SI DO TË KISHTE VEPRUAR BALLI KOMBËTAR NËSE DO KISHTE MARRË PUSHTETIN

22/04/2019 19:44

OPINION

 

 

SI DO TË KISHTE VEPRUAR BALLI KOMBËTAR NËSE DO KISHTE MARRË PUSHTETIN

Bedri ISLAMI

 

Kjo është një enigmë që kurrë nuk do të zgjidhet, pasi vetë historia nuk bëhet me sikur.

Askush nuk e di se si do të kishin rrjedhur ngjarjet dhe si do të kishte qenë historia e Shqipërisë, nëse në fundin e vitit 1944 do të kishte pasur një përmbysje të forcave politike dhe të qeverisjes; pra, nëse Balli dhe “nacionalistët” e tjerë do të kishin qenë në pushtet dhe Lëvizja Antifashiste dhe komunistët të kishin humbur atë. Tani, këtë nuk mund ta dijë askush dhe, sa më të ashpra bëhen përplasjet politike, të rizgjuara mallkueshëm, duke qëndruar të gjithë në postet e tyre, aq më tymnajë do të ketë.

Vërtet, si do të kishte qenë ky vend nëse do të kishte pasur një zhvillim tjetër politik? Faji themeltar i Ballit, si organizatë politike nuk qëndroi tek Dekalogu i tij i njohur, por tek e vërteta e lidhjes së tyre pas në pale humbëse, që, ndërsa u dha Kosovën dhe Çamërinë përkohësisht, i bëri të humbin gjithë Shqipërinë.

Naivitet e sotme politike se, sikur të kishte qenë Balli fitues, bota do e kishte lënë Shqipërinë etnike si në kohën e nazifashizmit, janë aq miope dhe të pavlera, sa vetëm mendjet e sëmura mund t’i risjellin. Askush nuk mund të sakrifikonte pjesët e zaptuara shqiptare të Çamërisë nga shteti grek për t‘ ia kthyer vendit amë, për më tepër kur edhe Shqipërinë ishin gati ta nxirrnin në tregun e shpërblimit politik; ashtu si askush nuk mund të kthente Kosovën, në vitin 1945, në vendin e saj. Lufta i ka edhe ajo humbëtirat e  saj.

Por, le të kthehemi tek ajo që mbetet enigmë dhe për të cilën mund të bëjmë vetëm hamendje të tashmë, aspak qetësuese dhe aspak joshëse.

Për të shkuar drejt enigmës, ndoshta më shumë se sa hakmarrja proverbiale shqiptare, mund të risjellim rastet e tjera, kur njëra palë e politikës, ose pala tjetër kanë qenë në pushtet dhe se si janë sjellë ato ndaj atyre që kanë humbur. Distanca kohore të shembujve me atë që ka ndodhur në vitin 1945 nuk është e largët: në rastin më ekstrem 20 vite dhe, më të afërt, janari i vitit 1945.

Të gjithë , ose thuaj se të gjithë, jemi të një mendje se 45 vitet e pushtetit të diktaturës së proletariatit, krahas një serë përparësish të një shteti të centralizuar, si shëndetësia, arsimi, punësimi, rendi, etj, sollën në jetën shqiptare fenomene të cilat, edhe pse kishin ekzistuar më parë, nuk kishin kurrë këtë hapësirë të shtrirë në të gjithë jetën njerëzore. Mungesa e lirisë ishte ulëritëse, të drejtat e njeriut fshiheshin pas diktatit të shtetit, lëvizja e lirë ishte mallkim, burgosjet politike të lemerishme, dënimet e shumta, shpesh herë të sajuara politikisht dhe me qëllim krijimin e psikozës së tmerrit dhe të heshtjes, janë të gjitha të njohura dhe të jetuara.

A do të kishin vepruar njësoj edhe ballistët, nëse do të vinin në pushtet. Është e panjohur, por që ka shenja të një mentaliteti paturpësisht shqiptar të hakmarrjes politike.

Mustafa Kruja është njëri ndër figurat e njohura të quajtura nacionaliste. Anëtar i qeverisë së Durrësit, proitaliane; kundërshtar i fuqishëm i Kongresit të Lushnjës, aq sa nuk lejoi as përfaqësuesit e Krujës të jenë në Kongres, prefekt i qeverisë së Fan Nolit në Shkodër, i arratisur politik, me rezidencë në Zarë, i paguar 15 vite rresht nga qeveria e Musolinit, kohë që ishte në mërgim, më pas kryeministër kuisling. Ka mundësi që edhe këtij qeveria Rama t’i bëjë një përmendore, ashtu si i kishte vënë emrin sheshit të qytetit të Krujës.

Njihet si kundërshtar i hapur i komunizmit, njeriu që rrethoi e vrau Tre Heronjtë e Shkodrës, çdo vrasje dhe justifikim të qeverisë së tij për bashkëpunim me qeverisë e Musolinit, e lidhi me luftën kundër Lëvizjes nacional Çlirimtare.

Po, kundër atyre që ishin kundërshtarë të tij politikë, kur ai ishte prefekt i Shkodrës, që ishin edhe ata antikomunistë, si veproi?

Eqerem Vlora na sjell dy dokumente të rëndësishëm të qëndrimit të Krujës ndaj kundërshtarëve të Revolucionit të Qershorit.

I pari, Telegram Nr.78, i prefektit Mustafa Merlika-Kruja, Ministrisë së Brendshme.

Shkodër, më 10.12.1924

„Sot asht fillue me shkatrrimin e shtëpisë së Musa Jukës. Materialet e nxjerruna u vunë në dispozicion së komandës ushtarake për ndërtim kazermash. Mbasdite u dogj shtëpia e Hasan Bushatit. Nesër do të digjet shtëpia e Vlat Marashit; njikohsisht kam dhanë urdhën t’i vihet flaka edhe shtëpis së Malo beut…“.

Dokumenti i dytë, Shpallje Nr.19, 13.09.1924

„Të arratisunit politikë,të cilët kanë zanë vend në vende të huaja dhe 15 ditë mbas daljes së kësaj shpallje,nuk do të largohen nga bregdeti i Adriatikut 150 km në brendsi të vendit ku jetojnë,duhet të kenë parasysh,se simbas këtij vendimi të Këshillit Ministruer, pjestarët e familjeve të tyne të mbetuna në Shqipni do të arrestohen dhe do të internohen..“ Prefekti i Shkodrës M.M.Kruja

Në dy nga telegramet e zbardhura nuk dëshmohet asnjë lloj tolerance, por djegje shtëpish, sekuestrim pronash, internime politike, krahas vrasjeve që në shtator dhe në dhjetor 1924, koha e këtyre dokumenteve, ishin kryer.

As Musa Juka, as Hasan Bushati,as Vlat Marashi dhe as Malo beu , nuk ishin komunistë.

Kolegët e Mustafa Krujës në Tiranë, mes tyre edhe Ali Këlcyra, Sejfi Vllamasi, Qazim Mullneti, etj kishin nxjerrë më parë, vendimin e tyre të 17 korrikut 1924, përmes së cilit, në pikën e dytë të tij, theksonin se:

2.Që shkaktarët e luftës civile dhe ndihmësit e tyre të dënohen në mënyrën më të rreptë, t’u merret shtëpi e katandi, të dëbohen nga vendi dhe pasuria e tyre t’i kaloj arkës së shtetit…“.

Dhe, nëse dikush mendon se do të ishin më liberalë ndaj Lëvizjes NÇ, e cila, edhe më tej se kaq, kishte në programin e saj edhe reformën agrare, pra zhveshjen nga pasuria e çifligarëve të mëdhenj, baza e Ballit Kombëtar, do të ishte thellësisht naiv.

Mund të mendohet se kjo rrymë politike, antizogiste përgjithësisht, ka qenë e vetmja shfaqje e qëndrimit ekstrem ndaj humbësve të një përplasje, një lufte civile apo një revolucioni.

Po të tjerët, kur kanë riardhur në pushtet?

Njihet lëvizja antizogiste e Dukagjinit, e nxitur dhe e drejtuar nga disa priftërinj katolikë dhe figura bajraktarësh, në vitin 1926, e para e këtij lloji, si duket e paramenduar edhe nga Italia fashiste, si një lloj presioni ndaj qeverisë zogiste dhe për ta patur krejtësisht për vete shtetin e vogël ballkanik. Njihen edhe ekzekutimet e shpejta që bëri Zogu, të atyre priftërinjve katolikë që zuri gjallë dhe dëbimin e të tjerëve. Por ishte fillimi i masakrës.

Si u soll qeveria e tij ndaj njerëzve të zakonshëm, ku padija ishte proverbiale dhe fuqia e bajrakatarit apo e kishës ishte plotvendosëse?

Në janarin e vitit 1925, pas kthimit të Zogut në Shqipëri, për shkak të mbështetjes që Dukagjini i kishte dhënë lëvizjes së qershorit 1924, filluan edhe reprezaljet e para.

Dëshmitë i sjell  Camillo Libardi në librin e tij „ Come si e fatto Re d’Albania Ahmet Zogu“ botuar ditët e fundit nga shtëpia btouese „Naimi“. Libri është shkruar vitin 1940.

„Muharrem Bajraktari në krye të 4000 burrave hyn në territorin e Shalës… Plaçkitje, zhvatje, varje burrash, burra të lidhur me krahë pas shpinde në pemë, rrahje me kamxhik e me dru deri në çmenduri… Nga Shala, Muharremi pati çuar të lidhur me zinxhir pas vetes, Gjelosh Markun nga Mekshi i Shalës… U dërgua në burgun e Shkodrës, ku u gjykua dhe u dënua me varje. Varja ju bë te e ashtuquajtura „Fusha e druve“….Muharremi dha urdhër që të shtinin me top në ajër sipër shtëpive. Mitralozët ishin vendosur në vilën e Ndregjinaj. Vëreni: Mitraljerët ishin çerkez o kaukazian . Të gjithë të veshur me të kuqe e veshje të gjëra e me bereta të gjata të zeza si rusë..“.

Në vitin 1926, në dhjetor, „nacionalistët“ do të bënin masakrën e dytë mbi Dukagjin. Ndodhte menjëherë pas kryengritjes së dukagjinasve, më tepër vepër nxitëse e disa klerikëve katolikë. E gjithë lëvizja përfundoi në pak ditë dhe nga forcat qeveritare mbetën të vrarë pesë vetë.

Camillo Libardi, një prift i njohur më shumë për ndihmat humanitare, do të shkruajë:

„Nga të gjitha anët, nga të gjitha rrugët u dyndën trupat e ushtrisë Në Theth, duke kaluar nga „Shtegu i dhenve“ mbërriti kapiteni Tefik Kolona e Prenk Previzi; nga Prekali kapiteni Hasan Begu nga Bushati; nga Kiri e Shoshi mbërrim Fiqiri Dinja dhe kapiten Hamit Çallaku me trupa të parregullta. Nga Suma e Xani vjen kapiten Abaz Kupi i quajturi Bazi i Canes me shokun e tij Hysen Selmani, që qëndronin në krye të ushtrisë së çrregullt; nga Shallku e Temali kapiten Qerim Nasufi dhe togerët Preng Marashi e Mul Delia: nga Nikaj e Shala Muharrem Bajraktari…“

Thuajse të gjithë figura të njohura të „ nacionalistëve“.

Libardi vazhdon „ Për sa i përket popullsisë, do të thosha : Kush ishte kryetar familje u dërgua përpara Hasan Begut e Fiqiri Dines dhe u mbyllën në burgje. ..Në fund të fundit kjo ishte e keqja më e vogël. Burrat e tjerë u rrahën, u goditën me qytat e pushkëve, me shqelma dhe ishin reduktuar në një gjendje aq të mjerë, sa rrinin të paralizuar pranë oxhakut, të katandisur keq e më keq ose ishin çmendur… Gratë e vajzat e reja kishin lënë shtëpitë dhe ia kishin mbathur maleve në mënyrë që të gjenin vend për t’u fshehur e për të shpëtuar nderin. Plakat, që mendonin se nuk do i prekte njeri me dorë, u përdhunuan shtazërisht.

Shtatëmbëdhjetë fëmijë u vranë nga këta baballarë të pashpirt që kishin ardhur për të vënë rregull… Nga tmerri, populli braktisi shtëpitë dhe ua dha këmbëve për t’u fshehur.“.

Më shumë se 1000 vetë u arrestuan, shumë u dënuan me 101 vjet, u varën në sheshet e qytetit të Shkodrës mbi 30 vetë, disa prej të cilëve priftërinj katolikë, u dogjën shumë nga fshatrat nga kalonin mercenarët, të drejtuar pikërisht nga ata që , jo shumë vite më pas, ose do të drejtonin qeveri kuislinge, si Fiqiri Dine, ose do të drejtonin parti politike si Bazi i Canës, ose do të ishin drejtues të operacioneve kundër Lëvizjes NÇ.

Shembuj e sjellë më sipër, nga të dyja anët e asaj që njihet si lëvizje nacionaliste nuk do të thonin asgjë, nëse e pasmja e tyre do të kishte qenë ndryshe.

Gjatë luftës Antifashiste janë të njohura dy operacione të mëdha të forcave gjermane. Operacioni i Dimrit, ku, krahas forcave naziste morën pjesë edhe 100 mijë mercenarë nacionalistë, gjysma e të cilëve ishte nga Balli Kombëtar, sipas dëshmisë së hierarkut të lartë nazist, Neubacher. Gjatë operacionit të Dimrit janë rreth 300 fshatra të djegur, më shumë se 1050 të vrarë, qindra të burgosur. Pak kush mund ta besojë se do të kishte ndodhur ndryshe nëse pikërisht këto forca, që shpesh herë, sipas historianit Bernd Fischer, u prinin kolonave naziste, të kishin marrë pushtetin.

Në Operacionin nazist të qershorit forcat “nacionaliste“ krah tyre do të ishin më të pakta, ndërsa Lëvizja Antifashiste ishte zgjeruar. Këto forca nacionaliste, tani rreth 6000 vetë, më shumë të mobilizuar nga veriu, do të bënin po ashtu masakra të papara ndonjëherë në Shqipëri, duke u nisur nga ideja e mbrapshtë, veriu kundër jugut.

Gjatë luftës, në historinë e saj, njihen tri masakra; ajo e Mehmet Shehut kundër ballistëve në Lushnje; e 4 shkurtit në Tiranë dhe e 104 të burgosurve të Prishtinës.

Masakra e organizuar nga Mehmet Shehu dhe çetniku Dushan Mugosha, veçanërisht kundër shqiptarëve të besimit islam, është ndër më të rëndat, mizore dhe e paprecedentë nga forcat e organizuara në radhët e Lëvizjes NÇ.

Masakra e 4 shkurtit ka si autorë dy njerëz, Xhafer Devën, ministër i brendshëm dhe Kadri Cakranin, komandanti i Ballit Kombëtar. 84 vetë u vranë në një ditë rrugëve të Tiranës nga forcat e Devës dhe të Ballit, të cilat shëtitnin rrugëve të Tiranës me automatikë gjermanë.

Masakra e të Burgosurve të internuarve të Kampin e Prishtinës, 104 vetë në një natë, pa folur për ata që u vranë rrugës në Kukës, është, po ashtu një nisje e Ballit dhe e nacionalistëve, të cilët, pasi i arrestuan në fund vjeshtën e vitit 1944, ua dorëzuan forcave gjermane. Komandantit të xhandarmërisë së kohës iu premtua jeta, pasuria dhe paprekshmëria, vetëm që të mos dorëzonte të arrestuarit, shumë nga të cilët nuk kishte asnjë lidhje me lëvizjen antifashiste, e megjithatë, gjaku i tyre u derdh në fundin e luftës.

Enigma se si do të kishte qenë Shqipëria në një situatë tjetër fituesit dhe humbësit është gjithë hipotetike. Ngjarje të ngjashme, si në Greqi, të përcjellin idenë se gjithçka do të mund të kishte nisur nga e para; vrasjet dhe masakrat.

Komunistët në pushtet nuk ishin në asnjë ditë tolerantë. Në të kundërtën, ata sollën një variant të ri të përplasjeve civile, luftën e klasave dhe kjo i humbi Shqipërisë shumë nga figurat e shquara të saj, i bjerri përparësinë për të ngritur një shoqëri ndryshe nga sa kishte qenë dhe të hapte një perspektivë ndryshe. Që nga gjyqi i Deputetëve, në vitin 1946, shkallmimi i parlamentit si tempull i demokracisë dhe deri në frymëmarrjen e fundit të saj, diktatura e proletariatit ishte, mbi gjithçka, mohimi i vetvetes dhe i kombit, shkallmimi i atyre vlerave që mund të krijoheshin, anatemimi i mendjes dhe thepisja e së ardhmes.

Por, gjithnjë duke ecur nëpër rruginat e një enigme që nuk do të zbardhet kurrë, pas 75 viteve, ngritja e vlerave të fashizmit , si rrugë për të mallkuar të djeshmen, nuk na bën as më të butë, as më të arsyeshëm dhe as më të denjë.

Ashtu si nuk i kam besuar kurrë një të djeshme të shkuar, ashtu nuk mund t’i besoj kurrë një klase politike të përmbysur që vlerë të saj sheh faktin se, në një përpjekje për të ardhur në pushtet, gjithçka e filluan nga vrasja e mësuesve dhe e çikave që donin të kishin një jetë ndryshe.

Nuk e di nëse është fatalitet shqiptar mallkimi i hakmarrjes, e sanksionuar në kode të lashtë apo e gjitha kjo është një vetëmbrojtje fatale, por, duke dashur të endem në shtegun e një enigme, mendoj se gjithçka do të ishte më fisnike nëse i duhet lënë historiografisë së re të zbardhë enigmat dhe të kemi mundësinë të lëmë pas një të kaluar që, si qentë e rrugës, na është vënë pas për të na grabitur çastet që mund të kemi.

Tridhjetë vite pluralizëm tregojnë se orët tona, shpesh herë, kanë mbetur në vjeshtën e vitit 1943,dhe se, askurrë, nuk po mundemi të vijmë në këtë kohën tonë.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode