AS ME KËMBË NË TOKË, PA MEND NË KOKË!

Debat

 

AS ME KËMBË NË TOKË, PA MEND NË KOKË!

Shkruan: Tafil DURAKU

 

Për ta bërë këtë shkrim më nxiti opinioni shumë i qëlluar i z. Shpëtim Golemi, publikuar tek pashtriku.org, me titull: “Duhet të ecim me këmbë në tokë”. Tema e nxehtë që trajton autori është Veriu i Mitrovicës shqiptare. Ndër të tjera, bashkëluftëtari dhe miku im prej mishi e prej gjaku shqiptar, Shpëtim Golemi, citon “mikun” tonë austriak, Busek, të ketë thënë një “sihariq” që ka thënë e që është skandalozisht shpërputhshëm me të gjitha rrjedhat historike e njerëzore: “Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë negociatat për ndarjen e territoreve...”. Së pari, këtu, përjashtimi i Shqipërisë për të negociauar për tokat e saj të pushtuara e të shumëcopëtuara është shumë i paparanueshëm dhe i bën shqiptarët që të ecin sërish teheve të rrezikshme të një shpate dytehëshe, “demokratike”, fund e krye antishqiptare. “Miku” austriak, Busek, po të ishte mik i vërtetë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, do duhej të thoshte ndryshe, sepse, parë realisht problemin, Shqipëria është ajo që duhet të bisedojë e të negociojë për trojet e veta autoktone, të pushtuara e të shumëcopëtuara prej fqinjve fashistë e dinakë.

Pastaj, shoku dhe miku im i jep të drejtë akademikut Rexhep Qosja, për këmbim territoresh shqiptare me territore shqiptare, që, sido që ta marrësh, është qëndrim joparimor dhe jo i drejtë. Dhe, që të shkojmë më tej me përimtimin e çështjes në fjalë, duhet të shtrihemi më tej në histori, sepse, çështja e Veriut të Mitrovicës shqiptare nuk është e sotme, nuk daton prej dje, as prej luftës së UÇK-së, por është çështje qindravjeçare, si të gjitha çështjet e trojeve të shumëpushtuara e të shumëcopëtuara shqiptare… E, Veriu i Mitrovicës, sot, ështrë shndërruar në një “thembër Akili”… Dhe, ai që di ta godasë “thembrën” edhe mund të fitojë!… Nuk na takon neve ta shtrijmë “thembrën” dhe as ta japim e ta falim atë, e, edhe më pak ta këmbejmë “thembrën” tonë me tonën. Për ta parë drejtë çështjen e shtruar, nuk duhet parë vetëm nga sot këtë problem dhe çështje delikate dhe as për ta zgjedhur drejt çështjen shqiptare, e cila, mendojmë, nuk mund të zgjidhet dhe nuk duhet të zgjidhet sipas z. Busek dhe as sipas akademikut Qosja. Këtij të fundit, mëse miri i është përgjigjur z. Adem Demaçi.

Nuk kemi nevojë të ngutemi për asgjë, sepse, jemi në tokën e në trojet tona denbabaden, vetëm sa për të thënë diçka, siç veproi akademiku i ynë, Qosja. Edhe më pak kemi nevojë ta dorëzojmë “lojën” pa e nisur atë fare, ose, edhe pa e luajtur. Ose, është edhe më keq poqëse luajmë vazhdimisht me “figura të zeza” që nuk dinë të krijojnë situatë për të shënuar gol për ekipin që luajnë, por, siç janë mësuar, prej “dijes së madhe” e prej “titujve të mëdhenj” ‘shkencorë e akademikë’ që kanë, gjatë tërë “lojës” kanë shënuar dhe shënojnë autogola, siç nxitoi këtë herë akademiku i “ynë”, se, z. Busek nuk ia zëmë as ia shohim edhe për aq të madhe, por, sikurse të gjithë “miqve” tanë që mund të deklarohen si ai!…

Faji për këtë çështje dhe problem nuk u takon vetëm pushtetarëve të sotëm, e, edhe më pak njerëzve të UÇK-së, por, ai faj është i kahershëm dhe i kahmotshëm. Ai faj i ngarkon barabar politikën shqiptare, intelegjencën shqiptare dhe të gjitha institucionet relevante që përbëjnë shtetin shqiptar me shumë “akademikë” në krye të “Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, e, besa, edhe asaj të Shqipërisë londineze. Madje, gjendja e Veriut të Mitrovicës shqiptare e ngarkon edhe akademikun tonë, Qosja&Co. As politika shqiptare, as intelegjenca shqiptare, as sigurimi shqiptar, si dhe as “akademikët” e “akademitë” tona nuk janë marrë me këtë çështje fundamentale të ruajtjes dhë bëries së Atdheut. Bile-bile, më së paku akademik Qosja, i cili ka qenë pjesë e zinxhirit antishqiptar shqiptaro-titist dhe kotërr (hallkë) e pashkëputur e atij zinxhiri antishqiptar të shtrirë Beograd-Prishtinë-Shkup-Podgoricë-Preshevë… Mendoka shoku dhe miku im i shtrenjtë që çështja shqiptare e Mitrovicës të zgjidhet sipas “patriotëve” shqiptaro-titistë si akademik Qosja?!... Jo. Përkundër, mendojmë se faji i plotë për këtë gjendje skandaloze ku ka rënë gjendja e luftëtarëve veteranë të UÇK-së dhe lufta e saj, struket te akademiku i “ynë”, Qosja&Co. Pse e themi këtë? E themi, sepse, Qosja është ai që nuk ka ditur ta menaxhojë situatën dhe të caktojë parametrat shqiptarë, e theksoj: shqiptarë, për të qenë gjendja në të mirë të luftës së lavdishme të UÇK-së dhe të luftëtarëve veteranë të saj që u betuan për bashkimin e trojeve të pushtuara e të copëtuara shqiptare. Dhe, kush e cili është fajtori i krejt kësaj gjendjeje skandaloze trembëdhjetëvjeçare, antiliri, antiluftë dhe antiuçkëiste?... Kancerin duhet hequr nga trupi, pamëshirshëm. Sidomos, kancerin “patrirotik” shqiptaro-titist(Sic!)…

Gjendja e Mitrovicës sot, sidomos, ajo e Veriut të Mitrovicës, nuk është e sotme dhe as nuk duhet parë si e tillë, sepse, ajo daton që nga pushtimi i të gjitha trojeve autoktone shqiptare nga Serbia dhe Jugosllavia, si dhe nga pushtues paraprakë. Për ta parë realisht gjendjen atje, duhet të kthehemi pakëz prapa, për të parë opinionet e intelegjencës shqiptare të trojeve të pushtuara shqiptare nga Jugosllavia e Serbia, të cilës intelegjence nuk i ka takuar as “aklademiku i ynë”, z. Qosja. E themi këtë konstatim të qëndrueshëm, sepse, akademiku i “ynë”, z. Qosja, ka qenë pjesë e sistemit inteligjent shqiptaro-titist fadilhoxhist, që në esencën e tij ka qenë dhe ka mbetuar antishqiptar, të cilit sistem zinxhiror, antishqiptar, nuk i ka takuar intelegjenca e përndjekur shqiptare. Para afro tridhjetë vjetësh, unë, si autor, duke shkruar në emër të një partie të rinisë shqiptare të trojeve të pushtuara shqiptare nga Jugosllavia, pata tërhequr vërejtjen me shkrim, tek ditorja “Rilindja” (“Bujku”) dhe tek javorja “Zëri” se Rusia, e, në këtë drejtim, edhe Jugosllavia e Serbia si krah i saj, kanë qenë të gatshme që të lëshojnë pe dhe të heqin dorë përfundimisht nga çdo vatër tjetër krize në botë, nga çdo interes i tyre strategjik e gjeostrategjik, qoftë nga Afganistani, qoftë…, kudo, vetëm që të mos heqin dorë kurrë nga Kosova e pushtuar shqiptare dhe nga trojet tjera të pushtuara shqiptare, siç po ndodhë e po shihet edhe sot, trembëdhjetë vjetë pas luftës së lavdishme të UÇK-së… Dhe, kë duhet ta fajësojmë për këtë gjendje? Vetëm UÇK-në dhe Hashim Thaçin? JO. Në këtë drejtim duhet parë shumanshëm dhe paanshëm: Pse nuk ka reaguar politika shqiptare me kohë? Pse nuk ka reaguar e nuk reagon “politika kosovare” e shqiptaro-titistëve fadilhoxhistë e nazmirrahmanistë?... Pyetje mund të bëjmë pa fund dhe të japim përgjigje në to. Por, ajo që duam ta themi publikisht është se për këtë gjendje të shqiptarëve, përgjithësisht, dhe, për gjendjen në Veri të Mitrovicës së pushtuar shqiptare, faji është i Tiranës shqiptare dhe i shqiptaro-titistëve LDK-istë antishqiptarë, antienveristë dhe antiamerikanë.

Është fakt i pamohueshëm dhe pajtohem me mikun dhe shokun e bashkëluftëtarin tim, Shpëtim Golemi, se, vërtetë, “duhet të ecim me këmbë në tokë”, por, duke pohuar fuqishëm thënien që më thoshte gjyshi im, dritë pastë!, “Duhet me ecë me këmbë në tokë, por, gjithmonë me mend në kokë. Pa mend në kokë, kot së koti ecë edhe me këmbë në tokë”… Kjo gjendje e Veriut të Mitrovicës tregon qartë se lëre që “akademikët” tanë “patriotë”, “politikanët” tanë “patriotë”, “komandantët” tanë “patriotë” të UÇK-së, dhe kryetarë partishë, nahishë e bajraktarë kopeshë kuislinge, lëre se nuk kanë ecur me këmbë në tokë, por, kanë ecur turravrap edhe pa mend në kokë, siç po vrapojnë edhe sot theqafas sipas porosive e këkshillave antishqiptare të Beogradit, edhe në Prishtinë, edhe në Shkup, e, edhe në Tiranë, fatkeqësisht. Pra, të shkojmë së mbari: Tirana, Prishtina, Shkupi … janë fajtorët dhe shkaktarët kryesorë të kësaj gjedjeje skandaloze të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, e, edhe të Veriut të Mitrovicës. Në këtë pikëpamje nuk është për t’u mbrojtur as akademik Qosja, as Ismail Kadare, as Sali Berisha dhe as Hashim Thaçi, por, në fund të fundit secili prej tyre do gdhend në këmbë të veten, dhe, deri më sot, secili prej tyre e ka futur therrën në këmbë të shëndoshë, madje, pa i thënë askush dhe pa nevojë, fare!... Por, nuk dua që për shkak se të gjithë ata e kanë futur therrën në këmbë të shëndoshë, tash, për shkak të atyre “miqve” dhe ”akademikëve” ta fusë edhe shoku dhe miku im, Shpëtim Golemi. Shteti amë dhe Tirana shqiptare është dashur t’u besojë shqiptarëve të përndjekur e të persekutuar nga Jugosllavia fadilhoxhiane e shqiptaro-titistëve dhe jo politikave “patriotike” e “shqiptare” të LKJ-së (alias LDK-së kuislinge dhe antishqiptare) të Ibrahim Rugovës&Co…

Faje e fajtorë ka shumë, miku im. Dhe, fatkeqësisht, sot, shumica e atyre e këtyre fajtorëve të pandreqshëm janë në krye të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo. Prandaj, edhe nuk mund të ecet me këmbë në tokë, pa mend në kokë!... Në këtë pikëpamje, nuk është mirë që Tirana shqiptare të na i imponojë për njerëz të mirë “burrat e mirë” shqiptaro-titistë, tek të cilët nuk kemi pasur besim kurrë dhe as mund të kemi për jetë të jetëve, qoftë tek “politikanët” e atij sistemi antishqiptar, qoftë te “intelektualët” e atij sistemi antishqiptar, qoftë te “akademikët” e atij sistemi antishqiptar, qoftë te “kulturologët” e atij sistemi antishqiptar. Qoftë!...

Prandaj, është e udhës shqiptare që të ecim me mend në kokë e me këmbë në tokë!... Me mend në kokë fitohet edhe Veriu i Mitrovicës sonë, fitohet edhe Molla e jonë e Kuqe, fitohet edhe Nishi e edhe iliriku danubian! Fitohet!...

 

Burojë, 25 shkurt 2012

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode