TË DHJERË DERI NË GRYKË POR SOVRAN NDAJ AMERIKËS, ANGLISË DHE PERËNDIMIT...
08/05/2023 09:22
OPINION
TË DHJERË DERI NË GRYKË POR SOVRAN NDAJ AMERIKËS, ANGLISË DHE PERËNDIMIT...
Nga Kreshnik SPAHIU
33 vite pas përmbysjes së komunizmit, fantazma e sovranitetit kundër perëndimit po rishfaqet sërish në Shqipëri. Djaloshi komunist i vitit 1968, Sali Berisha, besniku i partisë që militoi dhe u zgjodh 50 vjet më parë sekretar i PPSH në spitalet shqiptare, po e rikthen kauzën e dikurshme, por ndryshe nga Enver Hoxha që shpalli sovranitet ndaj lindjes dhe perëndimit, kundër Rusisë dhe Amerikës, kundër Kinës dhe Europës; nxënsi i tij Berisha ka shpallur teorinë e sovranitetit vetëm kundër perëndimit, Amerikës dhe Anglisë.
- Pasi shkatërroi të gjithë avionët ushtarakë MIG dhe i shiti për skrap,
- Pasi shkatërroi gjithë sistemin hekurudhor në gjithë vendin,
- Pasi shkatërroi dhe shkriu gjithë flotën detare dhe nëndetset,
- Pasi hapi gjithë depot e armëve dhe boshatisi çdo arkë me municion,
- Pasi hodhi në erë fabrikat e demontimit.
Njeriu që e la shtetin e tij pa avionë, pa tanke, pa anije, pa nëndetëse, pa trena, pa hekikopterë, pa raketa, është kujtuar t’i kërkojë Amerikës që Shqipëria është vend sovran.
Sali Berisha i cili në 1997 largoi ambasadën amerikane mes plumbave dhe evakuimit me helikopter në Stadiumin Qemla Stafa dje deklaroi se pret që SHBA t’i kërkojë atij falje.
Njeriu i cili e katandisi Shqipërinë në 1997 të ruhej me forcat paqeruajtëse të OKB nga lufta civile dhe rebelimi i armatosur, deklaron se Shqipëria është sovrane.
Berisha i kujton sovranitet Amerikës dhe Anglisë, dy çlirimtareve kryesore të shtetit të dytë shqiptar, që i dhuruan sovranitetin Kosovës atëhere kur Berisha dhe shpura e tij jo vetëm nuk gjuajtën asnjë pushkë për lirinë e Kosovës, por, ndihmonin Serbinë me naftë, duke thyer embargon.
Për çfarë sovraniteti flet ky njeri kur sot Ukraina, Polonia, Rumania apo Moldavia, ndonëse 100 herë më të mëdha dhe më të forta se Shqipëria do e kishin humbur sovranitetin për 24 orë nëse nuk do ishte në krahun e tyre SHBA dhe Anglia.
A e di ky njeri që Gjermania e humbet sovranitetin për 1 javë nëse largohet Amerika dhe NATO me trupat e saj dhe Rusia pushton Europën.
Teoria e sovranitetit ndaj Amerikës dhe Anglisë është antentat ndaj Shqipërisë dhe mision anti-kombëtar.
Prandaj thirrja e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Escobar, që të mos votoni Berishën dhe Metën, nuk është ndërhyrje në sovranitetin e një kombi por mbrojtje patriotike e integritetit të partnerit historik dhe strategjik që ka Shqipëria dhe Kosova.
Por, Berisha nuk kërkon sovranitet nga naiviteti, por, sepse e ka mision anti-amerikan nga ata që financuan prej vitesh partinë e tij për destabilizimin e Shqipërisë dhe Ballkanit.
Nëse do ishte i ndjeri Konica gjallë do shkruante:
“Të dhjerë por sovran”(!)
TemA