DILAVER GOXHAI: POEZI / DO TË VIJË AJO DITË

POEZI

DILAVER GOXHAI

 

 

FITIMTARË TË MUNDUR!

 

Ja,

Më në fund erdhi dhe çasti i provës.


Si një trup i vetëm u ngritëm në këmbë,
të gjithë ne,

që pa hile e deshëm Kosovën,

duke krijuar UÇK-në,

dalëzotësen e saj.

 

Dhe më në fund

e thyem një armik të egër,
ndaj me të drejtë jemi krenarë

që luftuam dhe fituam.

 

Për vete e bëmë tërë botën mbarë.

Prapa lavdinë e lamë,

pavarësisht

se u dorëzuam si të mundur

nga një luftë ku dolëm fitimtarë.
 

 

ZJARRET PARTIZANË

 

Në netët pas luftimeve,

kur bora dhe thëllimi kurrë s’na u ndanë,

pranë zjarreve

uleshim

të thanim këmbët që kurrë s’na u thanë.

 

Shpinë më shpinë me shokët shpinët thamë

Pushkët pastronim dhe i mbanim pranë

Të ishim të gatshëm për çdo tramundanë.

Ndaj dhe i ndiznim zjarret partizanë,

Ata ishin për ne shtëpi dhe jorgan.

 

Kështu ne luftuam nat’e ditë.

Vrapuam ndër luftime me bujë,

duke luftuar me këngë në gojë,

ndaj dhe vdekja s’na sosi dot kurrë.

 

Sa mot i keq që ishte, sa mot i lig!

 

Me sa duket

mëria e madhe shumëvjeçare

e motit në Kosovë

kish shpërthyer me vrik

ngaqë robërinë e kishim duruar gjatë

e na kish bërë të liq.

 

 

DHE, MË NË FUND…

 

Dhe, më në fund, lufta mbaroi.

Lajmi mori dhenë:

Serbia u dorëzua.

Shqiptarët ta gëzojnë atdhenë.

 

Të larguarit u kthyen

tërë salltanete e mburrje!

 

Ndërkaq

Heronjtë e thjeshtë të UÇK-së

shtrinin nëpër varre

kufomat e përgjakura të shokëve të tyre.

 

Pastaj dorëzuan armët,

sipas marrëveshjes,

dhe ktheheshin pranë familjeve

me çantat e luftës në krah,

të vetmen pasuri të tyre.

 

Kurse

Politikanët filluan zanatin e tyre të hershëm

duke bërë mohimin e luftës,

përçarje,

intriga

dhe grindje.

 

 

NËNAT ATYRE QË LUFTUAN!

 

Të gjithë ata

që në luftë shkuan vullnetarë e luftuan,

pas lufte,

çfarë nuk u punuan!

I denigruan.

 

Të gjithë ata

që në luftë nuk shkuan,

por u larguan

dhe matanë kufirit qëndruan  e panë,

pas lufte

u shpallën luftëtarë

dhe u bënë ministra, administratorë, politikanë

dhe i urdhëruan:

Nënat atyre që luftuan!

 

 

DO TË VIJË AJO DITË

 

Do të vijë ajo ditë, UÇK,

do të vijë

Kur shqiptarët e mirë

do të nderojnë

Jo vetëm emrin tënd,

por edhe lavdinë,

Edhe shpresat e tua,

Edhe betimin tënd,

do të vijë.

Do të vijë, UÇK,

do të vijë.

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode