AKADEMIA, SHKRIMTARËT DHE INKUIZITORËT
(Për vështrimin monografik “KOSOVA” të ASHAK-së dhe për dëbimin e mbi 50 autorëve nga universi letrar)
*Përzënia e shkrimtarëve nga universi letrar, madje nën firmën e Akademisë së shtetit, është po aq barbare sa edhe dëbimi i popullsisë rrënjëse nga atdheu
RUSHIT RAMABAJA
Shtëpia e pleqve inatçinj
Tash së voni doli nga shtypi vështrimi monografik “KOSOVA” i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që pretendon të jetë bërthama e enciklopedisë së ardhshme. Entuziastët e pritën me ngazëllim, me pandehmën dashamirëse se Akademia, më në fund, ia doli të zgjohej nga gjumi tridhjetë vjet i gjatë, ku kish rënë gati në kohën e themelimit dhe që, çuditërisht, e kish trashur atë gjumë veçan në motet e aparteidit serb, pikërisht në kohën e dramave më ngjethëse të atdheut. Dhe të gjithë pajtohen se do të duhej të ndodhte e kundërta, natyrisht: pra, Akademia të ishte ajo që pritej - truri i gjysmës sonë dhe që me forcën e mendimit shkencor dhe me luciditetin e vet të na tregonte se si të dilnim më lehtë nga kjo katrahurë. Por, siç thamë, në vend se t’i printe etnisë me dritën e zërit të urtë, në kohën kur Akademia e kisha serbe hartonin elebarorate për shfarosjen tonë, akademikët tanë zgjodhën të bënin gjumë nën hije manxuranash. E thashethemxhinjtë s’ reshtnin së thirruri: “A s’u kishim thënë se kjo Akademi është një shtëpi pleqsh të sëmurë, shtëpi kameleonësh servilë, që e pati themeluar Titoja për dekor dhe për të na vënë brirët ne e botës?”
Por, t’i lëmë thashethemxhinjtë. Të ndalemi te një pjesëz e këtij vështrimi monografik, pikërisht te kapitulli LETËRSIA SHQIPE (me gjithsej 8 faqe prej 646 faqesh sa ka “KOSOVA”). Çdo njohës serioz i historisë së re të letërsisë do të bindet menjëherë se Akademia jonë, fatkeqësisht, s’është veç vatër pleqsh të prapë, mu siç i mëshonin zërit thashethemxhinjtë (gjithnjë me përjashtime), por, mbi të gjitha, shtëpi pleqsh inatçinj e harrestarë, të cilët ende vazhdojnë të jetojnë në vitet shtatëdhjetë kur ishin themeluar për ta bërë më llamburitëse idilën e socializmit vetëqeverisës të perandorisë. Dhe këta pleq, fatkeqësisht, edhe tridhjetë e gjashtë vjet pas krijimit, madje edhe pas luftës së mbramë shqiptaro-serbe, ende shkruajnë e veprojnë me mendësi linçuesish, anatemuesish e inkuizitorësh të sofistikuar të diktaturës së sistemit njëpatrtiak të Titos.
Të shkojmë me radhë. Kapitulli për letërsinë shqipe (poezia, proza, dramaturgjia, kritika letrare), i shkruar nga akademik Ali Aliu, në radhë të parë, si tekst, është tepër i përciptë dhe tepër joserioz për t’u quajtur enciklopedik. Këtu mungon gati gjithçka: objektiviteti në ngjyrimin e dramës shoqërore e nacionale në kohën e krijimit të kësaj pjese të letërsisë shqipe, zbardhja e pozitës dhe e fatit të shkrimtarëve në një sistem me totalitarizëm të dyfishtë, kundërshtitë në mes vetë shkrimtarëve dhe, mbi të gjitha, mungesa e emrave të mbi 50 autorëve që krijuar universin e kësaj gjysme të letërsisë sonë. Sipas këtij shkruesi akademik, gjithëkahnajën letrare të Kosovës e krijuakan, përveç Martin Camajt, Esat Mekulit, Enver Gjerqekut, Latif Berishës, Hivzi Sulejmanit, Rexhai Surroit, Anton Pashkut, Ramiz Kelmendit, Adem Demaçit, Rexhep Qosjes, Ali Aliut, Hysni Hoxhës, Hasan Mekulit, Ali D. Jasiqit, Memet Krajës, Zekeria Canës, Sitki Imamit, Ramadan Rexhepit, Kapllan Resulit, Azem Shkrelit, Murat Isakut, Adem Gajtanit, Anton Çettës, Mark Krasniqit, Ali Huruglicës, Din Mehmetit, Rrahman Dedajt, Qerim Ujkanit, Nazmi Rrahmanit, Ali Musajt, Abdylaiz Islamit, Rexhep Hoxhës, Beqir Musliut, Besim Bokshit, Teki Dërvishit, Jusuf Gërvallës, Musa Ramadanit, Eqrem Bashës, Sabri Hamitit, Ymer Shkrelit, Rifat Kukajt, Vehbi Kikajt, Zejnullah Rrahmanit, Ymer Elshanit, Arif Demollit, Abdullah Konushevcit, Adem Gashit, Milazim Krasniqit e Rexhep M. Shalës, edhe shkrimtarët: Nehas Sopaj, Nexhat Halimi, Agim Mala, Shaip Beqiri, Edi Shukriu, Resul Shabani, Basri Çapriqi, Jusuf Buxhovi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Fatmir Sulejmani, Seladin Salihu, Lulëzim Haziri, Linditë Ahmeti, Anton Berishaj, Lindita Aliu, Kujtim Shala, Agim Vinca, Vehbi Miftari, Halil Zendeli, Nuhi Vinca, Rahmi Tuda, Kim Mehmet, Kujtim Rrahmani e Nysret Krasniqi.
Njohësit seriozë të letërsisë sonë gjithashtu e dinë se sipas çfarëdo kriteri që do të bazohej në vlera të mirëfillta arti, krahas emrave të përfshirë, do të duhej të hynin edhe: Agim Gjakova, Hajdar Salihu, , Rushit Ramabaja, Prend Buzhala, Tahir Desku, Abdullah Thaçi, Daut Demaku, Bajram Krasniqi, Hida Halimi, Rexhep Elmazi, Jakup Ceraja, Sylejman Syla, Halil Matoshi, Zejnullah Halili, Arben Hoxha, Zeqir Gërvalla, Sefedin Fetiu, Flora Brovina, Kadrush Radogoshi, Naime Beqiraj, Merxhan Avdyli, Kosovë Rexhë Bala, Qibrie Demiri, Liri Loshi, Shqipe Hasani, Qerim Arifi e Merrushe Gjoshaj. Po kështu ky shkrues akademik i ka dëbuar pa të drejtë jashtë këtij universi edhe shkrimtarët: Sylejman Aliu, Shefkije Islamaj, Mehmet Kajtazi, Brahim Avdyli, Salih Bashota, Nebih Bunjaku, Shyqri Galica, Hasan Dajaku, Ibrahim Kadriu, Sabile Keçmezi-Basha, Fakete Rexha, Rrahim Sadiku, Reshat Sahitaj, Ismail Syla, Ragip Sylaj, Gani Xhafolli, Avni Dehari, Sadri A. Kelmendi, Emin Kabashi, Rifat Ismajli, Nehat S. Hoxha, Mehmet Haziri, Bajram Qerimi, Alush Canaj, Salih Bytyçi etj. Madje shumë nga të dëbuarit do të duhej të viheshin, së paku, para tufës së dytë të shkrimtarëve monografistë. Për shembull , hirësia e tij shkrues, po t’i kish lexuar romanet liriko-filozofike të Hajdar Salihut, ndërgjegja prej akademiku mbase do t’i kish thirrë ta vendoste emrin e tij bile para Jusuf Buxhovit. Ose po ta kish lexuar poezinë dhe sidomos prozën refleksive të Hida Halimit, do t’ia vinte emrin para Edi Shukriu. Do ta vendoste Rexhep Elmazin së paku krah Adem Gajtanit dhe përpara Kapllan Resulit. Jam çuditur veçan qysh ka munduar ta lërë jashtë yllin fatkeqësisht jetëshkurtër të kritikës sonë Bajram Krasniqi. Ose poetët aq të dashur për fëmijë - Abdullah Thaçi, Zejnullah Halili, Liri Loshi, Qibrije Demiri e Alush Canaj? Apo Prend Buzhalën, autorin e veprave aq refleksive dhe kritikës aq të dendur? Apo poetin bohem, sjellësin e gëzimit tragjik, Tahir Desku? Mund të sillen edhe dhjetëra shembuj të tjerë, po të jetë nevoja. Të mos keqkuptohemi: kurrsesi s’jam kundër përmendjes së asnjë emri, por jam kundër mospërfshirjes së emrave të dy të tretës së autorëve që krijuan gjysmuniversin letar shqiptar. Megjithatë, që të mos i përsërisim gjërat, dua ta shtroj një pyetje të thjeshtë: në bazë të çfarë kriteri është shkruar kapitulli për letërsinë? Sipas kriterit ekskluziv të vlerës qysh do të duhej, apo sipas masës tashmë anakronike të epokës së totalitarizmit? E them me përgjegjësi të plotë se ky kapitull kryekëput është shkruar sipas kriterit ideologjik të socializmit të Titos. Dhe për këtë ka një mal me argumente. Të shkojmë me radhë.
