SPEKTAKLI ME “DOSJET”

25/09/2020 22:49

OPINION

 

SPEKTAKLI ME “DOSJET”

Tafil DURAKU

 

Bastisjet e sotme të EULEX-it (EUleshit) në zyrat e OVL-UÇK, e treguan fytyrën e tyre të plotë e të vërtetë antishqiptare. Këtë e dëshmoi bindshëm arrestimi i kryetarit dhe nenkryetarit të OVL-UÇK.

Ajo që u pa publikisht ishin uniformat e policisë speciale të EULEX-it, në të cilat shkruante “Policija”, që, në fakt është gjuha serbe e EULEX-it. Por, a duhet t’i nënshtrohemi kësaj gjuhe pushtuese e poshtëruese antishqiptare dhe antiUÇK të EULEX-it serb në Kosovë? Jo, kurrë dhe kurrësesi!...

Por, duhet të mos i harrojmë disa të vërteta që i kanë paraprirë këtij spektakli me “Dosjet”.

Burimi i parë dhe skandaloz i këtij spektakli me “Dosjet” antiUÇK, duhet kërkuar te LDK-ja&Co e “Presidentit hist(e)orik”, Dr. Ibrahim Rugova dhe te pasardhësit e tij “shqiptarë”. Komisioni i LDK-së për hetimin e “krimeve të luftës së UÇK-së”, në krye të të cilit është Eqrem Kryeziu, ka funksionuar qe 22 vjetë pas luftës së lavdishme të UÇK-së, në fshehtësi të plotë dhe heshtje.

Detyrat “patriotike” e “shqiptare” të atij komisioni, dihen dhe janë të njohura për opinionin shqiptar, kudo.

Lufta tinëzare e LDK-së&Co ka vazhduar pa asnjë pushim (me mashtrime për bashkim), tash e 22 vjetë, në kurriz të UÇK-së dhe të veteranëve e luftëtarëve të radhëve të para të saj.

Pastaj, spektaklit antishqiptar dhe antiUÇK me “Dosjet” i janë bashkuar të gjitha shërbimet antishqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, në Shkup, Podgoricë e Beograd.

Ajo që u pa gjatë bastisjeve të zyrave të OVL-UÇK, të ngjallte neveri, ku, “policija” e EULEX-it sillej sikurse “milicija” e dikurshme fashiste serbe dhe policia e “Republikës së Kosovës” I shkonte “bisht” pas, sikurse I shkonte dikur “milicisë” jugosllave “milicia” e krahinës së “Kosovës e Metohisë”(!)

Ky spektakël skandaloz i EULEX-it, që po vepron me direktiva të fshehta të Beogradit (të miqve të tij në Prishtinë, Shkup, Podgoricë e Preshevë) dhe të miqve të tij të njohur, Carla Del Ponte e Dick Marty, po ngjallë urrejtje të madhe te masat e gjera popullore shqiptare, në Kosovën e trepushtuar kosovaro-serbo-ndërkombëtarisht dhe urrejtja, një ditë, mund të shpërthejë keqas.

Asnjë organ ndërkombëtar (as UNMIK-u, as EULEX-I ethj), nuk ka asnjë të drejtë të sillet si puishtues e poshtërues i popullit shumicë shqiptar në trojet e veta të “Republikës së Kosovës”, që edhe sot është tokë e pushtuar shqiptare dhe koloni e ndërkombëtarëve dhe Serbisë antishqiptare.

Këtë duhet ta dinë miqtë dhe “miqtë” tanë.

Spektakli me “Dosjet”, padyshim, është një dramë dhe komedi vendore-ndërkombëtare, që luhet në “Teatrin kombëtar” të Prishtinës antishqiptare të Titos e të Fadil Hoxhë Titos.

Por, çështja është se kur do ta shohin realitetin e hidhur antishqiptar, qorrat me sy në ballë të UÇK-së dhe vartësit e tyre “shqiptarë”?! Ku treti, para syve të këtyre qorrave politikë, ushtarakë e policorë, Betimi i UÇK-së dhe pse?...

Çfarë spektaklesh të mëtejme do të shohim në “Teatrin kombëtar” të “Republikës së Kosovës”, ku, qorrat me sy në ballë nuk shohin asgjë, madje, deri kur i kapin për hunde dhe i heqin zvarrë, se, sa herë u ka kaluar mini nëpër mustaqe e s’ka lënë lesh pu u përshkuar, është lehtë për t’u parë, nëse duam ta shohim e ta njohim realitetin tonë të hidhur të pasluftës së lavdishme të UÇK-së.

A ka ardhur koha (apo është tejkaluar paksa tepër) për t’u thënë NDAL spektakleve politike e diplomatike, vendore e ndërkombëtare antishqiptare, në Kosovën shqiptare?

Spektaklin e bastisjeve të zyrave të OVL-UÇK, e tregoi fytyra uniforme e EULEX-it, se, “Policija”, në vend se të ishte e shkruar me shkronja çirilicë, shihej me shkronja latine në uniformat zyrtare të “policisë” së EULEX-it (për t’i hedhur hi syve opinionit shqiptar), se, kinse, jemi shumë të “paanshëm”…

Po, pse nuk vepron në Beograd kësisoji “Policija” e EULEX-it?

Por, këtu, është me rëndësi të shohim se çfarë situate do të “pjellë” spektakli me “Dosjet” kompromituese të OVL-UÇK-së, që ra pre e paditursë së vet!...

A po shihen, tashmë, “Dosjet” për spektakle të mëtejme!?!

Burojë, 25 Shtator 2020

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode