ZOTI KRYEMINISTËR, STADIUMI KOMBËTAR E KA EMRIN “QEMAL STAFA”
21/03/2019 05:59
OPINION
ZOTI KRYEMINISTËR, STADIUMI KOMBËTAR E KA EMRIN “QEMAL STAFA”
Guri SHYTI
Në kulmin e një euforie, një nga ato, që, fatkeqësisht, na kapin shpejt ne shqiptarëve, teksa kremtohej 80-vjetori i Panajot Panos, njërit nga futbollistët më të shquar të periudhës së socializmit shtetëror, u ngrit dikush dhe hodhi idenë që, stadiumi kombëtar, i cili po rindërtohet të marrë emrin e Panos.
Pa patur asgjë kundër nivelit të lartë të aftësive futbollistike të Panajot Panos, por vetëm kaq, nuk mendoj se ato mund të krahasohen, pa folur pastaj që edhe ta shmangin figurën madhështore të Heroit të Popullit Qemal Stafa. Veprimtaria, sakrificat dhe heroizmi i Qemal Stafës nuk kanë nevojë për lëvdatat e mia. Ato janë gdhendur me shkronja të arta në historinë e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe përbëjnë një nga pikat kulmore të saj. Përpjekjet për të hequr emrin e tij të lavdishëm nga stadiumi janë pjesë përbërëse e përpjekjeve të pinjollëve të bashkëpunëtorëve me pushtuesin fashist për të zhbërë të pamundurën për ta zhbërë, Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Edhe P. Pano me shokë shumë, ashtu si gjithë zhvillimi që mori në ato vite sporti shqiptar, si në sasi edhe në cilësi, përfshi edhe infrastrukturën, e ka rrënjën pikërisht në atë luftë. Pa dashur të zgjatem në këtë diskutim, do t’i këshilloja skeptikët dhe keqdashësit të bëjnë një krahasim midis zhvillimit të atëhershëm e të sotëm të sportit tonë dhe të dalin në përfundimin e arsyeshëm dhe jo tendencioz.
Dëgjohen zëra që thonë se Qemal Stafa nuk ka qenë futbollist që të mbajë emrin e tij një stadium futbolli. Po mirë, more zotërinj, po Nënë Tereza mos ka qenë gjë aviatore që me të drejtë i kemi vënë emrin aeroportit të Tiranës? Po të nisemi nga një logjikë e tillë keqdashëse, do të duhej që rrugëve të qyteteve t’u vinim vetëm emra ndërtuesish rrugësh, shkollave vetëm emra mësuesish, e kështu me radhë.
Jo, zotërinj. Është e vërtetë që na ndodh si shpesh ne shqiptarëve që, nga që e marrim me ngut “rrugën”, pa u menduar gjatë, edhe të devijojmë. Kjo ndodh shpesh në analizat politike që u bëjmë ngjarjeve të ndryshme. Kështu na ndodh që të kapemi pas disa ngjarjeve jo dhe aq të rëndësishme dhe të lëmë pas dore ngjarje të cilat do të ndikonin së tepërmi në sqarimin e shumë problemeve që hasim sot në jetën e përditshme. Sa për të dhënë ndonjë shembull. Flasin të ashtuquajturit analistë, por edhe disa gazeta për disa dosje, 339 e 184, ndonëse janë të pavërtetuara juridikisht, dhe kalojmë në heshtje ngjarje të vërtetuara, të zezën mbi të bardhë, të dosjeve të Sali Berishës si agjent i sigurimit të shtetit dhe i UDB-së jugosllve; ose u hodh shumë baltë në veprimin e kryeministrit shqiptar, i cili për të sqaruar një audiencë, miqësore ndaj nesh, dhjetëra herë më të gjerë se kjo e jona, siç është ajo italiane, lidhur me ngjarjet e fundit në Shqipëri, i ftuar nga disa stacione televizive italiane shkoi dhe foli atje, por e kemi kaluar në harresë të plotë që Lulëzim Basha denigroi Shqipërinë me intervistën që i dha një TV rus, i cili përfaqëson qeverinë ruse, armike e integrimit euroatllantik të Shqipërisë dhe të Ballkanit në përgjithësi.
Por le të vijmë tek emri i stadiumit. Kohë më parë kam shkruar në faqet e gazetës së nderuar DITA, ku i kërkoj kryeministrit shqiptar të mos e prekë emrin e stadiumit, pasi është gjaku i Qemalit, i cili e fali në altarin e Atdheut në moshën 21-vjeçare, që ia jep atë të drejtë të jetë i përjetësuar në lartësitë e stadiumit të ri.
Zoti Rama, po ju drejtoj edhe një thirrje tjetër. Ky vit përkon me një datë të lavdishme, atë të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas. Ndonëse deri më sot nuk e keni përmendur fare në ato fjalimet tuaja të zgjatura që mbani çdo ditë, është në nderin tuaj të ngrini një komision shtetëror për përgatitjen e festimit të asaj ngjarje që është më e lavdishmja, më madhorja e historisë tonë të re dhe, një nga veprimtaritë që duhet të përfshihen në program, duhet të jetë patjetër vendosja e emrit të Heroit të Popullit Qemal Stafa, i shkruar me shkronja të arta sipër stadiumit të ri të Tiranës, atje ku ishte përpara se të fillonte rindërtimi i tij, duke u treguar kështu të gjithë shqiptarëve se stadiumi i ri e ka emrin dhe për asnjë arsye në botë nuk kemi pse t’ia ndryshojmë. Në qoftë se nuk e bëni këtë, ta dini se emri i juaj do të shkruhet në listën e zezë të historisë tonë, bashkë me ata që e goditën pas krahëve Luftën tonë Antifashiste dhe u orvatën më kot ta denigronin.
DITA