URREJTJA NJERËZORE ËSHTË VETËVRASJE E VAZHDUESHME - Recension
25/11/2014 20:19
Recension për librin e autorit Tafil Duraku, “Karrabishti i UJD-it”, 2014, publikuar në vazhdime tek www.albaniapress.com, korrik-shtator 2014
Nga Dilaver Goxhaj
URREJTJA NJERËZORE ËSHTË VETËVRASJE E VAZHDUESHME
“Krejt çka ka dalë prej Titos, -shkruan autori i librit Tafil Duraku, - han vetëm shqiptarë. E, Prej Titos ka dalë edhe Vetoni i murrmë i racës së Surrojve, me shokë e me shoqe (pro)jugosllave”. Kjo tingëllon si diçka proverbiale. Thua të jetë kështu? Po mirë, mësojmë se Veton Surroi është gjak shqiptari, si është e mundur që të bëhet gjak i huaj? Ndoshta Tafili ka të drejtë. Po, pse Tafili mbërrin në këtë përfundim? A ka të drejtë ai të dalë në këtë përfundim? Ndoshta nuk do të dëshiroja të ishte kështu, sikundër shkruan Tafil Duraku, por kur ai na thotë se Vetoni është i afërt i familjes së Fadil Hoxhës, dhe se këtë figurë antishqiptare e lëvdon, i cili ishte ndër titistët më të thekur të ish Jugosllavisë, pasi e deklaroi vetë veten të tillë kur ndodhën demostratat e vitit 1981 dhe doli e tha se “do t’i bëjmë shqiptarët që duan bashkimin me Shqipërinë e Enver Hoxhës që t’u duket bira e miut treqind grosh”, dhe se babai i Vetonit, baxhanaku i Fadil Hoxhës, ishte diplomati i Titos që propagandonte nëpër botë se “demonstratat në Kosovën e vitit 1981 i nxiste Enver Hoxha me ca terroristë e irridentistë në Kosovë”, kuptohet që Tafil Duraku ka të drejtë kur thotë: “Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je”.
Ndoshta, jo gjithmonë kjo fjalë e urtë është e drejtë, pasi çështja e një personi nuk qëndron në trungun e familjes dhe as në origjinën e tij, pasi këtë fjalë të urtë e kundërshton fjala tjetër e urtë: Nga ferra del edhe trëndafili dhe anasjelltas. Por, çështja qëndron në atë që ti je, në atë që ti bën, në atë që ti beson dhe në atë që ti aspiron. Duke qenë se është kështu, na rezulton se zoti Veton bën atë që ka bërë i ati i tij, mohon ekzistencën e Kosovës Shqipëri; beson në atë që bësonte i ati i tij, që shqiptarët në Kosovë janë jugosllavë dhe nuk ka pse luftojnë kundër Jugosllavisë së mbetur; dhe inspiron në atë që i ati inspironte, që shqiptarët nën ish-Jugosllavinë të qëndronin përjetësisht pjesë e saj, që sot quhet Serbi. Në këtë rast detyrohemi t’i japim të drejtë Tafilit. I japim të drejtë, sepse Vetoni mohon faktin që shqiptarët në Kosovë u ngritën në luftë për t’u çliruar nga sundimi njëshekullor i Serbisë; Vetoni mohon faktin se, kur shqiptarët në Kosovë u ngritën në luftë çlirimtare me ata u bashkuan edhe shumë shqiptarë të tjerë të ardhur nga trevat e tjera shqiptare nën ish Jugosllavinë: nga Maqedonia, Kosova Lindore dhe Mali i Zi; Vetoni mohon faktin që në atë luftë shkuan me qindra vullnetarë nga shteti amë, Republika e Shqipërisë dhe iu bashkuan asaj ushtrie që doli nga gjiri i popullit shqiptar në Kosovë, ku 31 prej tyre dhanë edhe jetën e tyre për atë liri. Dhe, të mohosh të gjitha këto fakte nuk është diçka që mund të të falet lehtë edhe për vet faktin se me drejtuesit politikë të asaj ushtrie çlirimtare, UÇK-së, vetë Vetoni ka udhëtuar dhe ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë, vetë Vetoni ka qenë bashkëkryetar i atij delegacioni dhe është ulur në një tavolinë e krah për krah me Drejtorin Politik të UÇK-së kur nënshkruan atë Marrëveshje që e eleminonte tërësisht UÇK-në. Ndoshta Vetoni e thotë këtë deklaratë: “nuk na paska patur luftë çlirimtare në Kosovë dhe as ushtri çlirimtare të Kosovës” për faktin se më në fund iu arrit përfundimisht asaj që ai dhe bashkëfirmëtarët e tij nënshkruan fermanin, në Rambuje: “UÇK-ja të mos ekzistojë!”, dhe de fakto këto ditë nuk ekziston; e tha atë pas 15 vjetësh, kur u bind përfundimisht se edhe ata pak ish luftëtarë të UÇK-së që kanë mbetur pa u burgosur, së afërmi do të burgosen nga Gjykata Ndërkombëtare e Posaçme kundër UÇK-së, një lloj gjykate që nuk e ka parë e nuk e ka dëgjuar historia e njerëzimit, një gjykatë që ngrihet për t’i dënuar ushtarët e njërës palë ndërluftuese, vetëm e vetëm se ata janë shqiptarë. Ndoshta, ky fakt e ka ngazëllyer Vetonin dhe ka shkruar me zemër e jo me tru. Duke pasur parasysh të gjitha këto, ndaj dhe Tafil Duraku ka dalë në atë përfundim që cituam në fillim të këtij shkrimi. Në këto kushte detyrohemi që t’i japim të drejtë Tafilit.
Duke qenë se Vetoni ka patur guximin e ta thotë pa hezitim se në Kosovë nuk ka ekzistuar as edhe një ushtri çlirimtare dhe se nuk është hedhur as edhe një plumb kundër pushtuesve serbë, dhe nuk është derdhur as edhe një pikë gjaku shqiptar gjatë viteve 1997-1999, ka të drejtë një nga komentuesit e shkrimirt të Tafilit, i cili shprehte habinë: “Pse thonë se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës? Përderisa Serbia në Prishtinë ka ambasadorin e saj, Veton Surroin, kjo do të thotë se ajo e njeh Kosovën”. Ndaj dhe Tafili ka të drejtë kur thotë: “Dardha bie nën dardhë”. Ambasador i Serbisë (Jugosllavisë) i ati i Vetonit, ambasador i Serbisë edhe i biri, Vetoni.
Ngaqë është kështu, ndaj dhe Tafil Duraku me të drejtë shprehet: “Madje, “autori”… del edhe shumë banal, qesharak dhe tragjikomik, sepse, imponon tërthorazi pikëpamjet e tij, “patriotike” e “kombëtare”, heretike e hermetike, duke vendosur mbi bazën e kuislingitetit të tij të trinisë tradhtare: gjysh, baba, bir!... Që, në zbërthimin e parë të librit pamflet “Këmbët e Gjarprit”, për nga mënyra e shtruarjes së çështjeve dhe problemeve, të bën të dyshosh se mos është shkruar në Beograd dhe është përkthyer në shqip e përvetësuar nga “autori” i njohur i konjunkturave të vjetra të përkatësive të reja shqiptaro-titiste, veton-surroiste, antishqiptare”.
A mund të pranohet se e gjithë kjo shpifje e Veton Surroit, i cili mohon Luftën Çlrimtare në Kosovë, të viteve 1997-1999, të jetë thjeshtë rrjedhojë e urrejtjes që ai ka ndaj ish Drejtorit Politik të asaj ushtrie çlirimtare, Hashim Thaçit?! Dhe, nëse është kështu, dhe kështu po del, atëherë, Vetoni mohon edhe vetveten, pasi në pjesën e parë e të dytë të librit të tij ai flet për bisedat që ai ka bërë me Hashimin dhe Blerim Shalën në Kështjellën e Rambujesë, ku kishin shkuar sëbashku. Gjë që i jep të drejtë Tafil Durakut të shprehet: “As kundra më e zezë në historinë e njerëzimit, nuk kishte ditur të pjellë antishqiptarë më të zez e më antishqiptarë, seç ka pjellur kudra e quajtur Tito!... E, si çka po e shihni ju Vetonin e murrmë pas botimit të librit pamflet politik, “Këmbët e Gjarprit”?... Një libër pamfletist politik kundër UÇK-së, kundër popullit shqiptar dhe kundër Shqipërisë Etnike… Këtu, duhet t’ia kujtojmë Vetonit të murrmë se UÇK-ja ka ekzistuar dhe ekziston, ka pasë dhe ka strukturë politike e ushtarake vertikale dhe horizontale të komandës, me ushtarakë profesionistë nga shteti amë, për të cilët nuk flet dhe nuk i zë në goje Vetoni i murrmë, sepse, herezia e tij është antishqiptare, pra, shqiptaro-titiste”.
Dhe, nëse është urrejtja patologjike që Vetoni ka ndaj atyre qytetarëve të Kosovës që guxuan e rrëmbyen armët për ta shporrur njëherë e përgjithmonë pushtuesin njëshekullor nga Kosova, atëherë kemi të drejtë të themi atë që thoshte dikur Shileri: “Urrejtja njerëzore është vetëvrasje e vazhdueshme”.
Tiranë, Gusht 2014