E RRALLË / TAKIM EPIK MES DY GURUVE TË MËDHENJ NË RINAS

GOJËT E LIGA

 

E RRALLË / TAKIM EPIK MES DY GURUVE TË MËDHENJ NË RINAS

 

Gojët e Liga mësojnë se një takim epik që nuk ka parë dritën mediatike, ka ndodhur para pak kohësh mes gurusë së madh të së majtës shqiptare Shatra-patra Mashtra, njëherësh kandil personal ndriçues i Dhamianit, dhe super-gurusë së të djathtës Fariballi Bundra, në aeroportin e Rinasit.

Siç pohojnë dëshmitarë okularë gjysmë të verbuar nga ndriçimi masiv që pëson mjedisi përreth kur piqen bashkë dy guru të këtyre përmasave, në fillim Mashtra dhe Bundra u stepën kur u përballën me njëri tjetrin. Por siç ua do sëra dhe niveli sipëror i kulturës, ata nisën t’i përkulen njëri-tjetrit në shenjë respekti, derisa të dy e kuptuan që po të vazhdonin edhe pak, do paloseshin përtokë nga shiatiku. Në vijim, gurutë u hoqën pak mënjanë, në sektorin vyp të aeroportit, dhe mes tyre u zhvillua kjo bisedë:

-Mjeshtër Mashtra, ç’e mirë ju solli në këto anë, t’ju gostis me një paçe? Ta dini, vetëm këshillat tuaja e mbajnë në këmbë këtë të majtë skandaloze…

-Eee jo mjeshtër Bundra! Në fillim Mbreti Rama I Parë m’i dëgjonte këshillat që i çoja përmes Dhamianit. Bile ishte aq i etur për dije saqë i tha Dhamianit: Çoje tët shoqe në Indi nja ca herë, se ja paguajmë shpenzimet, dhe pyete guru Mashtrën, si ta zhvillojmë ekonominë? Unë i dërgova një kompani të madhe indiane për energjetikën, dmth kompaninë time. Plus që ndriçova sa më s’ka shpirtërisht gjithë grupin e femrave që erdhi nga Shqipëria…

-Hmmm, po pastaj ç’ndodhi?

-Pastaj më thotë Dhamiani: Dëgjo indiano! Do punojmë bashkë. Mbreti ynë Rama i Parë ka gjetur një guru tjetër, të vogël sa një gogël; thotë se është i pastër, i papërlyer nga veset e guruve të vjetër, dhe ka lexuar më shumë libra se gjithë gurutë e tjerë bashkë. Le pastaj, thotë, që është modern, vesh kullaro dhe xhaketë dopiopet, jo ferexhe si këta gurutë tuaj… Donte ta bënte ministër.

E kështuuu, unë ngeca me Dhamianin.

-Të kuptoj, mjeshtër, seç kanë me gurutë e vjetër këta. Por dëgjo Bundrën ti, ke bërë një gabim: A ke kalamaj?

-Ç’kalamaj? Kështu fëmijë thua ti mo, që lindin kur harron të vësh prezervativin? Plot ore, sa të duash!

-Eee fiks, nga ata. Edhe ai princi im Bukuran Luliani kishte kohë që s’ma varte. Se këta duan çuna të rinj, kupton ti? Ndërsa mua si gazetar aktiv, më hanin duart për punë, se unë jam mësuar të ndërtoj rrugë, mbikalime, të çmontoj municione… si gjithë gazetarët mo.

Ç’të bëja, ç’të bëja… Mora çunin tim nga Londra, ku e kisha fshehur që të mos më merrte erzin nëpër Tiranë, i vura një kullaro moderne siç është moda, dhe i thashë Bukuran Lulianit: Të kam rixha, po të sjell çunin me një çantë; çantën mbaje për vete, evlatin ma bëj deputet.

-Dhe e bëri?

-Shiko, në fillim u ngatërrua. Herën e parë me ktheu çunin mbrapsht dhe çantën e bëri deputete, por pastaj u sqaruam.

-Gjigand je mjeshtër, paske qenë komplet Bundër. Unë po iki tani. Me kaq kalamaj sa kam lëshuar andej-këndej, do mbush gjith Azinë me deputetë. Namaste!

-Mirë, po shiko se mos sjell gjë këtej, në rregull? Shqipëria asht a xanun!

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike anti-guru, që s’para lexon shumë libra… 

 

DITA

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode