TRUMPISAT E TIRANËS

11/11/2016 13:18

OPINION

 

TRUMPISAT E TIRANËS

Nga Andrea STEFANI

 

 

Dje, ndërsa Presidenti Obama dhe Presidenti i zgjedhur Trump takoheshin miqësisht në Shtëpinë e Bardhë për të projektuar ndërrimin paqësor të pushtetit këtu, në Tiranë, opozita e PD (e përforcuar edhe me Ben Blushin) i hidhej në fyt kryeministrit Rama për disa deklarata që ai ka bërë kundër Trump ndërsa në SHBA zhvillohej fushata. Pamja bëhet edhe më groteske kur mendon sesi Trump ashtu edhe Obama nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër njeri-tjetrit gjatë fushatës. Madje Trump është betuar se do të zhbëjë një nga reformat më të rëndësishme të presidencës Obama, atë në shëndetësi, por megjithatë të dy politikanët u takuan sikur të mos kish ndodhur asgjë mes tyre. Madje në fund të takimit, Trump nuk ngurroi të shprehej për Obamën: “Një njeri i mirë”!

Hipokrizi? Aspak! Eshtë koshiencë dhe përgjegjshmëri për atë që tashmë ata përfaqësojnë. Si politikanë ata e kuptojnë se nuk takohen thjesht Obama dhe Trump, por Presidenti në detyrë dhe Presidenti i sapozgjedhur i SHBA. Pra, takohen dy institucione dhe jo thjesht dy burra. Ndaj edhe vendin e antipative dhe konsideratave personale politike, e zë etika dhe logjika institucionale e shtetit, një logjikë që duhet ta ndjekë çdo burrë shteti si dhe gjithkush që pretendon të jetë i tillë.

Po dje, në disa prej qyteteve më të mëdha të SHBA, pati protesta masive kundër Trump-it. Ndërkaq, Hillari Klinton bëri thirrje për respektimin e rezultatit të zgjedhjeve pavarësisht se doli humbëse prej tyre. Por ç’do të ndodhte me demokracinë amerikane nëse kandidatja Klinton nuk do pranonte rezultatin, nëse Trump nuk do bënte thirrje për bashkim dhe nëse ai dhe Obama do të shfaqeshin armiqësorë dhe konfliktualë ndaj njeri-tjetrit? Demokracia amerikane do ta kishte shumë pisk.

Shihet qartë se, në kushtet kur rivaliteti politik e ka ndarë mjaft ligsht elektoratin, politikanët e të dy krahëve në SHBA, tani që gara zgjedhore mbaroi, e kanë drejtuar vëmendjen tek paqtimi i amerikanëve mbi bazën e parimit “E PLURIBUS UNUM”. Ndryshe, demokracia do bëhej shkak për rrënimin e demokracisë. Por nuk ndodh kështu në Shqipëri ku ca liderë politikë si Berisha, janë të gatshëm t’i vënë minat demokracisë duke nxitur konfliktin edhe në momente mjaft delikate për të. Aq e papërballueshme është nevoja që kanë ata për konflikt, sa nuk ndalen para asgjëje. Deri edhe para shkatërrimit të shtetit, si në vitin ’97. Apo si tani, kur votuan kundër dhënies së rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Në këtë rrafsh është qesharake përpjekja e PD që të ndëshkojë Ramën për disa kritika që ai ka shfaqur ndaj kandidatit Trump duke e fryrë problemin sikur kjo mund të çojë në prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me aleatin e saj strategjik, SHBA.

Në të vërtetë, asgjë e tillë nuk ka shans të ndodhë. Sepse marrëdhëniet Shqipëri-SHBA bazohen në parime dhe interesa shumë më fondamentale dhe jo në deklarata që bëjnë kohë pas kohe politikanët në të dy shtetet. Përveç kësaj, kritikët e Ramës nuk po kuptojnë se me mllefin dhe ekstremizmin që po tregojnë ndaj tij në këtë rast, po ekspozohen në pozita inkuizitorësh dhe persekutorësh që nuk ngurrojnë të shpallin armik të atdheut për një pikëpamje të shprehur.

Bie dakord që disa konsiderata të kryeministrit Rama lidhur me një kandidat për president të një vendi mik mund edhe, nga pikëpamja diplomatike, të ishin shmangur në kuptimin që nuk përbënin një domosdoshmëri. Por ato nuk janë ndonjë sakrilegj nga pikëpamja e lirisë së shprehjes. Nuk duhet harruar edhe që, së pari, ca deklarime të Trump-it lidhur me emigrantët, myslimanët, racat apo sekset ishin ekstreme dhe shkaktuan shqetësim në mbarë botën. Së dyti, duhet patur parasysh se kundër këtyre deklaratave të Trump-it nuk është shprehur vetëm Rama por një numër jo i vogël politikanësh të lartë si kryeministrat Kamerun, Holand apo Renci. Deri edhe Papa Françesku ka shprehur rezervat e tij lidhur me ndonjë deklaratë të Trump-it.

Në këtë kuptim, deklarimet e Ramës shprehin një shqetësim të sinqertë për një zhvillim që i ndodhur në demokracinë më të fuqishme, mund të impaktonte negativisht atë si dhe demokracinë kudo në Botë. Në të kundërt, janë hipokrite kritikat deri në histeri që i drejtohen Ramës nga kundërshtarët e tij që, çuditërisht nuk thanë asnjë fjalë në momentet kur kryeministri i bëri deklaratat. Përse? Sepse ata janë llogaritarë cinikë. Nuk reagojnë për të mbrojtur ndonjë parim, por thjesht në funksion të rrëmbimit të pushtetit. Nuk folën në atë kohë, sepse druheshin se mos fitonte Klinton. Por sapo Trump doli fitues, u hodhën në sulm kundër kritikave që Rama kish lëshuar ndaj tij. Ky është një shembull tjetër i një makiavelizmi, të një servilizmi të pisët dhe të neveritshëm.

Si përherë, në krye të kësaj intrige që ushqen konfliktualitetin është vënë endësi i palodhur i rrjetës së intrigave, merimanga e vjetër Berisha. Dhe si jo rrallë këto kohët e fundit, lëshoi sharje kundër Ramës duke i konsideruar kritikat e tij ndaj Trump si shprehje të një “dizekuilibri mendor”. Nuk është e para herë që fjalori i pisët e Berishës, që e kanë përvetësuar shumë nga fanatikët e tij, fyen kundërshtarët larg frymës së një konkurrence të ndershme politike. Por në këtë rast, ajo është një mufkë që shpall të çekuilibruar mendërisht shumë nga figurat politike botërore që, po ashtu si Rama, kanë kritikuar të njëjtat deklarata ekstremiste të Trump-it. E sëmurë mendërisht i bie të jetë edhe shumica e amerikanëve që votuan Klinton (ajo mori shumicën e votës popullore) dhe ishin kritikë ndaj Trump-it. Por asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Sepse edhe në këtë rast, i sëmuri për mend është po ai që fyen të tjerët si të sëmurë për mend.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a website for freeWebnode