SHTETI I QEVERISUR MIRË, ËSHTË AI QË I AFROHET MË SHUMË MODELIT TË RENDIT
11/06/2020 21:29
ESE FILOZOFIKE
SHTETI I QEVERISUR MIRË, ËSHTË AI QË I AFROHET MË SHUMË MODELIT TË RENDIT
Tafil DURAKU
Analisti dhe ushtaraku Dilaver Goxhaj, para disa ditësh na e risolli në kujtesë një bashkëbisedim (diskutim) të qëlluar filozofik në mes të Sokratit dhe Glaukonit, për shtetin dhe qeverisjen e tij, shkëputur nga vepra e Platonit, “Shteti”, që, sipas tyre, modeli më i mirë është ai që i afrohet më shumë modelit të individit! Po, a është kështu, vërtetë? A përkon kjo teori me bashkëkohësinë tonë, me zhvillimin dhe ndryshimin që ka evoluar në shekuj, prej kohës kur kanë jetuar dijetarët dhe filozofët, Sokrati dhe Glaukoni, që i kanë dhënë dritë mendjes dhe shpirtit të njerëzimit për kohën e tyre, dhe, shekuj me radhë, e, teoritë e tyre filozofike, kanë qenë, janë dhe do të jenë të dobishme për sa kohë që do të ketë njerëz mbi tokë?...
Por, a duhet të pajtohemi, apriori, për imponimin e një modeli të tillë sot, sidomos, në rrethanat e ditura e të njohura shqiptare dhe ndërkombëtare, kur ligjvënësit dhe politikanët e të gjitha kohëve, në shumë shtete të botës, kanë abuzuar me shtetin dhe të mirën që ai shtet duhet ta ketë dhe ta krijojë e sigurojë për qytetarët e tij, ku, si model është zgjedhur dhe zbatuar modeli i individit? …
Pra, modeli i individit, ku, rendi (rregulli) vlenë vetëm për të tjerët dhe jo për individin ose grupin rreth individit, parë në thellësinë e tij kriminale e korruptive, antinjerëzore dhe antipopullore, është model i dështuar njerëzor, shoqëror e shtetëror.
Modeli i individit, që del prej bashkëdiskutimit të Sokratit dhe Glaukonit, është model i vjetëruar i të menduarit dhe zbatimi i tij, ose kërkimi për zbatim të tij, bien ndesh me shumë elementë të shoqërisë njerëzore, e, të shtetit, në veçanti, në shoqëritë dhe shtetet bashkëkohore. Në radhë të parë, parë në thellësinë dhe shtrirjen e tij, modeli i individit, është i prirë për të dështuar, sepse, është pikërisht stërkeqja e individit, foisja e tij e mbrendshme, prej luksit të tepëruar (të pamerituar), ajo që e çon drejt dështimit dhe shkatërrimit, një model të tillë, si model i preferuar aventure.
Për njerëzimin, modeli më i mirë dhe më afatgjatë, më i shëndetshmi dhe më njerëzori, parë në përbërje, shtrirje dhe strukturë, do të ishte dhe do të jetë modeli kushtetuso-ligjor, para të cilit, paraprakisht, do të ishte përgjegjës individi dhe grupi rreth tij, dhe, jo vetëm qytetarët.
Modeli kushtetueso-ligjor duhet të jetë i zbatueshëm konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të atyre që janë në pushtet, dhe, në radhë të parë duhet të jetë i zbatueshëm kundër zinxhirit pushtetar, duke u nisur nga kryetari i shtetit, kryeministri dhe vartësit e tyre, në tërë zinxhirin e shtetit.
Modeli i të qenit përgjegjës vetëm i qytetarit (që e imponon individi), e shndërron në kriminel dhe fashist modelin e individit, që lë pasoja të rënda dhe të pariparueshme, jetëgjata, në çdo rrjedhë shoqërore, njerëzore, demokratike e shtetërore.
Dhe, vetëm atëherë kur individi dhe qytetari janë të barabartë para modelit kushtetueso-ligjor, gjendja shoqërore e shtetërore vazhdojnë të jenë të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Rendi, në esencë, ose rregulli, janë bazë e vetme dhe e shëndetshme për ta bërë një model të qëndrueshëm dhe modeli i vetëm është ai kushtetueso-ligjor, para të cilit janë të barabartë, udhëheqësit dhe qytetarët e secilit shtet, veç e veç.
Prandaj, kur nuk ka model të zbatueshëm kushtetueso-ligjor, a mund të ketë të keqe më të madhe sesa modeli i individit, që ndanë e përçanë qytetarët, që krijon kombe e shtete nga një komb dhe shtet i vetëm?! Dhe, këto të këqija, padyshim, i sjell vetëm modeli i individit, që mëtohet të ngrihet e të mbahet për kult, sepse, kulti i individit, ose, edhe modeli i individit, shpeshherë, ndër shtete të ndryshme dhe shekuj, është treguar i pasuksesshëm dhe i padenjë për shtetin dhe për shoqëritë përkatëse.
Një shtet dhe një komb ose popull që nuk e mban të organizuar modeli kushtetueso-ligjor (vetvetja), nuk mund ta mbajë të organizuar modeli i individit, sidomos, kur individi e stërkeqë atë model, duke e kthyer në rob të interesave individuale e grupore, siç ndodh e po ndodhë në bashkëkohësinë tonë amorale, antinjerëzore, apolitike, apublike dhe antidemokratike!...
Dhe, për të ardhur te këto përfundime, na vjen në ndihmë shkenca, sociologjia njerëzore ndodhur në shekuj, sepse, secili trup përbëhet nga miliona e miliarda pjesë që e vënë në lëvizje një trup, cilidoqoftë ai, apo, i çfarëdo përmasash (madhësie) qoftë, gjë që vlenë edhe për shtetin, i cili mund të qeveriset mirë, duke u bazuar vetëm në modelin e rendit dhe të bashkërendimit të elementëve bazike të modelit të rendit, rregullit.
Bazuar në këto që thamë më lart, ai shtet dhe ata qytetarë që nuk e ndajnë mesvete të mirën dhe të keqen, janë të predispozuar të dështojnë, dhe, rrjedhimisht, të shkatërrojnë gjithçka. Po, a nuk i ndodhi diçka e tillë luftës së UÇK-së? Sidomos, prej politikave që po vazhdojnë: njëri thumbit, e, tjetri patkoit!...
Kur shteti dhe qytetarët e tij sillen si një koshere blete, që ngjanë më shumë me modelin e rendit dhe rregullit sociologjik, më shumë sesa me modelin e individit, domosdo, suksesi, shëndeti dhe jetëgjatësia janë të qëndrueshme, shekullore. Qëndrimi sociologjik i jetës njerëzore, i afërt me sociologjinë e jetës së bletëve, është qëndrim që i rri krah shtetit dhe modelit të rendit. Parimi i modelit të rendit, që zbatohet në sociologjinë e jetës së bletëve, një për të gjitha, të gjitha për një, është parim i modelit të rendit, që duhet ta ruajë e ta zbatojë edhe shteti dhe shoqëria, që, në bashkëqeverisje e mirëqenie (në çfarëdo kushtesh e rrethanash), e ndihmojnë njëri-tjetrin.
Parimi sociologjik i jetës së shtetit dhe shoqërisë, që nuk lidhet me modelin e rendit (rregullit), si në parimin sociologjik të jetës së bletëve, është i destinuar të dështojë, si në rastin e modelit të individit, që ka dalë i dështuar në shekuj, si model i “kultit të individit”!...
Rendi sipas rendit (rregullit) që e detyron individin t’i rrijë gatitur rendit është modeli më i mirë i qeverisjes të shtetit.
Pra, shteti dhe shoqëria e qeverisur mirë, është ai ose ajo që i afrohet më shumë modelit të rendit (rregullit) të sociologjisë së bletëve.
Burojë, 10 Qershor 2020