ARTI I VIJAVE TË ÇMENDISË NË KRYE
Tafil DURAKU
Në kulm të shtëpisë laraskat, kokë më kokë, puqin mendimet për vijat, që, po mundën, do t’i bëjnë kryesore kundër përmasave reale të kornizës së portretit tim dhe të fytyrës reale të tij, për të parë se sa po e hanë karremin e tyre shpezët tjera të vendosura para tyre portretit tim, duke filluar nga ato më fisniket, ta zëmë, shqiponjat e Mesdheut.
Kjo, mbase, për laraskat e vendosura me dorë të piktorit të huaj këtij qielli dhe kulmit të shtëpisë sime të marrë me përqindje të madhe, nuk ka fare rëndësi. Mjafton që ato ta kenë vendin e tyre dhe pozitat dominuese që ua ka lënë piktori i huaj në portretin tim. Duket sheshasi se atyre u mjafton vetvetja dhe soji i tyre laraskorë si dhe ai soji i vijave të tjera si to, laramano-laraskorë, dhe, kur të dojë njeriu-Njeri, mund ta shohë sojin e tyre të porositur në këtë portret të bërë enkas dhe të përgatitur për 80 vjetë rresht, sipas shijes së piktorit të huaj akademik. Sipas atij piktori të porositur, për 80 vjetë rresht të robërimit e të mashtrimit të shqiponjave fisnike, të shqiponjave që me çdo kusht mbronin zogjtë e tyre në portretin e tyre të zënë nga të huaja, nga e keqja që u kanosej dhe u kanoset edhe në këtë portretin që po e bëjnë shumë piktorë akademikë, të akademive të huaja e “tonat”. Laraskat, duan ta qesin veten në plan të parë, siç i ka mësuar dhe siç i ka qitur piktori i huaj portretit, kulmit dhe qiellit mbi shtëpi, siç i ka vënë dora e tij, dhe, sipas porosisë, duan ta zhbëjnë ballinën e shtëpisë dhe të portretit tim, tërësinë e pamjes dhe gjendjes reale të tij.
Laraskat, ende kujtojnë se luajnë me shqiponjat në pikë dite dhe këtë nuk e sheh askush, sepse, asnjë prej laraskave të koordinuara nuk duan ta shohin veten se ku dhe në ç‘mjerim kanë rënë. Mjafton çirrja dhe zgërdhirja e tyre në kor. U ranë dhëmbë e dhëmballë duke e lëvduar njëra-tjetrën dhe duke u hingërizur e hingëlluar pikëllueshëm hapësirës pa fund, portretit tim të ri. Vlojnë kafeterive vijat e pleshtave nën sqetulla të huaja, vijat e huaja të portretit tim, morra të mëdhenj. Vijat njerëz që shikojnë vetëm injorancën në sy. Injorantët dhe injorantet pleshta të thyer e të bërë përshesh në vija të huaja portretit tim të ri, morra të mëdhenj, këtij më të riut, shajnë UÇK-në, luftën dhe prijësit e kësaj lufte të lavdishme, vijat e agjenturave të huaja dhe vijat tjera këlyshe të tyre, të cilat vija, kur nuk mund të të bëjnë për vete e kur nuk mund të të lakojnë siç duan e si u shkon për shtati, t’i shpifin njëmijëenjë të pabëra, vijat më të liga të këtij portreti, ligatinat. Mjafton që edhe piktori i ri t’u lejojë ta vendosin njëra-tjetrën ku të duan portretit që ende kullon gjak të ri. Këto vija nuk janë fisnike. I sheh kush këto vija apo jo, këto vija pleshtoro-morrore nën sqetulla të huaja. Këto janë vija të huaja në portretin tim të ri. Këto janë vijat që do t’i hanë vijat e tjera fisnike këmbë e krye, po iu dha mundësia për një veprim të tillë. Këto laraska dhe këta laraskuqë, si gjithmonë, këtij portreti, do t’i hanë vijat më të mira, për t’i zhbërë përgjithmonë konturat e portretit tim njerëzor e gjeografik.
Nuk ka shpend në botë, asnjë portreti tjetër, që nuk e festoo e nuk e kremton ditën e lindjes së vet, të pavarësisë së vet, të sojit dhe të zogjve të çerdhes së vet!...
Kjo, mbase, nuk do vijëzim tjetër dhe më artistik se ky vijëzim i përfytyruar i vijave të laraskave dhe të laraskuqëve këtu.
Dhe, këtu, një ditë, e patën trilluar dhe shpallur datën 2 të muajit të të korrave, në marrëveshtje të fshehtë me korbat, si datë të lindjes së shqiponjave, si ditë të “çlirimit” të tyre, si ditë të “pavarësisë” së tyre dhe si ditë të shtëpisë së tyre të lirë e të lyer për faqe të zezë, në pemën e shartuar që shquhet për të keq portretit tim të ri.
Shqiponjat u hutuan dhe u mashtruan për një kohë, dhe, për të mos e zymtësuar horizontin, edhe ashtu të zymtë të portretit të ri që krijonin laraskat këtu, u besuan trukeve të tyre përjetësisht, për të parë se ç‘kah e ç‘drejtim do të marrin vijat e tyre të “reja” në këtë portret tonin të ri, por, gjithnjë, duke e parë mashtrimin e tyre dhe kahet e vijave të tyre mashtruese e të pakurrizta, të cilat nuk dukeshin të zonjat se do ta krijonin portretin e shqiponjave-shqip, ashtu siç e kishin kërkuar dhe e kërkonin vijat e forta e të reja të tri vijave të arta të historisë më të lavdishme të këtij portreti të shëmtuar enkas nga të huajt “tanë”.
Dhe, për çudi, laraskat, fare pa u skuqur dhe fare pa u ardhur keq, për çdo vit, kërkonin nga shqiponjat që ta njohin për ditëlindje ditën e dytë të muajit që e kishin shpallur ato, me vija të huaja, për ditë të tyre, për ditë të shtëpisë e të udhës së tyre jetësore e “njerëzore”. Po, kjo, nuk mund të ndodhë, sepse, shqiponjat kanë vendosur ta bëjnë vetë portretin e tyre shqiponjorë, me piktorë të sojit të tyre dhe me vijat e tyre më të shëndosha të të gjitha kohëve të këtij portreti fisnik njerëzor. Shqiponjat, për këtë portret e në këtë portret, u përgjaken shumë, i përzunë nga horizonti i vijave të portretit të tyre korbat dhe vazhduan ta njohin e ta formësojnë portretin e tyre me artistë të rinj të sojit të tyre shqiponjorë.
Kjo gjendje u bë e po bëhet shumë shqetësuese dhe e padurueshme për laraskat, për zogjtë e tyre dhe për sojin e tyre laraskorë, andaj, përditë, në faqe të para të shtypit të tyre, duke e rrëfyer publikisht sojin e tyre laraskorë, të vijave dhe të zogjve të tyre në këtë portret të shëmtuar enkas, po orvaten që t’ua imponojnë ditën 2 të muajit – ose vijën dy të shtrirë përtokë, - si ditë të mëvetësisë së shqiponjave, siç e kremtojnë shqiponjat kokëbardha ditën 4 të muajit të të korrave, po, kjo nuk shkon në këtë portret.
Vijat e shqiponjave në këtë portret nuk mund ta pranojnë ditëlindjen e shpifur të tyre, të shtëpisë së tyre dhe të vijave të portretit të tyre, të vijave të shpifura për të tyre e të portretit të tyre shqiponjorë, ditën që ua kanë shpifur laraskat dhe laraskorët në krye të shtëpisë së huaj dhe të këtij portreti që po orvaten ta bëjnë të huajt.
Kështu, me gjithë zërin e tij në vijë të caktuar portretit të majmë me sy të mbyllur, imponon këto ditë në emër të laraskave, pinguini i shndërruar në breshkë, që dita 2 të jetë edhe ditë e ditëlindjes së shqiponjave, e udhës së tyre dhe e shtëpisë së tyre në këtë portret timin të ri të shumë piktorëve të çuditshëm e të huaj, laraskori piktor, me kapak breshke mbi zërin dhe “fytyrën” e tij…
Burojë, më 1999