Shkrimtarët lojalë dhe ata nacionalistë
Shkruesi akademik do të duhej ta kish thënë, qoftë dhe shkarazi, se në gjithë epokën e socializmit vetëqeverisës shkrimtarët ndaheshin në dy grupime: në tufën e shkrimtarëve lojalë (që perënditë e kuqe, përveç favoreve, ofiçeve e parave, u jepnin të drejtën e krijimit të mitit për vetveten) dhe në tufën e shkrimtarëve kryengritës (rebelë), që zotat e drapërçekanit i quanin nacionalistë. Dhe derisa shkrimtarët lojalë mund të kishin gjithçka (famë, favore, ofiçe, para, gra dhe mit vetjak), shkrimtarët nacionalistë kishin vetëm shpirtin lakuriq dhe idealin për çlirimin e dheut të tyre. Dhe derisa të parët jetonin në kamje e luks, të dytët gjallonin me varfërinë nëpër këmbë, me kërcënimin e përditshëm të pushtetit, me përbuzjet, fyerjet dhe denoncimet, madje edhe të kolegëve të vet - shkrimtarëve lojalë. Derisa shkrimtarët lojalë shkruanin poezi për Titon dhe u bënin elozhe heronjve të revolucionit, një pjesë e shkrimtarëve nacionalisë dergjeshin nëpër burgje (Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Rexhep Elmazi, Zeqir Gërvalla, Jakup Ceraja, Kadrush Radogoshi, Arif Demolli, Flora Brovina etj.), disa, madje, vriteshin po nga ky pushtet e nga këta heronj të këngës së lojalëve (Jusuf Gërvalla, Ymer Elshani e Latif Berisha).
Në vend se t’i thoshte këto, hirësia e tij shkrues sikur ka një nostalgji sfilitëse (ndonëse e shprehur tërthorazi), për Kapllan Resulin e Adem Gajtanin. Madje, lexuesi i vëmendshëm do të vërejë se këta i vendosë në fronin më të nderuar. E shkruesi do të duhej të thoshte të vërtetën se, për shembull, Hivzi Sulejmani menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte prokuror i shtetit, në gjyqet e të cilit u dënuan me pushkatim shumë njerëz të pafajshëm. Pastaj Hivziu, sigurisht nga vrarja e ndërgjegjës, u tërhoq në vetmi të plotë derisa vdiq. Pra, jo t’ia mohonte vlerën veprës së tij, por mos ta heshtte të vërtetën. Hirësia shkrues do të duhej t’i tregonte lexuesit se nuk është e njëllojtë ikja jashtë e Ramadan Rexhepit dhe e Kapllan Resulit: derisa i pari iku për t’i shpëtuar burgut e dhunës, të dytin, Kapllan Resulin, UDB-ja jugosllave e dërgoi në Shqipëri me misionin e spiunit. Madje kohëve të fundit qarkullojnë pandehma se ky zoti spiun s’është fare autor i romanit “Tradhtia”. Dhe këtu duhet të ketë diçka të vërtetë. Tekefundit vetë zoti spiun, hirësia e tij, deklaroi publikisht se kurrë s’kish qenë as kurrë s’do të ishte shqiptar, madje djalin e vajzën i kish pagëzuar me emra të fshehtë - Dushan e Dushanka.
Hirësia e tij shkrues do të duhej të kish treguar gjithashtu pse pas Plenumit të Brioneve Adem Gajtani iku nga Prishtina. Pa e mohuar bukurinë lirike të veprës së tij, natyrisht. Do të duhej të kish thënë diçka, për shembull, edhe për Fahredin Gungën e ndonjë tjetër. Dhe prapë po e përsëris: pa ua vënë në dyshim vlerën e veprave. Nga të gjithë është i njohur fakti se shkrimtarët e krahut nacionalist, kurrë dhe në asnjë rrethanë, nuk i mohuan as shkrimtarët dhe as veprat e lojalëve, ndonëse ata ua kishin nxirë aq shumë jetën. Të parët e kishin kuptuar drejt se të gjitha veprat, pavarësisht nga autori, qenë pasuri e përbashkët e kulturës kombëtare e më gjerë. Mohues dhe denoncues kishin qenë gjithmonë lojalët. Madje edhe zjarrvënës të vërtetë. Pas ngjarjeve të vitit 1981, për shembull, vetë Rexhep Zogaj, drejtor i atëhershëm i “Rilindjes”, në parkun prapa Pallatit të Shtypit vetë udhëhoqi ritualin e djegies së librave me “përmbajtje nacionaliste”.
Pra, në këtë atmosferë ndjekjeje e dhune perfide u zhvillua kjo pjesë e letërsisë shqipe. Dhe shkrimtarët lojalë u kujdesën që në radhë të parë të krijonin mitin për vetvete. Pra, sipas këtij miti, ata ishin dhe do të mbeteshin përjetësisht të pazëvendësueshëm, siç ishin dhe do të mbeteshin shkrimtarët e anës tjetër përjetësisht të përbuzur, të fyer, “të vegjël”, “minorë” “meskinë”, domethënë dofarë të shpifurish që s’do t’i përfillte fare historia e letërsisë. Kësaj pandehme i besonin me gjithë mend, siç besonin verbërisht se epoka e Titos do të shtrihej në gjithë historinë e ardhshme të njerëzimit, madje do të arrinte deri në Kohën e Ringjalljes.
Lojalët zunë të alarmoheshin në fund të viteve tetëdhjetë, kur sistemet totalitare po binin si gjethet e vjeshtës. Socializmi e kish hëngër vetveten dhe u kish ardhur koha pushteteve shumëpartiake. Atëherë shkrimtarët tanë lojalë, gati të shastisur, u ngutën të organizonin një tribunë letrare me temën e vetme: A pati në socializmin vetëqeverisës vepra të ndaluara dhe shkrimtarë të ndjekur për shkak të veprës? Fjalën kryesore e mbajti Basqi Çapriqi. Përgjigja ishte e prerë – jo, nuk pati as vepra të ndaluara, as shkrimtarë të ndjekur për shkak të veprës. Me këtë gënjeshtër të madhe, lojalët mëtonin t’i vrisnin dy zogj me një të goditur: t’i këndonin për herë të fundit ode sistemit tashmë të shembur dhe, çka ishte më kryesorja, ta ruanin të paprekur mitin e rremë për vetveten. Aty dolën zëra, natyrisht, që e kundërshtuan gënjeshtrën duke ua kujtuar lojalëve se për 28 vjet sa kish ndenjur në burg Adem Demaçi, qe dënuar kushdo që e kish lexuar “Gjarpinjtë e gjakut”. Madje Jusuf Gërvalla qe vrarë po nga ky pushtet edhe për shkak të veprës së tij letrare dhe se Arif Demolli s’i kish takuar asnjë organizate politike, por qe dënuar kryekëput për shkak të ideve të veprës së tij.
Ardhja e Inkuizitorit të Madh
Më pas, duke parë se dielli s’mund të mbulohej me shoshë dhe se mitin e tyre s’do të mund t’ua mbronte më socializmi, kërkuan forma të tjera që me çdo kusht ta ruanin përrallën për vetveten si “më të mëdhenjtë”, “më të pagjumët”, bile edhe “më shqiptarët”. Pra, pikërisht ata, që deri dje kishin bërë shaka cinike me “nacionalistët primitivë”, sot papritur kërkonin për vete tumulen kombëtare duke u hequr si “nacionalistë të vuajtur, që me mençuri e kishin fshehur shpirtin nga shkelësi”. Nuk mund të mohohet se vepra e lojalëve pati shpesh edhe përmbajtje nacionale. Por gjithashtu s’mund të fshihet e vërteta se shpesh këta zotërinj u bënë denoncues të kolegëve të vet, madje jo rallë, me veprimin e tyre politik, i prinë urrejtjes së shkelësit.
Të ndodhur në ethe për të ruajtur me çdo kusht mitin e rremë për vetveten, lojalët dalëngadalë po shndërroheshin në inkuizitorë të sofistikuar duke gjetur edhe format më perfide për t’i përjashtuar shkrimtarët nacionalistë nga librat shkollorë të letërsisë dhe rrjedhimisht për t’i përzënë përgjithmonë nga panteoni letrar. Në këtë luftë horrash, më i shkathti u tregua Inkuizitori i Madh. Ky, mbasi instaloi myhibët e vet kameleonë në të gjitha institucionet ku vendosej për letërsinë, shpiku përrallën për qarqet letrare. Në Qarkun e Prishtinës, në qendër la vetveten, natyrisht dhe përreth vetes, me absolutizëm të paparë prej horri vendosi vetëm myhibët e vet, pavarësisht në ishin ata njëmend shkrimtarë, barinj apo hajna. Thashë “apo hajna”, sepse në këtë tufë “gjenish” të Ikuizitorit, ka edhe plagjiatorë të dëshmuar publikisht, që vodhën pikë për pikë veprat e të tjerëve. Por, Inkuizitorin e Madh kjo gjë s’e brengosë fare. Ai pati vendosur ta krijonte Rendin e tij religjioz të Qarkut, që dashur padashur të kujton Rendin e Tempullarëve në luftën e kryqëzatave dhe ta privatizonte plotësisht letërsinë, në mënyrë që t’i lejohej me ligj ta fusë ose ta nxjerrë kë të dojë nga prona e vet. Kështu do të ndodhë derisa ky shtet të bëhet përnjëmend shtet dhe kur gjyqi do t’ua marrë të drejtën e pronarëve të gjithë uzurpatorëve të paligjshëm.
Hartuesi i kapitullit për letërsinë shqipe në monografinë “Kosova”, duke qenë, përpara se akademik, një shërbëtor servil i gjithëkohshëm i të fuqishmëve, veproi kryekëput sipas përrallës së Rendit të Qarkut të Inkuizitorit të Madh dhe sipas filozofisë së tij fisnore prej uzurpatori. Ky, shkruesi, pati vetëm një kërkesë, natyrisht: në panteonin e “gjenive” ta fuste edhe Lindita Aliun, të bijën. Dhe Inkuizitori u tregua zemërgjerë. Madje, “bujaria” e tij shkoi edhe më larg: dha leje që në këtë univers t’u shkruheshin emrat edhe disave, që Hirësia Inkuizitor vështirë i honepste: Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Jusuf Gërvalla dhe tek-tuk ndonjë tjetri. Për të luajtur nacionalistin zemërzjarrtë dhe për t’ia mbushur opinionit sytë me hi, do të duhej të bënte politikë të mençur. Por, mbi 50 të tjerë, që e kishin shpërfillur, ose që kishin marrë guxim ta kritikonin, apo që thjesht s’mund t’i honepste në Rendin e Tij, s’do t’i lëshonte brenda as me çmimin e daljes së vet dhe të myhibëve të vet nga universi. E po të dilte ai, universi do të mbetej një shkretëtirë e mbuluar në zi, thoshte vetëmevete Inkuizitori i Madh.
Përzënia arbitrare e shkrimtarëve nga universi, që e kishin dashur po aq sa shpirtin e vet, madje nën firmën e Akademisë së shtetit, është njëlloj si përzënia me dhunë e popullsisë rrënjëse nga atdheu ku kanë lindur e janë rritur. Prandaj një akt i tillë s’ka se si të mos quhet barbar. Është koha e fundit që, në radhë të parë vetë shkrimtarët, por edhe ministritë përkatëse, të ngrisin zërin për ta shpëtuar letërsinë, kulturën dhe shkollën tonë nga inkuizitorët e paligjshëm.