Tafil DURAKU / CIKËL POEZISH

03/01/2023 09:20

POEZI

 

Tafil DURAKU

 

 

LAVËRTARI

 

e matë vetësisht

kohën

me kutin e vet

 

çelë toka të reja

pranverë verë

vjeshtë e dimër

 

me shti thellë

e çan fort arën

e qet syhëne farën

 

 

 

NË GARË

 

ka shumë

kohë

tej dy dekadave

 

jemi në vrap

me botën

e hirtë

 

në garë

me kohën

e krehtë qençe

 

 

 

TE BISHTI I PELËS

 

në shenjë dashurie

një bisht pele

bën historinë në pikbotë

 

takohen bishtaxhinjtë

dhe ngjesin bishta

te Bishti i Pelës

 

ndërrohen kohët

miklohet bishti

në shenjë historie

 

rrëfehen ngjarje

një bisht ta ngjesin

një bisht ta heqin

 

te Bishti i Pelës

përshëndeten e takohen

bishtngjitësit te bishti në krye

 

 

 

SIZIFI I TË GJITHA KOHËVE

 

populli im

Sizif

i të gjitha kohëve

 

me glob në shpinë

ngjitet majë Olimpit

majë Tomorrit

 

mëson historinë

e Dodonës

a të Danajve e Dyrrahut

 

historinë e dritës

e zjarrit

e vrimave të zeza

 

sizifi shqiptar

me glob

në shpinë

 

bën jetën e vet

botërore

në çdo kohë poshtërsie

 

Burojë, dhjetor 2022

 

 

 

FUSHA E DHOMËS

 

lojë ka

në çdo fushë

loje

 

ka lojë

edhe

në fushë dhome

 

një jetë lojë

mjellmë ëndrrash

troket stinëve me nyje gishti

 

Burojë, janar 2023

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode