SHQIPTARIZMA E TË HUAJVE DHE POZAT KOZMOPOLITE TË MUÇIT

05/07/2018 06:59

OPINION

 

 

SHQIPTARIZMA E TË HUAJVE DHE POZAT KOZMOPOLITE TË MUÇIT

 

Fatbardh RUSTEMI

 

Festimi i golit prej Xhakës dhe Shaqirit me shenjën e shqiponjës, në kompionatin Botëror “Rusi 2018”, befas u kthye në një lloj sporti, ku u përfshin edhe shumë figura të njohura botërore. Nisi kështu një garë patriotizmi se kush do pikaste foton, e cila të bëhej lajm.

E gjithë kjo tifo patriotike kishte për protagonizëm dy futbollistët kosovarë, që, veç fanellës të cilën përfaqësonin, gëzuan dhe bashkëkombësit e tyre, meqë humbësi qëlloi të ishte serb. Rama inicioi hapjen e një llogarie bankare, ku të mblidheshin paratë për të shlyer gjobën me të cilën FIFA dënoi gjestin e futbollistëve, sikurse politikanët e të gjithë spektrit politikë nxituan të përfshiheshin në këtë ngazëllim patriotik, që, aty-këtu po më ngjante me biznesin e tregtarëve të flamujve.

Ky gjest është bërë një simbol kombëtar i yni, i cili ka do kohë që ka ngjitur goxha mirë, por që na paska sëkëlldisur së fundi gazetarin e mirënjohur, Mustafa Nano, i mësuar të tërheqë aq shumë vëmendje ndaj vetes, sa ndonjëherë nuk i interesojnë dhe mjetet që zgjedh, si zakonisht, allaprovokacija. Po të kishte qenë Nano zvicerian, do të tregohej më i ashpër në dënimin e futbollistëve tanë, të cilët lë të kuptosh se “vuajnë nga kompleksi i renegatit”.

Të të shëmbëllej renegati tek sportistët është njësoj, si të kërkosh hajdutin e xhepave në një plazh nudistësh. Lëvizja e lirë e sportistëve është bërë aq e zakonshme, sa e huaja dhe e jotja, vëllazërojnë mes tyre. Kur një shqiptar luan në një skuadër të huaj, jetohet si sukses dhe gazetat nxitojnë, ta japin si sihariq. Pra, paragjykimi është tek paditësi. Dhe paragjykimin Konfuci e përfshin tek mëkatet. T`i kthehemi gjestit të dy yjeve të futbollit. Mbase dhe fjala “yll” mund të merret për keq në atdheun e “yllit të kuq”, Rusisë së Revolucionit të Tetorit, ku golshënuesit e skuadrës ruse preferojnë të bëjnë përshëndetje ushtarake?! Fat që s`luajtën me Ukrahinën.

Gjestin e Xhakës e Shaqirit, të gjithë shqiptarët e morën me sportivitet, krejt tjetër nga ajo e Dronit në Beograd, ndoshta shtyrë dhe nga fakti: që kombëtarja jonë nuk na përmbushi dëshirën për të qenë pjesë e botërorit dhe golat e shqiptarëve në një farë mënyre: folën shqip. Nano, na qënkish bërë keq, dhe nxiton ta veçojë veten prej sojit tonë, qofshin këta me emrin Thaçi, Haradinaj, Rama apo Meta, për të ngushulluar të lënduarit e mundur.

Aty, ku ndeshjet nisin me himnet kombëtare të skuadrave, teksa mijëra flamuj valviten nga tifozat, sikurse mijëra të tillë ngjyrosin fytyrat me simbole kombëtare, shto dhe gjithfarsoj tatuazhesh në trupat e lojtarëve, u quajka provokim pse dy lojtarë të natyralizuar, shfaqin identitetin e tyre, pikërisht në festën e ngjyrave kombëtare? Me ç`të drejtë duhet privuar ky lojtar i natyralizuar, kur në një mjedis flamujsh kombëtarë, në çastet e delirit të tij për golin e shënuar: të bëjë gjestin e shqiponjës, si referencë flamuri, pikërisht aty ku flamujt e kombeve bëjnë festë?

(Ka dhe kombe të tjerë që e kanë shqiponjën në flamur.) Fanella nuk është uniformë ushtarake, sikurse ndodhi me të riun në ushtrinë greke, paçka se ajo zviceriane toleron. Shqiptarët që s`janë të zotë të bëjnë drejtësi brenda vetes, pozojnë drejtësinë hyjnore, me një kozmopolitizëm të kulluar, për të thënë: unë s`jam si këta. Unë jam pikë referimi dhe jo ata që bënë golat. Po kur lojtarët bëjnë kryqin dhe luajnë në një fushë me besimtarë myslimanë, apo anasjelltas, kur falen në një fushë të fesë tjetër, mos u duhet marrë ky gjest për provokim, prishës të atmosferës sportive?

Nuk ka huq më tinëzar, me zgjyrë provinciale, se sa kur i ngjan atij, që prish dasmën, apo përdor gjithfarësoj shejtanllëqesh për të hidhëruar fitoren apo suksesin e tjetrit. Diferenca vërtet bën dallimin, por varet se prej kujt distancohesh, kur në këtë rast i bije të jetë: vetja, me orientim të gabuar. Nuk ma merr mendja që gazetari ynë të jetë më mendjehapur nga futbollistët kosovarë, qoftë kjo dhe për meritë të Titos.

Meqë jemi tek flamuri, për kuriozitet: himni spanjol nuk ka tekst, sepse dy partitë kundërshtare nuk ranë dakort në miratimin e tij, pasi secili kishte variantin e vet duke mos pranuar konsensusin. Nëse golat e dy shqiptarëve kualifikuan Zvicrën për më tej, në skenën politike shqiptare shënohen autogolat e radhës, si e si të skualifikoheshim në garën për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Përgjigjja tipike e korridoreve diplomatike me: as “po” e as “jo’, kur tek “po”-ja e ngritën kartonin jeshilë 25 vende dhe tek “jo”-ja 3 vende nxorën të kuqen, sidomos Holanda që njihet dhe për lagjen e “dritave të kuqe”, e shtoi pështjellimin e kacagjelave të politikës, që s`dijnë të bëjnë gjë tjetër, veç sherrnajës me bjeri t`i bjemë. (Për Bashën “jo”-ja e 3 vendeve është izolim.

Në fakt, izolimin e vetes, po e shet si hall të gjithë shqiptarëve. Enver Hoxha ngjall irritim, sa herë e sheh në tribunat e kongreseve dhe të plenumeve, ku primare kishte interesat e veta të pushtetit, gjë që nuk ndodh, kur e sheh të flasë në Paris dhe Moskë, ngaqë mbrojti interesat e vendit.) Meqë e lamë sportin, me fitimtarë të qortueshëm, kalojmë tek politika: ku fitorja e kundërshtarit jo vetëm që nuk njihet, por anatemohet, si humbje e thellë, ku kërkohet largimi i trainerit.

Problemi ynë është se na kanë rënë për pjesë, politikanë, që nuk e duan popullin e tyre, e urrejnë për shkak të kontrastit midis veseve të tyre, që bjenë ndesh me virtytet e popullit. Mburren me tolerancën fetare, kur vetë fusin përçarjen. Mburren për shpëtimin e hebrejve, duke urryer palestinezët. Edhe kur e sundojnë, sovrani tallet me ta. “I vetmi që bëri detyrën e vet, ishte populli”-janë fjalët lapidare të Eqerem bej Vlorës, të cilin lebërit i bënë thirrje t`i bashkohej luftës për t`i hedhur italianët në det dhe ai nguroi. Por ai, si njeri me mend që ishte, e gjeti shpëtimin tek reflektimi.

Ndërsa gogoleshët tanë hiqen si kalorës dhe ngulin këmbë si mushka. Një e huaj që ka bërë të njohur shqiptarizmën në botë është dhe Edith Durham. Shihni se ç`fjalë tronditëse kanë dalë nga shpirti i saj: “Dua të shkoj atje ku të këqinjtë pushojnë së bëri keq dhe, ku të lodhurit bien në paqe. Nuk dua të jetoj e ta shoh Shqipërinë të shkatërruar nga plogështia dhe çmenduria e njerëzve të saj.” A s`ishte `97-ta konkretizimi i frikës së saj? Nuk është e rastit poezia e Driteroit “Një i çmendur, po çmend një vend”, që fillimisht shkruhej në faqen e parë të “Zerit të Popullit” dhe vite më pas në ballinën e “RD”-së. Dëgjojmë të thuhet në dëshpërim: atë ç`ka shqiptarët i kanë bërë vendit të tyre, duke shkatërruar lumenjtë, pyjet, etj., nuk ia kanë bërë as të huajt. Të gjithë thërrasin, të gjithë shajnë e grinden.

Ata që dergjen në plogështi fusin spica gjithandej: ishalla plas! Ndaj ndodh që të huajtë rrinë në Shqipëri, si në shtëpinë e tyre dhe ne bëhemi përherë e më të huaj me njeri-tjetrin. Shihni marrëdhënien e euros me lekun! Dilemë e madhe: të forcohet monedha e huaj apo leku shqiptar? Që do të thotë, ka ardhur koha të jemi mirënjohës ndaj shqiptarizmës të të huajve. I falem shqipes së ambasadorit Lu, me shpresën se ata ata shqiptarë, që do përdorin anglishten e amerikanit, nuk do të hedhin mbi vete, mallkimin e Fishtës.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a website for freeWebnode