TURPI QOFTË MBI JU, TË GJITHË!
30/06/2019 09:55
OPINION
TURPI QOFTË MBI JU, TË GJITHË!

Nga Bedri ISLAMI
Sot është 30 qershori i shumëpritur. I mohuar nga disa dhe si ditë feste nga të tjerët. I dekretuar dhe i anatemuar, e hequr si datë dhe e shpënë në mesin e tetorit; ditë flamurësh dhe molotovësh; përzierje presidentësh dhe shefa të qeverisë, opozitarë dhe krahët e ngrohta të shumicës qeveritare, një ditë që tashmë nuk është si të tjerat dhe nuk do të jetë më si e tillë; për disa ditë kur shteti do të vendoset përfundimisht përmes ligjit dhe për të tjerët një thyerje kushtetute.
Ditë që kaloi edhe përmes Atlantikut dhe zyrave të Brukselit, solli dëshpërim për disa dhe hare për të tjerët. Menjëherë Perëndimi u bë shpresë për një pjesë dhe mallkim për pjesën tjetër. U përplasën deklaratat politike dhe u bënë zhurmëri e paparë. Qeveria në mjediset e saj dhe opozita në të sajat. Të kishin qenë llogore lufte ndoshta do të ishin kaluar, për edhe përtej tyre, rishtas askush nuk lëshon një pëllëmbë nga vendi i saj.
Opozita thërret njerëzit në protestë, “sot është dita e fundit e Edi Ramës”, nëntë herë radhazi dhe, herë kaluan në stilin e molotovëve dhe kapuçonëve dhe herë si dele të urta. ”Zhan D’Arka” e tyre u bë një bashkiake nga Shkodra që, më mirë se të tjerët, e kuptoi të vërtetën se, në politikën shqiptare nuk futesh dot përmes mendjes dhe vizionit, por përmes molotovëve, përplasjes me policinë, deklaratave të forta, protestës. Të tjerët e kishin kuptuar më herët, por nuk kishin të drejtën e autorit.
Qeveria qëndron në istikamin e saj. Për të 30 qershori është dita e bekuar nga ligji dhe Kushtetuta, është momenti i shumëpritur, kur i duhen thyer hunda kundërshtarëve dhe duhet të merret gjithçka nën sqetullat e saj. Nuk ka faj, pasi largimi i atyre që duhej të ishin përballë me mendje i krijoi hapësirën e harbimit politik.
Presidenti hyri në lojë me hapin e rëndë dhe shkatërrimin e gjithçkaje. 20 ditë para zgjedhjeve, pa pyetur as për kushtetutë e as për lojën politike që bëhet përherë e më e rëndë, i hedh edhe ai pjesën e tij të benzinës zjarrit që po ndizet. Sikur të hiqte dorë nga një ftesë dasme anulon 30 qershorin, pastaj, si të ishte në një republikë bananesh, e për fat jemi pjesë e NATO-s, deklaron se do të nxjerrë ushtrinë në rrugë për të penguar zgjedhjet, bën disa konsulta me parti fantazëm, që nuk e di as se cilët kanë pas vetes dhe, krejt në fund, kur zori po vjen tek gryka, cakton një datë të re zgjedhjesh.
Gjithsecili në mallin e tij, si të ishte malli i të atit.
Presidencën nga selia kryeministrore e ndajnë 100 hapa. Këtë të fundit nga Shqup-i e ndajnë 100 hapa të tjerë.
Të gjithë janë të njohur me njëri-tjetrin.
Të gjithë kanë bërë, kur u ka dashur qejfi, marrëveshje në dëm të këtij vendi, kanë falur ministrira si të falnin disa topa basketbolli, kanë lëshuar parimet e ndërtimit të shtetit si të lëshonin një tufë korbash, kanë ngrënë me njëri tjetrin që nga ngjalat e pafajshme dhe deri tek milionat e pallatit vjehrror, kanë shkëmbyer postet si qoftet e kohës së fëmijërisë, kanë shkëmbyer ministra e njerëz të politikës si letrat spathi, kanë dhënë tenderë dhe kanë bërë punë të prapshta, sa do i mjaftonin disa brezave për të qenë të turpëruar.
Më lehtë e kanë pasur në të gjithë këto muaj t’i tregojnë burgun njëri-tjetrit, se sa të ulen dhe të gjejnë rrugën e duhur.
