TRUSHPËLARËT E MEDIAS!

10/04/2017 09:07

OPINION

 

 

TRUSHPËLARËT E MEDIAS!

Nga Zamira ÇAVO

 

 

“Askush nuk mund ta vërë në diskutim – thoshte Xhovani Sartori, që në sistemet diktatoriale media monopolizohet në dorën e diktatorit”. Kjo është e qartë pasi media është lavatriçja më e mirë e trurit njerëzor.

Sot, mediat shqiptare, në mjaft raste dëshmojnë se janë prekur thellë nga sistemi i kastës sunduese!

Media është në dorën e një pakice që shtrembëron, shpif dhe hedh në treg çdo lloje informacioni që i shërben kësaj pakice, pa pyetur për të vërtetat që i duhen opinionit publik.

Unë, jam e bindur se mediat kanë luajtur dhe po luajnë me interesat e popullit në favor të interesave të tyre.

Ka prej tyre që me emisionet përkatese bëjnë “shantazhe” të hapura ndaj x apo y, dhe pasi marrin çka kërkojnë, kthejnë drejtimin duke çorIentuar opinionin!

Ka prej tyre që nëpërmjet këtyre shantazheve janë bërë milionere dhe tani guxojne të sillen sikur “kanë në dorë” gjithçka!

Dhe, në një farë mënyre, e kanë, pasi asnjë qeveri, asnjë kryeministër, asnjë institucion nuk u kërkon llogari se si e vunë pasurinë marramendëse, sepse, vetë ata ia dhanë të drejtën për të ndërtuar një pallat, për të blerë toka, për të fituar tendera, me synim përdorimin e tyre!

Duke qenë në shërbim të interesave të pakicës, jo rrallë, opinionistët shndërrohen në nxitës negativë të opinionit publik, duke u bërë, kështu, ura lidhëse e kalimit të krizës politike në krizë sociale.

Ata janë bërë, jo rrallë, nxitës të përçarjeve tona dhe, në këtë mënyrë, nxitës të konfliketeve.

Këta lloje “gazetarësh”, që paguhen shumë mirë nga pronarët e mediave për të bërë misionin që u ngarkohet prej tyre, kanë rrënuar imazhin e çdo institucioni, duke pretenduar të ngrihen mbi to!

Vërtet, mund të mos kesh respekt për Lulzim Bashën apo Edi Ramën, por, nuk ke asnjë të drejtë etike t’u drejtohesh pa edukatë dhe me shumë përçmim.

Do apo nuk do gazetari, ata përfaqësojnë institucione të cilat populli i shikon si shpëtimin e tyre. E njëjta gjë edhe për presidentin apo kryetarin e parlamentit.

Të çvlerësosh institucionin, si të tillë, do të thotë të kesh kryer një akt të pashembullt në shkatërrimin e shtetit.

Ka njëmijë mënyra se si mund të kritikohen liderët e institucioneve, ka miliona pyetje që mund t’u bëhen për t’i nxjerrë “çveshur” para opinionit publik, por, etika është në thelbin e komunikimit.

Media, në pergjithësi, sot është bashkëfajtore e gjendjes sonë politike e sociale dhe ekonomike.

Madje, disa mund të akuzohen si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit social.

Sa kohë aq AMA apo ndonjë institucion tjetër nuk e vë ujin në zjarr për çka ndodhë, na duhet të themi Zot shpëtona nga këta trushpëlarës të medias!

TEMA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode