TRE-KATËR SHEMBUJ DHE PESË PYETJE PËR KRYEMINISTRIN RAMA
24/07/2023 15:25
OPINION
TRE-KATËR SHEMBUJ DHE PESË PYETJE PËR KRYEMINISTRIN RAMA
Nga Fatos TARIFA
Për publikun e gjerë dhe për këdo që korrupsionin endemik në këtë demokraci tonën hibride kërkon ta shohë të gjunjëzuar para drejtësisë dhe, në vend të tij, të shohë një moral politik të qytetëruar në shërbim të së mirës publike, dëshiroj të përmend këto episode domethënëse.
(1) Pasi ish-kryeministri suedez Tage Erlander vdiq, në vitin 1985, gruaja e tij e ve u paraqit në zyrat e qeverisë me një kuti të mbushur me stilolapsa të etiketuar “Pronë e Thesarit”. Meqënëse bashkëshorti i saj i ndjerë nuk do i përdorte më ata stilolapsa, ajo gjykoi se ata nuk i përkisnin asaj, ndaj edhe i ktheu.
(2) Në skandalin e zhurmshëm “Toblerone” në Suedi, në mesin e viteve 1990, zëvendëskryeministrja e atëhershme e atij vendi, Mona Sahlin, në atë kohë 38 vjeç, u detyrua të jepte dorëheqjen kur një gazetë zbuloi se ajo kishte përdorur kartën zyrtare të kreditit për shpenzime personale. Ajo pranoi se kishte marrë me qira një makinë dhe kishte blerë pampers për fëmijët, cigare dhe çokollata në një vlerë disa qindra euro. Sahlin i ktheu paratë menjëherë të nesërmen, por dëmi ishte bërë. Edhe pse Mona Sahlin nuk u gjykua kurrë nga një gjykatë, asaj ia dhanë dënimin qytetarët suedezë. Pas atij skandali, sondazhet treguan se 66% e suedezëve, e konsideronin atë të papërshtatshme për t’u bërë kryeministre, edhe pse Sahlin ishte kandidatja kyesore për t’u bërë kryeministrja e parë grua e Suedisë.
Dy ministrave të tjerë suedezë u është dashur të jepnin dorëheqjen në vitin 2006: njëri për shkak se nuk e kishte deklaruar një shtëpi pushimi në pronësi të tij, ndërsa tjetra pasi nuk kishte deklaruar kujdestaren e fëmijëve të saj, si dhe nuk kishte paguar tarifën e abonimit në televizioni publik.
Këta shembuj–dhe shumë të tjerë si këta–dëshmojnë se toleranca ndaj mungesës së sinqeritetit dhe shpërdorimit të pozitës publike në Suedi është shumë e ulët. Ndërsa amerikanët dhe britanikët janë veçanërisht sensitivë ndaj aferave seksuale të figurave publike, në një vend më libertin, si Suedia, ose në Hollandë, publiku është veçanërisht i ndjeshëm ndaj abuzimeve me paratë publike.
(3) Në vitin 2010, ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Yu Myung-hwan, dha dorëheqjen për shkak të vajzës së tij. Ajo ishte punësuar në ministrinë e jashtme dhe, duke shfrytëzuar pozitën e të jatit, ishte përpjekur të nënshkruante një kontratë me atë ministri për t’u marrë me çështje tregtare. Reagimi kritik i publikut e detyroi ministrin e Jashtëm koreanojugor të pranonte përgjegjësinë e vet “për të gjitha problemet e shkaktuara nga vajza e tij” dhe të jepte dorëheqjen nga ai post.
Këto fakte mund të jenë (por mund edhe të mos jenë) të njohura për kryemimistrin Rama. Nëse janë, shpresoj që ai të më mirëkuptojë pse vendosa t’i ndaj me publikun shqiptar pikërisht sot. Nëse jo, uroj që fakte të tilla–dhe shumë të tjera si këto–ta bëjnë të reflektojë se demokracive më të përparuara u afrohemi jo thjesht duke emëruar më shumë gra në qeveri, por duke e zvogëluar gjithnjë e më shumë tolerancën ndaj shpërdorimit të pozitës publike dhe parave publike.
Zoti Kryeministër!
Dëgjova (dhe lexova) me shumë vëmendje mesazhin me të cilin ju iu drejtuar publikut shqiptar dje, pasi kuvendi i Shqipërisë vendosi t’i hiqte imunitetin deputetit Arben Ahmetaj. Të them të drejtën, fjalët tuaja në atë mesazh, përveçse të lexuara me nervozizëm, m’u dukën jobindëse. Madje, me aftësinë që kam për të kuptuar, m’u dukën tërësisht jobindëse. Prandaj dhe kam këto pyetje për ju:
(1) Përpos justifikimeve që keni dhënë në media (edhe dje), si e shpjegoni korrupsionin që ka shoqëruar veprimtarinë e një pjese të administratës suaj këto vitet e fundit? Tre ministra të dënuar (pas hekurave ose në arrati), disa anëtarë të parlamentit të zgjedhur me dorë nga vetë ju në listat e kandidatëve të sigurt në zgjedhjet e përgjithshme, dhe disa kryetarë bashkish të nominuar personalisht po nga ju.
(2) Çfarë cilësish dhe meritash të veçanta keni vënë re te të gjithë këta përfaqësues të Partisë Socialiste (tashmë penalisht të dënuar ose nën hetim), që u keni dhënë përgjegjësi kaq të mëdha për të drejtuar disa dikastere të qeverisë dhe disa bashki të vendit?
(3) Ç’farë, sipas jush, ka spikatur pozitivisht tek Arben Ahmetaj që, pasi i besuat atij njeriu drejtimin e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i dhatë më pas portofolin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe, pas këtyre, e zgjodhët të ishte bashkëpunëtori juaj më i ngushtë dhe zëvendësi juaj në krye të qeverisë shqiptare?
(4) Vërtet besoni se dënimi i një duzine zyrtarësh të lartë të Partisë Socialiste, të zgjedhur, ose të emëruar nga ju personalisht, ju zhvesh nga çdo përgjegjësi politike dhe morale për zgjedhjet që keni bërë me këta njerëz dhe për shkeljet e tyre ligjore shumë të rënda?
Vërtet besoni se jeni politikisht dhe moralisht i zhveshur nga çdo përgjegjësi, tërësisht inocent apo, ndoshta, jeni një “innocent bystander”, që edhe pse mund të mos jeni vetë i përzier në aferat e tyre korruptive, duhet të mbani përgjegjësi politike dhe morale–pra, përgjegjësi publike–për zgjedhjet e gabuara që keni bërë dhe për pasojat e rënda që kanë shkaktuar veprimet e disa prej vartësve tuaj teksa ju kanë shërbyer, si kryeministër i vendit, në disa kabinete qeveritarë, në grupin mazhoritar në parlament dhe në krye të disa njësive kryesore të administratës lokale?
Ju mjaftoheni të thoni se “para ligjit PS nuk mbron askënd, asnjë që fryn xhepin me buxhetin e shtetit”. Sigurisht që Partia Socialiste as i ka mbrojtur ndonjëherë dhe as do i mbronte keqbërësit, por Partia Socialiste nuk jeni ju, edhe pse vazhdoni të jeni në krye të saj.
Nga ana tjetër, as Ahmetaj, as zyrtarët e tjerë të PS-së që janë e zbuluar, hetuar e dënuar, nuk i frynë xhepat e tyre me paratë e shtetit as “overnight”, as fshehurazi, në Malin me Gropa apo në pyjet e Martaneshit, por për vite me radhë dhe nën hundën tuaj.
Ju nuk ka pse e fshihni përgjegjësinë tuaj pas PS-së dhe flisni në emër të saj, duke mohuar çdo përgjegjësi publike tuajën. Politika dhe qeverisja janë çështje të rëndësishme publike, jo çështje private, dhe kanë për synim të mbrojnë e t’u shërbejnë interesave publike.
Dhe, kur flitet për interesa publike, përgjegjësia e kujtdo që merret me politikë, veçanërisht e juaja, si kryeministër i vendit, është publike dhe duhet pranuar si e tillë.
Nuk mjafton të thoni “unë nuk zgjedh bashkëpunëtorë për të mos i lëshuar”. Sigurisht, cilido bashkëpunëtor i juaji apo i kujtdo kryeministri tjetër që shkel ligjin duhet të mbajë “përgjegjësi individuale para ligjit”. Por, zgjedhja për të bashkëpunuar me ta nuk ju është imponuar; zgjedhja ka qenë tërësisht e juaja dhe ju keni pasur çdo mundësi dhe vite me radhë kohë për t’i njohur bashkëpunëtorët që keni zgjedhur, keni mbajtur pranë dhe keni promovuar.
Këtu pikërisht mendoj se qëndron përgjegjësia juaj. Jo një përgjegjësi penale, por një përgjegjësi morale e politike, pra një përgjegjësi publike. Pranimi i kësaj përgjegjësie nuk ju denigron, në të kundërt, ju lartëson.
(5) Dhe kësaj pyetjeje kam kohë që përpiqem t’i gjej një përgjigje. Çfarë ju bën juve, zoti Kryeministër, një socialist? Bindjet tuaja politike? Afeksioni për Marksin, ideologjia e tij socialiste, ajo socialdemokrate apo socializmi kristian? Unë mendoj nuk është asnjë nga këto. Çfarë atëherë?
A keni arritur ta shihni, ose ta ndjeni hendekun që ju ndan nga një pjesë e madhe e socialistëve të sotëm shqiptarë (jo e atyre të brezit të babait tim të ndjerë, që ishin dhe mbeten antifashistë dhe të cilëve ju u keni kërkuar të ulin kokat)? Pra, çfarë ju bën juve ta quani veten socialist dhe të vazhdoni, për afro dy dekada, të pretendoni monopolin ekskluziv të drejtimit të partisë së socialistëve shqiptarë?
A keni një përgjigje të sinqertë edhe për këtë pyetje?
DITA