Opozita, ndoshta më budallaqja e viteve të fundit, duke shkuar me mendjen e disa analistëve që sot janë në plazhe dhe në vilat e tyre, shkatërron veten, duke menduar se po shkatërron sistemin. Ka një ultimatum, “Rama, ik”, duke e ditur se as nuk e heqin dot dhe as nuk e rrëzojnë dot. Kërkojnë qeveri të përbashkët, kur përmes një qeverie të tillë humbën zgjedhjet në qershorin e dy viteve më parë. Zbardhin netëve në bodrume për të deshifruar përgjimet që pastaj do të shkojnë tek një gazetar jashtë atdheut të tyre, sepse e dinë fare mirë se, nëse i shpallin vetë ose përmes gazetarëve të tyre, askush nuk u beson.
Qeveria i dëgjon përgjimet; janë të turpshme edhe sikur asgjë të mos ishte vjedhur, janë të tipit rrugaçëror , dëgjimi i të cilave mund të bëhet vetëm pasi ke larguar fëmijët. Asnjë përgjigje përse dy tenderë të mëdhenj i janë dhënë një kompanie fantazëm dhe se ku do të shkonin 30 milionë euro, heshtje ndaj skandaleve në PPP-të, si litarë të zgjatur në fatin e vendit; për të nuk është më e rëndësishme të shpallë programet për çdo bashki, për secilin komunitet, detajet e katër viteve që vijnë.
Ajo, qeveria, dëgjon thirrjet ultimative të opozitës, gulçimet e një plaku të çmendur, që tërboi politikën shqiptare, për hedhjen në Lanë të shefit të qeverisë dhe është e kënaqur se, edhe përtej selisë së saj, ky gulçim do të dëgjohet në Perëndim, për t’i thënë pastaj se, ja, cilët kemi përballë. Molotovët hidhen ndaj policisë, shefat e qeverisë përqeshin nga larg; policët plagosen me zjarr, shefat e partive plagosen me fjalë, ky vend futet edhe një herë në mërinë e papërballueshme.
Sonte në darkë të gjithë do të thërrasin fitore. Edhe shefi i qeverisë, edhe vasalët rreth tij, edhe të bindurit e përjetshëm; do të thërrasë edhe opozita, shefi i saj i pakuptuar kurrë, një tjetër që nuk e di askush përse është afër tij, do të thërrasë opozita e vogël, presidenti, të mirë e të këqinj.
Vetëm Shqipëria do të heshtë. Në darkë, edhe ata që votuan e do të mburren për këtë, edhe ata që nuk votuan dhe mburren për këtë, do të jenë të trishtuar.
Të parët, ata që votuan, e dinë se kjo është një fitore tjetërsoj; ligjet u mbrojtën, kushtetua e mbrojt, por marrëveshja e madhe ndërnjerëzore, u përdhos.
Të dytët, ata që nuk votuan, ndërsa do e shohin se gjithçka kishte qenë një mjerim i politikës së tyre, disa të bindur se kishin bërë mirë e të tjerët të bindur se i kishin urdhëruar keq, do të jenë, po ashtu, të palirë në lirinë e tyre për të zgjedhur.
Pse ndodhi e gjithë kjo katrahurë? Përse në një vend ku thuajse gjysmën do e kesh përballë të mëritur, nuk mund të gëzohesh?
Këto ligje kushtetuese janë gurë që nuk lëvizin apo norma njerëzore që gjejnë vendin e tyre?
Është më lehtë të dalësh në rrugë, të dëgjosh një himn të flamurit nga një zë i çjerrë, apo të qëndrosh ku të kanë deleguar të jesh. Braktisja e parlamentit është dëshmia më e madhe se klasa jonë parapolitike as që e ka ndër mend të piqet.
Nga nesër, 1 korrik, gjithçka do të jetë në dorën e një force politike që, edhe kjo, nga ana e saj, është në dorën e një njeriu.
Monizmi në pluralizëm është po aq i pakëndshëm sa edhe pluralizmi monist.
T’i besosh gjithë shtetin një dorë të vetme, kur përballë tij është një president inatçi, i turbullt, ironik edhe kur flet për hallet e shtetit, do të thotë të jesh palë me të keqen që mund të vijë.
Turpi qoftë me Ju.
Me të gjithë, ju, një pesëshe në pushtet e jashtë pushtetit!
Opozita nuk e mësoi kurrë se ka ikur koha e dhunës për të marrë pushtetin, ashtu si ka ikur koha e diktatit të Sali Berishës.
Pjesa tjetër e opozitës nuk e mësoi se nuk mund të kesh “ burrneshën” si shenjë të forcës, kur mendja paraqitet përmes Vasilit.
Qeveria nuk e mësoi se mbi të gjitha është ky vend?
Turpi qoftë me Ju?

DITA