RUSIA DHE NDARJA E KOSOVËS (1 dhe 2)

06/02/2019 07:33

OPINION

 

 

RUSIA DHE NDARJA E KOSOVËS (1)

Shaqir VUKAJ

 

 

Në fund të muajit maj  të vitit të kaluar, pa filluar zhurma për mundësinë e ndarjes së Kosovës, Ambasadori i  Federatës Ruse në Beograd, A.Cepurin, duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me  deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, I. Dacic për ndarjen e Kosovës, si kalimthi, midis rreshtash i “shpëtoi” e tha se “Rusia nuk do të ishte kundër ndarjes së Kosovës, në qoftë se kjo do të kënaqte Serbinë”.

Kjo thënie, ato ditë kaloi pa ndonjë jehonë, pavarësisht se nuk dilte qartë në se kjo ishte pikëpamja e tij, apo e Kremlinit, por sidoqoftë këtë deklaratë e bënte përfaqësuesi i Rusisë…

Mbas pak kohësh, kur presidentët e Serbisë dhe Kosovës filluan të flasin për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes pajtuese midis dy vendeve dhe, si nën zë shpreheshin për mundësinë e ndarjes së Kosovës, pavarësisht se jo qartë, e secili sipas mënyrës së vet, herë “shkëmbim territoresh”, herë “korrigjim kufijsh”, herë “kufizim midis serbëve dhe shqiptarëve”, herë “vetëm  marrje territoresh nga pala tjetër” etj. disa analistë në Serbi dhe Rusi (edhe më gjerë) ju kthyen dhe e morën seriozisht deklaratën e majit të ambasadorit rus në Beograd.

Problemi i ndarjes së Kosovës është i vjetër, madje tepër i vjetër. Kosovën e kanë ndarë e copëtuar shumë herë, pavarësisht se disa analistë e historianë thonë e shkruajnë se autori i ndarjes së Kosovës është “babai i kombit”, akademiku serb, Dobrica Cosic, president i Jugosllavisë në vitet 1992-1993.

Kosovën e kanë ndarë që në kohën e Perandorisë Osmane, në fund të shekullit XIX, kur një pjesë  të saj e pushtoi Serbia. Kujtoni krimet, masakrat e shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga tokat e tyre nga Nishi, Kurshumlija, Piroti etj. E copëtoi Rusia me traktatin e Shën Stefanit e më vonë bashkë me Europën në Kongresin e Berlinit e ndanë Kosovën dhe që atëherë vendosën që një pjesë të saj të ja japin Serbisë dhe Malit të Zi, për të vazhduar me Konferencën  e Londrës kur ja dhanë pothuajse krejt Kosovën (vetëm Malësia e Gjakovës, Tropoja u përfshi brenda kufijve të Shqipërisë).

Gjatë pushtimit jugosllav, midis Luftërave Botërore, Beogradi e ka shkapërdarë Kosovën, si ka dashur, e sa herë ja ka lypë interesi, sa në një banovinë në tjetrën. Gjatë Luftës dytë Botërore, mbas pushtimit të Jugosllavisë,  Kosovën e ndanë si deshën pushtuesit, një pjesë e bashkuan me Shqipërinë, në kuadrin e Shqipërisë etnike. një pjesë ja dhanë Bullgarisë etj. Por Mitrovicën me gjithë  zonën përreth, me pasuritë e mëdha nëntokësore, nazistët e mbajtën për vete…..megjithëse e konsideronin tokë shqiptare.

Mbas Luftës dytë Botërore, Beogradi  i ndau tokat shqiptare dhe shqiptarët si deshi, ndërmjet tri republikave, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, pavarësisht  vazhdimësisë gjeografiko- etnike. Më vonë e ndau përsëri Kosovën, duke i hequr rreth 1100 km katrorë dhe duke ja kaluar Serbisë (Preshevën, Medvegjën, Bujanovcin) e për” “kompensim” duke i bashkuar tri komuna me shumicë popullsi serbe (Zubin Patokun, Zvecanin dhe Leposaviqin, me sipërfaqe pak më shumë se 1000 km. katrorë), që në fakt kishte si qëllim të ndryshonte përbërjen etnike të Kosovës. Por po të gërmosh thellë në histori edhe këto toka dikur kanë qenë të banuara në shumicë nga shqiptarë….

Kur u pa se Jugosllavisë po i vinte fundi, në kuadrin e shpërbërjes  së saj, serbët ju vunë me zell punës për ndarjen e Kosovës. Në Beograd e në disa qendra politikbërse ndërkombëtare bëheshin lloj lloj projektesh e variantesh për mënyrat e ndarjes së saj. Për këtë u angazhuan, krahas tjerëve shumë politikanë të lartë serbë (ish presidenti i Jugosllavisë Cosic, ish kryeministri i Serbisë, Koshtunica, akademiku A.Despic, ish presidenti Tadic, ish zv/kryeministri i LLabus, ish kryeministri Xhinxhic etj. etj.)  kisha Ortodokse Serbe, të huaj (italianët propozuan disa herë mënyrën e ndarjes), personalitete të larta të politikës europiane e botërore etj. ministra e kryeministra,  ndër të cilët Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Pan Gi Mun, Lordi Ouen (përfaqësuesi i BE për Ballkanin në vitet 1992-1995, ish kryeministri i Rusisë Primakov, ambasadori amerikan në Beograd U.Cimerman etj.

Ndaj këtyre propozimeve reaguan edhe shqiptarë të Kosovës, ndërmjet të cilëve lideri i atëhershëm i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai u deklarua mbi mundësinë ndarjes së Kosovës, por hodhi poshtë variantet e propozuara nga serbët, mbasi siç shprehej ai, “jashtë Kosove mbeten 1 milion shqiptarë”. Rugova insistonte që, në rast ndarje, serbët mund të llogarisin të marrin komunën e krijuar rishtazi  të Zubin Potokut si dhe disa zona të tjera në veri të Kosovës, të përfshira brenda Kosovës, mbas Luftës Dytë Botërore dhe konkretisht Leposaviqin, Lesakun, Banskan, por me kusht që brenda Kosovës të përfshihen krahinat me shumicë shqiptare që ndodhen brenda Serbisë e konkretisht Presheva, Bujanovci e Medvegja. Por Rugova insistonte fort që brenda Kosovës të mbetej pa tjetër pjesa veriore  e Mitrovicës.

Sigurisht që Moska do të jepte “kontributin” e vet, madje politikanët rusë do të angazhoheshin fort e do të hidhnin edhe ata idetë e projektet e tyre për ndarjen e Kosovës.

Në prag të konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë dhe  gjatë kohës së sulmeve ajrore të NATO-s në Jugosllavi, Moska zyrtare i qëndronte fort idesë se “Kosova është pjesë e Jugosllavisë ose më saktë e Serbisë’, sepse, siç shpreheshin shumë politikanë, historianë, ushtarakë rusë etj. ajo “historikisht ka qenë serbe”, madje “tokë e shenjtë serbe”, “djepi i serbizimit”, “si Jerusalemi për hebrenjtë”, se “shqiptarët janë të ardhur vonë në Kosovë” etj. Në shumë shkrime e analiza, deklarata, botime e libra të asaj kohe arrihej  në absurditete të tilla, madje edhe nga njerëz me shumë peshë në politikën, kulturën  e shkencën ruse, që shkruanin “se shqiptarët janë të ardhur vonë në Kosovë, të sjellë aty nga Turqia” madje “të ardhur gjatë Luftës Dytë Botërore ose të sjellë aty nga Tito, mbas Luftës Dytë Botërore”. Ish kryeministri i Bashkimit Sovjetik, Rizhkov, shkruante: “Shpërngulja e madhe e shqiptarëve në Kosovën fqinje ka filluar në vitet 40-të dhe është intensifikuar shumë në vitet 60-70-të”, ndërsa  kryetari i Bashkisë së Moskës, kandidat për president i Rusisë, Lluzhkov shkruante: “Krahina e Kosovës nuk i ka takuar asnjëherë shqiptarëve. Ata i solli aty Tito në kuadrin e planit të tij për krijimin e Federatës Ballkanike”. Shkrimtari i njohur Sollzhenjicin shkruante “Banda titiste krijoi kufij fals, duke shpërngulur serbët nga Fushë Kosova, vendi historik i banimit të serbëve dhe duke e populluar me shqiptarë”, ndërsa  Profesorët V.A. Lisickin e L.A.Shelepin, arrinin deri aty sa shkruanin “Në vitet 90-të në Kosovë u vendosën 300 mijë ilegalë nga Shqipëria”.

Udhëheqësit e Rusisë së asaj kohe deklaronin në mënyrë kategorike se, sido që të vijë puna, ajo kurrë nuk do ta njihte Kosovën si shtet i pavarur. Por pavarësisht nga çfarë thuhej, edhe në Moskë, herë pas here hidhej ideja e ndarjes së Kosovës. Për këtë filluan të flisnin edhe zyrtarë të lartë rusë, pa fol për analistë, gazetarë e njerëz të shkencës.  Kështu, bashkëpunëtori i Akademisë së Shërbimeve Shtetërore pranë presidentit Jelcin, I. Moskovski, doli haptazi (në dukje në kundërshtim me politikën zyrtare ruse) në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por me kusht “që një pjesë e territorit të Kosovës ti jepet Serbisë”. Gjatë një bisede që kam pasur në shtatorin e v.1998 me N/kryetarin e Dumës Shtetërore Baburin  (ndër politikanët dhe specialistët më aktiv në atë kohë për çështjet e Ballkanit) insistonte se “herët a vonë, Kosova do të shkëputet nga Serbia, por një pjesë e saj do ti mbetet Serbisë”.

Më vonë, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Moskë hidheshin lloj lloj idesh, projektesh e variantesh për të ardhmen e Kosovës, ku binin në sy ato mbi “Federalizimin”,“Palestinizimin”, “Tajvanizimin”, “Qiproizimin” etj, që në fund të fundit, të gjitha ishin variante e rrugë që çonin në ndarjen e Kosovës. Madje “Palestinizimi” i Kosovës u bë temë e preferuar edhe për udhëheqësit kryesorë të Rusisë, përfshij presidentin Putin, të cilët kërcënonin se “në rast pavarësie të Kosovës, jo vetëm do të kemi ndarje të saj, por konflikti do të jetë i gjatë”…

Duke kujtuar ngjarjet e atyre viteve, bazuar dhe në materialet e asaj kohe, në qarqet zyrtare dhe në trupin diplomatik të Moskës ishte përhapur mendimi se, sido që të vinte puna, sado vonë, varianti i fundit ishte ndarja e Kosovës dhe për këtë do të binin dakord Moska dhe Perëndimi. Atëherë thuhej se ky variant ishte diskutuar në qarqet e larta politike europiane e amerikane. Thuhej se ky problem ishte diskutuar edhe midis ministrit të Jashtëm të Rusisë, Ivanov dhe Milloshevicit. Madje variantet ishin hedhur edhe në hartat përkatëse. Por thuhej se e gjitha kjo do të bëhej mbas shumë vitesh…

Materiale e kujtime të botuara vitet e fundit nga aktorë të rëndësishëm të politikës ruse të asaj kohe hedhin dritë për të kuptuar më mirë zhvillimet dhe qëndrimet e sotme të Rusisë dhe jo vetëm  ndaj problemit të ndarjes së Kosovës. Madje lënë të kuptohet se shumë plane e skema, janë lënë të hapura për tu zbatuar qoftë edhe mbas disa dekadash…

Mbas përfundimit të bombardimeve, kur  ushtria serbe  po tërhiqej nga Kosova, dhe kur bisedohej për nënshkrimin e marrëveshjes midis NATO-s – ShBA e Rusisë, midis palëve nuk gjendej gjuha e përbashkët. Rusia kërkonte me insistim dhe vinte si kusht  pjesëmarrjen me trupa paqeruajtëse vetëm me dhënien rusëve të një zonë apo sektori të veçantë në veri të Kosovës, “ku serbët janë në shumicë”. Presidenti i ardhshëm i Rusisë, Vladimir Putin,  në atë kohë shprehej se “Ne duhet të kemi zonën tonë. Aty do të jenë të pranishëm rusët, sepse serbët kanë besim vetëm tek rusët”.

Vetëm insistimi i Rusisë për zonë apo sektor të veçantë shtyu për disa ditë nënshkrimin e marrëveshjes ushtarake. Por pavarësisht nga insistimi i Moskës, sipas marrëveshjes, Rusisë nuk iu dha zonë apo sektor i veçantë (paqeruajtësit rusë u dislokuan brenda sektorëve të ShBA, Gjermanisë dhe Francës) si dhe iu kufizua numri i trupave paqeruajtëse në 3600 vetë nga 10000 vetë që kërkonte ajo.

Aksioni i ndërmarrë nga rusët dhe pushtimi i aeroportit të Prishtinës, ende pa u futur trupat ndërkombëtare në Kosovë, edhe sot mbas 20 vitesh, nga disa politikanë e analistë  shihet si përpjekje e Moskës pikërisht për të bërë të mundur ndarjen e Kosovës.

Por ajo që thuhej midis rreshtave apo nuk thuhej e ruhej fort kasafortave të përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha për ndarjen e Kosovës, u vu në jetë menjëherë sapo trupat ndërkombëtare u futën në Kosovë e konkretisht në pjesën veriore të Mitrovicës. Me vendosjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (franceze) në urën e Ibrit, duke mos lejuar UCK-në të kalonte matanë urës, faktikisht ata ndanë jo vetëm qytetin e Mitrovicës që historikisht, që kur ishte krijuar ka qenë një qytet unik, por ata ndanë edhe Kosovën. Veriu i Kosovës de facto mbeti jashtë Kosovës, situatë që vazhdon edhe sot e kësaj dite… megjithëse de jure është brenda kufijve të saj.

Pikërisht në këtë kohë lindi dhe filloi të përdorej një term i ri administrativo-politik,Veriu i Kosovës, term që nuk ishte përdorur kurrë më përpara. Por duhet vënë në dukje se pikërisht në këto rajone, ndodhen pasuritë më të mëdha të Kosovës, një pjesë e mirë e Trepçës (që kanë filluar ta quajnë “Trepça e pjesës serbe”…) si dhe një  pjesë e  liqenit të Ujmanit.

Dua të përmend një fakt interesant. Sipas ndonjë burimi nga Moska, sikur Perëndimi të ishte dakord  që Veriu i Kosovës ti mbetej Serbisë, lufta mund të shmangej, sepse Milloshevici nuk do të kundërshtonte dhe mund të gjendej një zgjidhje paqësore…

Moska nuk e mbështeti zyrtarisht ndarjen e Kosovës tek ura e Ibrit, por as nuk u shpreh kundër, siç bënte në atë kohë për çdo veprim që bënin ndërkombëtarët në favor të shqiptarëve apo vetë shqiptarët, e që për Moskën ishte në “dëm” të Serbisë. Me një fjalë, për Moskën ky ishte një variant rezervë për të ardhmen, sepse, sido që të vinte puna, kjo do të ishte në favor të Serbisë. (Në ndonjë rast është hedhur ideja se për këtë ka pasur një marrëveshje të heshtur midis Moskës dhe Perëndimit). Tërheqë vëmendjen fakti se në disa medie ruse filluan ta quanin Mitrovicën kryeqendra e Veriut të Kosovës.

Pikërisht në këtë kohë, kur Prishtina nuk mund të ushtronte asnjë lloj pushteti në Veriun e Kosovës, njëlloj si në kohët më të egra të pushtimit serb, aty vazhdonte ndjekja e persekutimi i shqiptarëve, me qëllim zhbimjen e tyre nga këto rajone. Duket e pa besueshme sot që, në shkurt të vitit 2000, në prani të forcave të KFOR-it, vetëm nga Mitrovica e Veriut janë dëbuar 1564 familje shqiptare me11364 anëtarë…

Me kalimin e viteve, duke parë se Kosova po shkonte drejt pavarësisë, politikanë serbë, gjithnjë e më shumë flisnin për ndarjen e Kosovës. Madje në shumë raste ata i diskutonin këto variante me politikanë të lartë rusë. Në këtë kuadër do të përmendë takimin e presidentit serb Tadic në Moskë me presidentin rus, Putin, në vitin 2006 ku ai i parashtroi atij ndarjen e Kosovës si një ndër rrugët më të mundshme për zgjidhjen e problemit nëpërmjet “formimit të dy etniteteve”.

Në periudhën kur Kosova ecte drejt shpalljes së pavarësisë, e veçanërisht mbas shpalljes së pavarësisë, në Moskë filluan të shtohen zërat në mbështetje të propozimeve që vinin nga Beogradi e ndonjëherë  edhe nga ndonjë kryeqytet europian  për ndarjen e Kosovës, si e vetmja rrugë për  “të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet”. Madje edhe personalitete të fushave të ndryshme, politikanë, historianë, ushtarakë etj. që kishin qenë kundërshtarë të ashpër dhe ishin shprehur publikisht kundër ndarjes, filluan ti qasen kësaj teme dhe të ndryshojnë qëndrim. Pa u zgjatur me shumë shembuj do të përmend qëndrimin e ish kryeministrit të Rusisë, Evgeni Primakov (një ndër personalitetet më të fuqishme dhe autoritare të Rusisë të periudhës post sovjetike: Kryetar i Akademisë së Shkencave, shef i Zbulimit të Jashtëm, ministër i Jashtëm,  Kryeministër) i njohur për qëndrimet e tij proserbe. Ai, nga një kundërshtar i ashpër i ndarjes së Kosovës, gradualisht filloi të ndryshonte qëndrim dhe në vitin 2011 të deklaronte se “rruga e vetme” për zgjidhjen e problemit të Kosovës është ndarja e saj, madje disa herë, nëpërmjet intervistave e shkrimeve ai përpiqej të bindte opinionin rus e më gjerë  “për domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës”.

Nuk duket rastësi që pikërisht në këtë periudhë Ivica Dacic deklaronte se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit të Kosovës është ndarja e Kosovës në pjesën serbe dhe shqiptare.

Në raste të veçanta, për ndarjen e Kosovës  shpreheshin edhe përfaqësues zyrtarë  të Moskës, siç ishte rasti i Aleksandër Borcan-Harcenko, funksionar i lartë i MP Jashtme ruse, një kohë përfaqësues i Rusisë për problemin e Kosovës….

Megjithëse Moska zyrtare vazhdonte të mbante qëndrim mohues ndaj pavarësisë së Kosovës si dhe për çdo problem që lidhej me të, me kalimin viteve ajo filloi të shprehej publikisht se do të ishte dakord me çdo variant apo qëndrim që do të ishte i pranueshëm për Beogradin. Me këtë gjuhë flisnin të gjithë deri tek Presidenti Putin që ka folur për Kosovën me dhjetëra e dhjetëra herë.

Më 18 gusht 2017, ministri i Jashtëm i Serbisë I.Dacic, duke folur për vendosjen e kufijve midis serbëve dhe shqiptarëve ka thënë “Për sa i takon mbështetjes së propozimit tim nga ana e fuqive të mëdha, për të gjithë është e qartë se situata është e rëndë, por unë do ju shpjegoj Ju fjalët e Presidentit të Rusisë, V. Putin, se për Moskën është e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë. Prandaj kur ne deklarojmë se fjala është për qëndrimin zyrtar të Serbisë, Rusia na mbështet ne, ashtu si dhe shumë shtete të tjera”.

Megjithëse ai foli për një problem madhor si ishte ndarja e Kosovës, Moska nuk u ndje ndaj kësaj deklarate, nuk e mbështeti, por as nuk e kundërshtoi…

 

 

RUSIA DHE NDARJA E KOSOVËS (2)

 

Në prag të takimit Tramp-Putin që u zhvillua në Helsinki, në Moskë u dëgjua ndonjë zë se ata do të diskutonin edhe problemin Kosovës. Menjëherë mbas takimit, duke u mbështetur në një shkrim të një  gazete kosovare (por edhe në ndonjë burim tjetër) në të gjitha mediet ruse u publikua lajmi sensacional se ata kanë rënë dakord që Kosova të ndahet, por Ministria e Jashtme e Rusisë reagoi menjëherë dhe e hodhi poshtë këtë njoftim si të pa vërtetë.

Në muajin korrik dy presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Vucic dhe Thaçi, pothuajse në të  njëjtën kohë bënë deklaratat e tyre për këtë problem, pavarësisht se jo të qarta për publikun, por që gjithsesi   nënkuptonin vendosjen e kufijve të rinj midis Serbisë dhe Kosovës.

Menjëherë pasuan deklaratat për qëndrimet e ShBA, BE dhe disa vendeve tjera, që kishin ndryshuar qëndrim. Kështu, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i ShBA, Xh. Bollton deklaroi se “ata nuk janë kundër idesë së ndarjes, në qoftë se Beogradi dhe Prishtina bien dakord” dhe më 14 dhjetor presidenti Tramp nëpërmjet letrës që i dërgoi presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, mbasi u bënte thirrje për përfundimin e marrëveshjes, i ftonte ta nënshkruanin në Shtëpinë e Bardhë. Shefja e politikës së jashtme të BE, Mogerini deklaroi se “përkrahte idenë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës”. Po ashtu presidenti i Francës Makron e përkrahu këtë ide.

Ndërkohë Rusia nuk shprehej qartë. Pritej qëndrimi i Rusisë, por ajo tregohej e matur. Siç thamë më sipër, ambasadori rus në Beograd kishte bërë një deklaratë ku mbështeste ndarjen. Në fillim të gushtit shkoi në Beograd, shefja e Departamentit të Informacionit dhe Shtypit në MPJashtme ruse, M.Zaharova, zëdhënësja zyrtare e politikës jashtme ruse. Pritej që ajo të shprehej qartë për qëndrimin  e Rusisë, por ajo me shumë diplomaci u shpreh se “Rusia sillet me respekt ndaj veprimeve të Serbisë” dhe “Problemi i Kosovës është bërë ndërkombëtar dhe nuk i përket vetëm Serbisë”

Më 21 gusht, ministri i jashtëm rus Llavrov deklaroi se “Rusia është për realizimin e plotë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Mbështesim ato veprime që ndërmerr Beogradi me qëllim që të arrihet realizimi i këtij dokumenti të rëndësishëm ndërkombëtar”. Tepër interesante kjo deklaratë, ku ai linte të kuptohej se kjo marrëveshje duhet të arrihet vetëm me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, detyrimisht edhe të Rusisë ( që Beogradi e kërkon me ngulm, madje vë kusht se, në rast pjesëmarrje të ShBA duhet të marrë pjesë edhe Rusia). Dhe kjo deklaratë mbas takimit Tramp-Putin…..

Jo radhë, në praktikën ndërkombëtare, rezolutat e KS të OKB-së janë “kuptuar” e interpretuar sipas interesit të njërës apo tjetrës palë.

Gjithë këto vite, përfaqësuesit zyrtarë të Moskës, që nga presidenti Putin, për çdo rast i janë referuar Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, duke e përdorur si “argument”, që, sipas tyre, ajo është çelësi për të kundërshtuar pavarësinë e çdo iniciativë në të mirë të Kosovës.

Për kujtesë, kjo rezolutë është aprovuar në qershor të v.1999. Ndërmjet tjerave ajo sanksiononte tërësinë territoriale të RF Jugosllavisë (me shpalljen e pavarësisë të Malit të Zi, Jugosllavia nuk ekziston më si shtet) dhe autonomi vetëqeverisëse për Kosovën (që nga viti 2008 ajo është shtet i pavarur i sanksionuar ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare dhe njohur nga afro 120 shtete, përfshijë ShBA, Gjermaninë, Francën, Anglinë, Italinë etj.) që do të thotë se kjo rezolutë praktikisht nuk ka më asnjë vlerë dhe asnjë përfaqësues i Perëndimit as nuk e përmendë më…..

Për kujtesë lexuesit, në vitin 1998, janë aprovuar dy rezoluta nga KS i OKB-së për Kosovën, e para, Nr.1190, më 23 shtator dhe e dyta, Nr.1203, më 24 tetor.

Sipas rezolutës së parë, në qoftë se RF Jugosllave nuk merr masa për zbatimin e saj, “do të merren hapa të mëtejshëm dhe masa plotësuese për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”. Në rezolutën e dytë flitej për përgjegjësinë e NATO-s për kontrollin e zbatimit nga RFJugosllave dhe palët e tjera të parimeve të Rezolutës Nr.1199. Kur NATO filloi bombardimet kundër Jugosllavisë, Moska zyrtare bërtiste e kundërshtonte me të madhe se u shkelën rezolutat e KS të OKB-së për Kosovën. Mirëpo, siç rezultoi më vonë, NATO mbështetej pikërisht në këto dy rezoluta dhe i argumentoi bombardimet në interpretimin e tyre por Moska i kuptoi me vonesë “hilet” që fshihnin në të vërtetët këto dy rezoluta.

Në kujtimet e tij, Cernomerdini ( ish kryeministër i Rusisë) që gjatë krizës Kosovës, u caktua nga presidenti Jelcin, si përfaqësues personal i tij për zgjidhjen e krizës (bashkë me presidentin e Finlandës Ahtisari dhe përfaqësuesin e presidentit Klinton, Telbot, përbënin treshen e ngarkuar për zgjidhjen e problemit)  në kujtimet e tij shkruan për rezolutat e përmendura dhe pohon se NATO kishte të drejtë dhe vazhdon: “Në Gjermani unë u ndesha me një problem të cilin më parë nuk e kisha vlerësuar. Duke dashur të kundërshtoja veprimet e tyre në Jugosllavi, ata mu përgjigjen se veprimet e Gjermanisë dhe NATO-s janë realizimi praktik i rezolutave të KS të OKB-së”. Dhe siç shpjegon ai më poshtë, ata e kishin  bindur, se jo vetëm nuk ishte shkelur asnjë rezolutë, por të gjitha veprimet e tyre ishin realizimi në praktikë i këtyre rezolutave. Dhe duke dashur të kritikonte të vetët (Ministrinë e Jashtme etj.) që i kishin firmosur, u kujtonte atyre se “Duhet thënë se juristët me përvojë perëndimorë kishin punuar me skrupulozitet në mënyrë të tillë që të justifikojnë veprime e tyre, duke u mbështetur në dokumente ndërkombëtare”.

Më 18 gusht,  mbasi problemi i ndarjes së Kosovës ishte bërë problem i ditës, ministri i Jashtëm i Serbisë, I.Dacic ( (“njeri i Kremlinit”- siç e quajnë disa analistë e politikanë), duke folur për marrëveshjen me Kosovën, ka deklaruar “Ne dëshirojmë dhe do të jemi në kontakt me Federatën Ruse, me presidentin V.Putin, me ministrin S,Llavrov sepse ne llogarisim se, pa mbështetjen e Rusisë nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje”.

Presidenti rus V.Putin që nga viti 1999, ende pa u bërë president, e më vonë, gjithë këto vite i ka kushtuar vëmendje të posaçme Kosovës dhe ka folur publikisht me dhjetëra e dhjetëra herë për problemet që lidhen me të. Çfarë nuk ka thënë kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Kujtojmë  deklaratat e fundit kërcënuese kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës e deri tek vendosja e tarifave për mallrat e Serbisë. Por jo radhë ai e përdorte “precedentin Kosovë” për qëllimet e veta, (duke u përpjekur të justifikonte aneksimin e Krimesë, ai e krahasonte me rastin e Kosovës) apo për të justifikuar veprimet e disa të ashtuquajturve shtete të vetëshpallur në hapësirat post sovjetike. Por ai asnjëherë nuk është prononcuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës. Në këtë pikë ai është treguar i rezervuar, dhe është mjaftuar me formulën “mbështesim çdo zgjidhje që kënaqë Beogradin”.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, kur Beogradi artificialisht ashpërsoi krizën me Kosovën, nën pretekstin e vizitës së Thaçit në ujëmbledhësin e Ujmarit, Vucici shpejtoi, dhe krahas vënies në gatishmëri të ushtrisë, shkoi në Moskë për të kërkuar ndihmë (analistë në Moskë thonë se ishte pikërisht problemi i Kosovës arsyeja e kësaj vizite të përgatitur shpejt e shpejt). Sipas njoftimeve zyrtare të Moskës, gjatë takimit me Putinin (takimi i dymbëdhjetë midis tyre) ata i kanë kushtuar 50 minuta vetëm problemit të Kosovës. Por në njoftimin zyrtar të Kremlinit nuk u tha asnjë fjalë për qëndrimin e Putinit ndaj ndarjes së Kosovës, madje as gjatë vizitës së Putinit në Beograd, nuk u tha asgjë zyrtarisht për këtë problem, megjithëse problemi i Kosovës ishte ndër më kryesorët për nga rëndësia e problemeve të diskutuara.

Duhet venë në dukje se edhe  kur të tjerët kanë folur në emër të Putinit për  ndarjen e Kosovës, ai, apo zëdhënësit e tij nuk e kanë përgënjeshtruar…..

Përse Moska mban këtë qëndrim dhe cili është qëndrimi dhe qëllimi i vërtetë i Moskës rreth këtij problemi dhe a i intereson asaj ndarja e Kosovës?

Shumë politikanë europianë e sidomos ballkanikë, shprehen kundër ndarjes së Kosovës, dhe si argument kryesor përmendin rreziqet që do të sillte një veprim i tillë. Sipas tyre, një veprim  tillë do ta komplikonte së tepërmi situatën në Ballkan. E para, Serbska Republika do të kërkonte bashkimin me Serbinë, çka do të sillte shpërbërjen e Bosnjë Hercegovinës e probleme në Kroaci e në pjesën mbetur të Bosnjës, që do të sillte prishjen e marrëveshjes së Dejtonit…. Shqiptarët e Maqedonisë do të kërkonin bashkimin me Shqipërinë etj, e si pasojë, efekti domino do të sillte pështjellim të mbarë Ballkanit e ndoshta edhe më gjerë. Parë nga ky kënd, një situatë e tillë konfliktuale do ti krijonte mundësi Rusisë të ndërhynte më fuqishëm dhe të jetë edhe më e pranishme në rajonin tonë.

“Precedenti kosovar” gjithsesi i  shërben Rusisë për problemet e pa zgjidhura në disa rajone apo shtete të vetëshpallura që ekzistojnë dhe mbahen në saj të Rusisë dhe me mjetet e saj, por me një statut të papërcaktuar ndërkombëtar, Transdnjistria në Moldavi, Osetija e Jugut dhe Abhazija në Gjeorgji (këto dy të fundit kanë shpallur pavarësinë, por nuk i ka njohur askush)

Por krahas tyre ka dhe një seri konfliktesh të ngrira që mund të shpërthejnë në çdo moment, por që gjithsesi duhet bërë diçka, siç është ai në  “Republikat Popullore” të Donjeckut dhe Luganskut” në Ukrainë. Tepër interesant ishte një njoftim i dalë kohët e fundit nga Moska, sipas të cilit, gjatë takimit me ambasadorët rusë të akredituar jashtë, Putini u ka thënë se gjatë takimit me presidentin Tramp,  u propozua që në lindje të Ukrainës të zhvillohet referendum. Por nuk dilte e qartë, për çfarë: për bashkim me Rusinë, për kthimin në Ukrainë apo për shtete të pavarura.

Ka analistë e politikanë që thonë se BE dhe ShBA “Kosovën e ndarë” mund ta “këmbejnë” me njohjen e Krimesë. (Ndonjëri shtron pyetjen a mos do e bëjnë kurban për hir të marrëdhënieve ruso-amerikane).  Po ashtu kjo do të ndihmonte  Osetinë e Jugut ku vazhdojnë diskutimet për referendum për bashkimin me Rusinë. E njëjta situatë është pak a shumë edhe në Transdnjistria ku shumica janë për bashkim me Rusinë.

Sipas këtyre ideve që hidhen, në qoftë se Kosova do të ndahej, Rusia do të zgjidhte problemet e këtyre pseudo shteteve si dhe do të justifikonte statusin e Krimesë si pjesë e Rusisë.

Duke gjykuar nga zhvillimet e muajve të fundit, mund të thuhet se Kosova dhe kombi shqiptar ndodhen para një prove të vështirë. Pavarësisht nga kundërshtimet e shumicës dërmuese të shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë, përfshijë shumë qeveritarë kosovarë që janë shprehur kundër ndarjes së Kosovës, gjithë këto lëvizje, deklarime, shpesh herë jo të qarta apo me nënkuptime të presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, aktivizimi i dukshëm i Rusisë në marrëdhëniet me Serbinë e më gjerë, në punët brendshme të vendeve ballkanike, zërat mbi marrëveshjen e fshehtë midis Trampit dhe Putinit për ndarjen e Kosovës, ndryshimi i qëndrimit të ShBA dhe të BE e qëndrimet e ndryshme të vendeve evropiane, mosmarrëveshjet brenda BE për Ballkanin Perëndimor, nacionalizmi dhe radikalizmi në rritje në Europë, letra e Trampit presidentëve të Serbisë dhe Kosovës dhe ftesa për të nënshkruar marrëveshjen midis Serbisë e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, takimi presidentëve  Putin e Thaçi në Paris (pavarësisht se i shkurtër, por domethënës), artikulimi i idesë për bashkim të shqiptarëve dhe hapat drejt afrimit të mëtejshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, qëndrimi jo i qartë i qeverisë Shqiptare ndaj ndarjes së Kosovës etj. kanë krijuar dyshime, paqartësi e hamendësime nga më ndryshmet….

Por, në gjithë këto zhvillime, shihet qartë se ShBA dhe veçanërisht BE i kanë krijuar mundësi Rusisë për të rritur rolin e saj në Ballkan, veçanërisht për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës e marrëveshjen midis tyre, kur ndarja e Kosovës ka dalë në plan të parë….

(Fund)

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode