TRI POEZI
Nga Arben DUKA
DO TË DOJA…
Do të doja të lindja shurdh,
të mos dëgjoja,
mashtrimin shekullor të shtetit,
dhe klithmat e të mjerëve,
në vargjet e poetit.
Do të doja të lindja i verbër,
të mos shikoja,
rrudhat e thella të trishtimit,
dhe kodoshët zuzarë,
në kulmin e dëfrimit.
Do të doja të lindja memec,
që të mos vuaja,
nga fjalët e mia të hidhura,
prej prangave të zgjidhura.
02.01.2004
BUZËT
Di të lexoj sytë e njeriut,
di te sytë ngjyrat t’i dalloj,
porse buzët veshur me mistere,
asnjëherë nuk munda t’i kuptoj.
Janë dy burime ëmbëlsie,
janë dy burime që burojnë,
mund të ndezin zjarre dashurie,
por si gjarpër dhe mund të kafshojnë.
Në dy buzë-një buzëqeshje e ngrirë,
një buzëqeshje që askujt s’i flet,
unë mundohem-por s’e kuptoj mirë,
në është false-apo e vërtetë!
Kur të puthin-ty të zgjatin jetën,
kur të puthin ty të mrekullojnë,
po kur bëhen dy shpata të mprehta,
thellë në zemër e në shpirt të shpojnë.
Herë është e hidhur si pelini,
herë më e ëmbël si nektari,
tek dy buzët veshur me mistere,
rrinë tok akulli dhe zjarri…
Tetor, 2003
MORE NJERËZ – MORE SKLLEVËR!
Kam dhjetë vjet-ju kam treguar,
gjithë zullumet e shtetit,
ju më thoni zëmëruar:
“Lëri përrallat e poetit!”
Kam dhjetë vjet-jam torturuar,
sytë t’ju hapja sadopak,
ju me shpirt kini mallkuar:
“Mos na nxirr nga ky batak!”
Kam dhjetë vjet-e ju kam dashur,
dhe pse ju s’më deshët kurrë,
dhe tani që u është trashur,
shuall e shkreta lëkurë.
Në zenith të ulërimës,
nuk ju thosha një gënjeshtër,
se pas shiut-suferinës,
do të binit në një breshër.
Kam dhjetë vjet duke bërtitur,
kreshpëruar porsi zjarri,
ju nga llumi s’jeni ngritur,
më të bindur se gomari.
Ju kanë shkelur-ju kanë tallur,
porsi mizat-more njerëz,
ju të vdekur-të pakallur,
zgjodhët që të vdisni skllevër.
Kot gjëmoj me zë të dredhur,
shkuan kot këngët e mia,
për fatin që kini zgjedhur,
s’ka ç’ju bën as Perëndia!
14.02.2004
(Marë nga DITA)