INTERVISTË
A MUND TË JETË MËSIMDHËNËS DHE DREJTOR DIKUSH QË VJEDH?
Entela RESULI
Profesor Aristotel Spiro ka të paktën katër vite që kërkon të drejtën e tij nëpër institucione.
Bëhet fjalë për plagjiaturën nga ana e pedagogut Agron Tufa. Ky i fundit në doktoraturën e tij ka përdorur tekstin e kumtuar prej Aristotel Spiros në Konferencën kushtuar 130-vjetorit të Lindjes së Nolit në Universitetin e Korçës.
Fillimisht nëpërmjet një letre Spiro i është drejtuar rektorit të Universitetit të Tiranës duke i shpjeguar se çfarë kishte ndodhur dhe se ai ishte vjedhur nga një pedagog i cili gjithashtu është pjesë e Universitetit të Tiranës…
Pas këtyre ankesave ka ndodhur vetëm që Agron Tufa, në doktoraturën e vendosur në sistemin kompjuterik të Universitet të Tiranës e ka hequr pasazhin e marrë nga kumtesa e Aristotel Spiros.
Institucionet kanë heshtur. Z. Tufa, po ashtu, madje në një reagim të tijin në facebook shprehet se: “Herë tjetër do të merrem strem me këtë çështje”.
Aristotel Spiro flet për herë të parë në lidhje më këtë ngjare.
Më poshtë intervista e tij në Dita…
– Profesor, ditët e fundit, emri juaj ka qenë prezent në media, pasi, sipas jush pedagogu Agron Tufa ka përdorur materialin tuaj, në doktoraturën e tij. Si e morët vesh këtë fakt?
Faktin e botimit e mora vesh nga pasqyra e shtypit prej një medie televizive në Shqipëri, ku ndodhesha për disa ditë. Më erdhi pak si e papritur, që pas mëse katër vjetësh kjo histori e pakëndshme doli prapë në sipërfaqe. Ndoshta kjo ndodhi për t’u vërtetuar e thëna që e drejta vonon, po nuk harron.
– Ju keni patur kontakt të drejtpërdrejtë me të, pasi e mësuat këtë gjë?
Autorin e plagjiarizmit e kam njohur në Tiranë, në mjediset e Fakultetit Filologjik, gjatë kohës që punoja atje si lektor i gjuhës greke. E ndiqja madje edhe me një ndjenjë simpatie, si një nga shkrimtarët e brezit të ri.
Por u zhgënjeva pa masë kur rastësisht tek po kërkoja në rrjet informacion për një temë të teorisë së përkthimit që e kam për zemër, rashë në sitin e UT-së tek doktoratura e zotit Tufa.
Fillimisht nuk kuptoja se ç’po ndodhte. Tek lexoja radhët e para të pjesës për shqipërimin, thashë me vete “Sa mirë! Qenka dikush që mendon si unë për këtë çështje”. Por duke vazhduar më poshtë pashë i tronditur që teksti ishte i imi.
Thashë “Këto janë mendimet e mia me pikë e me presje!”. Çfarë të bëja? T’i telefonoja plagjiatorit? Ç’t’i thosha? Ta lija në heshtje? Gjë që s’bëhej. Ishte sikur të pranoja si normale diçka anormale.
Dukej qartë që teksti i kumtuar prej meje në Konferencën kushtuar 130-vjetorit të Lindjes së Nolit në Universitetin homonim të Korçës i ishte trupëzuar tekstit të doktoraturës së A. Tufës pas mbrojtjes zyrtare të saj, me shumë gjasë pak para 19 shkurtit 2015, datë kur doktoratura e A. Tufës është vendosur në sistemin kompjuterik të UT-së.
Nuk mund ta lija pa e denoncuar edhe për një arsye tjetër. Në ballinë shënohej si kohë mbrojtjeje viti 2008, gjë që për një kundrues të jashtëm do të interpretohej sikur teksti im ishte marrë prej tij. Kjo tingëllonte shumë djallëzore.
Diçka kishte ndodhur që teksti im i ishte trupëzuar doktoraturës së A. Tufës pasi ai e kishte mbrojtur, domethënë pas vitit 2012) (!!!). Diçka që ishte përtej përfytyrimit tim, por gjithsesi shumë e çuditshme.
– Cila ishte rruga që ndoqët më pas?
I shkrova një letër Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe njoftova njëkohësisht edhe Ministrinë e Arsimit për plagjiarizmin. Pasi u paraqita edhe faktet e pakundërshtueshme të plagjiarizmit, i kërkoja Rektorit që teksti im të hiqej nga doktoratura e A. Tufës dhe të merreshin masat përkatëse.
Pas disa kohësh hyra përsëri në sitin e UT-së dhe pashë që doktoratura e A. Tufës kishte një version tjetër, që nuk e përmbante tekstin tim.
– Cili ishte reagimi i institucioneve dhe personave që juve iu drejtuat?
Dukej qartë që plagjiarizmi në dëmin tim ishte pranuar. Por mua nuk m’u dha kurrë një përgjigje zyrtare nga ana e autoriteteve të Universitetit të Tiranës.
Megjithëse vajta dy herë për të pyetur në Rektorat, përgjigje nuk m’u dha, pasi, siç m’u tha, kompetentë të çështjes ishin dekanati i Fakultetit Filologjik dhe Departamenti i Letërsisë.
– Pse mendoni se ata kanë reaguar kështu?
Historia ime më bëri të mendoj se plagjiarizmi mbrohet ose tolerohet nga drejtuesit e universitetit dhe luftohet vetëm nga të dëmtuarit. Por kjo i ka sjellë arsimit të lartë në Shqipëri shumë të këqija. Dhe jo vetëm arsimit të lartë por gjithë vendit.
– Në një reagim të vetin, z. Tufa thotë se doktoraturën e ka mbrojtur në vitin 2008, ndërsa ju e keni mbajtur ligjëratën 5 vite me vonë, si do i përgjigjeshit këtij fakti?
Këtë çudi mund ta shpjegojë vetë zoti Tufa ose ata që i kanë dhënë gradën Doktor. Unë di që teksti i doktoraturës është vënë në sistem më 19 shkurt 2015, pra, pasi unë e kisha kumtuar tekstin tim për shqipërimin dhe pas botimit të tij.
Pra, jo lojëra me datat! Se janë pikërisht datat ato që kanë nxjerrë të palarat!
Pastaj ka edhe një fakt tjetër logjik: idetë që shpreh unë për shqipërimin në atë kumtesë bien ndesh me mendimin e përgjithshëm ose amator që ekziston në lidhje me shqipërimin, i cili konsiderohet një shkallë më e lartë e përkthimit.
Unë e kundërshtoj këtë mendim dhe them se shqipërimi është një lloj i veçantë përkthimi, por jo më i mirë. Këtë mendim nuk e ka shprehur askush deri më sot, as A. Tufa.
Nëse vërtetë do të ishte prekur zoti A. Tufa nga denoncimi im, nuk do të më bënte hatrin të më falte e ta hiqte nga versioni fillestar, por do t’i drejtohej gjyqit menjëherë pasi unë e akuzova për plagjiarizëm, pra që në vitin 2015.
– Z. Tufa i ka qejf paditë për gjyqe. Në rast se e bën edhe me ju, jeni i gatshëm t’i paraqisni provat tuaja dhe të përballeni?
Vërtet mendoni se mund të vejë në gjyq për këtë? Si mund ta bëjë këtë, kur e ka pranuar de facto para katër vjetësh plagjiarizmin duke e hequr pasazhin tim nga versioni fillestar i ngarkuar në sistem?
Siç e ka theksuar edhe gazeta juaj, ai ka hequr plot 18 faqe nga versioni fillestar.
Nuk e besoj se mund ta bëjë këtë. Nuk më duket një mendim i mirë.
– Keni pasur ju me z. Tufa ndonjë njohje apo ndonjë “përplasje”, dhe cili është raporti juaj me të pas kësaj që ka ndodhur?
Nuk kam pasur asnjë përplasje. Përkundrazi, siç ju thashë, fillimisht kisha edhe një ndjenjë simpatie. Dhe besoj të njëjtën gjë kishte edhe ai (guxoj të them!). Por pas asaj që ndodhi nuk kemi komunikuar fare. Kam mbetur me shijen e hidhur të atij plagjiarizmi mbi dinjitetin tim si shkencëtar.
– Profesor, si mund të zgjidhet kjo çështja e plagjiaturës, pasi rasti juaj nuk është i vetmi, vitet e fundit kanë dalë edhe shumë deputetë apo ministra, të cilët ose kanë bërë plagjiaturë në temat e diplomave, doktoraturave, ose kanë mashtruar me shkollimin e tyre?
Çështja e plagjiaturës mund të zgjidhet shumë lehtë, mjafton që të ketë vullnet të mirë nga subjektet e interesuara: institucionet e arsimit të lartë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, qendrat kërkimore – shkencore, Ministria e Arsimit, Kuvendi i Shqipërisë.
Përveç një rregulloreje, nuk ka një ligj që të mbrojë në mënyrë eksplicite autorët nga plagjiarizmi. Për shkak të përmasave katastrofike që ka marrë kjo dukuri, duhen vendosur sanksione të forta për plagjiatorët. Kush ushtron plagjiarizmin duhet të konsiderohet si vjedhës, ndërsa plagjiarizmi të konsiderohet vepër penale.
Nuk mund të jetë pedagog dikush që vjedh tekstet e të tjerëve. E nëse zbulohet që doktoratura e dikujt përmban plagjiarizma, atij ose asaj i duhet hequr grada me t’u zbuluar kjo gjë.
Kështu veprohet sot në botë.
Ka ndodhur që plagjiarizmi të jetë zbuluar dhjetë vjet pas mbrojtjes së doktoraturës, dhe personit i është hequr menjëherë titulli. Por nuk di asnjë rast që në Shqipëri t’i jetë hequr doktoratura dikujt, megjithëse raste denoncimi publik për plagjiarizëm ka pasur mjaft.
Pra, nëse duam të shpëtojmë nga kjo gangrenë, duhet hartuar dhe miratuar sa më shpejt një ligj i qartë, i cili të parashikojë dënime të rrepta për këdo që ushtron plagjiarizmin. Faleminderit shumë!
DITA