SHËNIM: PSE ULËRASIN ULËRITËSIT PROFESIONISTË ?

21/09/2022 06:00

OPINION

 

SHËNIM: PSE ULËRASIN ULËRITËSIT PROFESIONISTË?

 

Nga Edona LLUKAÇAJ

 

Situata e rënduar ekonomike në Shqipëri nuk është diçka që mund të fshihet me shoshën kryeministrore, duke thënë, ta zemë, se dhomat tregtare përkatëse nuk po vlerësojnë arritjet e qeverisë. Në të vërtetë, edhe nëse ka ndonjë arritje së fundmi në këtë aspekt, jehona e saj shurdhohet nga bum-i në çmimet e gjithçkaje dhe çdo gjëje.

Vështirësisë për ta përballuar këtë situatë me dinjitet nuk duhet t’i shtohet edhe qasja acaruese e pushtetarëve tanë. Tek e fundit po paguajmë pa bërë zë kusuret e paaftësisë së tyre për ndërmarrje lehtësuese. Duhet të dëgjojmë edhe udhëzimet e rastit, që janë minimalisht fyese ndaj inteligjencës mesatare të popullatës?

– Kur lufta në Ukrainë ende konsiderohej si një konflikt që do zgjaste pak ditë a javë dhe çmimet e naftës u ngritën befshëm, si zgjidhje, na u këshillua që të mos shkonim të blenim cigare me makinë dhe që të përdornim biçikletën.

Krijimi i mëvonshëm i një bordi, që nuk merret vesh se çfarë bën, nuk solli ndonjë lehtësim të prekshëm. Ndonëse çmimi i naftës në bursë krahasimisht ka rënë, litri i karburantit, në vend, nuk ka parë një zbritje të mirëfilltë.  Si duket, ky bord e paska pjesë të strategjisë transparente të mblidhet vetëm kur shigjeta e çmimit të fuçisë në bursë tregon lart.

E ndërsa shtohen zërat, se nafta në dimër do kapë shifrën e 300 lekëve për litër, shtohet edhe harbutëria e pronarëve dhe punonjësve në linjat urbane dhe ndërqytetase. Çdo lloj mungese dhe shkeljeje si dhe trajtimi i udhëtarëve si qytetarë të dorës së dytë, si duket, justifikohet me çmimin e parritur të biletës.

– Ndryshimi në faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në tetor, pra përllogaritja me çmim tregu i çdo kilovati mbi 800 kwh në muaj me ardhjen e vjeshtës e ftohjen e motit, u miratua javën e shkuar. Publikimi shoqërohej edhe me një tabelë, që në mënyrë të detajuar na orientonte se kur duhej të laheshim, sa shpesh të lanim rrobat e enët, kur të pastronim shtëpinë dhe me çfarë të gatuanim.

Pra, plani i masave që shqiptarët duhet të ndjekin për energjinë ishte bazuar në idenë: mbaje me të mira se ngel dhe pa të. Alternativa largpamëse “me laps në dorë” përballë krizës ishte nxitja e shqiptarëve të përdornin energji diellore. Ndonëse një mundësi e mirë për t’iu drejtuar energjisë së lirë e me pak ndotje, momenti kur ideja hidhet e nisma premtohet të mbështet nga shteti përkon me stinën e ftohtë, çka u duk si një ftesë shqiptarëve për tu ngrohur në diell dimri.

– Paketa e ndihmës për shtresat në nevojë nuk mungoi as kësaj here. Por, fakti se çdo disa muaj është e domosdoshme të miratohet një e tillë dhe rinovimi i saj me një tjetër emër kur paraprijëses i përfundon afati të bën të mendosh se, si ngahera, paketat janë veçse një mënyrë për t’i dhënë një kockë mbijetese mjerimit dhe për t’ia kujtuar periodikisht votuesit të dobët se kush ia ka jetën në dorë.

Ata që kjo shtrenjtësi i prek dhe i vjen e tepërt, po cilësohen me përçmim si “ulëritës profesionistë”. Në fakt, të tillë janë bërë se këtë vit do çojnë fëmijët në shkollë pa ia plotësuar si duhet kërkesat prej çmimive ulëritëse. Ulërasin se nuk ia dalin dot. Ulërasin se, në pak ditë, e dinë që pushtetarët punëshumë do bëhen edhe dietologë e do japin mësime krize duke u treguar sa feta bukë të hanë, si ta presin djathin hollë e sa lugë vaj t’i hedhin gjellës. Ulërasin sepse pabarazia thellohet stafetë nga qeverisja në qeverisje, dhe skamja po e bën të përpëlitet një popull të tërë.

Ulërasin sepse ulëritës është realiteti shqiptar!

 

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode