HUAZUAR NGA GOJËT E LIGA
BEFASUESE / I NGARKUARI PËR ARTET MARCIALE NË PD ZBULON ARSYEN PËRSE DËSHTOI PUSHTIMI I KRYEMINISTRISË
TIRANË – Në mbledhjet diskrete të orëve të fundit, pa praninë e mediave, opozita shqiptare ka akuzuar rëndë industrinë e videolojrave për mosarritjen e rezultateve të dëshiruara nga protesta e madhe e 36 shkurtit, mësojnë Gojët e Liga.
I ngarkuari për artet marciale dhe përgatitjen tekniko-taktike në Partinë Demokratike, mbajtësi i rripit të zi Aldo Bumçi pohoi në mbledhjen e fundit të kryesisë se skuadrat e protestuesve profesionistë ishin trajnuar për ditë të tëra.
“I kam vënë të studiojnë videolojra me arte marciale dhe filma western,” deklaroi Bumçi.
Por sipas tij, rezultoi se lehtësia me të cilën luftëtarët e kung-fusë, karatesë dhe taekëondo-së, shtrinin përdhe kundërshtarin, apo thyenin xhama 5 cm të trashë me një pupël rose, apo çanin topin e futbollit me shikim, apo ngjiteshin në katin e dytë duke përdorur fuqinë e mendjes, ishte iluzive dhe e gënjeshtërt.
“Le pastaj që ato filmat ku kaubojsat i thyejnë njëri-tjetrit karrigen në kurriz, apo i çajnë më dysh tavolinat, janë komplet gënjeshtër,” u ankua Bumçi.
Koordinatori marcial shtoi se duke studiuar këtë lloj literature, protestuesit permanentë tentuan më kot të thyenin dyert e kryeministrisë me grushte, shkelma, me yje të mprehta metalike që i nxirrnin nga xhepi dhe i flaknin si Jackie Chan.
“Disa prej djemve tanë kujtonin se, ashtu si në videolojë, me një goditje speciale si të murgjve kinezë në manastiret shaolin, xhami i derës do bëhej thërrime, e madje diçka do shpërthente dhe ata do merrnin pikë, pastaj do kalonin në nivelin tjetër. Kjo është e padrejtë”.
Bumçi deklaroi se Partia Demokratike, përveç aksionit të përditshëm politik, duhet edhe të përgatisë një padi për industrinë shumëmiliardëshe të videolojrave.
“Mbase u marrim ca lekë me këtë rast. Ata batakçinj kanë krijuar nocione të gabuara mbi ligjet e fizikës. Nuk bën vaki në jetën reale të godasësh dikë me karrige dhe kjo e fundit të thërrmohet si biskotë. Ata janë mashtrusa!”
Aldo shtoi se shumë prej protestuesve, të rrëmbyer nga ky iluzion, kanë përfunduar me kyçe të thyera, duar të gjakosura, pa llogaritur tërheqjet muskulore dhe këputjet e mishit.
Duke parë se anëtarët e tjerë të kryesisë po e shihnin me përçmim, Aldo tha se këtej e tutje, skuadrat e protestuesve do t’i stërviste me filma partizanësh. Por një zë i çjerrë që deri atëherë kishte qëndruar në heshtje, u dëgjua nga salla:
“Partizanët e satëme! Po ca pamje nga 97-ta dhe shtatori 98 t’u kishe treguar, tani do ishim në pushtet, hajvan!”
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pro filmave me kaubojsa, ndryshe filmave me lopçarë
DITA