AKADEMIA, KALI I TROJËS DHE PJELLA E TIJ

AKADEMIA, KALI I TROJËS DHE PJELLA E TIJ

(Për botimin e ASHAK “Kosova, vështrim monografik”)

Shkruan: Tafil DURAKU

 

Në vazhdën e botimit të shumë librave e monografive “publicistike”, “kulturore”, “historike” e “shkencore” të të gjitha fushave të dijes, ditë më parë doli edhe e ashtuqujatura monografi “Kosova – vështrim monografik”, botuar nga Akademia e Shkencave (lexo: e Shkelmave) dhe e Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2011, që pasqyron një pamje shokuese e trishtuese për shumë fusha të dijes, si për kulturë, histori, arsim, shëndetësi, art, ekonomi etj., ku pikaset për të keq kapitulli për letërsinë shqipe, i përgatitur nga pinjolli i Kalit të Trojës dhe “kritiku” i njohur “letrar”, njëfarë Ali Aliu.

Në fillim të këtij vështrimi do e themi faktin se po të mos ishte debati që nxiti ky libër voluminoz e kontravers “shkencor”, sidomos, kritika shumë e drejtë, e qëlluar  dhe e thuktë e shkrimtarit tonë të njohur, z. Rushit Ramabja, për aq sa i takon letërsisë shqipe, për aq sa u takon shkrimtarëve, as që do të na shkonte mendja dhe as do ta merrnim mundimin që ta gjenim e t’ia hidhnim një sy, qoftë edhe shkarazi, sepse, tashmë, jemi mësuar me libra të tillë voluminozë e “shkencorë”, të stërmbushura me familjarë e oborrtarë të pushtuesit e të pushtetit serbo-jugosllav “shqiptar” të Beogradit në trojet e pushtuara e të copëtuara shqiptare, sa jemi bërë të vjellim gjithçka, e, edhe “kulturën”, “historinë” e “letërsinë” tonë të imponuar nga oborrtarët letrarë e letraxhinj të Beogradit në Prishtinë, Shkup, Podgoricë e gjetkë, siç ndodhë edhe me “historinë”, “politikën” dhe fushat e tjera shoqërore që po lulëzojnë për të keq, përditë e më shumë.

Kjo që po ndodhë me kulturën, letërsinë dhe historinë shqiptare, është tepër e çuditshme, tepër e dhimbshme, e, madje, lejimi i shkuarjes kaq larg me të pavërteta të tilla “historike”, “kulturore”, “shkencore” e “akademike” është më tepër se skandaloz. Bile-bile, vështrimin monografik në fjalë do të mund ta krahasonim edhe me të ashtuquajturën enciklopedi antishqiptare e Maqedonisë, kur e dimë se atë e ka lejuar e disenjuar antishqiptarisht një akademi joshqiptare, bullgaromadhe. Por, zor se do gjendet një krahasim me antishqiptarizmën që imponon monografia e ASHAK dhe pinjolli i kapitullit të saj për letërsinë shqipe, ku i vë vertikalisht shtyllat antishqiptare që e kanë mbajtur gjallë Jugosllavinë e Titos në trojet e pushtuara shqiptare, madje, i përqiellzon po ato shtylla si “shkrimtarë kosovarë” të rendit të parë “shqiptar”. Bah!... Duket qartë se nuk është i paqëllimtë edhe pikësynimi i pinjollit “akademik” të Kalit të Trojës për ta ruajtur, himnizuar e përqiellzuar një “kulturë” të imponuar letrare të diktaturës së sistemit njëpatrtiak komunist të Titos, kulturën njëpartiake “kosovariste” të “vlerave” më të shëmtuara e më kontraverse antishqiptare dhe për t’ia imponuar njëmendësinë e tyre “letrare” e “shqiptare” opinionit të gjerë shqiptar.

Kur jemi këtu, nuk kemi se si të mos e themi faktin se vështrimi monografik “Kosova” ka një prapavijë të qartë antishqiptare të “letërsisë shqipe”  dhe të “shkrimtarëve përfaqësues”, të përzgjedhur familjarisht jugosllavçe, të kamufluar aq mirë e me perfiditet për “patriotizmin” dhe rrahagjokësinë “shqiptare” të pinjollit formulues të saj, që synon “letërsinë kosovare” e “kosovariste”, kur shkruan: “Plejada e parë e shkrimtarëve kosovarë”, madje shkruan për “qiellin poetik kosovar”, për “bibliotekën poetike kosovare”, për “autorët e nismës kosovare”, për “poezinë kosovare”, për “poetikën kosovare”, për “luftën kosovare”, për “atmosferën letrare kosovare”, për “shkrimtarët kosovarë”, ku, edhe “letërsia kosovare, si në poezi ashtu edhe në prozë” etj., i tregojnë qartë përpjekjet e pinjollit të Kalit të Trojës për ta përjetësuar pjellën e tij të oborrtarëve letrarë e letraxhinj të Beogradit, në Prishtinë, që pinjolli formulues (para)pëlqen ta quajë “kosovare” e “kosovariste” (që domethënë: ANTISHQIPTARE) dhe ta mbajë atë me çdo kusht në “qiellin” e kapitullit sherrnxitës për “letërsisë shqipe” të krahut “gjytyrim” të shqipes, si pjellën e tij të drejtpërdrejtë pinjollore e “kryeshqiptare”, familjarisht e krahinorisht të njohur, e cila, fatkeqësisht, ishte vetë shtylla vertikale dhe horizontale e Jugosllavisë antishqiptare të Titos, të cilën pinjolli formulues, aifarë Ali Aliu, orvatet jo pa qëllim ta mbajë në piedestalin “shqiptar” të “lëtërsisë shqipe”, e cila në rastet akademike do të duhej të quhej “letërsi shqiptare”, siç quhen edhe letërsitë e kombeve dhe popujve të tjerë të botës, si  “letërsi amerikane”, “letërsi francece”, “letërsi gjermane”, “letësi angleze” etj.

Synimet e tij pinjollore e kalëtrojane i zbardhë dhe i përsheshëzon thënia enciklopedike e shkrimtarit tonë, z. Rushit Ramzabaja, i cili me të drejtë konstaton se “Përzënia e shkrimtarëve nga universi letrar, madje nën firmën e Akademisë së shtetit, është po aq barbare sa edhe dëbimi i popullsisë rrënjëse nga atdheu”… e, edhe kur shton urtisht: “A s’u kishim thënë se kjo Akademi është një shtëpi pleqsh të sëmurë, shtëpi kameleonësh servilë, që e pati themeluar Titoja për dekor dhe për të na vënë brirët ne e botës?”… Ç‘ironi e “fatit” tonë krijues dhe ç‘ironi për brezat e ardhshëm shqiptar kur e dimë çfarë i pret!... Po, me ç‘të drejtë “akademike” lejohet t’u imponohet brezave të ardhshëm shqiptarë që të mësojnë për “letërsinë kosovare e kosovariste” të pinjollëve letrarë e letraxhinj të Beogradit, në Prishtinë, të cilët ishin edhe shtyllat kryesore ideologjike “njëkulturore” që mbajtën gjallë censurën dhe terrorin e paparë etnocidal e gjenocidal në kurriz të shqiptarëve në trojet e tyre të pushtuara etnike, Gjeoautoktone?...

Si lejohet që edhe pas luftës së lavdishme të UÇK-së të përqiellzohen emrat dhe mbiemrat më të pështirë e më të lakuar të jugosllavizmës e të shqiptaro-titistëve të rafinuar “shqiptarë” të letërsisë njëpartiake komuniste “shqiptare”, që e ka uzurpuar e privatizuar institucionin e Akademisë dhe quhet LDK?! Si është e mundur që nën emblemën e një akademie të legjitimohet uzurpimi i të drejtave të autorëve për të qenë të barabartë para detyrave që shtron Atdheu e Kombi, duke i linçuar e përzënë krijuesit nga fusha e dhuntisë vetanake natyrore e njerëzore? Me ç‘të drejtë pinjolli “akademik” e quan luftën e popullit shqiptar për LIRI e për BASHKIM KOMBËTAR “luftë kosovare”? Si guxon dhe nga kush e merr atë të ‘drejtë’, guximin dhe lejen ta quajë ashtu? Madje, si të tillë dëshiron ta fusë edhe në letërsi. Ose, siç thotë vetë pinjolli ‘akademik’: “… fillimshekullit të ri, do të sjellë ngarkesën tematike edhe të luftës kosovare për liri.” Shikoni se me ç‘perfiditet dhe djallëzi i punohet prapa krahëve, madje publikisht, luftës së UÇK-së dhe betimit e gjakut të derdhur të luftëtarëve të saj për LIRI e për SHQIPËRI.

 

Akademia barbare dhe njëpartiake

 

Të gjithë po i shohim rrejdhat këto dymbëdhjet vjetë të pasluftës së lavdishme të UÇK-së, në çdo pore të shoqërisë dhe në çdo fushë shoqërore të shqiptarëve, e, edhe në Akademinë njëpartiake LDK-iste e shqiptaro-titiste, anëtarë të së cilës janë shumë plagjiatorë dhe kryetarë komunash, etj. ASHAK është akademi njëpartiake dhe komunisto-moniste, e pazonja deri në ditët e sotme që të dalë prej guacës së vet të dyfishtë komunisto-moniste, “socialiste-vetëqeverisëse”, LKJ-LDK. Ajo Akademi nuk njeh dhe nuk kultivon vlera. Njeh dhe imponon vetëm përkatësinë moniste njëpartiake të viciozitetit sllavokomunist “shqiptar”. Detyrat e saj akademike i kryen me bërrylat plagjiatorë e partiakë të LDK-së, Dhe, kjo nuk ndodhë vetëm në fushën e letërsisë.

Privatizimi i letërsisë njëpartiake komuniste me një mendësi po njëpartiake LKJ-isto – LDK-iste dhe uzurpatorët e paligjshëm të saj, tashmë, po shihen në publikimet e tyre “enciklopedike” prej pinjollësh dhe servilësh “akademikë”, siç del pinjolli kalëtrojan i kapitullit për Letërsinë Shqipe. Dhe, kësisoji, Akademia, duke u ofruar mundësi pinjollëve të Kalit të Trojës, ose, kalëtrojanëve të rinj, në rastin konkret, pinjollit Ali Aliu, e bën veten barbare, sepse, me dorën dhe mendjen e “ndritur” të tij prej akademyku lejon veten të dalë me synime të kamufluara antishqiptare dhe kur njeriu gjakftohtë e krahason me Enciklopedinë antishqiptare të Maqedonisë (botuar më 2009), vështrimi monografik “Kosova” del më i rëndë dhe më antishqiptar për shumëçka fyese dhe të papranueshme për shkrimtarët dhe për botën e tyre të larmishme të universit letrar njerëzor që don të zhvillohet e të lulëzojë edhe jashtë koncepteve të njëpartiakëve komunistë “letrarë” shqiptaro-titistë.

Themi se kjo akademi është barbare, sepse, lejon që emrin e saj ta (keq)përdorin plehëra të tilla “akademikësh” shqiptaro-titistë, që nën emrin dhe emblemën e saj shndërrohen në ndjekës, persekutues dhe inkuizitorë të letërsisë shqiptare, duke bërë seleksionimet më negative, me dashje për t’u ofruar e lënë favore, ofiqe, pozita e pasuri familjarëve të tyre dhe të farefisnisë së ngushtë e të gjerë shqiptaro-titiste për të qëndruar në piedestalin letrar të popullit shqiptar, gjë që nuk e meritojnë me asgjë njëpartiakët akademykë komunistë shqiptaro-titistë, LDK-istë.

Kryepinjolli Ali, në këtë rast bën seleksionimin e “vlerave” tona dhe i pasqyron të gjithë censorët e “redarët” shqiptaro-titistë që kanë diktuar rendin e “vlerave” kulturore e intelektuale në trojet e pushtuara shqiptare në Jugosllavinë antishqiptare të Tito-ogllusë, duke i ruajtur e përqiellzuar shtyllat e ruajtjes së rendit shtypës antishqiptar të Titos në letërsi dhe në kulturë e në fusha të tjera shoqërore e shkencore shqiptare në trojet e pushtuara shqiptare. Madje, për të qenë ironia edhe më e madhe, ato shtylla mbajtëse të jugosllavizmit shqiptaro-titist i pasqyron edhe me fotografi, duke i përzgjedhur gjithnjë me porosi e me dinakëri të theksuar “patriotike”, duke i përqiezuar në çdo fjali “akademike” si “prijetarë” dhe “patriotë” të vërtetë.

Përpjekjet djallëzore të pinjollit Ali Aliu për ta ndarë letërsinë shqipe, sipas mendësisë së porositur letrare “kosovare” e “kosovariste” shihen pa farë vështirësie. Ai pinjoll përqiellzon Martin Camajn, Esad Mekulin, Latif Berishën, Azem Shkrelin, Murat Isakun, Fahredin Gungën, Adem Gajtanin, Din Mehmetin, Ali Podrimjen, Rrahman Dedajn, Qerim Ujkanin, Ali Musajn, Josip Relën, Abdylazis Islamin, Rexhep Hoxhën, Nazmi e Zejnullah Rrahmanin, Sabri Hamitin, Beqir Musliun, Besim Bokshin, etj., ndër të cilët e radhitë edhe Adem Demaçin. A thua pse e radhitë Adem Demaçin krah tyre?!... Madje, Hivzi Sylejmanin, Enver Gjerqekun, Fahredin Gungën, Din Mehmetin, Azem Shkrelin, Anton Pashkun dhe Rrahman Dedajn i pasqyron edhe me fotografitë e tyre reale, të cilët së bashku me pinjollin&Co kishin prejardhjësi kalëtrojane në këtë pjesë të letërsisë shqiptare. Ai pinjoll, nuk harron t’i përmend as Teki Dervishin, Eqrem Bashën, Ymer Shkrelin, Nexhat Halimin, Jusuf Gërvallën, Agim Malën, Shaip Beqirin, Edi Shukriun, Musa Ramadanin, Nehas Sopajn, Resul Shabanin etj. Duke mos harruar t’i zë ngoje edhe brezin tjetër të kalëtrojanësisë pinjolliane, si: Basri Çapriqi, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Abdullah Konushevci, Fatmir Sulejmani, Salaidin Salihu, Lulzim Haziri, Mustafë Xhemajli, Linditë Ahmeti, Anton Berishaj, Linditë Aliu (Tahiri), së fundmi Kujtim Shala, Vehbi Miftari. Ai pinjoll rizë ngoje disa herë edhe Hivzi Sylejmanin, Anton Pashkun, Ramiz Kelmendin, Adem Demaçin, Azem Shkrelin,  Zekeria Rexhën, Sitki Imamin, Ramadan Rexhepin, Kapllan Resulin, Rexhai Surroin, Nazmi Rrahmanin, Sinan Hasanin, etj., të cilët na “e krijuakan atmosferën letrare kosovare”…  Ai nuk lë pa zënë ngoje as Rexhep Qosjen, Mehmet Krajën, Zejnullah Rrahmanin, Ymer Shkrelin, Sabri Hamitin, Jusuf Buxhovin etj. dhe kalëtrojanë të tjerë “shqiptarë” të Jugosllavise së Titos. Por, është e çuditshme pse ai pinjoll i sojesorollapit kalëtrojan linçon dhe përjashton disa shkrimtarë më të arrirë të kësaj pjese të letërsisë shqiptare, si Nebil Durakun, Halil Kajtazin, Jakup Cerajën, Vehbi Kikajn, Rifat Kukajn, Zejnullah Halilin, Mehmet Kajtazin etj., që kanë dhënë kontributet e tyre për ta pasuruar letërsinë, kulturën dhe folklorin shqiptar, përgjithësisht.

Kjo nuk do koment më të gjatë, as më të gjerë. Pinjollit të Letërsisë shqipe i mjafton radhitja e së bijës, Lindita Aliu-Tahiri, në “qiellin” e letërsisë “kosovare” e “kosovariste”, që në esencën e saj “enciklopedike” del antishqiptare fund e krye, ose, krye e fund.  Apo, nuk është ky Kali i Trojës dhe pjella e tij në letërsinë pinjollore “kosovare” e “kosovariste” të Akademisë “sonë” të sherrit shqiptaro-titist.

Po, a e dinë shqiptarët se kjo Akademi nuk mund të jetë tjetër, sepse është skandalozisht njëpartiake dhe i përket me mish e me shpirt të menduarit komunisto-monist dhe i takon LDK-së…

 

Ndarja më përkatëse është ajo e shrkimtarit Rushit Ramabaja

 

Ndarja që e bën shkrimtari i ynë, z. Rushit Ramabaja, në shkrimin e tij kritik me titull: Akademia, shkrimtarët dhe inkuizitorët, është ndarja më përkatëse, ku, në kapitullin e parë, ose në ballë është vënë kaptina Shtëpia e pleçve inatçinj, pjesa e dytë përshkruan dhe argumenton Shkrimtarët lojalë dhe ata nacionalistë, ndërsa, e treta është Ardhja e Inkuizitorit të Madh, që korrespondon fuqishëm e natyrshëm me emrin e inkuizitorit të madh, që do të thoshim se kjo nuk është vetëm ardhja e një inkuizitori të madh, por ardhja e shumë inkuizitorëve të mëdhenj, në secilën kaptinë shoqërore të monografisë “Kosova, vështrim monografik”, botim skandaloz e para”enciklopedik” i ASHAK.

Po, kur jemi këtu duhet të themi se nuk pajtohemi as me disa prej emrave që shkrimtari i ynë, z. Rushit Ramabja, radhitë se nuk janë përfshirë në vështrimin e pinjollit Ali Aliu, sepse, edhe ata që përqiellzon pinjolli Ali Aliu, e, edhe disa që i radhitë z. Rushit Ramabaja në kritikën e tij të qëlluar, nuk janë bash për ‘kurban’, madje, shumë sish do t’i fëlliqnin edhe muzetë kombëtare shqiptare, e, edhe WC-të shqiptare. Nuk bëhet shteti prej letre e as prej shkronjave të zeza të vëna në letër të bardhë, po prej damarëve të gjakut të trupit të njeriut tonë luftëtar e dëshmor dhe prej gjakut fisnik të tij, prej të cilit poetët dhe shkrimtarët e rinj nacionalistë bëjnë letërsi të re poetike e prozaike, gjithnjë mbi themelet dhe bazamentin letrar, poetik e prozaik, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe jo të shqiptaro-titistëve të kuqë komunistë. Kjo është letërsia e re, e rilindur, tredimensionale, të cilën duhet ta respektojë çdo Akademi Shqiptare dhe lusim Zotin që ta kemi vetëm një Akademi shqiptare të Shkencave dhe të Arteve, pa inkuiziorë dhe pa kuislingë shqiptaro-titistë në të, sidomos, pa plagjiatorët dhe pa kryetarët e komunave njëpartiake që e kanë uzurpuar Akademinë, pushtetin, kulturën etj. dhe luajnë “shut-kut” me krijuesit nacionalë e nacionalistë shqiptarë.

 

Përfundim

 

Kjo ishte, shkurtimisht, ajo që u dashtë ta themi për monografinë “Kosova, vështrim monografik”, botim i ASHAK, Prishtinë, 2011, f. 646, formati A/4. Një vështrim i tillë, i mbështetur nga ASHAK, mëse paku është mbështetur në parime e rregulla akademike, prandaj, si i tillë është tepër joserioz dhe tepër skandaloz në rrafshin e publikimeve të tilla akademike-enciklopedike, sidomos, në kapitullin për Letërsinë Shqipe. Por, qëllime të tilla të errëta ngjizë Akademia me botimet e saj “enciklopedike”, sepse, po të mos ishte kjo Akademi me Kuajtë dhe Pelat e Trojës e me pjellën e tyre në të, tash e dymbëdhjetë vjetë Shqipëria do ishte e bashkuar në të gjithë kufijtë e saj etnikë, për ç‘qëllime u bë edhe lufta e UÇK-së shqiptare, të cilën pinjollët dhe pinjollësia e Kalit të Trojës po përpiqen ta kthejnë tjetërkah, në mullinjtë projugosllavë të Titos, duke përmbushur porositë e tij antishqiptare, për krijimin e “Kombit kosovar”, të “Gjuhës kosovare”, të “Kulturës kosovare”, të “Letërsisë kosovare”, të “Historisë kosovare”, të “Ekonomisë kosovare”, të “Shkencës kosovare”, të…

Dhe ajo që është për t’u thënë e përfishirë në këtë përfundim logjik për botimin e ASHAK “Kosova, vështrim monografik”, Prishtinë 2011, është fakti se atë e përbëjnë plagjiatorë të pacipë, që nuk e kanë vendin aty, tok me pinjollin përpilues, ku kanë zënë vend, udbashë e kosistë antishqiptarë si Kapllan Resulbegoviçi, i cili nuk është autor i romanit “Tradhtia” – autor i të cilit është Kadri Limani (Këtu u referohemi  dëshmive të njerëzve që e kanë njohur Kadri Limanin dhe janë njohës të mirë të rrethanave të kohës). Ajo që hetohet dukshëm është “shqetësimi” i pinjollit censor për “censurën e pushtuesit” kur ai&Co e tij endej lirshëm me ushtrinë e tij “’poetike’, ‘prozaike’, ‘letrare’ e ‘kritike’” kalëtrojanësh censorë, të cilën ushtri pinjolli e përqiellzon pa asnjë të drejtë njerëzore, atdhetare e kombëtare, madje, profesionale, për fushën e ndieshme të letërsisë shqiptare. Pinjollësia kalëtrojane ka qenë dhe ka mbetur edhe sot e vetmja kastë e paprekur pinjollësh censorë dhe e vetmja kastë e urryer e kësaj pjese të kulturës dhe të letërsisë shqiptare.

Ndërsa, për ‘sihariqin’ “censurë e pushtuesit”, që na e rikujton pinjolli censor në “Kosova, vështrim monografik”, botim skandaloz i ASHAK, është për të qeshur edhe sorrat e zeza në mal. Dhe, ajo që bie në sy për të keq, sot e gjithë ditën, është porosia e censorit pinjoll dhe rekomandimet e elitës pinjollore të tij, që, pos Prishtinës i përcillen heshturazi e fshehtas edhe Tiranës shqiptare, sipas rekomandimeve dhe porosive të Prishtinës “patriotike” e “kombëtare”, e cila i di emrat dhe mbiemrat e të gjithë poetëve e shkrimtarëve nacionalistë shqiptarë dhe ia përcjellë ata me rekomandim Tiranës: “Që të mos botohet asgjë e tyre në shtypin shqiptar, por, të jemi të publikueshëm vetëm ne, pinjollët dhe patriotët ‘shqiptarë’ të Titos, për opinionin e gjerë shqiptar, gjithandej”(Sic!). Pra, poetëve e shkrimtarëve nacionalistë shqiptarë nuk duhet t’u jepet asnjë hapësirë në shtypin shqiptar, por, për ta treguar botërisht “shqiptarësinë” e tyre, do të përkrahen e publikohen vetëm censorët dhe pinjollët shërbëtorë të Titos edhe në “lëtërsinë e sotme shqipe”. E, kjo situatë e shëmtuar i bën për të qeshur edhe laraskat në fushë.

Rekomandimet , veç Prishtinës “letrare”, të cilën e kontrollojnë vetë, përmes pjellës së tyre pinjollore kalëtrojane, se cili poet e shkrimtar nacionalist nuk duhet të përkrahet as në Prishtinë, as në Tiranë, as në Tetovë, as në Preshevë, as në Podgoricë, as…, e dëshmon mëse miri njëfarë gazete javore, kulturore e politike “Nacional” dhe shumë të tjera gazeta, revista e TV krah saj…

Këtë shkrim timin dua ta përfundoj me maksimën time shqiptare, të cilën e kam thënë një dekadë e tepër më parë, se As kudra më e zezë në historinë e njerëzimit, nuk kishte ditur të pjellë antishqiptarë më të zez e më antishqiptarë, seç ka pjellur kudra e quajtur Tito. Dhe, këtë maksimë timen, fatkeqësisht, e arsyeton edhe sot e kësaj dite kjofarë enciklopedie me titull “Kosova, Vështrim monografik”, botim i ASHAK dhe pinjolli i Kalit të Trojës, si përpilues i kapitullit për LETËRSINË SHQIPE, ku shihen për dritë dielli Akademia, Kali i Trojës dhe pjella e tij…

 

Burojë, më 21 Nëntor 2011

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode