“ZOTËRIA” POPULL DHE “SHËRBËTORËT” E TIJ

08/06/2018 07:40

OPINION

 

 

“ZOTËRIA” POPULL DHE “SHËRBËTORËT” E TIJ

 

Viktor MALAJ

 

Deri në vitin 1990, një nga gjërat që na e kishte sjellë në majë të hundës ishte edhe përdorimi i fjalës “shok”. Kjo fjalë nuk durohej pasi dukej se na barazonte të gjithëve ose, e thënë në gjuhën popullore “ishim bërë të gjithë si këmbët e dhisë”. Popullit më të varfër dhe më të prapambetur të Evropës nuk i shkonte që anëtarët e tij ta vlerësonin njëri-tjetrin si të barabartë. Duhej përdorur fjala magjike dhe lartësuese “zotëri” pasi i afrohej shumë fjalës “Zot” dhe, rrjedhimisht, si gjithë bota, duhej të dalloheshin qartë “zotërinjtë” nga shërbëtorët.

Për fatin tonë të mirë, u shpall hapur nëpër tribuna zhurmëmëdha dhe ekrane gumëzhitëse se, aty e mbrapa, “zotëria” do të ishte populli ndërsa “shërbëtorë” do të bëheshin të zgjedhurit prej tij, deputetët, ministrat, kryeministrat, presidentët, kryetarët e bashkive, gjyqtarët, mjekët e, sidomos, biznesmenët. Çfarë fati na kishte trokitur në derë!

Qysh nga ajo kohë Shqipëria u çlirua, njerëzit u bënë të lirë, mund të thoshin ç’të donin (me raste), mund të votonin për cilindo shërbëtor të përunjur e të përgjunjur që iu premtonte shërbime vetëmohuese dhe lartësim të dinjitetit, dinjitet prej zotërie dhe jo prej shoku.

Gjithë kjo propagandë dhe liri pa kufi bëri të mundur që shumica e shqiptarëve të mos lënë gjë pa bërë për t’u shndërruar në shërbëtorë, mirëpo vetëm pak ia kanë arritur pasi shumica u bënë zotërinj. Pakica “vetëflijuese” mundën të bëhen deputetë, ministra, kryetarë bashkishë, prokurorë, mjekë, gjyqtarë etj. dhe, normalisht, të meritonin epitetin “shërbëtorë të zotërisë popull”. “Zotërisë popull” i pëlqen, i pranon, i duartroket, i adhuron dhe përpiqet t’i imitojë shërbëtorët e vet. Por si çdo e mirë edhe kjo e ka një cen. Nuk ka vend për kaq shumë shërbëtorë, sepse nevojiten edhe zotërinjtë. Asnjëra kategori shoqërore nuk bën pa tjetrën.

Sot, kur kanë kaluar 28 vjet nga funerali i fjalës “shok”, ka ndodhur një fenomen “i pashpjegueshëm”. Thuajse të gjithë shërbëtorët janë bërë të pasur ndërsa “zotërisë popull” s’po i mbarohen hallet. Shërbëtorët deputetë, gjyqtarë, mjekë dhe, sidomos, biznesmenë, kanë vila, dhjetëra apartamente, makina luksoze dhe llogari të numërueshme e të pafundme nëpër banka, brenda dhe jashtë vendit. Për shkak të shërbimeve të tyre ndaj “zotërisë popull” duket se “i ka parë Zoti me të mirë” dhe ua ka shpërblyer sakrificat e tyre. Madje, bije në sy se shumë shërbëtorë, që nga ish-Presidenti e ish-Kryeministri e deri tek disa deputetë apo gjyqtarë janë sjellë kaq mirë dhe kanë shërbyer kaq shumë saqë deklarojnë se të afërmit apo të njohurit iu kanë bërë dhuratë makina, apartamente apo toka në bregdet. Dikur kanë thënë “Bëj mirë në këtë jetë se e gjen në jetën tjetër”, ndërsa këta kanë mundur t’i marrin shpërblimet e merituara në këtë jetë.

E, ndërsa shërbëtorëve iu ecin punët si në vaj, çuditërisht, për shumicën e “zotërisë popull” hallet nuk kanë të sosur. Mijëra fëmijë të këtij “zotërie” kanë mbetur analfabetë, kurse fëmijët e “shërbëtorëve” të tij preferojnë të studiojnë vetëm jashtë Shqipërisë kundrejt shpenzimeve qindra mijëra euro të fituara me mund e ndershmëri nga baballarët e përkushtuar ndaj… popullit. Disa qindra fëmijë “zotërinjsh”, pjesë e “zotërisë popull”, janë të ngujuar në shtëpitë e tyre të kërcënuar nga gjakmarrja mesjetare, ndërsa fëmijët e “shërbëtorëve” shfaqen përditë duke udhëtuar me avionë modern dhe duke pushuar në qendra turistike luksoze. Lodhja dhe stresi i madh i prindërve të tyre kanë nevojë për mirënjohjen dhe mirëkuptimin tonë. Dhe ne, si zotërinj të vërtetë, duhet t’ua njohim meritat “shërbëtorëve” tanë dhe pasardhësve të tyre që duket se shërbimet ndaj nesh i kanë në gjen dhe do t’i trashëgojnë ndër breza.

Kur ne të kemi nevojë për mjekët “shërbëtorë” duhet të marrim me vete çantën me para, sepse vetëm kështu do të mund të ruajmë gjendjen e tyre të mirë shpirtërore pa të cilën shërimi ynë s’ka gjasa të ndodh. Pastaj, a i lejohet një zotërie të marrë shërbime pa paguar shërbyesit e vet? Një herë duke iu dhënë rrogat nga taksat tona të mbledhura në buxhetin shtetëror dhe disa herë të tjera duke i darovitur drejtpërdrejt nga xhepat tanë. Në mos paçim, duhet t’i marrim borxh dhe nëse borxh nuk na japin duhet t’i lutemi Atij atje lart të mos na lërë gjatë në purgator, por të na kalojë shpejt e shpejt në parajsë. Kështu duhet të veprojmë edhe me “shërbëtorët” tanë të ligjit e drejtësisë. Në mos na e dinë ata, do na e dijë Zoti.

Shumë fëmijë të “zotërisë popull” shihen përditë në rrugë duke lypur. Iu lypin shërbëtorëve ndonjë lek sa për të detyruar zorrët e tyre zhurmuese të heshtin. Të heshtin dhe të mos grinden për një kothere bukë. Nuk iu ka hije zorrëve të “zotërinjve” të bëjnë zhurmë. Le të marrin shembull nga zorrët e “shërbëtorëve” që punojnë pa pushim për të përpunuar mishin, ëmbëlsirat dhe frutat.

Shërbëtorët nuk i kemi vetëm në shtet, mjekësi, drejtësi apo biznes, por edhe nëpër fondacione dhe shoqata “bamirëse”, vendase dhe të huaja, të cilët, në përpjekje për të na shërbyer kanë përfunduar në milionerë si rrjedhojë e besimit në parimin “Po s’ta diti robi, ta di Zoti”. Po kështu, shërbimet ndaj ne “zotërinjve” të “zotit popull”, iu janë shpërblyer edhe shumë shërbëtorëve të medies të cilët kanë gati tre dhjetëvjeçarë që na shërbejnë me gënjeshtrat, sajimet, keqinterpretimet dhe gjithëdijet e tyre. Kohët e fundit, një shërbëtor besnik i politikës që na ka sjellë aq të mira si vend dhe si popull, flitet se po bëhet gati të shkojë si drejtues emisionesh të dijeve universale tek një kanal tjetër televiziv ku do të paguhet për një muaj aq sa merr një anëtar fatmbarë i “zotërisë popull” për dhjetë vjet. Shërbimet e tij, ashtu si deri tani, do të jenë të çmuara pasi herë bën rolin e hetuesve të Koçi Xoxes dhe herë atë të Judës Makabe, gjithmonë me qëllimin e mirë për të na ndriçuar neve duke thirrur si të ftuar të emisioneve të tij individë që mendojnë njëlloj si ai apo duke ndërprerë, kundërshtuar dhe zhurmuar ata individë, mendimet e të cilëve nuk i pëlqejnë. Orientime dhe përpunime të tilla të mendimeve tona do të ndikojnë dukshëm në shndërrimin tonë në “zotërinj” të vërtetë.

Shërbëtorët tanë më të përkushtuar janë deputetët. Ata zihen, fyhen, përleshen me njëri-tjetrin vetëm për të mirën tonë. E, ndërsa shumë prej nesh jemi të pastrehë, disa deputetë që kanë 20 vjet në atë vend “të shenjtë” shërbimi, megjithëse paguhen 4-5 herë më shumë se çdo fatlum, anëtar i “zotërisë popull”, prej shumë kohësh ua paguajmë ne edhe qiranë e banesave në Tiranë dhe disa miliona lekë për dieta, telefona dhe karburant, sepse ua kërkojnë nevojat e shërbimeve ndaj nesh. Të prekur nga mirënjohja jonë ata dalin çdo javë tek foltorja e Parlamentit, e rrethojnë atë, bërtasin, çirren, shtyhen, goditen me miell, ujë apo karrige për të qarë drejtpërdrejt hallet tona, varfërinë tonë, papunësinë tonë, kriminalitetin që na ka rrethuar dhe pamundësinë tonë për t’u bërë shërbëtorë si ata. Por kulmi i kujdesit për “zotërinë popull” arrin kur vijnë fushatat zgjedhore. Atëherë, këta shërbëtorë duan të dinë jo vetëm ku i kemi hallet ne, por edhe ku i kanë sytë pleshtat tanë. Eh, sa iu di lëkura!

Kohët e fundit Instituti i Statistikave na njoftoi se çdo vit të lum të sistemit demokratik rreth 200 shqiptarë kryejnë vetëvrasje. Për çudi, të gjithë ishin nga sëra e ”zotërinjve“. Kaq shumë të vetëvrarë edhe bagëti të kishin qenë shoqëria shqiptare duhej të alarmohej, ashtu siç alarmohen shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, shpendëve, natyrës etj. Mirëpo, fakti se të vetëvrarët bëjnë pjesë në “zotërinë popull” dhe jo tek kategoria e shërbëtorëve, nuk i shkakton kujt as çudi, as mëshirë, as keqardhje dhe as dhimbje. Punë zotërinjsh tek e fundit! Askush nuk bën studime për të nxjerrë përfundime për shkaqet dhe rrethanat që çojnë në këto tragjedi dhe, rrjedhimisht, as planifikon kush marrjen e masave për pakësimin e tyre. Ne shohim dhe dëgjojmë që bëhen studime për rrugë, ura, ujërat e zeza dhe plehrat, për florën dhe faunën por jo për njerëzit ”zotërinj“.

Njerëz që vetëflijohen, sepse nuk kanë bukë për fëmijët; sepse kanë humbur paratë në lojërat ndjellëse “të fatit”; sepse ndodhen nën ndikimin e drogës trullosëse dhe depersonalizuese; sepse i kanë braktisur të dashurit, të afërmit, miqtë, shokët, fqinjët, shoqëria dhe shteti; sepse nuk gjejnë punë dhe as nuk u njihet e drejta; kishin besuar se sjelljet e moralshme dhe parimore do t’i ndihmonin në jetë ndërsa shohin gangsterët dhe halabakët të ngjiten lehtë-lehtë dhe vendosmërisht në hierarkinë e piramidës së “shërbëtorëve”.

Këta filiza të anëtarësisë së “zotërisë popull” po i mbjellim dhe rrisim çdo ditë. Po i mbjellim me mendjet tona të mjera dhe po i ujisim me mësimet “e vyera dhe të moralshme” që iu japim përditë nëpërmjet shkollës, medies, dhe predikimeve tona të orientuara dhe udhëhequra nga biznesi, fitimi, përfitimi, qejfi, paraja, seksi, vesi. Mjafton të lexosh disa tekste shkollore të klasave fillore, të informohesh mbi pyetësorët e Ministrisë së Arsimit të kopjuar nga “bota moderne” apo të shohësh emisionet për fëmijët dhe të rriturit në shumicën e kanaleve televizive dhe nuk të mbetet tjetër veçse të pyesësh: Ku është njeriu? Dhe, kur të mos e kesh gjetur atë, të pyesësh veten: A është kjo rruga që të çon tek shoqëria njerëzore apo tek kopeja që kullot në livadhet e mashtrimit, klikimit, joshjes, instinktit dhe depersonalizimit?

Moral “zotërisë popull” i bëjnë moralbjerrët e tij që vetëm seriozë nuk janë. Këtu pena ndalet, se kujtesa na bie si të lexuara në këtë çast fjalët e Kadaresë se “Shqipëria nuk do të ishte në këtë botë veçse serioze dhe e moralshme”. Menjëherë bëhesh viktimë e pyetjes: a mund të bëhet Shqipëria me këta “shërbëtorë” gjithfarësh mbi krye që nuk janë as seriozë dhe as të moralshëm? Po, Shqipëria do të bëhet për inat të tyre. Por ne anëtarët e “zotërisë popull” duhet të mos shkojmë verbërisht pas tyre.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode