Ese - Ribotim
ARTI I VIJAVE
Shkruan: Tafil DURAKU
Vijat janë të lashta sa edhe njerëzit. Domethënia e tyre është e rëndësishme edhe për vetë njeriun, për jetën e tij dhe për atë që e rrethon. Ato shprehin edhe shumëkuptimësi. Ngado që t’i analizosh dhe t’i zbërthesh, ato kanë kuptimet e tyre, specifikat… Njëfarë dore, janë, diku-diku, bërthamë e së mirës, e, diku-diku, themele të së keqes. Vijat, në çdo analizë të thellë e të hollë letrare e psikanalitike, dalin të rëndësive të ndryshme. Ka asosh të rëndësisë parësore, praktike, dytësore…, qoftë për të mirë, qoftë për të keq!... Art të së mesmes, te vijat, nuk gjejmë. Skajshmërisht shprehur, vijat janë art i së ligës dhe art i mrekullisë, varësisht nga faktori njerëzi…
Vë kornizën e portretit përpara dhe thellohem në vijat që shquhen në të, po, edhe në ato që fshihen. Tre mijë vjetë vija të trasha të së ligës. Vija që ka bërë piktori enkas. Ato paraqesin gjurmët zezona të moteve. Sa vija?!... Vijë e drejtë, vijë e hollë, vijë e trashë. Vijë e thyer në të majtë, vijë e thyer në të djathtë. Vijë interesi, vijë skëterre. Vijë tokësore? Vijë jete. Vijë kombëtare. Vijë… Secila vijë është pjesë e portretit dhe gjëllin brenda kornizës së tij të lashtë. Destruktiviteti i vijave. Secila sosh fsheh nga diçka në vete dhe, njëkohësisht, zbulon diçka nga vetvetja. Secila vijë ka bërthamën e saj: konstruktive dhe destruktive. Në portret shquhen shenjat e bërthamës së dytë. Orvaten të dominojnë duke kamufluar vetveten. Po, ç‘përbërje fshehin në vete ato? Ç‘përmbajnë ngjyrërat e fasadave të tyre shkëlqimtare?... Simptomat nuk janë të pazbërthyeshme. Sa vijat na dalin qëllimkëqija e shquhen për të zezën. Janë të zeza fare, kryesisht, ato nga brenda, po, edhe ato nga jashtë. Ç‘fshihet prapa vijave shumëngjyrëshe?... Thjesht, edhe vijat shprehin artin e tyre në secilin portret. Por, arti i vijave të këtij portreti është tepër destruktiv, sa, nuk di a meriton të zihet ngoje.
Shikoj vijat nga brendia e thellësisë… Vijat e holla të portretit dalin më të qëlluara, më tërheqëse. Më joshëse për shumëçka. Ndërsa, për fat të keq të portretit, në të dy anët e lumit, prej kohësh, vijat e trasha shquhen për të zezën e tij, bëjnë kërdinë kohëve. Portretin e bëjnë më të vrazhdë, më të rëndë për syrin. Thjesht, edhe sot e bënë më të shëmtuar. Destruktiviteti i vijave nga brenda. Dhe, kush? Vijat e trasha shëmtake, që dalin tej kornize dhe ngushtë korrespondojnë me secilën jashtësi që atyre u vjen ndoresh.
Në fakt, cila është situata që na shtyn të merremi me vijat. Me vijat e portretit që kemi, përpara. Ku, vijat, sikur gjithmonë më parë, vazhdojnë lojën e tyre me portretin. Dhe, atë lojë të tyre kush tjetër duhet ta ndërpresë, pos portretit prezent?... Shoh fytyrën. Vijat e saj reale. Heq lumin në mes dhe shoh fytyrën e vërtetë. Thjesht, shoh veten. Shikoj portretin. Krahasoj veten në pasqyrë me portretin që më bëjnë të tjerët, me të gjitha vijat dhe ngjyrat e mundshme. Thellohem qenësisë së vijave të mia. Portreti shan piktorin që e shëmton, kështu rëndë e pas shpine. Shan vrazhdë destruktivitetin e vijave, që, këtu, qëllimshëm e quajtëm arti i vijave, për të sajuar njëanshmërinë destruktive të vijave në jetë, në art, kudo.
I kthehem sërish pasqyrës, e cila jep realisht të gjitha vijat natyrore e njerëzore. Pastaj, ndalem dhe e shikoj portretin dhe pyes veten: kush është për t’u sharë a për t’u fyer në këtë rrmok lëmshi! Vijat apo piktori?... Portreti apo piktori? Shtiracaku apo piktori?... E shikoj vazhdimisht, kohë pas kohe, veten në pasqyrë dhe konkludoj se portreti nuk është pa të meta, por, thelbësisht shikuar, nuk ka asnjë faj. Kush e pyeti, më në fund, portretin, ndonjëherë, për gjendjen e tij?!... Eu, piktor ziu, paç faqen e zezë me të gjitha vijat e trasha e shumëngjyrëshe, që mjeron e shëmton, kështu, tej çdo mase. Një ditë tjetër, sërish, shikoj portretin. Vijat e trasha shumëtojnë…
Arti i vijave, me gjithë kompleksitetin dhe pakuptimësinë e thellë, kuptohet dhe kapet… Me vija vëhen edhe shkronjat, numrat, vizatohet… Vijëzohet çdo gjë. Nga vijat linden edhe gjuhët. Me to merren vesh njerëzit… Me vija dallohen njerëzit. Por, e keqja e së keqes mbështillet këtu, se, nuk mund të merresh vesh dot me vijat e trasha të portretit të shëmtuar… me vijat e trasha që shpërthejnë kornizën dhe dalin jashtë saj e korrespondojnë fshehtas jashtësisë, për t’ia shëmtuar, si gjithmonë, thelbësinë e natyrës së tij.
Edhe sot shikoj portretin. Sërish destruktiviteti i vijave në pëlhurë. Rri shikimi i mprehtë me vijat e trasha të portretit, me vijat e zeza futë e shumëngjyrëshe, që fshehin veten djallëzisht pas shkëlqimit të rremë. Dikush në vijë të trashë e vijat e trasha lëvizin me neveri. Ikin e veprojnë si gjarpërinj, një nga një, heshtakë. Pastaj, fshihen si portret real. Shaj vijat. Fajet i kam unë! Piktori dhe shtiracaku i tij? Lukunia e vijave të derdhura me dhunë, në portret, thyejnë kornizën me bisht… Destruktiviteti i vijave prezent… Kujdes portretin, kujdes?
(Ky ese është shkruar në vitin 1991, dhe, është botuar në gazetën “Bujku”, në Rubrikën e Kulturës, më 27 prill 1994.)
Burojë, më 13 mars 2010