EKSKLUZIVE / TË PATHËNAT E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-JUGOSLLAVE NË VITET E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

EKSKLUZIVE 

 

 

TË PATHËNAT E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-JUGOSLLAVE NË VITET E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

 

 

   Xhelal Gjeçovi

Pse shqiptarët antifashistë u gjendën në një llogore me partizanët jugosllavë, përkrah aleatëve anglo-sovjeto-amerikan. Skenat dhe prapaskenat e këtyre marrëdhënieve dhe synimi i përhershëm i fqinjëve për ta gllabëruar Shqipërinë. Pse nuk u zgjidh çështja shqiptare me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe reflektimi i vonuar i Fuqive të Mëdha…

Para pak kohe u vu në qarkullim punimi “Kosova në relacionet shqiptaro-jugosllave në vitet e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1944”, i autorit Xhelal Gjeçovi, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Autori, i cili prej vitesh jeton në SHBA, ishte kohët e fundit në Tiranë. Me këtë rast zhvillova një bisedë me autorin mbi problemet që trajtohen në libër dhe atë po e botoj në vijim.

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Profesor Gjeçovi, urime për librin. Çdo botim që ka të bëjë me Kosovën ka interes për të gjithë shqiptarët, por në rastin e librit tuaj flitet për relacionet shqiptaro-jugosllave në vitet e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1944. Kjo lë të nënkuptohet se ka ende gjëra të pathëna për atë periudhë. Po hyj drejt e në temë: çfarë trajtohet në punim dhe çfarë sjellë të re në raport me botimet e mëparshme mbi këtë temë.

– Kjo temë, i nderuar Xhevdet, ka tërhequr me kohë vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe të huaj. Dhe, pa mohuar kontributet e tyre, duhet thënë se, më së shumti, ajo është vendosur në një kontekst zhvillimesh të turbullta, në një periudhë të ndërlikuar, por dhe prove, si për mbarë njerëzimin, edhe për shqiptarët, siç ishte Lufta e Dytë Botërore. Kësisoj, duket se realitetet, përfshi dhe aleancat e krijuara me fillimin e Luftës, jo rrallë janë parë e analizuar bardh e zi, me një tendencë e një prirje qartazi për të nxirë e mohuar çdo gjë, çdo dukuri, që u ndërtua e u shfrytëzua, në dobi të luftës, siç ishin dhe lidhjet e bashkëpunimi me fqinjët.

Nuk është vështirë të kuptohet, se synimi ka qenë që të fajsohen e të bëhen përgjegjës për fatin e Kosovës pas lufte, ata që projektuan, apo me naivitet pranuan t’i qasen këtij bashkëpunimi, pa mbajtur parasysh të kaluarën, historinë, që më së shumti, nuk kanë qenë në interes të shqiptarëve; madje e kundërta ka qenë prezente dhe kjo, sipas tyre u përsërit dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, e kinse kjo është dhe shkaku, që Kosova mbeti dhe pas lufte nën sundimin serb e jugosllav (!).

Një qëndrim i tillë, u ka ardhur për shtat forcave që, në vitet e luftës, nuk qenë preokupuar dhe aq, për fatin e Shqiperisë, jo e jo, por as të Kosovës, për derisa u lidhën e u bënë shtojca të okupatorit dhe ndihmuan që ai të ndërtojë infrastrukturën e duhur për të goditur njëherësh, pjesën antifashiste në Kosovë, si dhe Shqipërinë, të orientuar e të angazhuar në luftë, me Koalicionin Antifashist, dhe me aleatët anglo-sovjeto-amerikanë.

Me ndihmen e tyre, okupatori, me paraqitjen e stisur si mik i shqiptarëve dhe me premtimin se do t`i bashkojë të dy pjesët e vendit në një shtet të garantuar nga ushtritë e Rajhut, në fakt synonte të godiste thelbin, palcën kurrizore të qendresës së shqiptarëve, unitetin Kosovë-Shqipëri, si element thelbësor i një etnie, autoktone në këto troje, që kërkonte të çlirohej e të bashkohej, por jo nga ai që kishte pushtuar Shqipërinë, vendin amë, që mbante gjallë shpresën, të ardhmen dhe as në aleancë me të, por në luftë ku-ndër tij, së bashku me popujt e kombet e tjerë, që kishin pësuar ose rrezikonin të pësonin të njëjtin fat, përfshi dhe ata fqinjë.

– Sidoqoftë është fakt se gjatë Luftës së Dytë Botërore ne kemi patur marrëdhënie të ngushta me jugosllavët. E kam fjalën për PKSH dhe PKJ-në…

– Është e vërtetë. Por ka shumë gjëra të pathëna për këto marrëdhënie, të cilat, për fat të keq, reminishenca të këtyre pikëpamjeve duken edhe sot. Të tilla mund të konsiderohen përrallat e disa të ashtuquajturëve teoricienë në Kosovë, përmes të cilëve duan të bindin opinionin, me argumente të sajuara, mbi gjasme ekzistencën e një kombi Kosovar, të ndryshëm nga pjesa tjetër e tij në Shqipëri, për shkak të tipareve të veçanta e dallimeve esenciale, të krijuara gjatë dekadave të ndarjes në mes tyre. Dhe kjo, sipas disave prej tyre, ka sjellë e kultivuar një frymë mosbesimi në mes të dy pjesëve të vendit, Kosovës e Shqipërisë, e cila në vitet e Luftës, është shoqëruar dhe me tradhtira, në kurriz të njëra tjetrës, duke aluduar e keqpërdorur kështu faktet historike, rastet kur Kosova, pjesa nën ndikimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u lidh dhe u bë rezervë e Gjermanisë hitleriane dhe tjetra, Shqipëria, respektivisht Lëvizja Antifashiste Nacionalçirimtare, u lidh në aleancë me sllavët, armiq tradicionalë të shqiptarëve.

A thua bartësit e pikpamjeve të tilla, nuk e dijnë se drama, të cilën kanë parasysh, copëtimi dhe aneksimi i trojeve etnike, nuk nisi dhe nuk u realizua në Luftën e Dytë Botërore, por dekada dhe shekuj të tërë para saj, e se copëtimi më i tmerrshëm i trojeve shqiptare, u bë në vitin 1913, me vendimet e Konferencës se Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, që njohen aneksimet e bëra nga fqinjët sllav e grek, gjatë luftërave ballkanike, duke u shkaktuar shqiptarëve, një dramë, pasojat e së cilës ndjehen edhe sot në jetën e tyre shoqërore dhe ekonomike?.

Është e vërtetë që Lufta e Dytë Botërore, në këtë aspekt, nuk arriti të përmbushë shpresat e shqiptarëve, të korrigjojë e të vërë në vend padrejtësitë e bëra, në të kaluarën, në kurriz të tyre. Megjithatë, ajo krijoi frymën, që ato të mos përsëriten, pasi nuk do të tolerohen dhe aty ku është e mundur dhe të korrigjohen, siç ndodhi jo rastësisht me Kosovën, ani pse me vonesë, duke i hapur rrugë pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri të Kosovës.

 

– Si e trajtoni ju këtë çështje në librin tuaj?

– Punimi im synon të ndihmojë për të kuptuar shkaqet dhe shkaktarët e vërtetë të dramës që ka përjetuar kombi shqiptar e për të kontribuar, sado pak në shpërndarjen e mjegullës së perhapur mbi këtë çështje, për qëllime e përfitime gjithëfarëshe.

Punimi sjell që në hyrje një vështrim historik të çështjes shqiptare, që opinioni të njihet, me fillin e saj, pra të çështjes shqiptare, si lindi e u krijua, shkakun dhe shkaktarët, rolin dhe ndikimin e faktorëve të brendshëm e të jashtëm, ecurinë dhe fatin e saj, rrethanat e problematikat që e kanë shoqëruar, në etapa të ndryshme të zhvilimit historik, për të ardhur e për t’u ndalur me gjërësisht në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, me fokus marrëdhëniet e ndërtuara me Jugosllavinë, në kuadër të Koalicionit Antifashist Botëror, ku dy vendet, respektivisht dy Lëvizjet Çlirimtare Antifashiste kishin aderuar, si dhe ndikimin që ata kanë patur, në cështjen e Kosovës, që përbën dhe objektin e qëllimin e punimit. Gjykoj se hedhja e një vështrimi të tillë, mbi historinë e kësaj çështjeje, ndihmon për të njohur e kuptuar problematikat e rreziqet që ishin prezente në periudhën e okupacionit nazifashist, obsionet që u shfaqën e u hodhën në tregun politik e mediatik, nga okupatori dhe nga Lëvizjet balliste e legaliste, që në proces do t`u bashkohen atij, për disa përfitime të çastit, përkundrejt një çmimi të lartë, pajtimit me gjendjen e pushtimit, që don të thotë heqjen dorë nga lufta për pavarësinë e Shqipërisë dhe pranimin e zgjidhjes fashiste për pjesën tjetër, Kosovën.

Nga një analizë e tillë bëhet e qartë, se shqiptarët nuk i pranuan, e nuk u pajtuan kurrë me vendimet arbitrare, që çuan në copëtimin e trojeve etnike dhe nuk rreshtën së luftuari, që kjo padrejtësi të vihej në vend. Me këtë bindje u angazhuan në Luftën e Dytë Botërore, përkrah aleatëve, duke shpresuar se njëherësh me çlirimin e dy pjesëve të vendit, nga zgjedha nazifashiste, do të fitohej dhe e drejta e vetvendosjes për Kosovën, siç parashikohej në Kartën e Atlantikut, çka do të mundesonte që padrejtësitë e së kaluarës, të korigjoheshin e të viheshin në vend.

Mirëpo, as në këtë rast, kësaj nuk iu arrit. Punimi na njeh me rrethanat dhe faktorët, që ndikuan, në mos arritjen e këtij objektivi madhor të Lëvizjes Kombëtare. Për rrjedhojë, do të duheshin dekada të tjera, të mbushura me luftra e përpjekje vetëmohuese, mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës, të mbështetura pa lëkundje dhe nga Shqipëria, vendi amë, me ato fuqi e me atë takat që kishte, një obligim sigurisht kombëtar e atdhetar, pavarësisht çmimit që do të paguhej e në fakt është paguar. Ai që s’e kupton e s’e pranon këtë, duket se ende nuk është shkëputur nga nostalgjitë për Jugosllavinë dhe marshallin ose i është errësuar pamja nga korrentet që fryejnë sot, deri në atë shkallë, sa të mos shikojë, të mos njohë realitetet e jetuara.

– Sidoqoftë, mendoj se zhvillimet që kanë ndodhur gjatë tri dekadave të fundit ndihmojnë për qartësimin përfundimisht të kësaj çështjeje. Apo jo?

– Padyshim. Me rënien e regjimeve komuniste, në fundin e viteve 80-të, ka një reflektim dhe angazhim të fuqishëm të aleatëve përendimorë të kohës së luftës, tani të bashkuara në BE e NATO, në mënyrë të veçantë SHBA-së, për tejkalimin e gjëndjes së rëndë të krijuar nga gjenocidi shtetëror i ndërmarë nga Beogradi, që çoi në masakrimin e dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. Rrethanat e krijuara vunë përsëri në provë dhe Shqipërinë, e cila iu pergjigj me gatishmërinë e duhur, duke ndërtuar në një kohë rekord të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për akomodimin e vëllezërve nga Kosova, për krijimin e kushteve sa më optimale, për një jetë të qetë e reabilitim të plotë,sic do të përgjigjej dhe, në fakt, kur ka qenë nevoja është përgjigjur dhe Kosova. Dhe kjo është e kuptueshme.Ne jemi një popull e një komb, që jo vetëm arritjet e gëzimet, por dhe vështirësitë e rreziqet i kemi kaluar se bashku.

Në situatën dhe provën më të rëndë për shqiptarët, pas paralajmërimeve të Uashingtonit e Brukselit drejtuar Beogradit zyrtar, që të heqë dorë nga përdorimi i dhunës dhe të ndalë gjenocidin ndaj shqiptarëve,si dhe refuzimit që ai i bëri ultimatumit të Natos,kjo e fundit nisi fushatën e bombardimit të objekteve ushtarake,që detyruan Miloshevicin të tërheqë forcat nga Kosova dhe të pranojë kapitullimin.Në këtë mënyrë, iu hap rruga procesit që çoi në krijimin e Kosovës së lirë, të pavarur e demokratike.

– Profesor, ç’kontribut sjell punimi jo vetëm në planin historik, por dhe aktual, për zhvillimet e sotme në rajon e më gjërë, krahasuar dhe me botimet e mëparshme, mesazhi dhe mësimet që përcillen veçmas për raportet me fqinjët?

– Punimi natyrisht ngrihet mbi botimet e mëparshme, në të gjitha këto aspekte që pyesni. Më së pari nga burimet e shfrytëzuara, pra nga informacioni që sjell e nga konceptimi e trajtimi i problemeve, nga analizat e përfundimet që nxirren. Në kushtet e reja të lirisë akademike, të arritur me ndërrimin e sistemit, që solli çlirimin nga censura dhe autocensura, është bërë e mundur që në proces, në mënyrë graduale, por të përgjegjshme, të kapërcehen kufizimet e trajtesave të mëparshme, siç janë njëanshmëritë, paragjykimet, politizimet etj.

Por, nuk duhet harruar, se vet tema, me problemet e saj, në substancë, janë kryesisht politike dhe po të mos mbahet parasysh kjo, çdo gjë mund të duket e politizuar. Aq më shumë që, në këtë periudhë kemi po ato personazhe dhe protogonistë, po ato forca e figura të njohura, nga të dy krahët e politikës së atëhershme me pozicionet e me qëndrimet gjithashtu të njohura, që në ambientin tonë të politizuar, kanë vazhduar të paragjykohen e të anatemohen, me dhe pa të drejtë, por që nuk mund të fshihen nga historia dhe as t’i shmangim, apo ndryshojmë, edhe sikur të duam, pasi janë e shkuara. Pikërisht këta, më së shumti bëhen dhe burim përjetimesh e opinionesh të ndryshme, për njerën apo tjetrën arsye, për njerën apo tjetrën figurë apo çështje, të marrë në shqyrtim. Në demokraci edhe ato janë normale. Por, historia nuk merret me ta, nuk merret me ndjenjat e përjetimet e njerit a tjetrit; ato nuk jane në objektin e saj. Me to merren, sipas rastit, shkencat e tjera, si psikologjia, sociologjia apo dhe letërsia.

Megjithatë, unë nuk mendoj se bëhet politikë dhe shkohet kah politika kur trajtohen në një punim historik si ky skenarët që kanë synuar të na zhdukin, si popull e si komb, e  në pamundësi që ta arrijnë këtë, të paktën të na debojnë nga trojet, ku të parët tanë kanë jetuar, që në agimin e shoqërisë njerëzore, duke mos u ndalur para krimeve më çnjerëzore që ka njohur historia. Një dukuri e tillë, për fat të keq u shfaq dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur dy vendet kishin nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e njeri-tjetrit, për përballimin e agresioneve nazifashiste. E, kjo, padyshim u duhet dhe në ditët tona, për të përballuar sfida të tjera, jo më pak të vështira, me të cilat përballen sot vendet dhe popujt tanë.

Fqinjët nuk ka qenë, dhe nuk do të jetë kurrë e mundur që t’i zgjedhim dhe as t’i largojmë nga vetja. Për rrjedhojë, kemi qenë e jemi të detyruar që të jetojmë, pranë njeri tjetrit, në paqë e në harmoni, secili, siç thoshte Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, zot në vendin e në shtëpinë e tij, larg sherreve, ambicjeve dhe intrigave ballkanike, që nuk u kanë sjellë ndonjë dobi. Përkundrazi, shqiptarëve u kanë sjellë vuajtje dhe fatkeqësi të panumërta. Por, as fqinjët nuk i ka bërë të lumtur, pasi u është dashur të jetojnë në pasiguri e në luftëra, që u kanë kushtuar humbje jetë njerëzish, të dashurve të tyre, e bashkë me ta dhe humbje të qetësisë e të sigurisë, për të jetuar si njerëz, pa folur për koston dhe shpenzimet kolosale, për të mbajtur në këmbë makinerinë e luftës, të destinuar kryesisht për fqinjët, që ata të mbahen, sa më gjatë nën zgjedhe, në vend që të përdoreshin për rritjen e ekonomisë e të mirëqenies.

– Pse nuk mori fund kjo histori armiqësie midis fqinjëve me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore?

E, pra, kjo histori, me përfundimin e Luftës, duhet të kishte marrë fund. Dhe duhet të marrë fund, që njerëzit të lënë përfundimisht llogoret e t’i kthehen punës, prodhimit e bashkëpunimit, që u sigurojnë popujve qetësinë dhe ardhmërinë që meritojnë. Këtë ide perpiqet të përcjellë dhe punimi. Krahas problemeve që kanë rënduar jetën e tyre, raportet në mes tyre, janë evidentuar e çmuar edhe rrjedhojat pozitive, që ka sjellë bashkëpunimi, në një periudhë të vështirë prove, sic ishte Lufta e Dytë Botërore, natyrisht aq sa ato kanë qenë, pa i ekzagjeruar, por dhe pa i mohuar, pasi, edhe aq sa ishin, në ato momente të rënda, meritojnë të çmohen e të vlersohen. Madje pavarësisht dhe faktit, që pala tjetër, udhëheqja e PKJ, u përpoq t’i shfrytëzojë dhe për qëllime të tjera, për të përgatitur terrenin që Kosova dhe viset e tjera të mbeten, edhe pas lufte nën sundimin serb e jugosllav. E, sikur të mos mjaftonte kjo, në planet jugosllave, siç është bërë e njohur në punimet e bashkëpunëtorëve të Mareshallit Tito, si M. Gjilas, V. Dedier etj., synohej që dhe Shqipëria,vendi amë, Piemonti që i ka bashkuar shqiptarët, në kohë të mira e të vështira, të humbiste pavarësinë dhe identitetin, duke u përfshi në suazat e shtetit jugosllav, në të ashtuquajturën Federatë të “Bashkim-Vëllazërimit”, krijimi i së cilës, nisur mbase dhe nga emri, pëlqehej e nxitej dhe nga aleatët, sidomos anglezët.

Aleatët shpresonin se në këtë mënyrë do të bëhej e mundur, jo vetëm zgjidhja e çështjes së Kosovës, një gjyle e rëndë, që dihej se do t’u qëndronte ndër vite nëpër këmbë, për t’u kujtuar, se shqiptarët zgjidhjen e prisnin vetëm prej tyre, por dhe kapërcimi i armiqësive të vjetra dhe kthimi i Ballkanit, nga një fuçi baruti, siç ishte në të kaluarën, ku dhe shkëndijat e para, të dy luftrave botërore, do të duhej të ndizeshin pikërisht këtu, në një rajon që prodhon paqe, siguri, stabilitet e mirëqenie, për popujt e tij e më gjërë.

Koha iu dha të drejtë shqiptarëve të Kosovës,që kurrë nuk ushqyen iluzione dhe refuzuan në vazhdimësi thirrjet e Beogradit, për t’u integruar në shtetin e tyre, që s’u bë kurrë i tyre, pasi nuk arriti kurr t’u sigurojë të drejtat që u takonin e u premtoheshin, një dukuri që shkonte deri në marrëzi, në mohimin e të drejtës për të ekzistuar dhe për të jetuar në trojet, ku kishin jetuar në shekuj të parët e tyre.

Shqipëria, gjithashtu nuk ra në gracken e përgatitur, që në vitet e luftës dhe refuzoi, sikundër dhe vendet e tjera të rajonit, idenë e krijimit të të ashtuquajturit shtab ballkanik, që do t’i paraprinte krijimit të Federatës Ballkanike, e bindur se eksperimente e rrugë të tilla, pa krye e pa të ardhme, do të kishin sjellë të tjera peripeci e rreziqe, për dy pjesët e vendit, për Kosovën e për Shqipërinë.

Në trajtimin që u bëjmë sot raporteve me jugosllavët duhet të mbajmë parasysh çfarë përfaqësonte Jugosllavia, në ato vite, mbështetjen ndërkombëtare që ajo gëzonte, për shkak të lidhjeve dhe aleancave të vjetra me Fuqitë e Mëdha, që do të ripërtëriteshin dhe në këtë periudhë dhe Jugosllavija do të vazhdonte të trajtohej, si e preferuara dhe e përkëdhelura e Ballkanit. E, një mbështetje e tillë do të kishte sigurisht impaktin, ndikimin e vet në raportet me vendet e tjera, përfshi dhe Shqipërinë.

Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, edhe shqiptarët nuk ishin pa mbështetje. Kesaj here, ata kishin me vete Kartën e Atlantikut, gusht 41, dokumentin themeltar e programatik të Koalicionit Antifashist, në të cilën shpallej publikisht, se e ardhmja e popujve, përfshi dhe pretendimet për kufij e territore do të zgjidheshin nga vetë ata dhe secili popull, me vullnetin e lirë, do të zgjedhë formën e regjimit dhe vendin, të cilit dëshiron t’i bashkohet. Por, Karta e bënte të qartë, se të drejtën e vetëvendosjes e fitojnë dhe e gezojnë vetëm ata popuj që do t’i bashkohen luftës dhe aleancës, që udhëhiqnin aleatët anglo-sovjeto-amerikanë, e jo dhe ata qe do t’i bashkohen boshtit të së keqes, për çfarëdo arsyeje.

Në rrethana të tilla,vendimi i marrë në Konferencën e Pezës, 16 shtator 42 dhe në atë të Bujanit, 31 dhjetor 43 dhe 1 e 2 janar 44, për t’u rreshtuar e angazhuar në luftë, përkrah aleatëve, në kuadër të Koalicionit Antifashist, ishin ndër aktet më largpamëse, që forumet udheheqëse të luftës, në Shqipëri e në Kosovë ndërmorën në ato momente të rënda, kur luftës dhe vendit nuk i dihej as fati e as fundi. Dhe efektet e tyre, nuk do të vononin të shfaqeshin.

– Dhe si u shfaqën këto efekte?

– Në dhjetëditëshin e dytë të dhjetorit ‘42, ministrat e jashtëm të tri fuqive Aleate, të SHBA, BS dhe Britanisë së Madhe, respektivisht C.Hull, V.Molotov dhe A. Eden, shpallën qëndrimet e qeverive të tyre ndaj çështjes shqiptare. Që të tre deklaronin se e çmonin kontributin që kishte dhënë deri atëherë populli shqiptar në luftën kundër okupatorit fashist italian, që së bashku me Gjermaninë Naziste udhëhiqnin boshtin e së keqes, që rrezikonte ekzistencën e njerëzimit. E, krahas kësaj ata ripohonin pavarësinë, që Shqipëria gëzonte para se të pushtohej nga agresorët fashistë, prill 1939. Deklaratat e tri Fuqive Aleate, përfshi dhe atë britanike, megjithë rezervën për kufijtë, e cila shpresohej se do të kapërcehej në prcesin e luftës së përbashkët, ishin padyshim një fitore e madhe e luftës. Ato, sipas prof. Kristo Frashërit, përfaqësonin hapin e parë, që Shqipëria të hynte në radhët e Koalicionit Anglo-sovjeto-amerikan, pavarësisht se njohja formalo-juridike, do të ishte një proces, që për fat të keq, do të shndërrohej në një odise pengesash artificiale, për shkak të politizimit e të paragjykimeve, për rrjedhojë do të zgjasë në kohë tej parashikimeve. Por, kjo nuk do të bëhej pengesë për vendosjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe, në kuadër të tyre, të përfitohej nga programi i ndihmave,që ata zbatuan për Lëvizjet Çlirimtare në Ballkan. Këto zhvillime kanë patur ndikimin e tyre dhe në raportet shqiptaro-jugosllave, të cilat ndiqeshin me vëmendje nga aleatët. Qëndrimet e përcaktuara, në këtë kuadër, ishin më të mirat e mundshme, në përputhje me rrethanat, por dhe me mundësit e fuqitë tona. E kjo duhet mbajtur parasysh edhe sot, që gjykimi mbi to, të jetë i qetë, me këmbë në tokë, e jo ex katedra; të jetë i drejtë, i vendosur në kontekstin historik të kohës, siç e kërkojnë kriteret shkencore, metodologjike, më së pari kriteri historik, principi bazë i shkencës historike, që e dallon atë nga shkencat e tjera shoqërore. Biles edhe gabimet apo lëshimet e vërtetuara në raportet me jugosllavët, të cilat janë pasqyruar e analizuar ne punim, duhen parë si dukuri të lidhura dhe me rrethanat e atëhershme e sigurisht dhe me mundësitë që lejonin e krijonin ato.

(VIJON)

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode