Vështrim i shkurtër / SHQETËSIMET E KOHËS, SHQETËSIME TË POETIT
07/08/2023 14:47
Vështrim i shkurtër
SHQETËSIMET E KOHËS, SHQETËSIME TË POETIT
Për librin me poezi, titulluar “Kohë njerkë”, të autorit Tafil Duraku,
botuar nga Redaksia e Botimeve “Rilindja”, 1992
Shkruan: Ahmet PLLANA
Një poet i ri, Tafil Duraku, i rreket rrugës poetike dhe na sjell librin e parë me poezi, me titull simbolik “Kohë njerkë” (Shkronjat e titullit në kopertinë janë autorësi e poetit tonë, Tafil Duraku). Në poezitë e tij, Duraku sjell shqetësimet e kohës njerkë, por, që, njëkohësisht, janë edhe shqetësimet e poetit. Poezitë e tij, përkatësisht, shqetësimet e tij, shkojnë përtej poetit, por, mjerisht, nuk evitohen për shkak të kohës njerkë.
Libri ka gjithsej 96 poezi të shkurtëra, të cilat janë mjaft të fuqishme, si nga arti dhe mesazhet, gjithashtu, edhe nga ritmi dhe muzikaliteti poetik. Libri është ndarë në tri cikle: 1. Malli lis, 2. Zgjimi Maldelenë dhe 3. Udha vetmi.
Libri me poezi, me titull “Kohë njerkë”, i autorit të ri Tafil Duraku, i ka 72 faqe, kurse tirazhi është 2 mijë copë, ndërsa, është shtypur në Shtypshkronjën e NSHG “Rilindja”, në Prishtinë, në vitin 1992. Botues Redaksia e Botimeve “Rilindja”, Biblioteka “Drita”. Redaktor i librit është shkrimtari Nazmi Rrahmani, kurse, recensent, Rifat Kukaj. Piktura në ballinë është një grafikë e Arsim Kajtazit. Ndërsa, Redaktor teknik, Enver Sulejmani.
Titulli i librit “Kohë njerkë” ka një kuptim simbolik dhe nënkupton se për ne gjithmonë koha ka qenë njerkë dhe jo nënë. Në fillim të librit botohet fotografia e autorit, ndërsa, në fund të librit shënime për autorin. Poeti, me këtë libër, hapin e parë e bën të sigurtë. Poezitë e këtij autori janë me plot kuptim dhe domethënie, ndërsa, në anën tjetër, ndonëse poezitë janë të shkurtëra, nuk janë të zbrazëta, por janë të fuqishme dhe kanë mesazhe të fuqishme, duke rikujtuar lexuesin se jeta vazhdon dhe duhet përballuar sfidat e kohës.
Koha kur shkroi poeti ishte jetë e vështirë, siç thotë poeti, kohë njerkë. Qartësia, korrektësia, realiteti, janë komponentet kryesore artistike të poetit. Ky libër është një ushqim shpirtëror dhe me vlera të artit. Kur lexuesi i lexon këto poezi, ndjenë një kënaqësi, sikur të dëgjonte muzikë popullore shqipe, që buron nga gurra e gjirit të popullit. Kjo lë të nënkuptohet se poezitë e Tafil Durakut janë dashamirëse dhe kanë një ritëm melodik dhe muzikalitet të artit letrar. Poeti, në poezinë me titull “Kohë njerkë”, shkruan:
shumë mote
i pata njerka
në ç’mot kam lindur
guxim kam
ta them
t’ia them në fytyrë kohës
Pa i zbërthyer më tepër poezitë e këtij libri, më së miri është që vet lexuesi t’i vlerësojë dhe ndjejë, ashtu siç janë, të tilla. Autorit i urojmë shëndet dhe suksese të mëtutjeshme në krijimtarinë letrare!
P. S. (Këtë vështrim të shkurtër e gjeta në një fletore të shkruar me dorë, në vitin 1992.
Ky vështrim nuk është botuar asnjëherë, askund.
Është rishkruar, në kompjutor, më 10 Shkurt 2023)
Publikohet për herë të parë te https://artexd.webnode.page, më 7 Gusht 2023