TERROR I PAPARË “SHTETËROR” NË UDHËT E TIRANËS

22/01/2011 10:39

TERROR I PAPARË “SHTETËROR” NË UDHËT E TIRANËS

 

Shkruan: Tafil DURAKU

 

Se ku mund të shkojë absurditeti i një “shteti”, mëse miri e zbardhen ngjarjet e djeshme, shokuese , në Tiranë. Pyetja që duhet të shtrohet këtu, është: Shtet i kujt është Shqipëria?!... Cili shtet demokratik në botë i vret qytetarët e vet, pse kërkojnë me patos dorëheqjen e një qeverie të korruptuar fundekrye?!... A i thuhet shtet demokratik, “shtetit” që mbahet mbi krimin dhe korrupsionin e organizuar “shtetëror”, të cilin krim e udhëheqin vetë “pushtetarët” që kanë privatizuar jo vetëm pushtetin e shtetin, por, edhe natyrën dhe të gjitha të mirat tjera njerëzore, që i ka dhënë natyra për secilin njeri?...

Kush provokoi dhe kush bëri që të eskalojë demonstrata paqësore e shqiptarëve, në shkallën që të vriten tre e të plagosen me dhjetra të tjerë?!... A ka më mendje, në kokë, dhe kokë, shteti shqiptar, kur sillet në mënyrë kriminale kundër demonstruesve paqësorë që kërkojnë rënien e një qeverie parahistorike shpellash?!... Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e meritojnë një qeveri të tillë, të korruptuar prej majë gishtave e deri në majë të flokëve. Dhe, krejt ajo që ndodhi e u pa nëpër sheshet e udhët e Tiranës, dje, ishte një luftë që “shteti” e udhëhoqi kundër demonstruesve paqësorë shqiptarë. Qoftë ky Gërdeci i fundit!... Por, sa po shihet në horizont, “gërdecarët”, me përkrahjen e parezervë të sllavokoministëve “shqiptaro”-titistë të Prishtinës, po e ngrisin kokën lart e më lart, duke i zhytur duart në gjak të pafajshëm shqiptarësh të pafajshëm.

Ne, shqiptarët e trojeve të trepushtuara shqiptare, jemi torturuar, vrarë e plagosur, linçuar e burgosur nga shtetet pushtuese, antishqiptare e antidemokratike, si Jugosllavia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia…, por, pse na ndodhin gjera të tilla edhe në qendër të Tiranës, këtë nuk e kemi menduar kurrë. Mendojmë, është koha më e fundit që duhet shikuar e parë me gjakftohtësi, në thellësitë dhe shtrirjen e situatave të krijuara, se kush dhe cili i nxitka dhe provokoka ato situata, në shkallë sa të vriten, plagosen e torturohen qytetarët e demonstruesit paqësorë shqiptarë, me votat e të cilëve qëndrojnë në pushtet dhe e kanë privatizuar atë plotësisht bandat kriminale të kuislingëve të së kaluarës sllavokomuniste, antishqiptare dhe antiShqipëri…

Është koha e fundit të shihet se kush-kë kërcënon në emër të popullit shqiptar dhe në emër të Shqipërisë londineze, e cila, pas kësaj situate të krijuar terrori, nuk i duhet më askujt. Pamjet e djeshme, në Tiranë, për secilin shqiptar qenë pelim, të hidhura dhe shokuese. Po, si mund të sillet ashtu e t’i vrasë qytetarët e vet një qeveri “shqiptare”, që është barrikaduar nëpër institucionet e shtetit shqiptar. Kush fshihet pas asaj qeverie?!... Në Tiranë, është parë e hetuar motikohë, sillen me fodullëk bandat e organizuara kriminale të PD-së, të LDK-së dhe parti satelite të tyre në pushtet dhe pranë pushtetit, prej të cilave është provokuar situata e shëmtuar e terrorit të organizuar shtetëror. Madje, për më keq, dëgjohen qeveritarët dhe ministrat shqiptarë të deklarojnë budallallëqe që s’i hanë më as qentë. Njëri prej ministrave, demonstratën e djeshme e quajti “grushtshtet”!... Bah!... Po, si nuk e quajti ai ministër grushtshtet veprimin e Bujar Bukoshit, kur pat kërkuar publikisht që forcat e të ashtuquajturës FARK, ta rrëzojnë Qeverinë, në Tiranë, pas së cilës erdhi në pushtet ministri në fjalë, i cili, e quaka, tash, demonstratën paqësore të shqiptarëve, “grushtshtet”, me organizator Edi Ramën?!... Bah!...

Krimi i djeshëm, në Tiranë, është organizuar, mirëorkestruar dhe mirëdirigjuar nga instancat sekrete të Kryeministrit Sali Berisha dhe të zonjës së hekurt “shqiptare”, Jozefina Topalli, e cila, në vend se ta drejtonte gishtin e vet nga vetja e saj “shqiptare”, gishtin kërcënues e drejtonte nga organizuesit e demonstratës paqësore të shqiptarëve…

Është për t’u thënë, si përfundim i këtij shkrimi, se gjakderdhja e djeshme, në Tiranë, është provokuar dhe bërë nga sllavokomunistët “shqiptaro”-titistë të PD-së së Sali Berishës dhe sllavokomunistët e të njëjtit kalibër të LDK-së së Isa Mustafës, me qendrat e tyre në Tiranë e Prishtinë dhe se vetëm këto parti sllavokomuniste po tallen pamëshirshëm me shqiptarët dhe me Shqipërinë si shtet i domosdoshëm i tyre…

Shqipëria nuk është fushë eksperimenti e sllavokomunistëve “shqiptaro”-titistë të LDK-së së Isa Mustafës dhe as e PD-së së Sali Berishës, me qendrat e tyre në Prishtinë dhe në Tiranë, dhe, për këtë, duhet t’i thërrasin mendjes ata që mendojnë ndryshe.

Për Shqipërinë dhe për shqiptarët, qofshin të shkuara këto ngjarje!... Lavdi Dëshmorëve të Kombit Shqiptar!...

Burojë, më 22 janar 2011

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode