ZARFOLOGJIA

20/10/2013 23:27

Analizë&Opinion

 

ZARFOLOGJIA

Shkruan: Tafil DURAKU

 

Deri më sot, jeta e jonë shqiptare, njerëzore e kombëtare, u përball me lloj-lloj lojërash politiko-diplomatike të metodave dhe përmasave “patriotike” e “kombëtare” nga më perfidet dhe nga më të ndryshmet në historinë tonë kombëtare  e shtetërore. Në këtë prizm të studimeve tona na lindi edhe një disiplinë e re shkencore që, këtu, do ta quajmë Zarfologji.

Zarfologjia, si disiplinë e re shkencore, mund të ndahet, pa as edhe një dyshimi të vetëm, në tri nëndegë, të forta, të saj: Në zarfologji publike, sekrete dhe kanalogjike. Ndër degët më të rrezikshme të saj janë këto dy degët e fundit, dhe, fatkeqësisht, që të dyja janë të brendshme, “patriotike” dhe “kombëtare”, të cilat, në vija përkatëse e parimore, do të përpiqemi t’i zbërthejmë e analizojmë, në përbashkësinë e tyre antishqiptare, qoftë si nisma bërthamash të jashtme apo të brendshme “politiko-diplomatiko-patriotike”.

Jo fort moti, nga zarfa, na polli një “presidente” , ose, siç e quajmë ne: Zarfodentja. Kjo, në kuptimin e saj të thellë, është zarfologjia publike, që doli nga “miqtë” tanë të fortë. Të gjithë u shtangëm nga kjo pjellë kopile evrondërkombëtare në mes të Prishtinës. Dhe, të gjithë i pamë dhe i dimë qëndrimet dhe sjelljet “patriotike” e “kombëtare” të zarfodentes sonë “patirotike”, “humane” e “bujare”…

Shumë analistë e opinionistë, u dhanë fort pas “Presidentes” (Zarfodentes) që doli nga zarfa, madje, shkuan aq larg sa ta quajnë “Presidente historike”, siç e quanin dikur “presidentin” e tyre histerik, Dr. Ibrahim Rugovën. Prandaj, droja dhe krimbi i dyshimit, pas daljes publike nga zarfa të “Presidentes sonë” histerike, Zarfodentes, pa asnjë dyshim të vetëm, na bën që zarfologjinë si shkencë të re ta ndajmë dhe ta studiojmë në tri drejtime, në tri degë themelore, për studime të mëtejme permanente shkencore, si : Zarfologji publike, Zarfologji sekrete dhe në Zarfologji kanalogjike (kanalistike).

Këto, do përpiqemi t’i themi e zbërthejmë sa më shkurt që mundemi dhe që na mundëson realiteti i ynë historik, që tashmë ka kapur dhe ka shkuar në skajet më ekstreme të krimit më monstruoz antishqiptar, në përbashkësinë e tij të organizuar vendore e evrondërkombëtare, zarfologjikisht.

Për zarfologjinë publike do flasim shumë shkurt, sepse, atë e pamë publikisht dhe u njohëm me të në shumë sy, nga të gjitha këndvështrimet. Por, ato që janë për t’i studiuar më thellë e më gjatë në shtigjet e tyre të gjata e të thella “patriotike” e “shqiptare”, janë dy disiplinat e tjera: Zarfologjia sekrete dhe Zarfologjia kanalogjike (kanalistike).

Derisa zarfologjia publike shkon në vijë krejt publike, e prirë prej “miqve” tanë të fortë, të cilët më shumë përkrahin copëtimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sesa bashkimin e tyre, flet mjaftueshëm për “miqtë” tanë evrondërkombëtarë dhe për qëllimet e tyre “demokratike”, në mbështetje të vazhdueshme të kriminelësisë serbe.

Për dallim nga Zarfologjia publike, Zarfologjia sekrete dhe kanalogjike (kanalistike) janë shumë më të rrezikshme dhe më antishqiptare në tërësinë e tyre “patriotike” e “kombëtare”, sepse, e para shkon krejt në vija të zarfologjisë sekrete, dhe, e dyta në vija të zarfologjisë kanalogjike (kanalistike, vesh më vesh e gojë më gojë) të cilat kanë prekur dhe kanë goditur Shqipërinë dhe shqiptarët mu në kokë, në Tiranën shqiptare.

Nismat e këtyre dy vijave janë nisur dhe nisen përherë nga Prishtina “patriotike” e putino-medvedevëve të Prishtinës ibrahimrugoviste. Por, a i pamë dhe sa i pamë ne këto vija, në kohë dhe hapësirë të caktuar, dhe, a i njohëm dhe sa i njohëm qëllimet e tyre “patriotike” e “kombëtare”, nëpër zarfologjinë e tyre kolektive ? …

Nismat e zarfologjive sekrete dhe kanalogjike (kanalistike) burimin e tyre antishqiptar e kishin dhe e kanë në Beograd e Moskë dhe shtrihen degëve të tyre sekrete e kanalogjike: në Prishtinë, në Podgoricë, në Shkup e Preshevë dhe prej këtu në Tiranë e gjetkë dhe rasti konkret i atyre zarfologjive sekrete e kanalogjike është emërimi i këshilltarit të ri për rajonin i Kryeministrit të sapozgjedhur shqiptar, z. Edi Rama.

Kjo tregon qartë se zarfologjinë sekrete dhe kanalogjike (kanalistike) e përbën rrjeti i brendshëm “patriotik” e “shqiptar”, LKJ-isto – LDK-ist, që ka koketuar e koketon me Beogradin antishqiptar dhe të gjitha emërimet rrjedhin përmes atyre dy vijave zarfologjike, në esencën e tyre “patriotike” e antishqiptare. Kjo është rrjedha më e rrezikshme dhe më bezdisëse, më e rënda dhe më e papërshtatshmja për t’u studiuar në brendinë dhe jashtësinë e saj “patriotike” e “shqiptare”, që endet gjithmonë e bashkuar në tërësinë e saj zarfologjike, vendoro-ndërkombëtare.

Pa dashur ta lodhim më shumë lexuesin me teorinë tonë të kësaj discipline të re shkencore, e pamë të udhës t’i bëjmë publike vijat e të keqes sonë kombëtare e shtetërore, vijat antishqiptare të të gjitha zarfologjive “patriotike” e “kombëtare”, ku do i veçojmë dy nga më të rrezikshmet e më të dëmshmet: zarfologjinë sekrete dhe atë kanalogjike (kanalistike, që shkon gojë më gojë e vesh më vesh, kanaleve të njohura e të panjohura të tërësisë “shqiptare” e “patriotike”, në tërë shtrirjen e tonë gjeografike)…

Pra, është koha që ta njohim dhe ta studiojmë në çdo hap Zarfologjinë tonë që po mbin si kërpudhë e egër, pas çdo breshri e shibreshri “kombëtar” e “patriotik” LDK-ist e shqiptaro-titist evrondërkombëtar, këtu e në Tiranë, dhe po ecën fsheurazi nëpër tri degët e saj kryesore: nëpër zarfologjinë publike, nëpër zarfologjinë sekrete dhe nëpër zarfologjinë kanalogjike (kanalistike), antishqiptare, ku ka gjetur terren të përshtatshëm të zhvillimit të hovshëm dhe të kryerjes së misionit të saj paci(t)fist, globalist.

Burojë, më 20 tetor 2013

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode