TALLJA E MADHE
05/01/2016 17:24
Analizë&Opinion
TALLJA E MADHE

Shkruan: Tafil DURAKU

Me shqiptarët-shqiptarë, në trojet e tyre etnike, të pushtuara nga mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene dhe më vonë nga ish-Jugosllavia, u tallen thi e qen “shqiptarë” dhe sllavë, e, tash, edhe ndërkombëtarë, duke iu referuar gjithmonë politikave të tyre “patriotike” e “shqiptare”. Por, tallja më e madhe dhe më e rëndë, shqiptarëve-shqiptarë dhe familjeve të tyre shqiptare, u bëhej nga “patriotët” dhe “shqiptarët” më të mëdhenj të pushtetit jugosllav e krahinorist (kosovarist), shqiptaro-titist.
Kur mendonim se do të pushoi tallja e “shqiptarëve” në pushtet me ne (shqiptarët), ajo ndërroi “fytyrë” dhe metoda. “Fytyrën” dhe metodat “komuniste”, sa çil e mbyll sytë, brenda nate, i kthyen në “fytyrë” dhe në metoda “demokratike”. Kjo mënyrë (vetë)sjelljeje “komunisto-demokratike” ndodhi në vitet e ’90-ta dhe vazhdoi me tallje ndaj shqiptarëve, edhe kur shqiptarët e besonin dhe e prisnin të kundërtën.
Kjo punë “fisnike” e talljes me ne iu besua Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, përkatësisht, asaj dege që i ishte besuar gjithmonë tallja me shqiptarët, në Prishtinë, e që mori emër të “ri” dhe prej LKJ-LKK u katapultua në LDK&Co. Kumbonën për t’u talluar me ne shqiptarët ia vunë “Shakaxhiut të Pavarësisë”, përkatësisht, Dr. Ibrahim Rugovës&Co e tij “patriotike” e “kombëtare”... Elita e tij “politike”, “patriotike” dhe “shqiptare” u tall gjithmonë me shqiptarët dhe me atdhetarët e vërtetë, sepse, brum e gatesë i kishte antishqiptare, të zëna e gatuara në Beograd.
Tallja e madhe me shqiptarët dhe me luftën tonë për një Shqipëri Natyrale nisi me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe talljes, sharjes dhe shantazhimit të luftës së UÇK-së i printe kush tjetër pos LDK-së së “Shakaxhiut të Pavarësisë” (Dr. Ibrahim Rugova) me të gjitha simotrat e saj në Prishtinë, në Beograd dhe në Tiranën e Sali Berishës(fatkeqësisht)…
Tallja e madhe me shqiptarët dhe me luftën tonë për Shqipërinë – SHQIPËRI, ndërroi vetëm format dhe formatin e saj tallës e përtallës, qeshës e përqeshës, gjithmonë, si tallje e madhe, e nxitur dhe e stimuluar nga LDK-ja e “Shakaxhiut të Pavarësisë” dhe prej njerëzve të tij më besnikë. Çuditërisht, të gjithë shakaxhinjtë që kishin punuar kundër shqiptarëve dhe kundër Shqipërisë, të kyçur në UDB dhe KOS, u katapultuan në LDK-në shakaxhesë të shqiptarëve dhe të luftës sonë për një SHQIPËRI.
Kjo tallje e madhe me ne (shqiptarët) dhe me luftën tonë për SHQIPËRI, rëndon, në radhë të parë, te LDK&Co dhe te “prijësi i saj hist(e)orik” Dr. Ibrahim Rugova, si kryeshakaxhiu kyç i “Pavarësisë” së “Kosovës Republikë”, te “SHP i UÇK”-së dhe te “Drejtoria e saj politike”… te “strukturat politike dhe ushtarake të UÇK-së”, te…
Tallja e madhe vazhdoi me simbolin e “Rezistencës Shqiptare”, Bacë Adem Demaçin, sepse, ai, duke i afruar rreth vetes UDB-ashët dhe KOS-istët, u vetëtall edhe me vetveten dhe vlerat e tij dhe me tonat, dhe, tallja e tyre e madhe do vazhdonte duke ndërruar format, përmasat dhe shtrirjen e saj tallëse, shpotitëse e përtallëse, kështu që, sot, kemi:
- Tallje të madhe politike
- Tallje të madhe partiake
- Tallje të madhe akademike
- Tallje të madhe shkencore
- Tallje të madhe kulturore
- Tallje të madhe juridike
- Tallje të madhe gjyqësore
- Tallje të madhe policore
- Tallje të madhe ushtarake
- Tallje të madhe shëndetësore
- Tallje të madhe arsimore (në të gjitha nivelet)
- Tallje të madhe ekonomike
- Tallje të madhe financiare
- Tallje të madhe sportive
- Tallje të madhe shoqërore, etj.
Të gjitha këto tallje të mëdha “shoqërore” kanë për qëllim ta vazhdojnë talljen e tyre të madhe, kolektive, me UÇK-në, me vlerat e luftës sonë shqiptare për liri dhe për bashkim kombëtar, talljen me luftëtarët veteranë, talljen me simbolet tona kombëtare, talljen me veteranët e luftës së UÇK-së, duke e ngritur numrin prej 12 mijë apo 17 mijë vetash, në 70 mijë, e tallje të tilla, të mëdha, të ricikluara prej “Shakaxhiut të Pavarësisë”&Co e deri te Isa Mustafa me të vetët shakaxhinj!... Dhe, ata që do të duhej të skuqeshin për të gjitha këto shkelje të rënda e parregullsi bizare, po e vazhdojnë talljen e madhe kundër vlerave të vërteta shqiptare, duke i hapur dhe duke i krijuar udhë talljes së vlerave shqiptare!…
Dhe, për çudi të të gjithëve, tallja e madhe vazhdoi edhe natën e ndërrimit të moteve, ku kulmoi një tallje e madhe me stupca e “Stupcave” me UÇK-në dhe me simbolet e saj të shenjta, me vlerat e atyre simboleve dhe krejt kjo tallje e madhe është vazhdimësi e talljeve e përtalljeve të mëdha të “Shakaxhiut të Pavarësisë” dhe vazhduesve të tij shakaxhinj e shakaxhesha si Isa Mustafa e Marifete Jahjaga&Co e tyre shakaxhesha shqiptaro-titiste!...
Prandaj, kush dhe kur do të dalë e t’i thotë STOP kësaj tallje të madhe me vlerat tona, me vlerat e luftës së lavdishme të UÇK-së, me vlerat e lavdisë së Kombit shqiptar dhe deri kur e sa do të zgjasë kjo tallje e madhe vendoro-ndërkombëtare me shqiptarët, me Shqipërinë dhe me gjakun e derdhur për ta bërë një Atdheun e Arbrit, Shqipërinë Natyrale?!...
Burojë, më 5 janar 2016