TË GJITHA QË NA MASHTRUAN DHE NA MASHTROJNË SE NA BASHKOJNË
01/09/2018 11:59
OPINION (RIBOTIM)
TË GJITHA QË NA MASHTRUAN DHE NA MASHTROJNË SE NA BASHKOJNË
Shkruar nga: Tafil DURAKU
Prej Luftës së Dytë Botërore, e, sidomos, prej viteve 60 e këtej ishin kohë dhe vite të nxehta, bile, shumë të nxehta e fare të zjarrta, vitet kur veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë kishte marrë përmasa të mëdha dhe shtrirje të gjerë. Por, familjet të cilat ishin pajisur e brumosur me atdhetarizëm dhe kishin guximin për ta trumbetuar atdhetarizmën shqiptare ishin të rralla atëbotë. Më kujtohet, si fëmijë, kur prindërit, xhaxhallarët, kushërinjtë tuboheshin në Kullën tonë dhe dëgjonin Radio Tiranën, kuptohet, fshehurazi regjimit titist dhe aleatëve të tyre “shqiptarë”, (sepse, im atë Shabani, kishte blerë atëbotë një transistor, të markës “Orfej”, i cili atëbotë ishte i vetmi transistor në trevën tonë dhe më gjerë, e, më vonë, edhe televizorin e parë i cili e kapte Televizionin Shqiptar për mrekulli) por, për ta ruajtur konspiracionin dhe strategjinë e tyre madhore shqiptare, kurrnjëherë nuk i dëgjoje duke thënë: “Qite në Radio Tiranë, në Radio Kukës!” apo, disi, ngjashëm, por: “Qite pas gardhi!”, për të mos rënë në atë kurthin “Çka fsheh sh’pia, e qet fëmija!”, dhe, ne, si fëmijë, atëbotë, nga kureshtja e madhe, por, edhe nga etja për të parë se kush fliste dhe kush këndonte aq bukur shqip, vraponim saora pas gardhi, për të parë vërtetë se ç‘ndodhte me mrekullitë që për moshën tonë ishin enigmë e madhe. Por, gradualisht, na mësuan sesi duhej ruajtur të gjitha që bëheshin për të mirën shqiptare, sepse, mund të shkonim posht po të binim në duart gjakatare të regjimit titist, të prirë, në Kosovë, prej shqiptarëshkieve të Kosovës.
Edhe në ato kushte okupimi të rëndë e tradhtar, qysh si fëmijë e të rinj, nga gjyshërit e prindërit tanë mësuam histori të hidhura që u kishin ndodhur e u ndodhnin shqiptarëve në trojet e veta etnike dhe të parëve tanë. Mësuam për pushtimin e trojeve shqiptare nga fqinjët, për spastrimet etnike të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, nga Sanxhaku i Pazarit të Ri, mësuam për shpërnguljet e dhimbshme e të dhunshme të shqiptarëve për në Turqi, mësuam për Luftën e Drenicës, për Masakrin e Tivarit, për aksionin e Mbledhjes së Armëve dhe për të gjitha torturat që u bëheshin shqiptarëve, të cilët ndodheshin në një situatë të rëndë, për të qenë, ose, për të mos qenë, gati, para aktit të kryer: “Hip se t’vrava, zhdryp, se t’vrava!” – “I vrarë se i vrarë!”, - thoshte gjyshi im, dritë pastë, - “bile, me nder!”... Pra, çdo gjë që mësuam është meritë e familjeve tona, e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe e Shtetit Amë, Shqipërisë së kufijve londinezë, por, kurrë e pushtetarëve titistë “shqiptarë”, të cilët ia mveshin vetes një meritë të paqenë dhe të pamerituar me asgjë.
Nga familjet tona dhe nga raposdët tanë mësuam shumë: këngë të eposit tonë legjendar për Mujin, Sokol e Halilin, për Ajkunën e Bardhë; histori trimërishë shqiptare për Shotë e Azem Galicën, për Kamer Loshin, për Oso Kukën, për Nak Berishën, për Emin Latin, për burra e burrëresha tjera shqiptare, prandaj, prej familjeve tona u brumosem me një atdhetarizëm të paparë e origjinal shqiptar, të cilën e përhapnim ashtu siç mundnim, por, gjithmonë, shqiptarisht, në mënyrë vetanake, në grupe treshe e pesa, pa qenë ndonjëherë të kyçur nëpër “organizata terroriste” dhe pa e tradhëtuar shoku-shokun kurrën e kurrës, prandaj, edhe nuk ramë në burgjet e zeza të serbojugosllavisë titiste, me çka do të kënaqeshin e krenoheshin vetëm “shqiptaro”-titistët, sepse, do t’u shtoheshin gradat dhe do t’u majmeshin xhepat sikur t’i zbulonin me kohë dhe t’u binin në gjurmë të gjitha çerdheve të mirëfillta shqiptare të rezistencës urtore shqiptare, e cila vazhdon me një strategji të veçantë të veprimit shqiptar, deri te ngadhënjimi i plotë mbi renegatët dhe armiqtë “shqiptarë”.
Kudo që ishim, kryenim punën tonë prej atdhetarësh, pa u mposhtur dhe pa u dhënë kurrë para vështirësive që na krijonin “shqiptarët”-titistë dhe veglaritë e tyre kudo. Lamë lukse e lukse evropiane për të mos i lëshuar vendlindjet tona shqiptare, trojet tona të pushtuara e të shtrenjta, e, në anën tjetër, “shqiptaro”-titistët, me politikën e tyre “kombëtare” përzënin sa mundnin shqiptarët, siç po i përzënë dhe siç po i kushtëzojnë edhe sot për një gjë të tillë, duke i dëbuar shqiptarët edhe prej vendeve të tyre të punës, duke i çuar kështu amanetet antishqiptare (të Rankoviçit, Titos e Milosheviçit) në vend.
Po, falë aktivitetit vetanak kombëtar shqiptar, që vigjëlonte e vigjëlon përherë trojeve të pushtuara shqiptare, falë Luftës së Drenicës dhe të komandantëve të saj Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, falë demonstratave të vitit 1968, 1981 etj., u bënë e ndodhën kthesa të mëdha në vetëdijen e masave popullore, por, u mashtruam keq, sepse, ato kthesa pozitive shqiptare i mbërthenin “shqiptaro”-titistët, duke ua vënë e shtrënguar gjithnjë lakun e zi në fyt. Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte ndër më të gjallat dhe më aktivet, në vend dhe jashtë tij. Por, qenësore ishte veprimtaria brenda Atdheut, gju më gju me popullin dhe masat e gjëra. Shqiptarët-shqiptarë, kudo që ishin, kryenin punë dhe vepronin pa kursyer asgjë për të mirën e Atdheut dhe Kombit Shqiptar. Dhe, kështu vazhdoi të mbahej gjallë lëvizja shqiptare në trojet e pushtuara shqiptare, deri në vitet 1989-1990, kur u mashtruam mëse keqi, sepse, duke menduar pozitivisht e shqip, gati të gjithë veprimtarët shqiptarë dhe lëvizjet u shkrinë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke menduar mirëfilli se ajo do të shndërrohej në një lëvizje të plotë shqiptare, të përmasave shqiptare, në një lëvizje pa dorëza, që do të aspironte kërkesat e ligjshme dhe legjitime të popullit shqiptar në trojet e pushtuara shqiptare në ish-Jugosllavi, gjithmonë, me syçeltësi primare, për ta bërë Shqipërinë-SHQIPËRI dhe për t’ia kthyer asaj dinjitetshëm veten e pushtuar, copat e prera egërsisht e pa mëshirë të gjeografisë së saj. Por, pa ndonjë vonesë të madhe, u pa se mashtrimi dhe gabimi i të gjitha lëvizjeve ishte trashanik, sepse, LDK-ja nuk aspironte atëherë, as aspiron sot kërkesat shqiptare, kërkesat e trojeve të pushtuara shqiptare, për t’iu kthyer ato trupit të vet dhe trungut të vet shqiptar, Shqipërisë-SHQIPËRI. LDK-ja, mashtroi dhe mashtron, në vazhdimësi. Po, pse falet dhe rehabilitohet këshu, papushim?(!)...
Dhe, për të gjitha mashtrimet e deriatëhershme u fal. U fal, sepse, mendohej se do të pendohej dhe do të kthehej një ditë andej nga duhej kthyer, nga interesi madhor kombëtar-shqiptar. Por, jo. Nuk ndodhi kthimi as kthesa e saj që pritej. Ndërkohë, shqiptarët punonin dhe vepronin në konspirim të plotë për formimin e ushtrisë së tyre, si rezultat i të cilës punë e veprimtari dolën grupet e para guerile të UÇK-së, emri dhe nami i të cilës ushtri sa vinte e rritej, kur edhe e arriti zenitin, në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë, me daljen e parë publike të saj. Shumë mendonin se do të ketë kthesë të LDK-së së shqiptarëshkieve të çoroditur, të cilët, mëse shumti po i çoroditë lakmia për pushtet e pasuri, prandaj, shtinin në zonë të luftës paratë dhe armët që kishin për qëllim përçarjen e UÇK-së dhe të njerëzve të saj. I lutja disa nga ata njerëz që të mos e bënin një gjë të tillë, sepse, pikësynimi kryesor i shqiptarëshkieve të Kosovës (UDB-së dhe KOS-it të transformuar në LDK) ishte futja e përçarjes në Drenicë, në radhët e UÇK-së dhe të njerëzve të saj. Njerëzit zemërgjerë dhe zemërluanë të UÇK-së sërish, në emër të madhores shqiptare, falën. Nisi lufta frontale me forcat pushtuese serbe, LDK-ja mashtroi sërish, duke organizuar zgjedhje të “lira” e “demokratike”, pikërisht, në Drenicë, kur Drenica ishte në vlugun e organizimit të luftës kundër pushtuesit serbosllav dhe kallej flakë nga të gjitha anët. Dhe, falë “politikës kombëtare” të LDK-së dhe të “shqiptaro”-titistëve të saj, në Drenicë luftohej, në Prishtinë ahengohej! ... Besa, edhe në Tiranë, mashtrohej Tirana zyrtare. Lajthitej Tirana zyrtare, nga LDK-ja dhe FARK-u i saj. Po, sërishmi, burrat zemërluanë të UÇK-së falën dhe u mashtruan keq. Bëhej, e, edhe sot bëhet loja e tradhtisë së madhe, si vazhdimësi kryekëmbë e tradhtisë së Luftës së Dytë Botërore të “shqiptaro”-titistëve jugosllavë e tiranasë. Dhe, tradhtia e shkolluar, tashmë, e quajtur LDK (të cilën e përbënin dhe e përbëjnë njerëz me shkolla të mëdha antishqiptare) kishte lëshuar lozët e veta kudo dhe nxirrte në dritë pipëthat e vet “shqiptar”. Në vend të mënçurisë shqiptare, që, pasi u formua UÇK-ja, ishte rendi të kyçeshin të gjithë në radhët e saj, ndërsa, ndodhi tradhtia “shqiptare”, u formua FARK-u (për ta zhbërë nga faqja e dheut UÇK-në), si dhe u tentua pa pikë turpi për ta bërë një UÇK tjetër brenda vetë UÇK-së, dhe sërish, njerëzit zemërluanë të UÇK-së gjenin vend për falje dhe falnin. Po, kë falnin, se? “Shqiptaro”-titistët më të zi. Po, ata (uçëkëistët) nuk e dinin, sepse, ishin të rinj dhe të papërvojë politike a ushtarake, besa, faj i tyre është edhe fakti se nuk përfillnin as përfillin inteligjencën e mirëfilltë shqiptare, po, përfillnin shumë njerëz që ua impononin shërbimet më antishqiptare të shqiptarëshkieve të Kosovës dhe më gjerë, prandaj, sot, jemi këtu ku jemi.
Nisi dhe përfundoi Lufta ndër më të lavdishmet lufta shqiptare, Lufta e UÇK-së dhe e aleatit të saj NATO, me fitore të plotë ndaj forcave pushtuese serbo-jugosllave dhe ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte, me asnjë kusht, pas saj, rivendosja e pikave kufitare përgjatë kufirit ndërshqiptar me Kosovën e sapoliruar prej kthetrave serbo-jugosllave. Dhe, kush e bëri këtë? Askush tjetër pos “shqiptaro”-titistëve. E shihni, pra, a ka tradhtia brirë?(!)... Lëre që ndodhi kjo marri, por, ndodhën e po ndodhin marri të tjera, edhe më të mëdha e më të rënda, në vazhdimësi, për dy dekada rresht. Marri të pariparueshme më!...
Pas luftës së lavdishme popullore të UÇK-së, u rehabilituan të gjithë “shqiptarët”. Lëre se u falën dhe u rehabilituan, por, edhe u vunë në pozita të larta “shoqërore” e “shtetërore”, madje, papërmirësueshëm mbetën në pozitat antishqiptare, të trashëguara nga titizmi “shqiptar”. “Presidenti”, të cilit nuk do të duhej t’i lejohej kurrë kthimi në vend, sepse, shau shqip e shkinisht UÇK-në dhe njerëzit e saj, duke, kërkuar, madje, edhe ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. I bëri të gjitha ato marifete, mashtrime e dredhi, me qindra e mijëra, dhe u fal. Ani se u fal, por, u fal dhe u rehabilitua e avansua krejt llamtakami i tij “partiak” e “presidentist”, madje, mbeti në të gjitha pozitat “shoqërore” e “shtetërore” të Kosovës “shtet”...
Dhe, e shihni, çfarë solli sot, tetë vjetë pas luftës së lavdishme të UÇK-së dhe ngadhënjimit të saj mbi pushtuesin, rehabilitimi i të gjitha strukturave të organizuara tradhtare të LKJ-së e LKK-së “kosovare”, të transformuar në LDK?(!)...
Athua, janë vetëm këto që na mashtruan dhe na mashtrojnë se na bashkojnë? JO. Pra, edhe tetë vjetë pas luftës së lavdishme popullore të UÇK-së, po shihet qartë se nuk janë vetëm këto që përmendëm këtu, e, që janë shumë për t’u përmendur, të gjitha ato që na mashtruan dhe na mashtrojnë se na bashkojnë...
(Autori është poet dhe publicist i pavarur shqiptar)
P. S.:
Ky shkrim u publikua para një dekade dhe, duket, askush nuk e “vnoi në pullë”, prandaj, po na përsëritet mashtrimi, se po u besohet më shumë shqiptaro-titistëve me këlyshë e me ku(a)dra UDB-asho – KOS-istë, sesa shqiptarëve të vërtetë, atyre e këtyre që sakrifikuan e po sakrifikojnë deri në skajshmëri, për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI.
Dhe, kuptoje më, politikë shqiptare dhe popull shqiptar, se: Të lejosh të të mashtrojnë shqiptaro-titistët UDB-asho – KOS-istë, është pakës më zi se me të hangër qentë!...
Prandaj, po e ribotojmë për hir të realitetit të hidhur, që po na mashtron se jemi në rrugë të mirë e të mbarë! E, ne, me këta njerëz që po na udhëheqin e po na përzgjedhen e imponohen përherë, negativisht (“pozitivisht”), po arrijmë: “dan e kërkund”(!)…
Autori
Burojë, më 1 Shtator 2018