ÇAMËRIA

ÇAMËRIA

Abdyl KADOLLI

Çamëria, kjo degë e çarë

E ullirit me mijëra unaza

Pret dorën time për ta vjelë 

Është këngë e lashtë e fisit 

Kaon, Molos, Thesprot

E mbretit shqiponjë Pirro 

Dodona ime pellazge

Me Zotin tim Shqip

Dhe lisin e fatit

Çamëria, kjo muzë hyjnore 

Me thërret me zërin e Sulit

Mjaulit, Babulinës, Boçarit...

Nuk do të vajtoj për ty, Çamëri 

Me dallgët e Jonit të mbytur

Trishtimin e Bilal Xhaferrit

Kam marrë udhën për Janinë

Nuk jam vetëm...

Udhëtoj me ty në sy

Do ta kapërcej Qafën e Botës

Urën e Artës ta shaloj

Sytë t’i laj në Thyamis

Kur të dal te Guri i Prevezës 

Do të shkruaj epigramin  

Me shkronja gjaku

Në amfiteatrin e Dodonës

Shqipet do të vallëzojnë

Fustanellën e dritës

Këtu edhe gurët flasin shqip 

Era ligjëron arbërisht

Joni shkumon pellazgjisht

Do të të marr në gji, Çamëri

Bukurezë e Jonit

Dashuri e gjakut tim.

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode