THAÇI DHE USTAI QË KA PJEKUR HALLVËN

09/07/2020 07:17

OPINION

 

THAÇI DHE USTAI QË KA PJEKUR HALLVËN

 

Viktor MALAJ

 

 

Deklarata e bërë nga Prokurori Special në Hagë lidhur me akuzat penale kundër Presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi dhe disa politikanëve, ish-drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krijoi çudi, hutim, zemërim dhe, veçanërisht, dyshime e hamendësime. Çudia dhe zemërimi janë “mbjellë” qysh prej pesë vjetësh nga vetë politikanët e Kosovës të cilët, me mendjelehtësi dhe vetëbesim të tepruar, ua përshtatën Kushtetuten dhe legjislacionin penal kosovar orekseve, intrigave dhe presioneve ndërkombëtare. Dyshimet dhe hamendësimet i krijoi vetë Prokurori Special i cili e bëri deklaratën në fjalë tri ditë përpara takimit të planifikuar në Uashington midis përfaqsuesve më të lartë të të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Deklarata e tij ishte në kundërshtim me procedurën penale dhe etikën juridike që rregullon veprimtarinë e të ashtuquajturave Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ndërkaq, deklarata nuk justifikohej kurrësesi me pretekstet e paraqitura nga deklaruesi. Megjithëse kishin kaluar thuajse pesë vjet nga hetimi, dhe dosja së bashku me akuzën ndodheshin në zyrën e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake prej disa muajsh, i cili ka kompetencë ta hedhë poshtë si të pabazuar në prova ose t’ua kalojë për gjykim Dhomave të Specializuara gjyqësore, Prokurori në fjalë pretendoi se po e njoftonte akuzën pasi personat e akuzuar kishin ndikuar dhe po ndikonin në pengimin e hetimit dhe të gjykimit.

Ashtu si në të gjithë botën e qytetëruar, kur individë politikë apo jo, përpiqen të pengojnë hetimin dhe gjykimin e vet apo të të tjerëve, ka procedura dhe kompetenca juridike për neutralizimin e këtyre pengesave. Neutralizimi i tyre nuk bëhet me deklarata publike të natyrës politike dhe as pasi ka përfunduar hetimi, sepse secili prej nesh ka të drejtë të pyes: a është ankuar më parë Prokurori Special dhe, nëse është ankuar, kundër kujt dhe tek kush? Nëse personat e akuzuar prej tij kishin penguar hetimin, a mund të konsiderohet produkti i tij hetimor (dosja penale) i plotë, i saktë dhe i drejtë? Nëse hetimi kishte katër muaj që kishte përfunduar, pse u njoftua tani publikisht akuza me shtojcat e saj politike? Në qoftë se personat e akuzuar po e pengonin drejtësinë, sipas procedurës, duhet të vepronte Gjyqtari i Procedurës Paraprake kundër tyre dhe është ky autoriteti që duhet të bënte vlerësimin e hetimit dhe jo autori i hetimeve pasi i kishte përfunduar ato.

Tek ne në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ka disa dhjetëvjeçarë që është krijuar miti i rremë i “drejtësisë së pastër” që ekziston në vendet perëndimore. E vërteta është se kjo drejtësi nuk është e tillë as në rastet kur nuk ka implikime politike. Kjo bëhet e pamundur në qoftë se ndërthuren me të interesa politike kombëtare dhe, sidomos, interesa, marrëdhënie dhe përplasje ndërkombëtare.

Për të folur pa diplomaci, është krejt e qartë se Kosova u bë shtet i lirë dhe i pavarur në saje dhe kryesisht prej ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe, pa dyshim, edhe për shkak të luftës së UÇK-së dhe sakrificave të popullit kosovar. Ky fakt historik përbën një “plagë” të madhe, së pari për politikën dhe autoritetet serbe që besonin se do ta kishin të tyre përjetë dhe që e kishin edukuar rrejshëm popullin e vet për 150 vjet me besimin se Kosova është “djepi i Serbisë”. I njëjti fakt historik i shkaktoi plagë edhe Rusisë, ngaqë interesat e saj në rajon morën goditje të rëndë. Fatkeqësisht, duhet pohuar se këtë “operacion kirurgjikal historik” nuk e kaluan pa “dhimbje” edhe disa vende të Evropës Perëndimore dhe kryesisht pasardhësit e atyre kancelarive që ishin bashkëfajtorë në padrejtësitë e bëra popullit shqiptar në Kongresin e Berlinit (1878), Konferencën e Londrës (1913), me Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915) dhe në Konferencën e Versajës (1919).

Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e konsideroi të ligjshëm dhe të drejtë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e saj të korrikut 2010, mirëpo pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran. Ky fakt tregon qartë dyfytyrësinë e tyre lidhur me drejtësinë dhe parimet ndërkombëtare. Duke mos njohur Kosovën si shtet të pavarur ata nuk njohin as vendimin e GJND, rrjedhimisht nuk njohin as vetë gjykatën.

Pavarësisht shumë hamendësimeve, deklarata e Prokurorit Special, e bërë në 24 qershor 2020 ishte thjesht një akt në shërbim të politikës dhe kurrësesi në shërbim të drejtësisë. Me atë deklaratë dhe pasojat që ajo solli, duke shkaktuar anulimin e takimit të përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë në Uashington dhe nën drejtimin e qeverisë amerikane, synohej që me një gur të vriteshin shumë “zogj”: T’i hiqej mundësia SHBA-së që të lozë rol kryesor për zgjidhjen e problemit shekullor dhe, rrjedhimisht, të dobësohej ndikimi i saj në Ballkan; të mos lejohej “imponimi” ndaj shtetit serb që të njohë Shtetin e Pavarur të Kosovës; t’i jepej të kuptonte SHBA-së por edhe forcave pro saj në Evropë se për çështje madhore në kontinentin evropian nuk mund të vendosej pa miratimin e fuqive kryesore evropiane.

Nëse është i vërtetë Projekti i Marrëveshjes që u botua nga shtypi dy javë përpara takimit të Uashingtonit, ai ishte shumë i hidhur për Rusinë. I hidhur do ishte edhe për disa “gjela politikë” të Evropës Perëndimore sepse aty, përveç se parashikohej njohja e ndërsjellë Serbi-Kosovë, jepeshin edhe afate kohore dhe siguri për pranimet e tyre në NATO dhe BE, sikur këto t’i kishte plotësisht në dorë administrata amerikane. Për pasojë, për dështimin e takimit ishin të interesuar tri palë: Serbia nga frika se do të ndodhej nën një presion të papërballueshëm nga superfuqia e botës për të njohur shtetin e Kosovës; Rusia sepse e dinte se arritja e marrëveshjes nuk do të përputhej askund me interesat e saj strategjike; disa fuqi dominuese evropiane si Franca e cila dëshiron të dominojë BE-në por edhe për shkak të lidhjeve të vjetra me Rusinë dhe Serbinë. Nuk vura re shenja që të tregonin se Gjermania ishte e interesuar në arritjen e marrëveshjes. Dikush mund të thotë se Prokurori Special ishte amerikan dhe jo evropian. Mund të ketë të drejtë, por të drejtë mund të ketë më shumë Volteri që na e ka lënë të shkruar se: “Kur bëhet fjalë për para, të gjithë i përkasin të njëjtës fe”.

Po të ndjekësh ecurinë dhe lidhjet e disa veprimeve dhe deklaratave politike të bëra para dhe pas ngjarjes në fjalë, bindesh akoma më shumë se “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”. Përpara takimit të Uashingtonit, Ministri i jashtëm rus vizitoi Beogradin dhe Presidenti serb u ftua në Moskë. Pas takimit me z. Lavrov, Aleksander Vuçiç deklaroi se “Duket se është duke na pritur një periudhë tepër e vështirë në të cilën do të përballemi me trysni të madhe në mënyrë që të realizohen disa plane. Por, në bazë të vlerësimeve të miqve tanë rusë, më duket se do të na duhet të jemi shumë të kujdesshëm“. Menjëherë pas vizitës në Moskë dhe një ditë përpara deklaratës publike të Prokurorit Special, Vuçiç pohoi se “Gjëra të rëndësishme do të ndodhin. I bisedova me Presidentin Putin por nuk dua t’i bëj publike sepse janë të rëndësisë së veçantë”. Kuptimi i kësaj, i thënë shqip, është: ustai rus e kishte pjekur hallvën dhe ia ka bërë të qartë çirakut serb se çfarë do të ndodhte dhe se takimi do të dështonte. Aleksander Vuçiç do të jetë çliruar nga “frika” e presionit amerikan dhe, pas rifitimit të zgjedhjeve politike në Serbi dhe daljes nga “periudha e vështirë” pohoi se nuk do të ketë marrëveshje me Kosovën nën presione dhe, i trimëruar pa masë, iu vërsul edhe evropianëve që i kërkojnë njohjen e Kosovës, duke thënë: “Meqë pas dhjetë ditësh pres vizita të rëndësishme dhe bisedime me liderët më të lartë të Evropës, jam ngopur duke dëgjuar marrëzitë e tyre të ndryshme pasi thonë se ne vijmë të bisedojmë për njohje reciproke. Mos ejani pasi unë nuk vij të flasim për këtë! … Mua më intereson vetëm populli im“.

Të kapur në befasi, dhe në përpjekje për të fshehur kontradiktat në vizione dhe synime midis SHBA dhe disa vendeve dominuese të BE-së, zyrtari i lartë amerikan Mëthju Palmer (Matthew Palmer) dhe përfaqsuesi i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak deklaruan së bashku në 1 korrik se “SHBA dhe BE nuk janë rivalë dhe kanë të njëjtat synime dhe vizione për Ballkanin Perëndimor“. Kjo deklaratë është vetëm pjesërisht e vërtetë. BE, ndryshe nga SHBA, nuk është një shtet federal megjithëse ka pak elementë federativë dhe është i pasigurt për të arritur formimin e tij të plotë. Veç kësaj BE përbëhet nga shtet-kombe me mendësi, interesa dhe lidhje të ndryshme midis tyre dhe vendeve jashtë territorit, si dhe me një politikë të jashtme të paunifikuar rreth shumë problemeve themelore.

Mosuniteti dhe brishtësia e politikës së BE-së shfaqen shpesh dhe për shumë probleme jetike. Qëndrimi i tyre ndaj gjendjes së krijuar nga COVID-19 në Itali ishte shumë domethënës. Merret me mend se çfarë janë dhe do të jenë gjykimet dhe qëndrimet e disa prej atyre vendeve ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar në Ballkan. Disa vende të BE-së u shqetësuan dhe reaguan më shpejt kundër vendosjes së taksës 100% për mallrat serbe nga qeveria e Kosovës sesa ndaj pushtimit, dhunës, vrasjeve, shfarosjes, përdhunimeve, bastisjeve, djegieve të shtëpive dhe dëbimeve masive që serbët i bënë popullsisë kosovare në vitet 1998-1999, siç i kishin bërë gjatë më shumë se një shekulli. BE dhe, veçanërisht, Franca, bllokuan liberalizimin e vizave me Kosovën dhe e vazhduan atë edhe pasi e kishin detyruar me presione të lëshonte territor në favor të Malit të Zi gjatë marrëveshjes për kufijtë. Franca e ka shpallur Serbinë “shtet udhëheqës të rajonit”, megjithëse rajoni nuk ka nevojë për “shtet udhëheqës”. Aktet gjenocidiste, terroriste dhe masakrat e pashembullta që ka kryer shtetit serb në rajon (Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci) nuk ia bëjnë të mundur rolin e “shtetit udhëheqës”.

Institucionet politike të BE-së janë aq konfuze dhe të paunifikuara saqë edhe një vend si Greqia, e cila nuk ka firmosur ende Marrëveshjen Kuadër për respektimin e pakicave kombëtare, arrin t’i imponojë vendimmarrjes evropiane që t’i vërë kusht Shqipërisë “përmirësimin e trajtimit të pakicave kombëtare”, megjithëse, nëse ka një gjë për të cilën politika shqiptare e një shekulli nuk ka asnjë njollë është pikërisht trajtimi i mirë i pakicave. Ky trajtim ka qenë vazhdues, pavarësisht pushteteve politike, siç shprehej edhe një raport i CIA-s i vitit 1978 se: “Asnjë provë nuk mbështet akuzat greke se minoriteti i tyre në jug të Shqipërisë persekutohet nga regjimi i E. Hoxhës. Në fakt, minoriteti grek ka proporcionalisht më shumë përfaqsues në Qeveri dhe në pozicione të tjera të rëndësishme civile e ushtarake”.

BE, nën presionin e Francës, po nxiton tani të ndërmjetësojë për të realizuar një takim Serbi-Kosovë në Paris brenda muajit korrik 2020. Edhe SHBA kanë njoftuar se do të caktojnë një datë tjetër për takimin që u anulua në Uashington. Rusisë i intereson që mbikqyrës i takimit të jetë BE për arsye të lidhjeve të vjetra dhe me ndikim të madh. Bindja ime është se drejtuesit e shtetit të Kosovës, në rrethanat e krijuara, kur drejtuesit e saj politikë shpallen “kriminelë” pa vendime gjyqësore të formës së prerë dhe kur Presidenti serb Vuçiç shpall prerë se as do ta njohë dhe as do të bisedojë kurrë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, nuk duhet të marrin pjesë në asnjë takim dhe nuk duhet të bëjnë asnjë marrëveshje dy apo shumëpalëshe. Për çfarë do të bisedojnë ata me Serbinë dhe për çfarë do të merren vesh me qeveritarët serbë kur ata as nuk i njohin si përfaqsues legjitimë të një populli dhe shteti fqinj?!

Po fajet tona përballë kësaj Evrope dhe intrigave të saj?

Nuk ka dyshim se ne jemi shfaqur historikisht si “e keqja e vetvetes” ose, siç thoshte Konica, shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë. Në rastin konkret, shumica e elitës politike që doli nga lufta e zbehën lavdinë e veprës që kryen me sjelljet jo dinjitoze për të arritur majat e pushtetit dhe për të nxjerrë përfitime nga pushteti. Grindjet pa fund, mosmarrëveshjet edhe për gjërat jetike të vendit, akuzat me vend e pa vend kundër njëri-tjetrit dhe, sidomos, korrupsioni galopant në administrimin e vendit kanë bërë që simpatia dhe prestigji i klasës politike kosovare në Perëndim të marrin tatëpjetën. Sikur të mos mjaftonte kjo, të keqes mbarëkombëtare iu shtuan edhe mëritë, fyerjet, shpifjet dhe mallkimet ndërmjet politikanëve shqiptarë të të dy shteteve. Në vend që ta kishin Kosovën objektiv të ndihmës dhe mbështetjes shtetformuese, disa politikanë të lartë shqiptarë u përpoqën dhe përpiqen ta trajtojnë atë si një “dashnore” që iu përket vetëm atyre dhe i skërmiten cilitdo që “i afrohet” asaj. Edhe një sharlatan si Sali Berisha i cili, kur ishte në pushtet, burgoste drejtuesit e UÇK-së, furnizonte me naftë makinën ushtarake serbe dhe shtypi i tij e shpallte UÇK-në “organizatë terroriste”, në sinkron me propagandën serbe, del tani si përçarës, intrigant, luftënxitës midis forcave apo figurave politike në të dy krahët e kufirit duke e shpallur vizitën në Kosovë të Kryeministrit shqiptar si “përpjekje e dështuar e tradhëtarit të kombit…”.

I ngazëllyer nga dështimi i takimit në Uashington, Sali Berisha shkruan : ” Pas publikimit të aktakuzës nga Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për z. Thaçi dhe z. Kadri Veseli dhe dështimit pas kësaj, përfundimisht, të projektit të zmadhimit të Serbisë në kurriz të territorit dhe ndarjes së Kosovës, Beogradi po përpiqet me argatët e tij shqipfolës ( nënkupto Thaçi dhe Rama – V.M. ) t’i japë Kosovës një goditje ” nukleare ” politike….me anë të abrogimit të Ligjit të Gjykatës Speciale…Në funksion të realizimit të kësaj goditjeje ishte dhe vizita blic, e urdhëruar nga Beogradi, e Zografit Bis ( nënkupto: Edi Ramës – V.M. ) në Prishtinë. ”

Sipas pohimeve të këtij banditi politik, Kosovën ( jo Serbinë ) e shpëtoi Prokurori Special sepse, përndryshe, Kosova do të ndahej e copëtohej me kërkesën dhe bekimin amerikan, megjithëse askund në projektin e publikuar nuk parashikohej kjo gjë. Pra, Vuçiç dhe Putin, së bashku me Thaçin dhe Ramën, për të njëjtat arësye, duhet të jenë mërzitur shumë nga dështimi i takimit në Uashington !!! Kundërshtari i Marrëveshjes së Rambujesë nuk mund të ishte dakord me Marrëveshjen e Uashingtonit; skifteri i luftës nuk mund të shndërrohej në pëllumb të paqes; njeriu, i cili, pa grindje, përçarje, dhunë e luftë, ndihet si peshku pa ujë, nuk mund të shfaqej si përkrahës i marrëveshjes dhe paqes, me pretekstin e mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës. Njeriu që ka destabilizuar dhe djegur Shqipërinë disa herë për pushtet politik nuk e ka për gjë që të destabilizohet Kosova, mjafton të akuzohet apo dënohet ndonjë kundërshtar i tij politik apo moral.

Duket qartë që S.Berisha mezi pret ta shohë Thaçin në qeli, mirëpo kundërshtarë politikë të Thaçit, Veselit apo Haradinajt nuk mund të ishin disa fshatarë apo qytetarë të thjeshtë të Kosovës që janë vrarë apo torturuar gjatë apo pas luftës. Ata që i kanë shërbyer pushtuesit serb si spiunë apo me armë në dorë ( siç pohohet në Raportet e KE-së ) nuk kanë qënë kundërshtarë politikë të të akuzuarve të sotëm por kundërshtarë dhe armiq të popullit të Kosovës dhe lirisë së tij, madje edhe të NATO-s, kanë qënë bashkëpunëtorë të pushtuesit. Kundërshtarët politikë të Thaçit, ose i vrau Serbia ( F. Aganin etj. ) ose pësuan vdekje natyrale ( I. Rugova etj. ).

Nga ana tjetër, përkulja dhe thyerja e elitës politike kosovare ndaj presionit ndërkombëtar deri në pranimin e ndryshimeve kushtetuese dhe miratimin e një ligji të veçantë (lex specialis), në të njëjtën ditë, në gusht 2015, për “Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar” është dëshmi e padenjësisë së tyre dhe, pse jo, edhe e faktit që shumë prej tyre ishin “të kapur”. Të kapur prej veprave të tyre të padenja dhe korruptive pas luftës dhe jo gjatë luftës. Për turpin e të dyja palëve- bashkësisë ndërkombëtare dhe politikës kosovare- u imponua dhe miratua krijimi i një legjislacioni juridik dhe sistemi shtesë juridik sui generis, të cilin, me të drejtë, një gjykatës ndërkombëtar e kishte quajtur “sui generis cul-de-sac” që do të thotë e një lloji të veçantë dhe pa rrugëdalje.

Kur je i vogël, i pazhvilluar e i pafuqishëm ekonomikisht, rrjedhimisht edhe politikisht, atëherë duhet të bësh më të mirën e mundshme për të qënë i denjë moralisht dhe të krijosh një shtet dinjitoz. Edhe pse, edhe pas kësaj, sërish nuk ke siguri se bashkësia ndërkombëtare do të të trajtojë si të barabartë, do të kesh arsye të besosh se do të shikojnë dhe dëgjojnë me respekt.

Vetë krijimi i institucioneve të tilla, gjoja si pjesë shtesë e sistemit juridik kosovar, por me seli jashtë Kosovës dhe me personel ndërkombëtar, të pashembullt në historinë botërore, të krijon përshtypjen sikur bëhet fjalë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga një shtet pushtues dhe shfarosës sikurse ishte Gjermania Naziste. Të imponosh krijimin e këtyre institucioneve juridike ad hoc për të hetuar dhe trajtuar ekseset e luftës nga pjesëtarë të një ushtrie çlirimtare e cila përballej përditë me masakra, vrasje, zhdukje e shfarosje të bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre, do të thotë të kesh dhe zbatosh standarde të ndryshme për popujt “e civilizuar ” dhe për ata “të dorës së dytë”. Nuk ka pasur dhe as ka për të pasur luftë pa eksese. Ekseset ndodhin edhe në dasma apo veprimtari sportive. Eksesi dhe krimi më i madh është vetë lufta, por fajtorët kryesorë janë shkaktarët e luftës. Po të ecim me mendësitë dhe sjelljen e imponuesve të krijimit të sistemit shtesë juridik ad hoc në Kosovë, atëherë do të duhej të hetoheshin e gjykoheshin edhe figurat kryesore ndërkombëtare që vendosen dhe urdhëruan bombardimin e Serbisë, megjithëse teatri i luftës ishte në Kosovë. Po të gjykohej me këtë mendësi do të duhej që, përveç Gjyqit të Nurnbergut kundër eksponentëve pushtues nazistë pas L2B, të krijohej edhe një gjyq tjetër për ekseset e fuqive aleate gjatë bombardimeve të Drezdenit dhe qyteteve të tjera gjermane, masakrave ruse në Poloni si dhe hedhjes së bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki nga SHBA-ja.

E çfarë drejtësie do të duhet të presin të akuzuarit e Hagës dhe populli kosovar kur institucioni hetimor vihet hapur në shërbim të politikës ndërkombëtare, intrigave kontinentale dhe rivaliteteve ndërkontinentale?! Kush i siguron të akuzuarit dhe ne të tjerëve se edhe Dhomat e Specializuara të gjykimit nuk do t’iu nënshtrohen të njëjtave intriga, makinacione dhe presione në gjykimin e të akuzuarve? Askush!

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode