TRE SEVDALLINJ (PËRRALLË NGA E KALUARA E LARGËT)

23/03/2018 06:55

PËRRALLË KOHE

 

 

TRE SEVDALLINJ (PËRRALLË NGA E KALUARA E LARGËT)

I nderuar Kryeredaktor

Një herë e një kohë, në një kaza të vogël, në periferi të perandorisë, na ishin se ç’na ishin, tre miq sevdallinj, të cilët shkonin për bukuri. Të tre paskan qënë të diplomuar në jurisprundencë, por në fakultete të ndryshme, anekënd   perandorisë. Ofiqet në krahinë, respektivisht ishin njëri avokat, tjetri bylykbash dhe mbi të gjithë kadiu, vendimmarrës.

Si në atë botë, edhe sot e kësaj dite, këto profesione, janë të përcaktuar shumë saktë në ligje, si opozitar, me qëllimin, që drejtësia të jetë sa më e saktë. Për të na kuptuar lexuesi, tërminologjinë po e shpjegojmë me fjalorin bashkëkohor. Kadiu quhet gjykatës, bylykbashi është qytetëruar në prokuror, vetëm avokati mbetet gjene ai që ka qënë, avokat. Ligjet kanë logjiken e tyre. Avokati mbron qytetarin, prokurori mbron shtetin, ndërsa gjykatësi mban kandarin, të mbështetur mbi qitapin dhe karaqitapin. Karaqitapi është kushtetetuta, ndërsa   qitapet janë kodet penale, civile. Edhe Kazaja është tjetërsuar në qytezë.

Të tre i njihnin ligjet shumë mirë. Ndoshta nga që kazaja ndodhej në periferi dhe me banor pak, mund të ishin të vetmet arsye, që në kundërshim me ligjin, ishin ortake të mirë. Për të lidhur ortakerinë, asnjë motiv tjetër nuk i bashkonte, përveç ofiqeve që mbanin, dy shtetëror e njëri privat. Në moshë kishin diferenca edhe me dekada. Në bindjet fetare, të tre, faleshin në faltore të ndryshme. Fiset e tyre, sepse nuk shkonin shumë mirë, nuk kanë lidhur asnjëherë krushqi.

Të gjithë banorët e kazasë, ishin mëse të bindur, se vetëm sevdallëku i bënte të pandarë. Nuk qe vetëm lakmia për paranë, që nuk i ndaheshin ortakërisë, por edhe qejfet e tjera, që njeriu gëzon në jetë. Bashkoheshin në shije, për ushqimin; pijet; femrat bukuroshe; pronat e patundshme; karierën; politikën; sportin; artin; ……

I respektonin me rigorozitetin më të madh ofiqet e njëri- tjetrit. Meqë zona njihej për krapin e madh, edhe të shijshem, për respekt të zhvillimit turistik krahinore, edhe për simbolikë, hallexhiun e emertonin krap, krapuliq, kjo varej nga pasuria e të mjerit, që do të shkonte në zyrat e tyre.

Zënien e peshkut, për detyrë e kishte avokati. Bylykbashi   i frikësonte bukurmirë me qitapet e qeverisë.  Në fund, me zotnillëk, kadiu vendoste nëse do te lihej i gjallë, apo do të bëhej tavë. Përqindjet e honorareve ishin përcaktuar mëse qartë. Pasi ndahej hisja për prefektin në qender dhe zëvëndësin e tij në kaza, më shumë merrte gjykatësi, pak më pak bylykbashi, dhe më pak avokati. Nuk ngatërroheshin përqindjet as kur krapi kalonte nga rrjeta në tavë.  Të tre, këtu e shihnin suksesin, në rritjen e standartit të jetës.

Punët u shkonin sahat. Qafat ju ishin trashur. Pasuria ju rritej e zbukurohej. Për banorët, që mërziteshin çdo ditë nga bëmat e tyre, nuk e vinin ujin në zjarr.

Vetëm kohën e kishin kundra. Ajo vraponte dhe nuk kthehej më. Dhe kështu, erdhi një kohë që puna ju ra. Ditë e natë, e vriste mëndjen avokati, për të zënë sëpaku një krapuliq, por rrjeta për rreth një muaj, nuk i kishte nxjerrë gjë në tokë.

Ai e shpjegonte me dy arsye objektive, mungesën e punës. E para, mileti i njihte një më një nenet e ligjëve, kjo ishte arsyeja që kanë mësuar hilet, për të mos u kapur gafil. E dyta, në provincën e varfër nuk gjendej para, ndërsa për shpërblime në klering, sevdallinjet nuk pranonin më, se ju kishte ardhur deri në fyt.

Në një nga këto ditë, në kaza, po kalëronte një burrë për telha. Nga kali dhe veshja dukej se ishte i kamur bukurmirë. Për këtë avokati nuk kishte asnjë dyshim. Me turravrap shkoi e lajmëroi bylykbashin, të cilit ju mbushen sytë me lot, sepse e parashikonte tavën plot. Punët i ndanë me shumë dëshire. Bylykbashi te xhandarët për t’i sjellë krapin në zyrë, ndërsa avokati shkoi e lajmëroi kadiun që të bënte hazër, kandarin e drejtësisë.

Xhandarët, me të marrë urdhër, me revan e grishen qyqarin, me demek, për rutinë bylykbashi do t’i kontrollonte dokumentat personale. Kalorësi, ndonëse nuk i pëlqeu veprimet e xhandarëve, nuk kundërshoi, me idenë meqë do t’i bëhej kontroll rutinë do t’i hanin pak kohë. U shkoi pas pa e ditur se çfarë suprizash do t’i dilnin më pas.

Bylykbashi, e priti i vranësuar duke paralajmëruar stuhi me shtatë ballë. Mbi tavolinë qëndronin hijerëndë qitapet e shumtë. Kalorësi nxorri dokumentet identifikues. Kontrollo, stërkontrollo, bylykbashi nuk po dinte se ku ta kapte në gabim. Ia ktheu dokumentat me shumë pak dëshirë. Kalorësi i bindur, se kaq qe kjo punë, kërkoi të përshendetej me të pranishmit dhe të shkonte për qejfë të tij.

-Ku kërkon të shkosh? – e pyet kryexhandari.

-Besoj se mbaruam me identifikimin tim, -u përgjigj kalorësi.

-Mbaruam me identifikimin dhe na binde se je qytetar i perandorisë, por ende nuk na ke bindur se nuk ke thyer asnjë nen nga qitapet, që sheh mbi tavolinë. Nga ju, perandori kërkon zbatimin gërmë më gërmë të tyre, -  u mundua ta kthjellonte kryexhandari.

- Dua avokat! - kërkoi kalorësi, pasi me shikim bylykbashi i dha sinjal, se kryexhandarit nuk i binte asnjë fjalë në tokë.

Për të zezë të tij, erdhi avokati. E lanë të vetëm, me të ngratin. Për të mbyllur zallamahinë me shpejtësi, meqë ishte jabanxhi, dhe nuk i gjendeshin para të thata me vete, i kërkoi të dhuronte kalin, me gjithë takëme, në kundërshim me parimet e ortakërisë, për kleringun, sepse të atillë kalë, dhe ato takëme aq të rralla, nuk ishin parë ndonjëherë në kaza. Kalorësi nuk e pranonte kompromisin, se doriun e kishte kujtim nga dikush shumë i rëndësishëm.

Doli avokati, u fut bumbashiu (sekretari i gjykatës) me bylykbashin. U gjet neni, i thyer me katër këmbë, nga shetitësi me kalë. U shkrua arzuhallaja (kërkesa)nga bumbashiu, e u nënshkruan me deshirë nga bylykbashi. Ia dhanë në dorë xhandarit, që ta çonte urgjent në gjykatë. Ai, më shpejt erdhi se iku, me letrën e nënshkruar nga kadiu, i cili miratonte kërkesën e bylykbashit, ta mbante në arrest, për një muaj të gratin, kohë nevojshme fillestare, për të vazhduar hetimet shkencore.

Kalorësit, sa s’i ra pika në vend, kur i cituan vendimin, dhe e pa se e kishin primend. Kërkoi përsëri avokatin. Ia çuan me shpejtësi, se ishin të bindur se i kishin ardhur mendja.  Avokati e bëri edhe më çorap qyqarin. Nuk e dinte saktësisht akt-akuzën, por për grupin e neneve, që citoi bylykbashi, i tregonte me ndershmëri, dhe me siguri juridike, se denimet ishin shumë, shumë të rënda.

Meqë, nuk i hapi rrugë avokatit, për t’i dhuruar dorinë, xhandari i vuri prangat dhe e mbylli në qeli, të pafajshmin. Tre ortakët, për të parashikur të ardhmen tok, shkuan për sefa(zbavitje), diku aty afër, mbi një stom. Ishin të bindur së pas hekurave kishin një tuxhar (tregtar i pasur). Vetëm me arkëtimin e gjymrykut (taksës doganore), kush e di sa para do t’u binin në dorë.

Pluhuri i sokakut ju prishi muzën. E lanë çakërqejfin, kur panë karrocën e prefektit, të shoqëruar nga disa jeniçerë. Ndonëse detyrimet mujore, ndaj xhepit tij, i kishin paguar me rregullsi, i dolën përpara, për t’i puthur edhe këmbët. Prefekti me jeniçerët ishin të nxirë, në fytyrë. Kaloi pak kohë, kur një grup tjetër jeniçerë, të shoqëruar me kalorësin mbi shalë, dhe te lidhur me litarë, tërhiqnin kryexhanadarin dhe gardianin e çalë.

Nuk pati nevojë për tellall, për të mblellur miletin përballë, sepse prefekti shihej rradhë, dhe jeniçerët, për herë të pare, kalonin në ato anë. Doli se kalorësi na paska qënë djali i motrës së pashait, dhe dorinë, ja kish dhuruar nipit me shumë dëshirë. Hajdutllëk më të madh as nuk ishte parë, e as dëgjuar në kaza.

”Si mund të vidhet kali i pashait?,- pyesnin gjindja njëri-tjetrin, përbri.” Guxim i madh”- përgjigjej dikush, me qesëndi. Tre sevdallinjët, në mes të duartroktjeve të miletit, si sardelet në kuti, i ngjeshen një e nga një, në karrocën apsana (burg), dhe i morën me vete, për t’u bërë gjyqin në prefekturë.

Dikush e mbyll përrallën me burgosjen e tre sevdallinjëve. Një variant tjetër është, se pasi u shkundën mire, sevdallinjet nga zyrtarët, i lëshuan në liri, tre trimat e pafajshëm. Meqë përralla është shumë e vjetër, rrefehet edhe një variant tjetër. Pas vettingut në qytet, avokati u bë kadi,kadiu- bylykbash dhe bylykbashiu shndërrua në avokat.Bumbasharin nuk  e nganë aspak.

Profesorët, sygjerojnë, që variantin e tretë, nuk është mirë ta rrëfejnë as në Kosovë, e as në Shqipëri, sepse, medemek, na u prishka ëndërra për drejtësi. Ec e merre vesh këtë porosi. /DITA/

Fatmir Lohja

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode