TEPSITË, “PARTIA E MADHE” E DILAVERIT DHE NDRYSHIMET KUSHTETUESE TË 2008

18/03/2019 07:24

KOMENT I DITA-s

 

TEPSITË, “PARTIA E MADHE” E DILAVERIT DHE NDRYSHIMET KUSHTETUESE TË 2008

 

 

Protesta e ditës së djeshme, megjithë fryrjen e saj përmes idesë së kjo do të ishte dita e fundit e qeverisjes Rama, mbaroi dhe pas vetes nuk la asnjë shenjë.

Ishte njëra ndër përsëritjet e asaj që kishte ndodhur edhe në herët e tjera dhe që solli përsëri konceptin mediokër të një opozite së cilës i intereson pazari, jo zgjidhja.

Mes gjithë atyre që ishin mbledhur në sheshin parakryeministror ndodhej edhe një qytetar, i cili mbi kokë kishte vënë tre tepsi, PS, PD dhe LSI ndërsa parulla në dorë, “ shoqëria civile” ishte një përtallje për lehtësinë me të cilat blihet kjo shoqëri, por edhe kacavarjen e saj ndaj secilit pushtet, për të mbijetuar me rrjedhjet e tepsive.

Qytetari quhet Dilaver Nela, ai është nga një fshat i Kurbinit i njohur  tashmë në rrjete sociale për origjinalitetin e protestave të tij. Turma e PD-së, e largoi me force.

Është një qytetar i zakonshëm që përfaqëson dhjetra e qindra mijëra të tjerë, pra shumë herë më tepër se ato që dolën në protestën e radhës dhe, po ashtu, shumë më tepër se ata që ndjekin shefin e qeverisë në antimitingjet e tij të kamufluara si takime me popullin ku kërcet kënga, vallja dhe batutat prej karagjozi .

Dilaveri përfaqëson shumicën e qytetarëve të këtij vendi, të cilët nuk kanë as parti, as pushtet, dhe, ose heshtin nga shtëpitë e tyre ose kanë marrë arratinë në botë, pa shpresa më tek askush.

Ata janë neveritur me këtë klasë politike që, kur është në opozitë është më e “ndershmja“ në botë, ndërsa në qeveri kthehet në një precedent harbut, që majmet dhe nuk e di se ku i ka paratë; që dërgon fëmijët në shkollat më të shtrenjta të botës dhe tallet duke thënë se kjo është e zakonshme, që bën oxhaqe qindra mijra dollarësh apo vila bregdetare, para të cilave, “sarajet” e Enver Hoxhës duken si kasollet e Galigatit.

Nuk ka Shqipëri – ka tre tepsi , mbante mbi kokë një qytetar i zakonshëm, që e përzunë me ngut nga protesta, pasi shfaqi një të vërtetë të njohur, por të belbëzuar.

Në bisedën me gazetaren e Ditës, Entela Resuli, Dilaveri thotë atë që mendojnë qindramijë të tjerë, por harron diçka, të cilën jo rastësisht klasa politike e tre tepsive dhe media e blerë prej saj, enkas nuk e thotë kurrë dhe as e aplifikon: Arsyen pse të pandëshkuarit e djeshëm dhe të korruptuarit e sotëm nuk po i zbresim dot nga qafa ku na kanë hipur.

Ndryshimet kushtetuese të 2008 me marrëveshjen Rama-Berisha që jo rastësisht u votuan pas Gërdecit janë sot arsyeja kryesore pse ka degjeneruar kësisoj niveli politik. Ato janë një atentat I mirëfilltë që pengojnë në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike.

“Shikoni se si ndryshimet kushtetuese të kobshme të vitit 2008,- që përcaktuan që kryetarët e partive kanë të Drejtën e Monarkut për të hartuar listat e deputetëve, për 10 vjet jo vetëm që kanë krijuar një negativitet dhe një përfaqësim të nivelit të ulët dhe mediokër të politikës, por në të vërtetë kanë penguar në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike, të krijimit të formacioneve të politikanëve të rinj. Në të vërtetë ky është një dhunim kushtetues, që askush nuk e di se kur do të shmanget dhe anulohet” – thotë Moikom Zeqo në një analizë për DITA, botuar në numrin e datës 12 dhjetor.

“Po aq e ngjashme ka qenë PS me PD edhe për sa i përket ndërtimit të sistemit politik. Mjafton të shohësh se si këto dy parti nuk flasin fare për nevojën e anulimit të ndryshimeve liberticide të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, të realizuara me ujdinë PD-PS të vitit 2008. Siç përvoja e këtyre viteve ka treguar tashmë, ato ndryshime ishin atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit. Nuk bëzan për zhbërjen e atyre ndryshimeve as partia që atëherë i kundërshtoi me forcë ato. Me sa duket, në gjirizet e sistemit anti-sistem të inauguruar nga ndryshimet në fjalë, edhe LSI ka gjetur strofkën e saj të ngrohtë të pushtetit” – thotë Pëllumb Xhufi në një intervistë botuar disa numra më parë në DITA.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode