SHËNIM: BIG BROTHER DHE POLITIKA NË SHQIPËRI, TË BËRIT PAK OSE ASGJË, SI POPULLARITET DHE BIZNES FITIMPRURËS

23/02/2022 06:03

OPINION

 

 

SHËNIM: BIG BROTHER DHE POLITIKA NË SHQIPËRI, TË BËRIT PAK OSE ASGJË, SI POPULLARITET DHE BIZNES FITIMPRURËS

 

Nga Edona LLUKAÇAJ

 

Nuk duhen të jenë fort të paktë shqiptarët që ndihen disi të lehtësuar që sezoni i parë i BBVIP mbaroi dhe urojnë që formate të tilla të mos kenë sezone vijuese, ndonëse gjasat janë të pakta. BBVIP dhe simotrat e tij me bashkërenditje “reality-sh” dhe “show-sh”, janë të preferuara nga publiku i gjerë në mbarë botën dhe si të tilla “të shitshme”, paçka se me vlerë të diskutueshme.

Se pse programe të tilla, kanë shikueshmëri kaq të lartë është pyetje që i përket sociologëve specialistë t’i përgjigjen. Por, në një tjetër rrafsh diskutimi, lloji i spektaklit që ky programi “me yje” ofron është fort i ngjashëm me spektaklin po aq acarues që ofrojnë politikanët tanë.

Si në formatin e importuar, edhe në mesin e politikanëve tanë nuk janë të pakta pranitë rastësore të vipave të vetëshpallur. Pa ndonjë talent apo meritë të spikatur, që do ia justifonte pompozitetin, ata i qepen formateve fitimprurëse – të spektaklit apo të politikës – dhe shikuesit e gjorë mësohen me emrat e pamjen e tyre që iu serviret pareshtur, a thua se kanë çfarë ofrojnë.

Në të shumtën e rasteve, janë njëlloj fjalamanë. Krijojnë situata shterpe pafund për të hequr vëmendjen nga pamjaftueshmëria e vet. Por është mirë të mbahet vesh kur flasin për kundërshtarët, shpesh aleatë të vjetër në ‘lojë’. Atëherë, ia nxjerrin të palarat njëri-tjetrit, mësohet llumi dhe zullumi.

Sa shqiptarë kanë ngelë pa gjumë për të parë se në shtratin e kujt do përfundonte ndonjë prej vipave te BB atë, aq po vrasin kohën për të llogaritur shanset e këtij apo atij kandidati të “shtëpisë” apo të “logos” për t’u ulur për një vit në kolltukun e kreut në gjashtë bashki.

Si vipat e BB, kandidatët dhe liderët e tyre bëjnë fushata me fjalë zemre dhe dedikime dashnie. Të lira, se në çvlerësimin e çdo ndjenje e ideali duhet pranuar se janë mjeshtra. Si në BB, edhe në politikë nominohen disa nga bashkëpunëtorët e vjetër për tu larguar përfundimisht nga formati.

Ndokush fillon të mendojë se, këtë herë, shqiptarët do shpëtojnë nga ndonjë prej imazheve të njollosura. Ka të ikur, sigurisht, por liderët e ‘lojës’ nuk ka gjë që i lëviz. Disa, madje, rikthehen furishëm. Të duket se “vëllai i madh” janë ata.

Edhe gjuha e përdorur në dy “lojrat popullore” po njësoj është. Konfliktet shoqërohen me ofendime me spektër të gjerë, ku gjuha seksiste ndaj grave të përfshira nuk zë vend të papërfillshëm. Por problemi nuk qëndron vetëm te mendësia e tipave që përdorin etiketime degraduese. Edhe feministet pedante nuk shqetësohen aq, kur termi “çupëlina” përdoret për të fyer gratë e tjera.

Çmimi në lojë është i madh dhe, haptazi, kërkon kompromise, dhe dy-tre sharje gëlltiten e mbrohen për hir të kahut. Sepse, si BBVIP, edhe politika në Shqipëri jep shumë. Përveç popullaritetit, të bërit pak ose asgjë në këto formate është biznes shumë fitimprurës.

Por ndryshe nga programi televiziv, përfitimet në politkë janë të fshehura mirë, edhe pse ekziston dyshimi se 100.000 eurot për 100 e ca ditë që ii dhanë fituesit të BBVIP, do ekplipsoheshin nga çfarë mund të jenë fitimet ditore të padeklaruar të politikanëve që kapin majën.

Por, në fund të fundit, BB dhe formatet e ngjashme janë disi të evitueshme. Edhe mund të injorohen. Pas pak javësh vipat e tyre do harrohen dhe do zëvendësohen me të tjerë. Ndërsa politikanët e majës i kemi aty prej dekadash. Të painjorueshëm dhe të paevitueshëm prej pushtetit që kanë.

Nga frika, të palargueshëm dhe të pazëvendësueshëm prej “shtëpisë më të famshme në Shqipëri”.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a website for freeWebnode