HISTORI
DY KAPEDANË PËRBALLË SHOVINIZMIT GREK
Nga Arben SALIU
Në fillim të vjeshtës të vitit 1908, në krahinën e Mesaplikut erdhi për të shpalosur platformën e tij si kandidat për deputet Ismail Qemali. Krahas fshatrave të tjerë, ai qëndroi dy ditë edhe në Vranisht, ku kontaktoi jo vetëm me parinë e fshatit, por edhe me elementë “firarë” që ishin në konflikt me administratën osmane. Njëri prej tyre ishte Sali Murati. Në mbarim të këtij takimi, Ismail Qemali u largua për në Korfuz, por la pas ide të qarta për armatosjen e popullit me ndjenja atdhetare e liridashëse. Nga ky takim, jeta e Sali Murat Vranishtit do të lidhej ngushtësisht me fatet e vendit.
Lëvizja kombëtare kish kohë që po ziente. Qysh në nëntorin e vitit 1905, me nismën e Bajo Topullit, ishte krijuar Komiteti i fshehtë ”Për Lirinë e Shqipërisë”. Qëllimi i ketij Komiteti ishte puna për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Me idenë absolute se liria nuk mund të pritej, por të kërkohej, Bajo Topulli gjykoi se kishte ardhur momenti që perandoria osmane të detyrohej që edhe me forcën e armëve të pranonte vullnetin e popullit shqiptar. Për këtë gjë, ai qysh në janar 1906 krijoi të parën çetë patriotike në Jug. Në këtë çetë, Çerçiz Topulli, vëllai i tij, ishte luftëtari më i shquar dhe më aktiv. Për të përçuar këtë frymë, çeta patriotike e Bajo Topullit fillojë të lëvizte pothuajse në gjithë territorin e Jugut të Shqipërisë. Si rezultati i kësaj pune nisën të dalin në skenë edhe çetat patriotike të Sali Butkës, Qamil Panaritit, Spiro Ballkamenit,Themistokli Germenjit, Muharrem Rushitit, Demo Eminit etj.
Me këtë mision, pak kohë pasi ishte larguar Ismail Qemali nga Vranishti, vjen këtu Çerçis Topulli dhe i shoqëruar nga patriotë vendas nisen drejt Tërbaçit për një takim më të zgjeruar.
***
Në Tërbaç, sipas kujtimeve të Gani Iljazit ( “Lëvizja Kombëtare në Vlorë 1878-1912”, Tiranë 1999), para një grusht burrash me ndjenja atdhetare, Çerçiz Topulli shpalosi pikëpamjen për ngritjen e çetave patriotike. Në këtë takim, krahas Ibrahim Abdullahut, Alem Mehmetit, Zigur Lelos, Zaçe Xhelos, Laze Malos, Murat Tërbaçit, Selam Abazit dhe Azem Sulos, ishte edhe Sali Vranishti. Nuk kaloi shumë kohë dhe nga fundi i vjeshtës të vitit 1908, Sali Vranishti, një ish komit i famshëm, që ishte arratisur nga kalaja e Janinës, ku vuante dënimin, ndikuar tërësisht nga idetë e Ismail Qemalit dhe takimi me Çerçiz Topullin, formoi çetë patriotike me luftëtarët vranishtjotë: Azem Sulo, Mehmet dhe Meço Beqaj, Hamzo dhe Merçan Shakaj, Imer Malaj, Sulo Shkurti, Tare Selmani, Demir Zoto, Mehmet Majko si edhe Goxho Aliu nga Brataj, Selam Abazi, Hito Dalani dhe Xhezo Balua nga Tërbaçi, Abedin Kanani nga Smokthina, Remzi Janji nga Kallarati dhe Tahir Myftari nga Kanina. Kjo çetë u njoh me emrin “Firarët e kapedan Saliut”.
Këtu zë fill miqësia midis Çerçiz Topullit dhe Sali Vranishtit për t’u farkëtuar në momentet më vështira që do kalonte Jugu i Shqipërisë në vitet e mëpasme.
Të dy këta burra të shquar, në veprimtarinë e tyre patriotike hipotekuan disa aksione të bujshme. Kryeneçësia, guximi, trimëria dhe kurajua e tyre e pashoq imponuan që të alarmonin autoritetet osmane, të cilat nga sfida e drejtëpërdrejtë që ju bëhej, nuk rreshtën për t’i asgjesuar. Por trimat dinin të çanin rrethime .
Për të mbajtur gjallë shpirtin e qëndresës, populli në krijimet e veta me shumë mençuri vuri në pah se kapedanët qëndrojnë stoik dhe hije rëndë përballë çdo rreziku. Kënga për Luftën e Mashkullorës do të rezononte në gjithë vendin:
“Te rrapi në Mashkullorë,/ Foli Çerçizi me gojë:/ Mylazim largo taborrë,/ Lëri djemtë e mi të shkojnë,/ Se të skuq të bëj me bojë,/ Çerçiz Topulli më thonë”.
Po ashtu, kënga për atë që hapi hapsanat në mes të Vlorës, nuk do të kishte afeksionin e duhur pa ngjyrimin emocional të këtyre vargjeve:
“Në Vlorë, në kajmekanë,/ Në rrap e varën fermanë,/ Të zini Sali Muranë,/ Jo të vdekur por të gjallë, /E rrethosën në Qishbardhë,/ Por s’i qaseshin dot pranë”.
Megjithëse populli nuk rreshti për ta kërkuar në forma të ndryshme pavarësinë ndaj okupacionit turk, si Çerçiz Topulli, ashtu edhe Sali Murat Vranishti nuk qëndruan indiferentë as ndaj ithtarëve të “Megali-Idesë”, që vepronin hapur në Shqipërinë e Jugut. Nëse çeta patriotike e Bajo dhe Çerçiz Topullit do të pagëzohej me vrasjen e dhespot Fotit, në shenjë hakmarrje ndaj Papa Kristo Negovanit, çeta e Sali Vranishtit do të shpartallonte bandën e Thimjo Lolit dhe do të shtrinte përdhe Jani Putecin, vrasësin e Kadri Gjatës, kreut të klubit patriotik të Janinës.
Platforma shoviniste greke e “Megali – Idesë”, e materializuar qysh në vitin 1844 nga ish kryeministri grek Koletis, gjatë luftës Ballkanike e veçanërisht në fillim të Luftës së Parë Botërore mori përpjestime të mëdha.
Me rënien e Janinës në mars 1913 në duar të grekëve, ekspasioni shovinist po zgjerohej drejt gjithë Toskërisë. Pavarësisht se Konferenca e Londrës më 1913 njohu pavarësinë e Shqipërisë, duke shkëputur padrejtësisht nga harta politike e shtetit krahas Kosovës edhe Çamërinë, shovinizmi grek nuk u kënaq. Ai vazhdojë t’i shtrijë kthetrat drejt “Vorio – Epirit”, me qëllim bashkëngjitjen e këtij territori shqiptar shtetit helen. Kjo situatë paraqeste rreziqe serioze.
Në fillim të vitit 1914, grekomanët shpallën në Gjirokastër “Autonominë e Vorio-Epirit” me në krye Jorgji Zografon. Promotori i lëvizjes aneksioniste ishte pseudogreku himarjot Spiro Milo, që në Athinë e thërrisnin “Venizellosi i Epirit”.
Në kushtet kur andartët grekë masakaruan, dogjën e plaçkitën fshatra të tërë, shpirti patriotik shqiptar shpërtheu furishëm në gjithë Jugun.
Me këtë preukupacion, Çerçiz Topulli së bashku me Sali Vranishtin dolën në ballë të luftëtarëve nga Gjirokastra, Lumi i Vlorës, Kurveleshi, Delvina e Bregdeti.
Përshkallëzimi i situatës në Jug, e shqetësoi jashtë mase Ismail Qemalin, i cili megjithëse kishte dhënë dorëheqje si kryeministër, nuk mund të rrinte indiferent kur kërcënohej seriozisht sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit shqiptar. Diktuar nga kjo atmosferë, ai krijoi ”Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë”me qendër në Vlorë. Sipas kujtimeve të Thoma Papanos, sekretar Ismail Qemalit në këtë Komitet, Çerçiz Topullin dhe Sali Vranishtin i priti në takim Plaku i Vlorës. Si morën udhëzimet e duhura prej tij, ata u nisën drejt fshatit Kolonjë. Këtu, në bashkëveprim me krerët e çetave të Jugut, u vendos mbi drejtimet nga do të godisnin andartët grekë, si do të mbroheshin dhe nga do të furnizoheshin. ”Sulmi i mirëorganizuar filloi ofensivën në drejtimet Tepelenë-Gjirokastër, Labovë-Libohovë, Kuç-Himarë, Këlcyrë-Përmet-Frashër-Leskovik, Qafë e Skërficës-Delvinë ”(S.Vllamasi “Ballafaqime Politike” fq. 74). Gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit prill 1914 u kryen luftime të ashpra. Zmbrapsja përkohësisht e andartëve grekë nga territore të caktuara, iu dha kohën e duhur burrave kordhëtarë, që nën drejtimin e Çerçiz Topullit dhe Sali Vranishtit, të organizonin një mbledhje të gjerë në një fushë rrëzë malit të Golemit, me qëllim përballimin e kundërofensivës barbare dhe gjakatare greke. Për këtë fakt, që e pohon në kujtimet e veta Thoma Papanua, na vijnë njëkohësisht në ndihmë edhe vargjet e mëposhtme:
“Çerçizi me Salinë,/ Shpejt në Kurvelesh mbërinë,/ Atje thirrën njerëzinë,/
Të shpëtojnë Shqipërinë”.
Pas kësaj mbledhje, luftimet midis palëve kundërshtare ishin të pandërprera. Kardhiqi, Mashkullora, Cepua, Kurveleshi, Rrëzoma, Tatzati, Borshi, Llogoraja, Gurra e Vranishtit, Qafa e Mretes, Qafa e Skërficës etj u kthyen në fortesa të heroizmit popullor, ku sipas historianit Sali Hallkokondi, kronikanit të vëmendshëm të kësaj periudhe, në këto vende “Çerçiz Topulli me kapedan Sali Vranishtin bënë shumë therori….”
Këtë bashkëpunim kostant midis këtyre dy kapedanëve e pasqyron edhe kënga për marrjen e kalasë së Borshit, një nga pikat më dominuese që ishte nën kontrollin e grekërve:
”Krisi batare e parë,/ M’u te Borshi nën hundë,/ Me ato të pakta armë,/ Vdekjen nuk e bën kabull,/ Nëpër tym e nëpër zjarrë,/ Kalanë e Borshit e zunë,/ Çerçizi ç’e dha komandë,/ Mbetën grekërit si kërcunjë,/ Sali Vranishti me famë, /Sokëllinte përmbi gurë”.
Luftimet për mbrojtjen e trojeve amëtare të Jugut e ngritën në një shkallë më lartë emrin dhe famën e Çerçiz Topullit dhe Sali Vranishtit, të cilët para se të farkëtonin armët, kishin farkëtuar zemrat.
Sa qenë gjallë Çerçiz Topulli dhe Sali Vranishti si rrallë kush fituan titullin “Kapedan”, kurse pas vdekjes ata mbetën fatosa të lirisë, Heronj të lavdishëm të Popullit. Kapedanëve të tillë nuk ua shton lavdinë pesha e bronzit të derdhur në shtatoret e tyre, por kujtesa e pandërprerë historike e materializuar në shpirtin poetik të popullit. Këtë fat nuk mund ta ketë kushdo.
Çerçiz Topulli me famë
Bashkë me Sali Muranë
Në këmbë ngritën kazanë
Për të mbrojtur trojet tanë.
Të dy çepetë mbi supe
Ju thanë shovinistëve tutje
Jo me duar, as me lutje,
Por me zjarr, me grykë pushke.
O Çeco gjirokastriti
Edhe ty Sali Vranishti
Emri në luftra ju ndriti
Për çka ju këndoi gishti.
DITA