SHQIPTARËT EDHE KËTË RADHË, PËR FAT TË KEQ, TË PËRÇARË
19/06/2023 07:17
OPINION
SHQIPTARËT EDHE KËTË RADHË, PËR FAT TË KEQ, TË PËRÇARË
Nga Ilir YZEIRI
Në vitin e largët 1936, në numrin e saj të parë, revista “Bota e Re”, në shkrimin “Dyzetë opinione në Shqipëri”, shkruante: “Shqipnia nuk ka nji opinion të sajin të përgjithshëm, siç ka p.sh., Anglia, Franca, Italia, Greqia dhe Turqia, por ka lloj-lloj opinionesh e pikëpamjesh qi kanë të bajnë ma tepër me elemente, me sekte, me kllasë, me grupe, me krahina, me mosha, me kultura e të tjera qi nuk pajtohen në asnji mënyrë njani me tjetrin”.
Edhe sot, ngjarjet që po ndodhin në Kosovë, kanë nxjerrë në pah jo një mendim të përgjithshëm të përbashkët, por një ves të vjetër tonin: përçarjen dhe ndarjen. Ndryshe e mendon qeveria e Kosovës dhe ndjekësit e saj atë që po ndodh në Veriun e Kosovës dhe ndryshe e mendon Tirana zyrtare. Këtu nuk është rasti të bëjme histori, sepse në gjithë këto ditë, pjesa më e madhe e analizave janë marrë më së shumti me defektin e pashërueshëm të disa politikanëve shqiptarë që ngatërrojnë kohët historike dhe që jetojnë në të kaluarën folklorike.
Sot, shqiptarët, në të dy anët e kufirit, por ata që jetojnë në Kosovë më së shumti, kanë nevojë të jetojnë në një shtet të lirë dhe të përfitojnë sa më shumë që të jetë e mundur nga përparësitë që të sjell aleanca me vendet që historikisht rezultojnë më përparimtare. Në historinë e tyre shqiptarët e provuan me fakte se Europa e korrigjoi gabimin historik dhe atë të drejtë që shqiptarët nuk e kishin fituar kur u shemb Perandoria otomane dhe Kosova iu shkëput trungut amë, e fituan më vonë, atëherë kur NATO-ja dhe SHBA-ja bombarduan Serbinë dhe i dhanë Pavarësinë Kosovës.
Tani kemi dy shtete me një komb. Tirana zyrtare, siç vinte në dukje Bugajski, duket se ka marrë më shumë peshë dhe është ofruar disa herë si një promotore e sheshimit të mosmarrëveshjeve në Ballkan, duke promovuar edhe nisma të tilla si “Ballkani i hapur”, të cilën Prishtina nuk e ka njohur. Inisiativa e fundit e Ramës për të hartuar një draft për Asociacionin, hartuar nga ekspertë të huaj, nuk la shije të mirë në Prishtinë dhe u refuzua edhe në Beograd.
Duket se politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës ecin në dy shina të ndryshme. Rama promovon inisiativa që duan ta kthejnë Ballkanin në një union vendesh të lira, ndërsa, Prishtina zyrtare dhe Albin Kurti, sidomos, kërkon që në marrëdhënie veçanërisht me Serbinë të vendoset reciprociteti dhe Serbia të heqë dorë përfundimisht nga sabotimi dhe mosnjohja e Kosovës. Në pamje të parë të gjithë kanë të drejtë. Edhe Shqipëria ka të drejtë që të promovojë inisiativat e paqes e të shkëmbimit ekonomik dhe të krijimit të një zone zhvillimi në Ballkan, duke u ngritur mbi urrejtjen e vjetër, por, edhe Prishtina ka të drejtë të kërkojë nga Serbia reciprocitet dhe të trajtohet si një vend sovran.
Mirëpo, që të realizohen edhe dëshirat e Tiranës edhe ato të Prishtinës, palët duhet të bindin kanceleritë Perëndimore dhe veprimet e tyre duhet të harmonizohen me kornizat euroatlantike. Për këtë, e vetmja armë që kemi është diplomacia dhe fjalët, jo veprimet. Veprimet mund të vijnë në fund, atëherë kur fjalët të jenë bërë akte juridike të njohura e të miratuara nga partnerët tanë euroatlantikë. Nëse sot Kosova rrezikon sanksione nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe nëse sot Kosova po paraqitet si shkaktar i zemërimit të aleatëve perëndimorë, të cilët mund të venë në pikëpyetje edhe atë që i dhanë Kosovës vite më parë, ky nuk është vetëm një problem i Prishtinës.
Ky është problem i qeverisë së Tiranës dhe Edi Ramës dhe i qeverisë së Kosovës dhe Albin Kurtit. Ata e humbën shansin që ta ndërtonin një ide të përbashkët për fatin e shqiptarëve në Ballkan. Në këtë rast, do të ishte mirë që e kaluara e jonë historike dhe narrativa e ndërtuar mbi të, të na shërbejë për të kuptuar më mirë atë që thonë filozofët: “Njih vetveten!”. Nëse do ta lexojmë me kujdes këtë maksimë, atëherë, do të kuptojmë se në rrymë të shekujve asnjë betejë që kemi nisur për të mbrojtur veten dhe territorin tonë, nuk e kemi fituar. Vetëm me aleatët, po. Ndaj është mirë të mos harrojmë shprehjen: “Njih vetveten!”
TemA