“SHPËTIMTARËT”

06/02/2018 20:56

OPINION

 

 

“SHPËTIMTARËT”

 

Viktor MALAJ

Mundou me u dukun gjithmonë shka s’je Ma mirë se duka s’asht gja m’ketë dhe”/At Gjergj Fishta

Dy vargjet e mësipërme, me të cilët poeti Gjergj Fishta karakterizonte dhe ironizonte shqiptarët e paskrupuj të fillimit të shekullit të 20-të, më janë kujtuar shpesh këto kohët e fundit kur një numër fort i madh peshkaqenësh dhe laraskash politike, të cilët janë edhe kontribuuesit kryesorë të gjendjes politike, sociale dhe morale të Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre gati tri dekadave, kanë marrë pozat dhe rolet e lajmëtarëve se “atdheu është në rrezik” dhe, rrjedhimisht i kanë shpallur vetjet e tyre si shpëtimtarë të vendit.

Duke lënë mënjanë vërejtjet e mija të shumta për sjelljen dhe punën e qeverisë aktuale, e kam bindje të palëkundur se sjellja, harbutëria dhe mungesa e çdo skrupulli njerëzor e qytetar të krerëve kryesorë opozitarë mund të shpjegohen me pak fjalë, si vijon: Duke e ditur se nuk mund t’i fitonin zgjedhjet e qershorit të kaluar me rrugë normale zgjedhore ata shpallën “frikën nga manipulimet dhe blerjet e votave” dhe ngritën Çadrën e Kotësisë si mjet për të imponuar një qeveri të ndërmjetme, “qeveri teknike”, në mënyrë që tek pjesa e pavendosur e elektoratit të krijonin idenë e pamundësisë së qeverisjes së mëtejshme nga ata që ishin në pushtet dhe, rrjedhimisht, t’i bënin të votonin për opozitën. Besonin se ishte viti 1991 dhe nuk i kishin llogaritur ndryshimet kolosale të ndodhura në moralin, psikologjinë, njohjen dhe pjekurinë e shqiptarëve, si dhe rrethanat e brendshme dhe të jashtme politike. Pasi e panë se nuk ua shisnin dot shqiptarëve krijesën qesharake të “Republikës së Re” dhe se të huajt do i pranonin zgjedhjet edhe pa pjesëmarrjen e tyre, mashtruesit e dëshpëruar politikë të Shqipërisë bënë një marrëveshje me qeverinë nga e cila morën jo vetëm KQZ-në, por edhe gati gjysmën e posteve qeveritare. Prapëseprapë zgjedhjet i humbën.

Megjithëse zgjedhjet u certifikuan nga ndërkombëtarët dhe KQZ, duke përfshirë edhe anëtarët e tyre në atë komision, të papajtueshmit me mungesën e kolltukëve politike shpallën sërish “blerjen e zgjedhjeve”. Kur e panë se nuk po ua vërshëllente kush as jashtë e as brenda vendit u kapën, si i mbyturi pas fijes së kashtës, tek “Rasti Tahiri” me shpresë se ky do të sillte rënien e qeverisë. Pasi dështuan edhe këtu filluan t’iu bien borive të “rrezikut katastrofik” në të cilin ndodhet vendi dhe i drejtuan të gjitha shigjetat tek Kryeministri aktual si e keqja e vetme dhe më e madhe e vendit. Nisën vajtimet për ikjen e njerëzve në Perëndim, a thua se s’kishin “luftuar” dikur për këtë dhe se kishin harruar se gjatë qeverisjeve të tyre kishin ikur mijëra njerëz dhe dhjetëra prej tyre ishin mbytur në dete e lumenj. Filluan të flasin për oligarki dhe oligarkë megjithëse janë vetë oligarkë dhe krijues të oligarkisë kryesore shqiptare.

Orkestra frymore e mëkatarëve të së shkuarës shpalli “prishjen” e marrëdhënieve të Shqipërisë me Amerikën për shkak të një vote shqiptare në OKB, e ndryshme nga vota e SHBA, përkeqësimin e marrëdhënieve me fqinjët e sidomos me Greqinë dhe e shpalli Kryeministrin “rrezik kombëtar dhe rajonal” (M.Kryemadhi). Gjithashtu, kjo orkestër iu buçet shqiptarëve në veshë përditë për “dështimin e Reformës në Drejtësi” dhe se Edi Rama ka bërë një marrëveshje me një shtet tjetër për të penguar pranimin e Shqipërisë në BE (P.Vasili). Kur e panë se jeta e përditshme po i përgënjeshtronte të gjitha sajesat dhe trillimet e tyre, atëherë, tentuan të bllokojnë forcërisht zgjedhjen e Kryeprokurores së Përgjithshme, duke lëshuar tymuese dhe goditur me çizme kundërshtarët politikë në Parlament. Ndërsa në bulevardin kryesor të Tiranës  organizuar një protestë me militantë gjithfarësh.

Mospajtimi i tyre i përhershëm me qenien në opozitë, nga njëra anë, dhe frika për ndëshkime të mundshme për shkak të së kaluarës së tyre të errët i kanë egërsuar deri në atë shkallë sa janë të gatshëm, siç kanë qenë gjithnjë, të varrosin të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë për të shpëtuar veten dhe për të ruajtur statusin e pamerituar që kanë arritur duke iu bërë shumë dëme Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për t’ia arritur këtij qëllimi po përdorin çdo mjet dhe po marrin të gjitha pozat joshëse për të zgjeruar elektoratin, megjithëse e kaluara e tyre nuk ruan asnjë kopje të hijshme në albumet e moralit dhe të sjelljeve të tyre të shpërfaqur për gati 30 vjet.

Kohët e fundit kanë nisur marrjen përsipër dhe vënien në skenë të roleve që iu shkojnë më pak dhe i diskreditojnë më shumë: rolet e atdhetarëve dhe të shpëtimtarëve të vendit e të popullit. Në krye të tyre qëndron mëkatari më i madh i kohës, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i vendit për disa mandate, vetë Sali Berisha. Vënia në rrugën e zgjidhjes së disa problemeve të vjetra dhe të reja me shtetin grek dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje shumë më të drejtë dhe dinjitoze për delimitimin e kufijve se ajo e 2010 e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e RSH, e kanë acaruar ideatorin dhe regjisorin e mbrapshtive kombëtare. Ndërsa vetë pati bërë një marrëveshje që besohet se iu lëshonte grekëve mbi 300 km2 det, tani ka rrëmbyer armët dhe bën trimin e çartur kundër një marrëveshjeje që s’ka nisur ende si procedurë duke “u betuar” se, “S’mund ta kalojë atë marrëveshje pa kaluar mbi trupat tanë. Asnjë centimetër s’do kalojë. Do e paguaj me çdo çmim”.

Dëshirës për të krijuar në popull psikozën e rrezikut dhe pasigurisë dhe, rrjedhimisht, për ta përdorur pastaj si lëndë djegëse për revolta dhe destabilizim, me shpresën për t’u rikthyer në pushtet, i janë bashkuar të gjithë të përkëdhelurit dhe të privilegjuarit e pushtetit dhe parasë së këtyre 28 viteve. Ish-Presidenti i vendit Bujar Nishani, prej të cilit shqiptarët s’kanë dëgjuar ndonjëherë mendime të mençura as të dobishme, po të përjashtojmë urimet e tij për Vitin e Ri për të pasur më shumë avionë në qiell dhe breshka në tokë, u thotë shqiptarëve se që kur erdhën në pushtet qeverisësit e sotëm “jeta jonë ka marrë, jo thjesht një kahje të gabuar por një të tatëpjetë… Në Shqipëri është atrofizuar demokracia dhe vendi po shkon fatalisht drejt përplasjes së fortë”. E shikoni çfarë “burra shteti” e kanë përfaqësuar këtë vend? I mbetur në thelb një partiak periferie, ky azgan burrë iu kërkon shqiptarëve rikthimin tek “demokracia” e 21 janarit 2011, Gërdecit 2008, 26 majit 1996, 14 shtatorit 1998, trukimeve të zgjedhjeve 2009 dhe atyre 2011 për bashkinë e Tiranës, 28 majit 1996 kur rriheshin qytetarë e deputetë apo marsit 1997 kur digjeshin redaksi gazetash e rriheshin gazetarë e publicistë, duke përfshirë edhe Kryeministrin e sotëm. Dhe jo vetëm kaq por, indirekt, iu bën thirrje për përplasje të fortë midis tyre për hir të prapanicës së vet dhe të atyre që e patën graduar pameritueshëm në një lartësi ku ngjante tepër i vogël.

Ne nuk duhet të trembemi nga “rreziku” që na kanoset sepse numri i “shpëtimtarëve” të vetëdeklaruar shtohet dita-ditës. Drejtuesit e LSI-së, të cilët ishin bashkëqeverisës dhe dasmorë të “martesës” midis dy qeverive kur u nënshkrua Marrëveshja e Detit me Greqinë në 2010, tani na dalin si luftëtarë të mbrojtjes së vendit nga “tradhtia” e pushtetit të sotëm. Madje, edhe Presidenti i vendit, atëherë zv.Kryeministër, tani lëshon në internet videon me një këngë atdhetare që të na ngrejë zemrat peshë kundër “shitjes” së detit nga qeveria e sotme. Me të “këput shpirtin”! Kaq mund të bënte për hir të atdheut dhe të pushtetit të bashkëshortes.

“Shpëtimtarët” i kemi kudo. Disa vajza të reja që janë bërë deputete pa marrë diplomën universitare, kanë marrë përsipër t’iu japin mend shqiptarëve dhe, megjithëse ende s’kanë dhënë prova se janë rritur vetë apo se kanë aftësi të rrisin një fëmijë na kërkojnë t’iu besojmë rritjen e Shqipërisë dhe fatet e saj. Duke kopjuar në mënyrën më të shëmtuar drejtuesit bajatë të partisë së vet, ato shfaqën sjellje të padenja në Parlament dhe, ndërsa i bënin zhurmuesin deputetit Balla kur intervistohej nga një TV, merrnin guximin dhe flisnin për moral.

Një protestë laramane me nja 20-30 “atdhetarë” të dhënë me qira u organizua para pak ditësh para Kryeministrisë ku në shpinat e pak prej tyre mbahej një banderolë ku shkruhej: Balli Kombëtar. Shqipëria e shqiptarëve- vdekje tradhtarëve. Kur i pashë, thashë me vete: Amin! Kështu pati ndodhur edhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyshërit e tyre, ndërsa putheshin me pushtuesit nazi-fashistë dhe vrisnin shqiptarët për llogari të “Italisë dhe Gjermanisë mike”, uronin vdekjen e shqiptarëve që luftonin pushtuesit. Pasi ikën së bashku me pushtuesit jashtë vendit hynë në bisedime me zervistët dhe titistët për të krijuar shtete të përbashkët greko-shqiptar ose sllavo-shqiptar, mjafton të shporreshin komunistët dhe të vinin ata në pushtet. Jo pak prej tyre u bënë mish për top i zbulimeve të huaja dhe, pasi u stërviten në Greqi dhe nga grekët, u futën si terroristë në vendin e tyre. Kur u nënshkrua Marrëveshja Antikombëtare e Detit në 2010 këta “atdhetarë” kafenesh ishin me Leje Heshtjeje.

Shpëtimtarët tanë shfaqen herë si “pëllumba paqeje” duke iu qarë hallet të varfërve dhe, më së shumti, si skifterë grabitqarë. Retorika e dhunës, e cila shpreh dëshirat e tyre të parealizueshme, përbën tiparin kryesor të politikës së tyre çakallosëse. Sali Berisha, njeriu politik më i dhunshëm i këtyre 30 viteve, i dhunshëm me gojë dhe i dhunshëm me mjetet e pushtetit që zotëronte, evokon 14 shtatorin 1998 dhe krenohet me aktet e tij të dhunshme e kriminale. Ai i ka mbijetuar politikës dhe ligjit kryesisht për shkak të formimit dhe moralit arkaik, fisnor e krahinor të një pjese jo fort të vogël të shqiptarëve, si dhe për shkak të politikës me dy faqe të disa kancelarive politike perëndimore.

Ai pohon me dëshpërim dhe pafytyrësi se “Nuk mund t’ia marrim pushtetin me votë Edi Ramës por duhet ta përmbysim”. Në krah të tij shfaqen edhe skifterët “e majtë” Kryemadhi dhe Vasili të cilët kërcënojnë për tërheqje zvarrë për së gjalli apo për një fund si të Esat Toptanit. Daljet e përsëritura të Lulzim Bashës në foltoren e Parlamentit, i rrethuar nga disa individë që, për të shpëtuar nga kompleksi i paburrërisë, përpiqen të bëjnë cubin politikë duke bllokuar foltoren me qëllim për të imponuar me dhunë ndryshimet e rendit të ditës të miratuar apo për të zgjatur fjalimet opozitare tej rregullores parlamentare i japin atij pamjen e një kryetari çete kaçakësh, kur shqiptarët presin të shohin liderin opozitar. Fjalët krim dhe kriminelë përdoren prej tyre më shpesh se prej prokurorëve në çështjet penale me vrasës e grabitës.

Lulzim Basha dhe laraskat politike që e rrethojnë dhe imitojnë përpiqen t’i shesin popullit shqiptar ekstradimin në Itali të një të dyshuari për trafik droge si “skandali më i madh në 27 vjet histori”. Po të mos ishte ekstraduar do të thoshin se qeveria ka frikë nga drejtësia italiane dhe e mban këtu pasi e ka drejtësinë nën tutelë. E vërteta është se ekipi i njohur i prokurorëve të çështjes Tahiri ka pasur dy muaj kohë për ta pyetur e stërpyetur Seitajn që ndodhej në qeli, por nuk e pyeti e jo më ta merrte të pandehur. Edhe sot i kanë të gjitha mundësitë ta pyesin duke e takuar fizikisht atje ku është apo me letër-porosi apo telekonferencë, siç ndodh në të gjithë botën.

Po, ku e kanë hallin këta hallexhinj të qejfit e pushtetit që sillen në këtë farë feje? A thua vallë i ha meraku për drejtësi e shtet ligjor, për mirëqenie e zhvillim të popullit shqiptar, për dinjitet kombëtar e integrim të vendit në BE? Sjelljet e tyre, jo vetëm të mëparshme kur ishin në pushtet, por edhe të sotme i tradhtojnë synimet e tyre të vërteta. Qëndrimet e tyre konsekuente penguese ndaj Reformës në Drejtësi dhe ato aktuale kundër Prokurores së Përgjithshme janë shumë domethënës. Hakërrimat e drejtuesve të LSI-së kundër organeve të drejtësisë dhe kërcënimet se “do të fillojmë të flasim edhe ne për prokurorë…” (M.Kryemadhi) janë jo vetëm vetëdiskreditim por edhe vetëakuzim që i rrit dyshimet për motivet e pezmatimit (nga arrestimet e fundit për korrupsion), duke e qasur publikun e gjerë tek mendimi se shkaku qëndron në humbjen e pjesës në aktet korruptive dhe tek frika që kanë nga ndëshkimi i ligjit për ato që kanë bërë. Të mësuar ta kenë drejtësinë nën komandën e tyre, tani që shohin se ajo po iu ikën nga duart ndihen si polici që shkon në një aksion policor pa antiplumb. Pa paragjykuar pozitën juridike të të arrestuarve të fundit duhet thënë se qëndrimet e drejtuesve të opozitës të bindin edhe më tutje se meraku i tyre nuk ka qenë dhe nuk është Reforma e Drejtësisë, por pjesa e humbur e tepsisë.

Këta që konsiderojnë “marrëveshje mafioze” një marrëveshje bashkëpunimi për luftë kundër krimit midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe MB; këta që kërkojnë “qeveri antimafia” shpërfaqin sjelljet dhe përdorin metodat e Mafies duke heshtur për çfarë “dinë” për prokurorët e korruptuar dhe kërcënojnë se “do të vijnë emrat hap pas hapi”, gjë që do të thotë se publikimi dhe denoncimi i të korruptuarve në organet e drejtësisë do të bëhet në varësi të “hapave” që do të ndërmarrin prokurorët në goditjen e korrupsionit në radhët e partisë së tyre.

Në kohën kur përfaqësuesit e lartë evropianë pohojnë se “Jam kaq i vendosur për të hapur negociatat sa më shpejt me Shqipërinë dhe Maqedoninë” (Johanes Han) drejtuesit e opozitës politike shqiptare kërkojnë “qeveri antimafie” si thirrje të tërthortë ndaj kancelarive perëndimore për mos përparimin e proceseve integruese me Shqipërinë pasi këtu ekziston Mafia dhe nuk ka stabilitet. Madje, një “ideolog” pa mend dhe pa moral i tyre shprehet hapur se “Hapja e negociatave në kushtet e sotme është kundër interesit kombëtar shqiptar” (Akil Kraja) dhe bën thirrje për “pozicionim të prerë kundër hapjes së negociatave me BE-në” dhe gjithashtu kërkon që ky akt të shtyhet në kalendat greke pasi të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë, të krijohet e ashtuquajtura “qeveri antimafie” dhe një “Asamble Kushtetuese e Përkohshme”. Ky termi i fundit i filozofit të “Fondacionit për Liri e Demokraci” na kujton asambletë e krijuara nga pushtuesit nazi-fashistë gjatë Luftës së dytë Botërore, të cilat ishin krijesa të pushtuesve, që nuk përfaqësonin vullnetin dhe as aspiratat e popullit shqiptar, por të pushtuesve dhe veglave të tyre brenda vendit.

Ka ardhur koha që edhe ajo pjesë gjithnjë në rrudhje e popullit të kuptojë qartë dhe të bindet se e sotmja dhe e ardhmja e tyre dhe e gjithë popullit shqiptar nuk i duhen lënë peng çetës së paskrupullt të mashtruesve dhe grabitësve të tij që tani janë vetëshpallur si shpëtimtarë të vendit megjithëse me sjelljet dhe veprimet e tyre po synojnë fundosjen e perspektivës shqiptare. Për hir të interesave të veta.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode