SHKOLLA USHTARAKE “SKËNDERBEJ”, HISTORIA DHE LAVDIA...

30/03/2023 06:17

EMNESË JUBILARE PËR SHQIPTARËT

 

 

SHKOLLA USHTARAKE “SKËNDERBEJ”, HISTORIA DHE LAVDIA...

 

SHKRUAR NGA PANDELI BARDHI

 

 

Nuk kishin kaluar më shumë se katër muaj nga Çlirimi i vendit, kur nuk ishin mbyllur akoma plagët e luftës, në Garnizonin e vjetër Laprakë, u mblodhën pasardhësit e parë të luftëtarëve të lirisë, partizanëve trima që u betuan në zjarrin e luftës për t’i qëndruar besnikë  idealeve të paraardhësve të tyre, prindërve, vëllezërve e motrave, betimit që ata bënë në zjarrin e luftës për t’i dalë zot vendit deri në çlirim, detyrë që e realizuan me sukses. Mbas dy vitesh, në vitin 1947,  kjo shkollë mori emrin “Shkolla Ushtarake ‘Skënderbej’”, e cila për dyzet e shtatë vite të funksionimit të saj, edhe ata dyzet e katërmijë e tetëqind skënderbegasit e tjerë që dolën nga bankat e kësaj Shkolle, mbajtën në gji idealin e madh, atë në  shërbim të Atdheut, besnikë të tij, derisa,  ajo, mbylli dyert. Kanë një të veçantë skënderbegasit e kësaj shkolle, të cilët karrierën e tyre ushtarake e fillonin në moshën trembëdhjetë, katërmbëdhjetë vjeçare. Ata ishin fëmijë të njerëzve të thjeshtë puntorë e fshatarë,  që vinin nga të gjitha krahinat, fshatrat e qytetet e  Shqipërisë, nga familje patriotike të lidhura ngushtë me Luftën Nacional Çlirimtare, familje dëshmorësh dhe ushtarakë. Në zemrat e njoma të   këtyre “letrave të bardha”,  shkruanin vetëm prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat që sakrifikuan shumë për lirinë e pavarësinë e Atdheut. Shteti, atyre, u vinte në ndihmë, për kontributin e tyre , duke u shkolluar fëmijët falas. Ata ishin përsëri nën kujdesin prindëror të Shtetit, të eprorëve, mësuesve dhe pedagogëve nga më të aftët, nga aftësia e mësimdhënies, nga mënyra e komunikimit, nga dashuria që ata tregonin për skënderbegasit, si për fëmijët e tyre. Skënderbegasit, nuk mund të harrojnë Eprorët e tyre të parë, Luto Haxhiu, Meço Starja, Agim Tepelena, Mikail Vaso, Novruz Sako,  etj., etj., apo mësuesit Stavri Angjeli, Adriatik Kallulli, Perikli Jorgoni. Kozma Vasili, Flutura Xoxe, Agime Çela, Marije Nano, Viron Çinxo, Viron Tane, Vedat Çami, Ali Neviri e dhjetra e dhjetra të tjerë  që janë e do të mbeten modeli i mësimdhënësve. Ishin po këta “prindër” që do të vazhdonin të shkruanin, të rrënjosnin tek ata atdhetarizmin, idealet e larta të  besnikërisë ndaj Atdheut, dashurisë  për Shqipërinë, për familjen, për shokët, për të dhënë edhe jetën po të ishte nevoja në emër të këtyre idealeve. Qysh në atë moshë u shkruan e u rrënjosën thellë edukata e shëndoshë, dashuria dhe respekti për të tjerët, për shokët dhe eprorët, korrektësia, mirësjellja, komunikimi i ngrohtë, përgjegjshmëria e lartë, gatishmëria dhe disiplina e lartë në kryerjen e çdo detyre. U rrënjosën të gjitha këto në karakterin e tyre dhe u bënë tipari dallues. Edhe më e rëndësishme është që këto ideale, u bënë motoja e punës së tyre që do të udhëhiqeshin në çdo hap,  jo vetëm nga mijëra e mijëra kuadro e drejtues ushtarakë të të gjitha niveleve në radhët e Ushtrisë, por, edhe do të përcilleshin nga njëri brez në tjetrin, për sot e për të ardhmen. Populli e në mënyrë të veçantë strukturat ushtarake, krenohen edhe sot, mbas kaq viteve, e do të krehohen edhe në të ardhmen me dramaturgë, publicistë, shkrimtarë, gazetarë, piktorë, studiues e kritikë të tillë si Bashkim Kozeli, Arben Duka, Kujtim Boriçi, Shpendi Topallaj, Halil Qëndro, Filip Rrumbullaku, Sazan Gjomema, Spiro Xhavara, Demir Rusi, Fluturak Gërmenji, Zenun Ferro, Halil Laze, Petraq Kote, Arben Bllaci, Fuat Çeliku, Demokrat  Anastasi, Mina Qirici, Shefqet Vangjeli, Apostol Duka, Thanas Tane, Pandeli Ristani,  Bibë Kaza, Agron Goga, Roland Qafoku, Apostol Duka, Fejzo Lala, Bashkim Alushi e dhjetra e qindra të tjerë... E meritojnë kuadrot ushtarakë që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle, mirënjohjen dhe respektin e shoqërisë, sepse, kështu u formuan qysh në vitet e adoleshencës. Ata, jo vetëm gjatë viteve të funksionimit të Shkollës, por, edhe më pas,   i qëndruan besnik Atdheut, jetëve njerëzore, nga bandat e banditët, pronës së përbashkët, pavarësisht që asgjë nuk morën me vehte nga  privatizimi  i saj. Kuadrot Ushtarake edhe në periudhën post-komuniste, e kanë treguar me vepra konkrete që ideali i tyre të spikati edhe në momentet dhe ngjarjet e dhimbshme që ka kaluar Atdheu, jo nga armiqtë e jashtëm, por, nga etja për pushtet brenda llojit siç ishin ngjarjet e fillimit të  ndërrimit të sistemit dhe më pas në revoltat dhe zëmërimin e madh popullor nga politika e mbrapshtë e politikanëve të të gjitha ngjyrave për futjen e përçarjes dhe urrejtjes midis Krahinave... Ishin ushtarakët ata që u rreshtuan të parët në mbrojtje të Atdheut, e të parët do të jenë edhe në të ardhmen, pavarësisht nga etiketimet si “shërbëtorë që i kanë shërbyer Regjimit të Diktaturës”! Merret me mend sa qëndrojnë këto kur bëhen nga “Atdhetarë” që Atdheun e duan vetëm për ta “mjelë”! Çdo kush sot, që kujton Komandantët, Komisarët, gjeneralë e ushtarakë madhorë, komandantë, specialistë, pilotë e detarë të shquar, ministra, profesorë e shkencetarë, deputetë e artistë të mëdhenj, sportistë e mjeshtra sporti, ambasadorë, poetë e shkrimtarë, gazetarë, biznesmenë, politikanë etj., ndjen një krenari të ligjshme për kontributin e tyre që na bëjnë të gjithëve krenarë, përpjekjet dhe djersën e derdhur që krahas të tjerave kanë edhe merita të padiskutueshmë që e kanë bërë aq të njohur Shqipërinë edhe në arenën ndërkombëtare. Autorëve   Kujtim Boriçi dhe Maksi Fejzulla,  i është dashur një punë e madhe voluminoze dhe sakrifica të shumta për të na sjellë të katar kolanat e Librave “Skënderbegasit ndër vite...”dhe e pesta që është në botim  të cilët me një përkushtim për t’u admiruar, na  kanë bërë bashkë të gjithëve ne, skënderbegasve, bashkë me të gjithë eprorët tanë e mësuesit e paharruar, na kanë bërë bashkë me shkrimtarët, poetë e gazetarë, piktorë e dramaturgë, regjisorë dhe aktorë të fushave të ndryshmë, në një trup të vetëm e në shërbim të një qëllimi të vetëm. Duke filluar nga viti 1960 rreth 60% e nevojave të ushtrisë për oficerë merreshin nga Shkolla “Skënderbej”. Në këtë rrugë të gjatë historike, që nga brezi i parë me pionierët e luftës, deri në vitin 1992 kur shkolla u mbyll, shumë skënderbegas kanë dhënë jetën në krye të detyrës dhe janë shpallur dëshmorë të atdheut si në aviacion, këmbësori, xhenio, artileri, etj. Me mijëra kanë dalë në pension dhe të tjerë vazhdojnë të shërbejnë në radhët e Forcave të Armatosura si drejtues e komandantë të të gjitha niveleve, deri në Shtabin e Përgjithshëm. Historia e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” është një fill i pashkëputur mësimi, edukimi e formimi atdhetar, kulturor dhe ushtarak. Aty u përvijuan mëse miri prirjet, pasionet dhe talentet, morën rrugë profesionet e ardhshme, u krijuan lidhje shoqërore e miqësore të sinqerta e të pandërprera ndër vite. Edhe sot e kësaj dite ne na lidh ajo vatër e ngrohtë dhe na mban të fortë e të rinj, si pjestarë të një familjeje të madhe e të pashoqe, çka e bën historinë e saj, një libër me të vërtetë mjaft të bukur e domethënës. Edhe artin e të drejtuarit Komandantët e Komisarët e Njisive, Reparteve e Nënreparteve të Ushtrisë, edhe punën krijuese dhjetra e qindra itelektualëve të artit e kulturës, edhe drejtuesit e sportistët e talentuar të të gjitha llojeve të sporteve, që janë me dhjetra e qindra të tillë, baza e suksesit të tyre,  ka qenë Shkolla Ushtarake Skënderbej. Por, jo vetëm kaq. Të gjithë këta, kanë meritën që Shqipërinë, e kanë bërë aq të njohur edhe në arenën Ndërkombëtare e njohur për talentet e rekordmenët e shumtë në të gjitha llojet e sporteve, dhe pjesmarrjen e tyre në Spartakiada të ndryshme, brenda e jashtë vendit. Gjatë shtatëdhjetë e tetë viteve të funksionimit të saj, Historia e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, është histori suksesi dhe Lavdie, dhe si e tillë, të suksesshëm e të lavdishëm i  bëri të gjitha kontigjentet e saj. Gjurmët e historisë së kësaj Shkolle të Lavdishme, jo vetëm nuk do të fshihen, por, do të përcillen nga njëri brez në tjetrin, në të ardhmen. Kemi të drejtë, të nderuar pjesmarrës, që edhe në këtë përvjetor e në përvjetorë të tjerë, ne dhe pasardhësit tanë të krenohen me këtë shkollë legjendë, me këtë model të një shkolle të vërtetë ushtarake që edhe brezat që do të vijnë, kanë shumë për të mësuar, kanë për të mësuar, sepse, skënderbegasit, ashtu si u betuan, para 78 vite, u qëndruan besnikë idealeve, i mbajtën ato në gji, dhe për këtë, edhe brezat e ardhshëm, kanë ç’të mësojnë nga kjo Shkollë Heroinë... Lavdia do ta mbulojë emrin dhe veprën e kësaj Shkolle. Lavdi të përjetshme Shkollës Ushtarake “Skënderbej”!

SOT

SHËNIM I REDAKSISË artEX:

Duke qenë pjesë shpirtërore e idealit shqiptar të kësaj shkolle tonë ushtarake, edhe ne enveristët shqiptarë në trojet e pushtuara, e kemi ndjerë dhe e ndjejmë veten pjesë e idealeve të saj kombëtare, pasardhëse e të cilave ideale shqiptare është, padyshim,  USH, e, që djallëzorët “shqiptarë” e emërtuan UÇK dhe shkelën Betimin e Saj shqiptar.

Lavdi shkollës Ushtarake “Skënderbej”!   /   artEX

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode