka bishtin mbrapa, thotë populli. Pasojat e zgjidhjeve partizançe, duke i lënë tre atij e dy këtij që të zgjedhin(!) kanditatët për në këto organe, kane filluar të duken që tani, me riciklim të figurave të vjetra, jo aq nga mosha se sa nga mendësitë e mentalitetet, të përfolura jo pak e kjo natyrisht do të reflektohet dhe në dhënien e drejtësisë, në zgjidhjen e çështjeve sensitive, të mbetura pezull, siç është dhe 21 janari.
Për zgjidhjen e problemeve në këtë rrafsh, na vijnë në ndihmë dhe zhvillimet e fundit në SHBA, që bartin një përvojë me vlera universale, që duhet studiuar prej saj e duhet përfituar. Qëndrimi i palëkundur i drejtësisë, në të gjitha hallkat e institucionet e sistemit e ruajtën Amerikën nga rreziku i dizintegrimit e i përçarjes. Sistemi gjyqësor funksionoi më së miri, si përherë, duke kaluar me sukses provën përballë së cilës u vu, duke u bërë pritë zhvillimeve që synonin t’i impononin vendit ligjësimin e një qeverisjeje autoritare, që një hap e ndan nga diktatura. Është interesante se asnjë hallke e këtij sistemi, prokuroritë e gjykatat, e të gjitha niveleve, nga më të ulëtat deri në Gjykatën e Lartë, nuk mbështetën pretendimet e presidentit në ikje, biles as gjyqtarët e prokurorët që i kish vënë vetë për t`i patur në ditë të vështira. Kjo është Amerika, me institucione të forta, të qëndrueshme e të paanshme, që si udhërrëfyes e autoritet, për vendimet e qëndrimet që marrin kanë vetëm ligjin e jo maliqin si tek ne, që nuk lejoi me 21 janar zbatimin e urdhrit të prokurorisë për të vënë në dispozicion të hetimit drejtuesit e Gardës, që gjakosën kryeqytetin shqiptar, pas më shumë se 70 vjetëve nga 4 shkurti 1944. Ku është parë kjo, në cilin vend, ekzekutivi mund të veprojë në këtë mënyrë, të pengojë veprimtarinë e një pushteti tjetër që s`varej nga ai, të bllokojë hetimin e të shkatërrojë provat? As në diktaturën që kaluam e që me të drejtë e dënojmë për disa gjëra e qëndrime, sidomos për dënimet për fjalën e mendimin e lirë, por jo bashkëpunëtorët e fashizmit, që u dënuan në të gjitha vendet demokratike, gjera të tilla nuk kanë ndodhur se shkonin në gijotinë.
Pikërisht për këtë duhet të pyetej Prendi në emisionin e Fevziut, e jo për cic-mice. Përse nuk u vu në dispozicion të hetimit si përgjegjës kryesor për vrasjet e kryera nga institucioni që drejtonte e nga vetë ai? Kesaj pyetje duhet t`i përgjigjej. Atëherë fitonte emisioni e kthehej në një mësim për armatën e gjyqtarëve e të prokurorëve të zgjedhur në organet e reja të drejtësisë, e përgjithësisht në organet ligjzbatuese, që paguhen sa qimet e kokës nga taksapaguesit e ngratë, të një vendi tejet të varfër, që të bëjnë e të japin drejtësi e jo të ndërtojnë pallate e jetë luksoze, nën shembullin e politikanëve të Lalzit, që s`e arrijnë kurrë kolegët e tyre, as në vendet e pasura e të zhvilluara. Ky është problemi, thembra e Akilit nga duhet nisur për të ndërtuar shtetin ligjor, drejtësinë që na duhet, si kusht e premisë për të siguruar dhe paqen sociale, harmoninë qytetare e unitetin e popullit.
Zgjedhjet që kemi përpara janë një shans, që duhet shfrytëzuar për të nxjerrë, me votën e lirë të popullit, jashtë loje politikanët e korruptuar, që janë përgjegjës për problemet që ka sot vendi e, megjithatë nuk i njohin vetes asnjë përgjegjësi dhe në axhendën e tyre, nuk kanë në hesap hallet e popullit, por vazhdimin e korrupsionit; që i kanë kthyer partitë në parti familjare, si në asnjë vend të botës moderne e duke ruajtur sundimin aty, mendojnë se kanë legjitimitet për të marrë dhe pushtetin në vend. Mirëpo, janë ca ngjarje që ua prishin humorin e nuk i lenë të qetë. E ndër ta, nuk është vetëm qeverisja e tyre, që është e freskët në kujtesën e qytetarëve, por dhe 4 shkurti e 21 janari, qëndrimi ndaj tyre, mos reflektimi dhe pas kaq vitesh, si për njërën dhe për tjetrën e ato nuk janë pak për të mos u besuar fatet e vendit.
DITA