TË GJITHË KOMENTOJNË, NE PËRÇMOJMË FITOREN
06/09/2019 06:37
OPINION
TË GJITHË KOMENTOJNË, NE PËRÇMOJMË FITOREN
Afrim MORINA
Në një shkrim të vetin analitik, Jens Thurau, shkruan për tetëdhjetëvjetorin e pushtimit të Polonisë nga Fashizmi. Lum si Polonia që e kujton atë vit dhe atë ditë, e shumë vite të pastajme, në luftë për çlirim kombëtar. Ai, porosit që këtë kujtesë të masakrave të fashizmit, të mos e harrojë askush, në Evropë e Botë, dhe gjithnjë të luftohet për ruajtjen e kësaj kujtese, për të mos ndodhur edhe ndonjë tjetër masakër më e madhe, prandaj, “Kësaj duhet t’i jepet fund – ky është mësimi, sot, 80 vjet pas fillimit të luftës”.
Ai, i gëzohet asaj fitoreje, dhe, me siguri, edhe ata i kanë dënuar tradhtarët e vasalët, madje, edhe më shumë se te ne, në Shqipërinë londineze, sa, as sot, nuk po mundën për ta ngritur kokën. Por, këtu, është edhe një fakt tjetër, shumë me peshë, se Polonia kishte zgjedhur rrugën e vet, atëherë dhe sot, ndërsa, Shqipëria londineze, për shkak të pozitës gjeopolitike dhe gjeostrtegjike, ku thyhen kampet e interesit të të dyjave botëve (kapitaliste e revizioniste), joshën e joshin politikanë, për ta mbajtur ison e tyre, dhe, sado që u shpallën tradhëtarë të shqipëtarëve, për bëmat e tyre, kundër shqiptarëve e Shqipërisnë londineze, në të dyja kampet, trajtoheshin heronjë, ushtroheshin, financoheshin, për ditë më të mira, pa Enver Hoxhën, por, edhe sot, kur Ai nuk është më fizikisht, loja vazhdon, do të thotë: u intereson territori, e jo pushteti, sepse, çdo pushtet i viteve të “demokracisë, ka qenë i “detyruar” t’i rehabilitojë, madje, edhe t’i shpallë dëshmorë kombi, me sugjerimet e të dyja palëve, ajkën e tradhëtisë dhe kriminelët ordinerë, që ua kaluan edhe pushtuese, sepse, në fund të fundit, pushtuesi ka mision ta torturojë e ta vrasë çdonjërin që i del përpara, për t’ia ndërprerë rrugën dhe ia bën të vështirë realizimin e projektit.
Edhe Jens, pranon se lufta nuk u ndal asnjëherë, edhe pse ishte shpallur zyrtarisht “pushimi” i saj, lufta e ftohtë vazhdon dhe, ai, përmend shumë të tilla. Atij, nuk do t’i shqiten nga kujtesa edhe luftërat në ish Jugosllavi, dhe, thotë: “Jugosllavia u shpërbë në mënyrë të përgjakshme në shtete të vogla.” Prandaj, edhe porositë që vlejnë për të dyja kohët, atë të Luftës së Dytë Botërore dhe të shpërbërjes së Jugosllavisë: “Por, shumë më tepër pse mungon dialogu me dëshmitarët e paktë të kohës, që i kanë parë me sy tmerret e papërfytyrueshme të atyre viteve.” Kjo do të thotë mjaftueshëm, për ata që kanë dell politik, për ata të cilët kanë dell njerëzor, për ata që nuk do ta lënë vazhdën e ngjalljes së krimit, për ata të cilët duan ta zgjidhin të drejtën e kombeve, për të mos u pësëritur tragjeditë e mëdha njerëzore të botës.
Bota dhe Evropa, kanë dëshmitarë okularë për të dyja kohët, për ne shqiptarët. Po e lëmë mënjanë të parën, sepse, vetë deshën ta luajnë lojën e djallit, për gllabërimin e të mirave materiale, për të na lënë në formacionin skllavopronar, ne si bujkrobër, e, të tjerët, pushtuesit, zotërues të të mirave tona materiale dhe filluan ta vajtonin shkollimin tonë, si dikur amerikanët për shkollimin e indianëve. Mirëpo, si mund t’i mbyllin sytë, e të mos e kujtojnë kohën e zhbërjes së Jugosllavisë, që ndodhi me përgjakjen e trojeve të sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe ne shqiptarëve? Si mund ta kujtojnë, kjo Evropë dhe Amerikë, Luftën e Dytë Botërore, si një fitore kundër fashizmit, ku, në fund të shekullit të shkuar, u përballen me të njëjtin fenomen, me fashizmin serb dhe sot i ledhatojnë, që, dikur, i kishin ndëshkuar, madje, edhe me bombë atomike?!
Ndoshta, Jens, nuk bën thirrje për një Evropë të tillë, të bashkuar, sepse, kjo është edhe zyrtarisht, njerkë e shkuar njerkës për shqiptarët, kudo që ata jetojnë në trojet e veta autoktone. Kjo Evropë, po i ledhaton shtetet fashiste, në krye me Serbinë, ku jetojnë shqiptarët, madje, për t’i kryer këto punë, ka gjetur vasalë më tepër se kurrë, për t’i miratuar projektet mizore kundër shqiptarëve, vetëm për ta ruajtur “paqen” dhe “stabilitetin” nën këtë qiell! Edhe Titoja e pati llogaritur një gjë të tillë, duke na e mohuar historinë e simbolet, por, ia përgatiti varrin vetvetes, edhe pse shumë burrshtetasë perëndimorë, gjithandej botës, iu përkulën, por, te shqipatërët i hasi sharra në gozhdë dhe e gozhdoi Jugosllavinë e tij. Perëndimi, po mundohet ta eleminojë gozhdën, që zhbiroi “trungun” Jugosllavisë artificiale, e bëri tërësisht të thahej, por, me ndihmën e miqve, Serbia arriti të ringjallet. Nga shkaktarja kryesore e luftrave të fundshekullit, në krye me Millosheviçin dhe sejmenët e tij, që edhe sot mbrojnë “sovranitetin mbi Kosovën”, dikur, me falangën vdekjeprurëse, ndërsa, sot, me politikën mbështetëse perëndimore, Evropa e trajton si të ndëshkuarën e saj dhe i kërkon falje, për t’ia falur tokat tona asaj, si dëmshpërblim.
Rrënimi i Murit të Berlinit, i gëzoi gjithë gjermanët, me përjashtim, por, jo vetëm ata, por e gëzoi gjithë botën e qytetëruar, sepse, një simbol i ndarjes u shua, por, për çudi, çfarë ndodhi me Shqipërinë?... Në Kosovën e pushtuar shqiptare, diplomacitë ndërkombëtare, i gëzohen ndarjes së Mitrovicës, kush më shumë e kush më pak. I gëzohen, sepse, arritën të “qetësojnë” Serbinë, jo si dikur nëpër kongrese e konferenca, mbi harta gjeografike, por, në terren, dhe, sa e sa ndërkombëtarë, në pozita të ndryshme, vinin e qëndronin mbi urën e saj, për të bërë fotografi, duke e tumirë, për punën që është bërë. Kjo lojë, nuk po përkon me fitoren ndaj fashizmit, këtu e shtatëdhjetëepesëvjetë më parë, por, si duket, është një llojë pendese nga diplomacia ndërkombëtare, se nuk bën t’i humbet fara kësaj pjelle te keqe, që e tronditi botën dikur, e sot.
Besojmë se z. Jens, nuk e kërkoi një Evropë të tillë, të dialogut, për ta mbështetur fashizmin, dhe, nëse jo, e, për këtë besojmë shumë, duhet ngritur zërin, dhe, duhet ta kërkojmë një Evropë të emancipuar, të civilizuar, të padjallëzuar, johileqare dhe joluftënxitëse, që t’i lërë mënjanë të gjitha pazarllëqet dhe intrigat me territoret shqiptare dhe ta shikojë në sy kombin shqipatar, se, patjetër është edhe në interesin e saj ta mbrojë të vërtetën dhe vetveten njerëzore, për të shtyrë procesin e një Evrope drejt së ardhmës së lavdivshme, për të gjitha kombet, ne, nuk e kemi fuqinë, por, për ta emancipuar atë, do të mundohemi, siç jemi munduar gjithëherë, e, rasti i fundit ka dëshmuar se mund ta bëjmë një gjë të tillë, sikurse kur buqiti zëri i kushtrimit për liri, nga UÇK-ja, kur erdhën shumë djem e vajza dhe u hodhën në vallen e lirisë, së bashku me ne. Nëse nuk mundemi në këtë mënyrë, të kundërtën e saj mund ta bëjmë, ta mbajmë të robëruar edhe Evropën, derisa të këndellet nga faktori i brendshëm i saj, sikurse në kohën e bombardimeve të NATO-së, që elita politike i dha ngjyrën e “Ndihmës humanitare”…
Po, ku jemi ne, kur e gjithë bota feston përvjetorin e ngadhënjimit ndaj fashizmit dhe nazizmit?
Ne, si gjithëherë, duke u marrë me vetveten, sepse Agron Tufa, zëdhënësi i tradhtisë së Sali Berishës, që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Edi Rama tash, nuk kanë nge të merren me “cikërrima”. Çka do të thotë për ta, njëzetetetëmijë dëshmorë, për pesë vite dhe shumë të tjerë, deri në vitin 1990?! Hiçëgjë!!! Le të shkojnë në theqafje, thonë të dy, ne nuk jemi si gjithë Evropa, sepse, ajo, këtë kërkon!!! E njëjta gjë po ndodhë edhe në Pjesët e tjera të Atdheut, të gjithë janë shndërruar në mumje politike dhe lëvizjet e tyre varen nga pazarllëqet dhe inetersat e të tjerëve.
Dhe, për fund, duhet dëgjuar këtë këmbanë alarmi, të zgjohemi nga gjumi letargjik, se, Evropa dhe Amerika mendojnë për të mirën tonë, jo! Ata mendojnë për të mirat tona materiale dhe fuqinë tonë punëtore, për pozitën që e kemi, se, kush e dominon këtë vend, dominon shumë hapësirë kontrolli, tokësore, ujore dhe ajrore. Atë që e bënë, në të gjitha kongreset e konferencat, fuqitë botërore, atë që e bëri Tito, duke krijuar Republikën e Maqedonisë (duke i copëtuar tokat shqiptare), për të na pasur më mirë nën kontrroll, sot, po e bëjnë të gjithë, miqtë dhe “miqtë” tanë. Ne jemi ata që mund ta drejtojmë fatin tonë, në kahën e dëshiruar, duke llogaritur në shumë faktorë, që janë në të drejtën tonë. I kemi përparësitë në shtrirje territori, në cilësinë e popullatës, në moshë, në emancipim, në gjeopolitikë, e gjeostrategji, dhe, vetëm duhet bashkuar këtë potencial të shkapërderdhur, me bëmat tona, me argumentet tona, para bashkëkombasve dhe para faktorit të jashtëm. Luftë të Tretë Botërore, nuk ka! Kësaj i druhen të gjithë, por, ne, duhet të jemi të vetëdishëm për të gjitha ato që u thane, dhe, po të dëgjohen këto këmbana, me ndërdije kombëtare, me siguri do të ngritemi të gjithë në këmbë, pa hezituar. Atdheu lëngon nga plagët që ia shkaktojmë vetë, të huajt vetëm se i ndihmojnë rritës së saj.
Ne, mund ta shërojmë këtë të keqe, të fillojmë me vlerësimin e LDB, dhe, ta festojmë, si gjithë bota, fitoren!
Prishtinë, 4. 9. 2019