Botime të reja
Lulëkuqja në borë
___________________________________
“Metafora” 1/Prishtinë/shkurt 2012
Sot çeli një lulëkuqe në borë, numri i ri i revistës letrare “Metafora”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, shkurt 2012, që përmban punime letrare nga autorë e zhanre të ndryshme. Është ky numri i pestë i kësaj reviste që nga fillimi i botimit.
Në këtë numër janë botuar kumtesat për veprën letrare të shkrimtarit Sulejman Krasniqi nga studiuesit Emin Kabashi, Sali Bytyçi, Shyqri Galica, Sabile Keçmezi-Basha, Begzad Baliu dhe Sheremet Krasniqi.
Me poezi janë përfaqësuar poetët: Arif Bozaxhi/ laureat i çmimit të sivjetmë “Esad Mekuli“/, Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Behram Hoti, Petraq Kote, Agim Bajrami, Kolec Traboini, Shqipe Hasani, Gëzim Ajgeraj, Lediana Paja, Uzeir Ajradini,Miftar Kurti, Meri Lalaj, Kemajl Aliu, Dëshira Haxhi, Dren Shala, Durim Çaça, Riza Greiçevci, Fatime A. Ahmeti, Kujtim Agalliu,Valdete Berisha, Shaban Cakolli, Nexhat Rexha, Rrustem Geci, Riza Haziri, Makfire Canolli, Halil Xani, Yllka Sheqiri, Tafil Duraku dhe Ndue Marku.
Janë botuar edhe poezi të Borgesit, Shagallit, Kobos dhe nga haiku japonez.
Nga proza artistike botohen dy fragmente të romaneve të Sulejman Krasniqit, tregime të Ardian-Christian Kyçykut, Hulio Kortasarit, Lida Lazajt, Ali R. Berishës dhe proza poetike të Ridvan Dibrës.
Po ashtu, janë botuar esetë e Susana Tamaros, Mira Meksit, Horhe Amados e Isuf Luzajt, aforizma të Emil Sioranit, kritika letrare të Fadil Grajçevcit, Arben Hoxhës, Vebi Bexhetit e Sidorela Ristos dhe recensione nga Sejdo Harka, Behram Hoti e Foto Malo.
Në fund të revistës janë reportazhi letrar i Andrea Petromilos dhe humori i Arkadisë.
“Metafora” është e pasur edhe me piktura të Hysni Krasniqit dhe portrete e foto artistike. Në ballinë është portreti i shkrimtarit Sulejman Krasniqi, ndërsa në kopertinën e pasme monumenti i Hasan Prishtinës.
A.K.