5 MAJ – “DITA E DËSHMORËVE TË KOMBIT”, NËN URREJTJEN FASHISTE DHE TRYSNINË E HIPOKRITËVE

HISTORI

 

5 MAJ – “DITA E DËSHMORËVE TË KOMBIT”, NËN URREJTJEN FASHISTE DHE TRYSNINË E HIPOKRITËVE

 

 

Bajram PEÇI

 

5 Maji, Dita e Dëshmorëve të kësaj pranvere, vjen paksa e veçantë nga të shkuarat. Rrjedh kjo nga revanshi që kanë ndërmarrë kuislingët, që në ditët e sotme shqiptare rrinë ngrohtë brënda petkave të të njëjtit stof të fashistëve, në zyra shtetërore të uzurpuara. Institute “shkencore” kanë kohë që rreken të ndryshojnë përmbajtjen e deklaratës së përbashkët të Presidentit të SHBA dhe Kryeministrit britanik të 14 gushtit 1941, të njohur si “Karta e Atllantikut”. Te ky ndryshimi historisë shpresojnë kuislingët për të mohuar kremtimin e kësaj date.Në regjimin e Sali Berishës 5 majin e mohonin, ndërsa sot, të trimëruar nuk di pse, pa drojë, e pështyjnë!?

Si lindi kjo ditë kremtimi?

Bota e qytetëruar, shoqëritë e rritura përmes vlerave, ku janë kultivuar parime themelore në ecurinë e brezave, mes të tjerash, e kanë mësuar kombin të kthejë rregullisht kokën mbrapa e të shohë rrugën e përshkuar, të dijë nga vjen, të kujtojë e respektojë historinë e të parëve dhe të mësojë prej asaj kohe se ku do shkojë. Është kjo arsyeja që pothuaj gjithë shtetet e kombet kanë një ditë në vit që përkujtojnë heronjtë, dëshmorët, të rënët në beteja për atdheun, për kombin. Disa e quajnë “Dita e Heronjve”, disa të tjerë “Dita e Heronjve Kombëtarë” ose “Dita e Martirëve”. Ne e quajtëm “Dita e Dëshmorëve të Atdheut” dhe pasi Republika e Kosovës e përshtati këtë ditë përkujtimore, 5 Majin, edhe për bijtë e bijat e saj të rënë për lirinë, u mësuam ta quajmë “Dita e Dëshmorëve të Kombit”.

Për arsyet e caktimit të ditës, nga vende të ndryshme vijnë kultura të ndryshme. Shpesh mbahen në ditëlindjen e një heroi apo heroine kombëtare, ose zgjidhet momenti i veprave të tyre të mëdha, që i bëri ata heronj. Në shumë raste kremtimi i Ditës së Heronjve lidhet me një betejë përcaktuese, ku të rënët që luftuan kundër armiqve të vendit, ka qenë i madh ose përcaktues për fatet e kombit. Në raste të tjera lidhet me një ditëlindje të heroit, burrë ose grua, aktet e guximshme të të cilëve i kanë mundësuar vendit të rriten si komb. Po kësaj dite i janë kushtuar memoriale monumentale, ku populli, por posaçërisht elita kombëtare, bën në këtë ditë nderet dhe ceremonitë protokollare. Shqipëria, si dhe disa vende të tjera, kanë caktuar si të tillë ditën e rënies së një heroi. Vrasja në 5 maj 1942 e Qemal Stafës, ish sekretari politik i të rinjve komunistë, në nderim të veprës së tij, është caktuar të jetë Dita a Dëshmorëve.

Pak histori, nga ku lindën qëndrimet

Ndonëse të zgjedhurit e kësaj date lidhet me fillimin e rezistencës së organizuar të popullit shqiptar kundër pushtimit fashist, kremtimi e përkujtimi u kushtohet të gjithë të rënëve për atdhe e liri, para e pas pavarësisë. Afërmendsh, që në një sistem një partiak, zgjedhja do ishte politike. Ndryshe, mund të ishte zgjedhur si datë, psh., ajo e pushkatimit të Vasil Laçit, i cili qëlloi më 17 maj 1941 mbi Perandorin Viktor Emanueli i III, ditën e vizitës së tij në Tiranë. Akti heroik i djalit bregdetas, Vasil Laçit, ka qenë dhe mbetet ndër më të rrallët. Thirrjet e tij në momentin e pushkatimit, “Poshtë fashizmi! Rroftë Shqipëria”, tashmë janë të harruara.

Lufta që filloi populli Shqiptar kundër pushtuesit italian, duhet theksuar se pati që në fillim mbështetjen e forcave aleate, SHBA, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik. Pjesëmarrjen në luftë, krahas forcave aleate, të brigadave partizane Nacional-Çlirimtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkujtuan, madje,  në vjeshtën e vitit 1944, me një pullë postare, që kish në pamjen e saj flamurin tonë kombëtar. LANÇ-i, që vepronte nën drejtimin e Partisë Komuniste, ishte e vetmja forcë që luftonte kundër armikut, ndërsa Balli Kombëtar dhe Legaliteti u gjendën përkrah gjermanëve. Sipas krerëve të saj, Mit’hat Frashëri dhe Abaz Ermenji, ky qëndrim u përcaktua sepse Rajhu i III gjerman u kish premtuar, që pas mbarimit të luftës, Kosovën do ja kthenin Shqipërisë. Premtimi i pushtuesit hitlerian, regjimi më i tmerrshëm që ka parë ndonjëherë historia moderne e popujve, ishte aq “miklues”, sa këta “të verbër” u rreshtuan ushtarakisht e politikisht në krahun e gabuar. Së toku, ata kryen në qershorin e vitit 1944 një ofensivë të përbashkët kundër luftëtarëve partizanë dhe dështuan. Shqipëria ishte i vetmi vend europian që u çlirua vetë, pa ndërhyrjen e trupave të huaja.

Përkujtimi i Ditës së Dëshmorëve në rrjedhën e politikës

Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar. Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve. U ndërtuan varreza dëshmorësh në çdo qendër rrethi. Shqipëria, përpos 26 të tillave që ishin në qendrat e rretheve, pati dy të tjera, krejt të veçanta e që u përkisnin dy fshatrave martire, Kuçit të Kurveleshit dhe Pezës së Tiranës. Ndërsa në këtë të fundit përuleshin e nderonin gjithë udhëheqja e partisë dhe shtetit, si në 5 maj, ashtu dhe në 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës, në Kuç, si rregull shkonin nxënësit e shkollës së fshatit dhe familjet e dëshmorëve.

Kur sistemi komunist, si pasojë e aplikimit dhe ndërtimit të gabuar të rendit politiko-ekonomik, u shemb njëherësh, duke filluar nga Rusia, ndryshimin në Shqipëri historia e solli si farsë. Ballistët erdhën në pushtet, sapo Sali Berisha, me uzurpimin që i bëri kreut të lëvizjes demokratike, u afroi atyre aleancën, bashkëpunimin dhe postet. Rreshtimi i ballisto-zogistëve në krahun e gabuar, krah armikut, u harrua. Ky është momenti që njëherësh harrohet edhe nderimi e kremtimi i Ditës së Dëshmorëve.

Partia Demokratike e aleatët e saj kurrë nuk shkelën në varrezat e dëshmorëve të atdheut, për të nderuar e iu përulur atyre që dhanë jetën e derdhën gjakun në lulen e rinisë, jo të motivuar politikisht, por për çlirimin e atdheut, për të sjellë lirinë. Këta partizanë, që preheshin në varreza, ishin armiqtë e baballarëve të tyre, me të cilët ishin ndeshur dhe kishin humbur.

Balli Kombëtar, pjesë tani e strukturave të Partisë Demokratike, nuk e njeh 5 majin si Ditë të Dëshmorëve. 14 shtatorin njohin ata si datë të dëshmorëve të Ballit Kombëtar. Në këtë ditë të vitit 1943, që përkon me hyrjen e trupave gjermane në Shqipëri, çeta e Hysni Lepenicës sulmoi repartin ushtarak italian në Grehot të Gjirokastrës. Trupat, tashmë të kapitulluara, ultimatumit të kësaj çete për dorëzimin e armëve dhe magazinave, ju përgjigj me armë, ku u vranë së bashku me komandantin 33 shqiptarë të çetës. Mund të ishte e tillë, psh., edhe 21 tetori i vitit 1943, ditë kur çetat e Isa Manastilliut dhe Hamit Matjanit, në mbrojtje të autokolonës gjermane, me 400 veta sulmuan forcat e Brigatës së Parë. Balli u nis për t’i vrarë partizanët, por u vra vetë, u shpartalluan. Patën nga kjo betejë 15 të vrarë dhe, ditë më pas, 65 të pushkatuar, nga 172 që u kapën robër. Pushkatimin e tyre historia e ka gjykuar si ekstremizëm dhe të panevojshëm. Kjo ngjarje mbahet si gjerdan i artë për Ballin, sepse u duhej të ndodhte, për ta përdorur më pas si një nga argumentet se në Shqipëri pati luftë civile e vëllavrasëse.

Ngjallja e fashizmit, me fondet që vijnë nga taksapaguesit

Dita e Dëshmorëve, me ndërrimin e sistemeve politike, për shumë kohë ju nënshtrua dhunës fashiste. Varrezat e dëshmorëve dhe memorialet ranë pre e shkatërrimit prej tyre. As që bëhej fjalë se do planifikoheshin fonde për mirëmbajtjen dhe kujdesin. Thjesht, u braktisën. Për rrjedhojë, rrënimi mori përmasa të pa përfytyrueshme. Krahas braktisjes së memorjes historike të luftës Nac-Çlirimtare, filloi vendosja e busteve, shtatoreve dhe bazorelieveve të një morie individësh, veprimtaria e të cilëve ka qënë e provuar katërcipërisht si tradhti kombëtare. Bashkëpuntorët e fashizmit, tashmë në pushtet dhe me institute e shtëpi botuese në dispozicion, filluan inkursionin e hakmarrjes. Qëllimi parësor i tyre është ndryshimi i historisë, përmbysja e vlerave.

Përçudnimi arriti kulmin kur një i ashtuquajtur institut, i ngritur nga Sali Berisha me argumentin se do studionte krimet e komunizmit, me miratimin apo jo të Partisë Socialiste, që nuk e dimë, por me heshtjen e saj pohuese, futi turinjtë fashistë në luftën Nacional-Çlirimtare, duke i shpallur gjithë komandantët e drejtuesit e Luftës Nac-Çlirimtare si kriminelë. Kriteri që ndoqën ishte: urrejtja ndaj atyre që drejtuan e luftuan që gjermani të humbte luftën. Për rrjedhojë, atë që nuk ka bërë kjo skotë hakmarrëse, duke mos i nderuar në 5 Maj, tashmë duhet ta bëjnë të gjithë. Në një fazë tjetër, mbase edhe të hiqen nga varrezat e dëshmorëve. Kjo sa po ndodh është e pa precedent, nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që vuajti nga nazi-fashizmi, përpos se tek ne, ku, si në çdo gjë tjetër, kaosi mbizotëron. Mos tërë kjo nuk është veçse një shaka? Jo, është më se e vërtetë! Ata nuk kanë harruar dhe as do falin!

Hipokrizia e partisë në pushtet

E dimë të gjithë që mbahet si e majtë, ndonëse shpesh praktikon politika të djathta, sidomos me taksat. I ka marrë votat me bollëk nga “hambari”, familjet që vijnë e kanë lidhje  tradite me luftën. Partia Socialiste e di këtë dhe në prag zgjedhjesh u lëpihet. Kështu po ndodh dhe tani. Ata ja japin votën jo se bëjnë të mashtruarin, por ja japin që të mos vijë në pushtet banda e Sali Berishës, të cilët nuk njohin as luftën Nac-Çlirimtare, as 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të atdheut, as kremtimin e 5 majit. Ka një shkak madhor pse u gjallëruan kaq shumë fashistët? Dhe ky rast nuk mund të jetë gjë tjetër përpos se rasti i rehabilitimit të Mitat Frashërit, ish kryetarit të Ballit Kombëtar, partia kolaboracioniste, kur kryeministri u kërkoi veteranëve “të ulin kokat”. Vetëm Edvin Rama pati luksin të kuptonte mesazhin për paqtim.

Nëna e dëshmorit Balil Peçi, një nga “kriminelët” e listës së turpit, pleqëroi me tim atë dhe me mua. E mbaj mend deri sa ndërroi jetë, me dhëmshurinë e saj që na prekte, me fjalën e ëmbël, me shaminë e zezë në kokë, që se hiqte kurrë, si gjithë nënat shamizeza të fshatit tim të shtrenjtë, Kuçit. Këta që drejtojnë sot partinë Socialiste kujtojnë se, duke propozuar me hipokrizi dhënjen e një medaljeje për veteranët, do na përlotin dhe do harrojmë shaminë e zezë të gjyshes time. Me një pamje të përhumbur del përfaqësuesi i saj në parlament dhe njofton se do t’i thotë Ilir Metës, “Jepuni këtyre një medalje”. Pfff…!

Këtyre duhet t’u thuash fort e me zë të lartë: mos kujtoni se mund t’i lejoni vetes çdo gjë? Organizata e Veteranëve të Luftës nuk është keq për dekorata. Po të isha unë në vend të drejtuesve Rustem Peçi e Dalan Buxheli, jo që do s’do denjoja të shkoja ta merrja, por do ta refuzoja publikisht. Nderi i Kombit nuk janë e ska pse të jenë të vjetrit (që kryesisht janë tani bijtë e bijat e të rënëve, të afërmit e tyre). Nderi i kombit janë dëshmorët, të rënët për atdhe e liri, ata të cilët kjo parti nuk i mbron dot nga sulmi fashist i një palo instituti shtetëror.

Deputetët e Partisë Socialiste dhe kryeministri kanë detyrë të mos lejojnë përdhosjen e dëshmorëve, kujtimin e tyre; të mos heshtin si guak, të mos shtiren sikur janë për mbrojtjen e parimeve të qytetërimit. Nuk mjafton që të regjistrojnë e transmetojnë në 5 Maj sekuenca filmike të vendosjes së kurorave, nën tingujt e pamjet e fytyrave të përzishme, ndërsa lënë të lulëzojë nxitja e urrejtjes, e përçarjes kombëtare. Në qytetërime, këto lloj institutesh që fyejnë të rënët, që fyejnë luftën çlirimtare, i mbyllin me ceremoni (që këta se bëjnë); të tregojnë e shpjegojnë moskokëçarjen ndaj funksionimit të këtij palo instituti, që shkel kushtetutën.

Përdhosja e luftëtarëve dëshmorë, e luftës, kësaj faqeje të ndritur të historisë tonë, e Ditës së Dëshmorëve dhe heshtja, mosmarrja me çështjen e ndyrë që polli “shkenca”, është e çuditëshme!? Të mos nderosh të rënët për liri, nuk bëhet fjalë për harresë të normave të mirësjelljes në shoqëri, por për një sjellje që është tipar i shoqërive tribale.

Lavdi të përjetshme heronjve të kombit! Rroftë e qoftë në shekuj 5 Maji, Dita e Dëshmorëve!

DITA

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode