SHQIPËRIA NË BLLOKUN ANTIFASHIST? CILA ISHTE ALTERNATIVA TJETËR? (2)
25/04/2018 18:34
OPINION
SHQIPËRIA NË BLLOKUN ANTIFASHIST? CILA ISHTE ALTERNATIVA TJETËR? (2)


Nga Bedri ISLAMI
Shpesh herë ne jemi të prirur të gjykojmë vitin 1941 duke u nisur me ndodhi nga disa dekada më pas. Nëse lufta antifashiste ishte një domosdoshmëri historike, nga e cila Shqipëria arriti të ruante kufijtë e saj të vitit 1913, e gjithë kjo është rrjedhë pikërisht e kësaj lufte, në të cilën ata që u angazhuan më së shumti ishin të rinjtë dhe të rejat e qyteteve dhe të fshatrave, sidomos gjimnazistët dhe rinia studentore, të cilët, edhe kur vinin nga familje të mëdha, të lidhura me pushtetin, përsëri ishin ndër idealistët e mëdhenj të kohës së tyre. Ta zëmë, Osman Gazepi ishte figurë e njohur titiste e më pas e lëvizjes balliste, por i biri, Piro Gazepi ishte luftëtar i Brigadës së Parë Sulmuese. Bushatlinjtë e Shkodrës, po ashtu ishin ndarë në dysh, çka ndodhte edhe me familjet e njohura në jugun e vendit.
Përfshirja e Shqipërisë në bllokun antifashist ishte rruga e vetme drejt ruajtjes së vendit. Nuk ka asnjë shembull inkurajues, kur një vend, i cili edhe pse nën pushtim, mbajti krahun e Boshtit, Romë-Berlin-Tokio të ketë zgjeruar kufijtë e tij. Përkundrazi, të gjithë humbën, u ngushtuan, u rrudhën dhe kufijtë e rinj të vendosur rënduan mbi to. Shqipëria nuk mundi të ishte ndryshe. Në shkrimin e mëhershëm unë solla shembullin e dhënë nga vetë strukturat e Ballit e të Legalitetit, për 12 mijë të vrarë në luftë, dhe nuk iu përmbajta propagandës së dikurshme për 28 mijë dëshmorë. Pikërisht këto të rënë në luftë, qofshin 12 mijë, si ua do qejfi pasuesve të tashëm, qoftë 28 mijë si kërkonte me ngulm koha e dikurshme, ishin përcaktuesit e ruajtjes së shtetit shqiptar. Nëse do të kishte pasur vetëm qeveri kuislinge dhe marioneta politike të Ballit apo, më pas, të Legalitetit, Shqipëria do të ishte shumë më e rrudhur se ajo e vitit 1913.
Të rënët në luftë, qofshin 12 mijë, qofshin 28 mijë, kërkonin të drejtën e tyre, pasi, megjithëse ata kishin pasur një vizion ndryshe nga sa ndodhi dhe u vranë për vendin e tyre, u vranë nga bashkëvendasit, të militarizuar, të pajisur me armët e pushtuesit dhe që lëviznin bashkë me to. Nuk e di se si mund të jenë quajtur diku tjetër struktura të tilla, por në Europën e luftës dhe të pasluftës, ata kishin një emër të përbashkët: kuislingë.
Është folur shpesh se Lëvizja Antifashiste ishte ajo që e la vendin tonë jashtë sferës së perëndimit dhe se, po të kishte ndodhur ndryshe, vendi do të ishte thellësisht perëndimor.
Një gjysmë e vërtetë që nuk justifikon gjithë të vërtetën.
Sekretari i Foreign Office, A. Iden, bëri një deklaratë të posaçme në Dhomën e Komunave, me 17 dhjetor 1942 dhe që kishte lidhje me Shqipërinë. Në deklaratën e tij Eden, së pari, shfaqte “ndjenjat e simpatisë kundrejt popullit shqiptar që pati fatin e keq të ishte një ndër viktimat e para të agresionit fashist”. Ishte dalja e Shqipërisë në vemendjen e Tre Fuqive të mëdha, të cilat përbënin boshtin e madh të luftës antifashiste. Pas tij, deklarata të tilla, edhe më të qëndrueshme politikisht dhe në drejtimin e ruajtjes së shtetit shqiptar, do të bënin edhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Sovjektik.
Cili ishte qëndrimi i Mustafa Krujës, kryeministri kuislig, në përgjigje të Deklaratës së zotit Eden, vetëm 6 ditë më pas, në mbledhjen e veçantë të Këshillit të Lartë Fashist, të cilën e hapi Ernest Koliqi, kryetar i Këshillit Epruer Fashist Korporativ?
Thelbi i fjalës së tij ishte: është një deklaratë e “Tri fuqive me të cilat jemi në gjendje lufte”, dhe Këshilli Fashist në pikun e luftës antifashiste “përshëndet me besim të patundshëm të gjitha fuqitë e armatosura të Boshtit qi luftojnë në të tana ballët për sigurimin e fitores së pamungueshme”. Këshilli përshendet fuqishëm “rendin e ri botnuer si e ka uruem, dashun e paralajmëruem Duçeja i Fashizmit, Benito Musolini”.
Mustafa Kruja tregon edhe rrugën se si do të arrihet kjo. “Kushdo që mendon ndryshe dhe kushdo që dyshon në fitoren e Boshtit ... asht tradhtar dhe duhet vrarë ose varur”.
Atëherë ku është linja properëndimore e strukturave kuailinge apo, edhe më tej, ku është toleranca që duhej treguar mes njerëzve të një kombi?
Çfarë do të kishte ndodhur nëse i gjithë vendi do të qëndronte në linjën fashiste të Mustafa Krujës dhe qeverisë së tij?
Përse, pikërisht pas këtyre thirrjeve nisën edhe operacionet e fuqishme të Ballit Kombëtar, mbështetur nga forcat fashiste italiane?
Për figura të tilla të njohura bashkëpunuese me fashizmin shpesh herë është menduar, e jo pa të drejtë, se tipizimi i tyre është bërë vetëm në periudhën e pasluftës. Por, edhe më parë, lëvizjet e tyre politike kanë qenë të çoroditura dhe të kundërshtuara, edhe më tej, të sulmuara nga bashkëndjekësit politikë. Mjafton të lexosh kujtimet e Sejfi Vllamasit dhe konsideratat e tij për figura të tilla si Mustafa Kruja, Ali Këlcyra, etj dhe e kupton përse ka lëvizur herë pas here boshti i tyre politik dhe sa e lehtë ka qenë për fashizmin të siguronte shërbimet e tyre.
Ata që marrin pjesë në një luftë, pavarësisht nga kampi ku bëjnë pjesë, janë më të mirët e një kombi” do të shkruante disa shekuj më parë lideri republikan anglez, Kromuell.
Por, mes tyre ka pasur gjithnjë një ndryshim të ndjeshëm. Sepse, në kohë të ndryshme, nderimi për idealistin ka qenë gjithnjë i kundërt me nderimin për shërbëtorin e pushtuesit. Koha e tashme synon t’i bëjë një, por është e pamundur. Koha mund të ndërrojë për disa momente kahun e saj, por nuk i ndryshon dot të vërtetat.
Është fakt, që e njollos ashpër regjimin e pas vitit 1945, i cili kishte në vete diktaturën dhe ngushtimin e lirisë, krijimi i kampeve të internimit, në të cilat vdekja ishte e pranishme. Ndëshkimi i familjes për një njeri ose një ide ishte, po ashtu, një akt makabër, që solli edhe rebelime të pjesshme, mosbindje dhe kundërshtarë të ethshëm politikë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por këtu mori përmasa të pazakonta, u kthye në mit lëvizës, në persekutim të porsalindur dhe ndëshkim deri në ditën e fundit.
Ata që e kanë pasur mbi vete e dinë më mirë se gjithë të tjerët se çfarë do të thotë pritja e rrëmbimit politik dhe dëbimi në një vend internimi, çka nuk ka ndodhur vetëm në një zonë apo me disa familje, por me shumë të tilla.
Por kjo nuk i justifikon vrasjet pa gjyq të ndodhura gjatë luftës ndaj antifashistëve, nuk e justifikon bashkëpunimin me strukturat naziste apo fashiste, nuk i gjen justifikim kolaboracionizmit të një klase politike që në fakt duhej bërë dhe ishte pritur të bëhej fillesa e qendresës ndaj fashizmit.
Nëse gjatë viteve 142 deri në vitin 1944, sipas asaj që deklarojnë vetë strukturat kolaboracioniste, janë vrarë 12 mijë partizanë, ta lëmë shifrën zyrtare të komunizmit për 28 mijë dëshmorë, kush duhej përgjigjur për këtë? Mbi bazën e cilit vendim gjyqësor u vranë këto njerëz që donin lirinë e vendit të tyre dhe që, shumica e tyre as nuk e dinin se çfarë ishte Marksi e Engelsi, dhe kishin dëgjuar pas vitit 1943 vetëm për fitoret e Armatës së Kuqe, me të cilat ishte ngazëllyer e gjithë bota e jo vetëm një grusht shqiptarësh?
Cilit pushtet iu dha e drejta e vrasjes së këtyre të rinjve në bashkëpunim me gjermanët, e organizimit të masakrës së 4 shkurtit, e internimit për në Gjermani të disa qindra luftëtarësh antifashistë?
Deri në shkurt 1944 lëvizjen antifashiste në Shkodër e drejtonin dy vetë: Vasil Shanto si sekretar politik dhe Riza Dani si drejtues i Frontit Antifashist. Lëvizjen kolaboracioniste, njërin nga ata që e drejtonte ishte Hasan Isufi. Për Vasil Shanton tashmë në këtë qytet nuk ka të paktën një bust, për Isufin është ngritur një i tillë; ai mund të jetë nderuar edhe si qytetar nderi në Shkodër, edhe si martir i demokracisë. Në ditët e fundit të luftës Hasan Isufi mori vendimin për dërgimin në kampet e përqendrimit të më shumë se 150 burrave nga Shkodra, shumë nga familje të njohura. Riza Dani, si drejtues i Frontit dhe Arif Gjyli si drejtues i Qarkorit të Partisë i ofruan atij garancinë absolute për jetën, nëse nuk do i dërgonte djemtë në kampet e përqëndrimit. Megjithatë, ata u dërguan. Shumë pak prej tyre u rikthyen. Vetëm në një natë u pushkatuan 104 vetë.
Krimet e ndodhura nën regjimin komunist duhet të jesh miop, i verbër apo i çartur mendsh t’i mbrosh. Gjërat makabre që kanë ndodhur janë jashtë çdo vëmendjeje njerëzore dhe çdo lloj falje do ishte e vështirë. Nuk dua të dëshmoj për ndodhi personale, por, kushdo e di se krimi nuk ishte i mjaftueshëm vetëm në familjet që kishin pasur qëndrim anti, që kishin luftuar me armë në dorë lëvizjen antifashiste, por edhe brenda vetes. Ishte, si të thuash, zgjimi i ndjenjës së tmerrshme të ndëshkimit brenda një strukture, e cila, ende e sosur ndaj të tjerëve, kundërshtarëve, po u kthehej të vetëve.
Ata që kanë kaluar nëpër këtë kalvar e ndjejnë edhe sot tmerrin, por jo rastësisht, janë më tolerantë se të tjerë që kanë dalur mbi sipërfaqen e mbrojtjes së vlerave, edhe kur ato ishin antivlerë.
Do të ishte e vështirë për këdo të mbronte vrasësit e mësuesve, vajzave e grave, dhe e gjitha kjo në emër të një bote patriarkale, mbytëse, tymuese dhe e mesjetës.
Askush nuk mund të justifikojë krimet e komunizmit duke mbrojtur krimet “e demokratëve”, që u bënë edhe pishtar të demokracisë, pasi kishin mbajtur në duar pishtarë të tjerë.
Përçudnimi i vlerave është i skajshëm kur bëhet mbi mllefin. Mllefi nuk është këshilltar, ashtu si nuk mund të gjykohen palët duke u nisur vetëm nga një çast i dhënë, ose nga një ndarje mes dy cepave të vendit. Spostimi i vëmendjes nga e vërteta drejt krijimit të një alibie politike nuk sjell të vërtetën, por krijon kaosin, përmes të cilit pak vetë ose askush mund të ndjehen të lirë.
Klasa politike e emigracionit, e zbarkuar në Shqipëri përmes uniformave fashiste, apo ato që , pasi i kishin shërbyer monarkisë u bënë të neveritshëm për mllefin ndaj saj dhe shërbesën ndaj fashizmit, e kishte humbur cilësinë, pa të cilën nuk mund të bëheshe lider i popullit tënd: ndjenjën e së mundshmes, përmes së cilës mund të krijohej nga vetë ata, rezistenca antifashiste. Ata lanë hapësirën e lirë për njerëz të rinj, ambiciozë, që pak kishin për të humbur, idealistë të shkallës më të lartë, që ditën ta tërhiqnin popullin dhe që në fund pak prej tyre mbetën. Por, përmes luftës së tyre, ata u bënë asaj kohe të besueshëm tek një popull që u jep më tepër rëndësi realiteteve konkrete, se sa të drejtave abstrakte. U ndollën përmes parimit “më shumë bukë, më shumë kulturë”, dhe, kur e kuptuan se kishin qenë jo të lirë, sado vonë, ndoshta më të fundit, gjetën rebelimin, të prirë nga një klasë politike, që ishte në fakt asgjë tjetër veçse, si mund të quhet, rradha e dytë e strukturës politike komuniste, që duke qëndruar në pritë për pushtetin, donin të përmbysnin edhe historinë.
Të vërtetët, ajo plejadë që kishte qenë kundërshtare e regjimit dhe kishte vuajtur jetësisht për këtë, u gjend edhe një herë jashtë asaj ku duhej të ishin, dhe kësaj here po dëboheshin nga “të vetët”, që në fakt nuk ishin e nuk do të ishin kurrë “të vetët”. / DITA
(Vijon)