Arben DUKA
REFORMË ME GJYQTARË TË NDRYSHKUR!
Nuk kemi dhe nuk do të kemi,
asnjë kunj me qeverinë,
ditë për ditë po i themi:
“Pse nuk vendos drejtësinë?!”
Ka si kudo – Shqipëria,
tri shtylla që mbajnë balancën,
kur themi këtu: “Qeveria”,
mendojmë gjithë maxhorancën!
Pirostia s’rri në këmbë,
po s’pati këmbët – të tria,
nëse dhe njëra ka rënë,
bie e gjithë pirostia!
Një këmbë-gjyqësori i tërë,
që rezulton i copëtuar,
ndaj Shqipëria s’është bërë,
dhe quhet një vend i rrëzuar!
Për drejtësi kemi plasur,
po shpresa u shemb – u bë pluhur,
dhe E Majta e ka pasur,
të gjithë kohën e duhur!
Një hap i mirë – i menduar,
duhet të qe që në nisje,
Rilindja vetë ka premtuar,
se do të bënte përmbysje!
Po nuk u ndryshua asgjë,
dhe presje kësaj nuk i heq,
jo që përmbysje s’u bë,
po shkoi keq e më keq!
Gjithë gjyqet që ne kemi parë,
që quhen si më kryesorë,
nuk janë një turp kombëtar,
por janë një turp botëror!
Po në Shtator – janë betuar,
se do të bëjnë hatanë,
po unë deklaroj me të shkruar,
e kanë të humbur davanë!
Nuk ngjallet kurrë një kufomë,
nuk çelet më lule e vyshkur,
si mund të bëhet reformë,
me këta gjykatës të ndryshkur?!
Kemi parë filma se si,
makijazh i bëjnë kufomës,
dhe ky do të jetë gjithsesi,
gjithë përfundim’ i reformës!
Nga e drejta mbase jam hu,
ndaj dua tamam që ta di,
kush do ta dënojë këtu,
gjykatësin që s’jep drejtësi?!
Ata që reformë thërrasin,
më duket se bëjnë shaka,
gjykatësi s’dënon gjykatësin,
se ujku – ujkun s’e ha!
Se ujku – ujkun s’e ha,
dhe pse është egërsirë,
dhe politika s’e ka,
këtë reformë me dëshirë!
Ndaj mori kritika nga unë,
një komision pesë me pesë,
dhe po të dojë maxhoranca,
do jetë opozita pengesë!
Po unë në fund propozoj,
të ketë një kuptim poezia,
të paktën në krimet e rënda,
Vendimet t’i marri Juria!
(Marrë nga DITA)Arben DUKA