SULMI TERRORIST ANTISHQIPTAR NË VERI
30/09/2023 07:09
OPINION
SULMI TERRORIST ANTISHQIPTAR NË VERI
Tafil DURAKU
Sulmi terrorist, i paradoditshëm (24 shtator 2023), në Veri, ndaj Policisë së Kosovës, ku vritet një polic dhe plagosën dy të tjerë (nga prita e mirëorganizuar e terroristëve paraushtarakë e ushtarakë të Vuçiçit), gjithnjë sipas medaiave, është një sulm i kamufluar i elitave ushtarake serbo-ruse, nga njësi të posaçme ushtarake, i kamufluar nën petkun e ‘qytetarëve të pakënaqur serbë të Veriut’, të cilit iu kundërvunë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, ku, gjatë shkëmbimit të zjarrit, u vranë katër terroristë dhe u plagosën disa të tjerë, e grupi tjetër ia mbathi në rezidencën e tij, në Serbi…
Strehimi i tyre në Manastirin e Banjskës, gjithsesi, ka qenë i koordinuar Kishë-Vuçiç dhe Beogradi kot arsyetohet para botës, se, kinse, reagimi i terroristëve të armatosur ishte kryer nga ‘serbët e pakënaqur me Qeverinë e Kosovës’, kur dihet mirëfilli se serbët në Veri i paguan, kontrollon dhe urdhëron Beogradi. Por, ajo që duam ta shkoqisim këtu, është fakti se serbët, nëpër manastiret dhe shtëpitë e tyre kanë qenë të armatosur sistematikisht nga Beogradi zyrtar dhe nga Ushtria çetnike serbo-jugosllave që quhej JNA (APJ)!...
Pas demonstratave të vitit 1981, duke u kthyer nga Burimi, në orën 01 pas mesnatës, me makinë, në katundet serbe Veriç, Osojan, Belicë, Polanë, Polevë, Leçinë …, së bashku me vëllain tim që e ngiste makinën, kemi parë me dhjetra kamionë (që të gjithë me regjistrim të JNA dhe me numrat përkatës) duke u shpërndarë armatim dhe municion banorëve serbë nëpër shtëpitë e tyre, për çka, unë, asokohe, i shënova numrat e regjistrimit të të gjithë kamionëve që pamë dhe i solla në Prishtinë…
Por, duam të kthehemi te ajo që ndodhi në Veri, në 24 shtator 2023.
Sulmi terrorist, shihet qartë, se ishte i dirigjuar nga Beogradi dhe i orkestruar nga Vuçiçi, në koordinim me Putinin, si dorë e djathtë e tij dhe punëkryesit dhe logjistikistit Radojçiç.
Qëllimi i sulmit terrorist serbomadh, ishte aneksimi i Veriut shqiptar dhe bashkangjitja e tij Serbisë. Këtë qëllim të maskuar serbomadh e zbardhi në vazhdim sasia dhe lloji i armatimit që u gjet dhe u sekuestrua nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Qëllimi i sulmit terrorist serb ishte pushtimi i Veriut, dhe, atë, mëse miri e zbardhin deklaratat po fashiste të kryeçetnikut Aleksandër Vuçiç dhe partive të tij në Kosovë, nën petkun e ‘qytetarëve të pakënaqur serbë’ që jetojnë në Kosovë, e, marrin paga nga Beogradi për destabilizimin e Kosovës.
Prita e thurur ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasja e policit nga prita, e zbardhin mëse miri terrorizmin e organizuar ushtarak e serbomadh të Vuçiçit, i cili, si dorë e djathtë e Putinit, po provokon luftë të hapur në këtë pjesë të Evropës Juglindore, përkatësisht, në Mesdheun Iliro-Shqiptar, me qëllim rianeksimin e trojeve etnike shqiptare, duke e vënë në lajthitje opinionin e përgjumur ndërkombëtar.
Sulmi terrorist serbomadh, i koordinuar Moskë-Beograd, i orkestruar nga fashistët serbë në Beograd dhe nga Kisha fashiste serbe në Beograd dhe në Kosovë, po e tregon përditë e më shumë ‘fytyrën’ e vërtetë antishqiptare.
Ai sulm terrorist, i koordinuar Moskë-Beograd, është edhe një provokim i rëndë edhe për Tiranën shqiptare, e cila, gjithmonë, duhet të jetë në krah të tokave të saj të pushtuara e të copëtuara egërsisht.
Po, çfarë ndodhi në vazhdim?
Grupi terrorist i Vuçiçit, në krye të të cilit ishte njëfarë Milan Radojçiçi, e nisi luftën në Veri, duke e vrarë nga prita policin, tashmë hero.
Por, ekzekutimi tjetër i policit u bë nga vetë Vuçiçi, i cili shpalli ditë zie për terroristët dhe i shpalli heronj të Serbisë! Po ashtu, nderimi për terroristët serbë pasoi edhe nga partitë serbe në Veri…
Krimin tjetër fashist, Vuçiçi, e bëri kur e shpalli qytetar të Serbisë, policin e vrarë shqiptar nga prita.
Madje, ekzekutimin tjetër të policit shqiptar e bëri kur tha se ‘Serbia shpalli ditë zie për të gjithë të vrarët në Banjskë edhe për policin e vrarë shqiptar!’
Deklarata e plotë e Vuçiçit, është kjo, citojmë: “Serbia ka caktuar ditë zie për ngjarjet tragjike në Kosovë dhe Metohi, për vdekjen e të gjithë njerëzve. Nga pikëpamja e Kushtetutës së Republikës së Serbisë, të gjithë janë qytetarë të vendit tonë. Serbia ka ditë zie për tre serbët e vrarë dhe për policin e vrarë. Është një vendim i civilizuar, serioz dhe i përgjegjshëm. Edi Rama nuk po thoshte të vërtetën.
Është e vërtetë se komunat serbe në veri të Kosovës dhe Metohisë kanë shpallur ditë zie për serbët e vrarë. Ne shpallëm ditë zie për të gjithë të vrarët. Nuk është hera e parë që Rama nuk e thotë të vërtetën”.
Ku keni parë kështu, edhe të ekzekuton me terroristë nga prita dhe vendimet që i merr, i quan të “civilizuara”?!...
Kjo është edhe një vrasje tjetër e terroristit politik e ushtarak, Vuçiç, në emër të Kushtetutës së tij fashiste, që e mban nën pushtim Kosovën e trepushtuar shqiptare. Madje, hapin tjetër terrorist e bën në sy të botës, në sy të BE-së, në sy të EULEX-it, në sy të KFOR-it, në sy të OKB dhe në sy të NATO-s, i trimëruar dhe i mbështetur nga Moska antishqiptare e Putinit, kur thotë, citojmë: “serbët e vdekur në Kosovë e Metohi nuk do të jenë kurrë terroristë për mua.”
Nga kjo që u tha, e dihet që u tha publikisht, dalin shumë pyetje që duan përgjigje të paanshme ndërkombëtarre, njëkohësisht, edhe vendore.
Ata që e sulmojnë Kryeministrin e Shqipërisë, se “po përzihet në punët e brendshme të Kosovës” dhe “nuk e thotë të vërtetën”, kur del në krah të Kosovës dhe në krah të popullit shumicë shqiptar në Kosovë, që e ka detyrim Kushtetues, nuk janë gjë tjetër pos antishqiptarë të sojit shqiptaro-titist e neotitistë të tipit “pacifist kapitullant”, falë të cilit “pacifizëm kapitullant” edhe të disa qarqeve të të “burgosurve politikë shqiptarë” krah tij, jemi këtu ku jemi dhe e kemi këtë gjendje tash e 25 vjet pas luftës së lavdishme të UÇK-së, udhëheqësit e të cilës ushtri çlirimtare dhe bashkimtare, ndodhen dhe gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Tirana, duhet të jetë shumë më aktive në krah të shqiptarëve të UÇK-së, politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht, sepse, me të qenunit në një qëndrim të tillë kombëtar, e përbëjmë unin tonë shqiptar, në të gjitha trojet e copëtuara shqiptare, që sot janë në 6 “shtete”, falë “pacifizmit kapitullant’ LDK-ist të Dr. Ibrahim Rugovës dhe bandave të tij “patriotike” e “kombëtare”!...
Sidoqoftë, sulmi terrorist antishqiptar në Veri, është dhe mbetet sulm i organizuar terrorist nga Beogradi dhe Moska dhe aleatët e tyre në rajon dhe jashtë tij. Kjo tregon qartë se marrja me të mirë (përkëdhelja) e Vuçiçit dhe e vuçiçëve të tjerë serbë, nga SHBA, BE, NATO, etj., nuk shpie askund, vetëm se do ta zgjasë edhe mëtej terrorizimin e rajonit nga serbia dhe Rusia terroriste, që po e terrorizon Ukrainën dhe popullin ukrainas në shtetin e tij. E, don që atë fashizëm dhe terrorizëm të organizuar ushtarak ta shtrijë në rajonin e Mesdheut Iliro-shqiptar, përmes vëlladorës së tij, Aleksandër Vuçiç...
A po troket ripushtimi serbomadh i Kosovës shqiptare në portën tonë në Veri?!
Populli shqiptar ka thënë ndër shekuj: “Qeni i keq, ta sjell ujkun në torishtë!”
Shihni dhe zgjohuni, o politikanë “shqiptarë” gjithandej!...
Burojë, 29 Shtator 2023