RRËFIMI I PLOTË / 24 ORË NGA JETA E NJË TË MARRI
22/05/2017 05:52
RRËFIMI I PLOTË
24 ORË NGA JETA E NJË TË MARRI
“Në vendin tim e në vendin tënd, një kokë e çmendur një vend e çmend”
Dritëro Agolli
Nga Viktor MALAJ
I kishte kaluar të shtatëdhjetat dhe po bëheshin pesëdhjetë vjet që merrej me politikë. 22 vjet kishte bërë çmos të dukej se ishte komunist i devotshëm dhe besnik i regjimit. Kur nuhati se regjimi po binte vrapoi të ishte në krye të atyre që vetë kupola e regjimit i kishte nxitur dhe organizuar fshehurazi të protestonin dhe kërkonin ndryshime politike. E ardhmja politike duhej të administrohej po prej atyre që drejtuan të kaluarën. Ai u dërgua tek studentët e revoltuar nga drejtuesi komunist për ta pasur si dorë të fortë në kampin e kundërshtarëve politikë. Falë aftësisë së tij për nuhatje, pafytyrësisë për të luajtur çfarëdo roli që ia kërkojnë nevojat e veta për ngjitje politike, si dhe vendosmërisë për të nëpërkëmbur cilindo që i bëhej pengesë, arriti të bëhej kreu i opozitës politike, president dhe kryeministër.
Pas disa vitesh endjeje dhe lufte të paskrupullt për pushtet, erdhi koha që ra nga kolltuku, por ambiciet për sundim mbetën mbi kolltuk. Tërheqjen në jetën private e kishte të pamundur. Jeta e tij pa politikë, pa grindje, përplasje, luftë, kaos, zhurmë dhe poshtërim të të tjerëve nuk kishte kuptim. Një jetë normale i ngjante si ajo e gjetheve të rëna përdhe që do të shkeleshin me këmbë nga të tjerët dhe do të shërbenin si pleh pas dekompozimit. E tha hapur se do të zhgënjeheshin ata që besonin në largimin e tij nga politika.
Ishte pa pushtet formal, por ai nuk ia lejonte vetes që dikush tjetër të kishte pushtet dhe ndikim më të madh në jetën politike dhe shoqërore se ai. Nuk mund të lejonte që vëmendja e popullit të drejtohej tek dikush tjetër dhe ndaj tij të fillonte harresa. Harresa ishte torturë dhe vdekje e ngadaltë për të. Psikoza e harresës e torturonte përditë dhe e përjetonte si tmerr pa fund. Torturën ia bënte edhe më të padurueshme makthi nga ndëshkimi i mundshëm për krimet që kishte kryer gjatë sundimeve të tij të turbullta, të dështuara dhe të paturpshme.
Ishte mësuar të jetonte i rrethuar nga turmat, brohoritjet, lepe-peqet, lajkat, nënshtrimet e njerëzve pa dinjitet që e rrethonin gjithandej. I pështiroseshin, por i lajkatonte sepse i nevojiteshin pasi ishin të gatshëm të bënin rolin e qenit sa herë ndiheshin të uritur si derri. Lajkat, brohoritjet dhe propaganda e tyre e kishte bërë të besonte se ai e kishte rrëzuar komunizmin në Shqipëri. Mirëpo i dukej se komunistët po ringjalleshin, po e tallnin, poshtëronin dhe, s’ishte çudi ta ndëshkonin. Pështjellimet s’e linin të qetë as në gjumë.
Ishte e mërkurë në mesnatë dhe ra të flinte. Kishte kohë që nuk flinte në një dhomë me të shoqen. Jo vetëm pse asaj s’i nevojitej më në shtrat, por edhe sepse ajo nuk mund të duronte zhurmat dhe zgjimet e tij të befta dhe të rrëmujshme natën. Iu fanit një ëndërr e çuditshme. E shihte veten në krye të një ushtrie trimash demokratë, të mbledhur kryesisht nëpër gjithë fshatrat anash rrugës nacionale nga Tirana në Shkodër. Ushtria disa mijëshe ishte e pajisur me kallashnikovë dhe hunj. Nuk pa nozullime, por s’pati kohë të mendonte për to, se të gjithë thërrisnin në kor: “Ti je bota! Ti je Skënderbeu i Dytë. O gjigant, na prij t’i shporrim komunistët dhe të të vëmë përjetësisht në piedestalin e lavdisë të Heroit Kombëtar…!”. Thirrjet i buçisnin në veshë dhe e frymëzonin për aksion. I përmbushur me lavdi i çatisi mendimi se po i hanin hakun, si mund ta rendisnin pas Skënderbeut?! Ia behu mendimi tjetër, se shpejt do ta kuptonin të vërtetën dhe historinë.
Ëndrra ishte e mahnitshme. Ai u vu në krye të ushtrisë fshatare demokrate. Iu kujtua se armatosja me kallashnikovë i ushtrisë demokratike nuk shkonte dhe do hapte probleme me ambasadorët e Perëndimit të korruptuar nga Edvin Kristaq Rama. Hunjtë mjaftonin për të mposhtur ushtrinë komuniste që kishte rrethuar monumentin e Skënderbeut dhe bllokuar një pjesë të bulevardit. Donte të thërriste kryeveqilharxhin por s’po ia kujtonte emrin. Në mendje i shkoi emri i një veterineri, bashkëfshatar i tij. Jo, -tha, – s’kam emëruar atë, ai e ka bërë mirë këtë detyrë po tani është larguar prej meje se mori vesh që kisha planifikuar ta bëja “Hero të Demokracisë”, të dytin pas Azemit. Nuk e kupton Shabani, tha, sa e rëndësishme është të vritesh për demokracinë. I ra shkurt, piskati sa kishte në kokë dhe kallashnikovët u lanë përdhe, por njëri atje tutje hodhi hurin dhe mbajti armën. Nuk pati kohë të mendonte më gjatë për të, por iu duk se lëvizjet trupore të tij i njihte. E nisi sulmin nga pjesa jugore e Tiranës, por forcat e tij u thyen shpejt. Iu kujtua se nuk kishte parë nozullime në prapavijën e ushtrisë. Fajësoi mungesat, por kryeveqilharxhin nuk po ia zinte syri. Atëherë, si strateg i luftës antikomuniste, vendosi ta provonte nga pjesa veriore për të mbërritur në shesh. Mijëra trupa komunistësh shtriheshin përtokë në të dy anët e bulevardit. Të atij bulevardi që i kishte vënë emrin e Zogut, të cilin dikur e kishte quajtur injorant dhe më pas u shtronte bashkëbiseduesve pyetjen retorike: kur i pagdhenduri Zog sundoi 15 vjet, unë i doktoruar në kryeqytetin e Evropës sa kohë do sundoj? Vetë i ishte përgjigjur së njëjtës pyetje sa e sa herë: për jetë, për jetë!
Dalëngadalë, nën zhurmën dhe kaosin e luftës, po i afroheshin sheshit kryesor. Mos ushtria ime po i ngjan ushtrisë të heroit të Greqisë së Lashtë, Ajaksit i cili qe zemëruar se krerët politiko-ushtarakë votuan për ta marrë mburojën hyjnore të Akilit Odiseja dhe jo ai? I dha të drejtë zemërimit të heroit helen që e shtyu të sulmonte pa mëshirë një tufë delesh.
Siç ishte në ëndërr, e mundonin dy gjëra: fakti që sa më shumë i afrohej ai dhe ushtria e tij sheshit të Tiranës aq më shumë i largohej monumenti i Skënderbeut dhe po i dukej i paarritshëm. Nga ana tjetër, nuk donte të vetëvritej si Ajaksi i lashtësisë, por ashtu i gjallë dhe i pavdekshëm të zinte vendin e Skënderbeut. Besonte plotësisht se e meritonte. E çfarë kishte pasur Skënderbeu më shumë se ky? Ai vërtetë kishte luftuar kundër të huajve, por përfundimisht vendi ishte pushtuar dhe Skënderbeu as kishte mundur të bënte ndonjë rrugë, as të anëtarësonte Shqipërinë në NATO, as të hiqte vizat konsullore për të lëvizur lirshëm në Evropë, as të ndërtonte kioska etj.etj. ndërsa ky kishte mposhtur një herë e përgjithmonë komunizmin dhe komunistët, ndonëse për dreq ata vazhdonin t’i faniteshin duke e tallur në shumë forma.
Befas iu shfaq njeriu që hodhi hurin dhe mbajti kallashin. “Më qite në pritë, i pabesë!”- iu hakërrua tjetri me gishtin në këmbëz. Ishte ai, heroi. Me frymë të ndalur iu duk se ra një zile telefoni. U zgjua. E vlerësoi zilen si shpëtimtare të atij tmerri. Ndezi llambadarin pranë kokës. Kur ngriti dorën të merrte telefonin pa se gjatë ëndrrës i kishte rrëzuar në dysheme të gjitha lulet dhe ilaçet që ndodheshin në dy tryezat e vogla afër kokës së shtratit. Prej kohësh mjekët i kishin rekomanduar përdorimin e barërave kundërdepresive, si dhe mbajtjen e shumë luleve në ambientet ku flinte e punonte si qetësuese për t’i pakësuar shenjat serioze që ata besonin se shprehnin diçka midis skizofrenisë dhe çrregullimit të shumëfishtë të personalitetit. Iu kujtua se diku kishte lexuar se i vdekuri nuk vdes përsëri dhe menjëherë kaloi nga gjendja e tmerrit në një tjetër. Tani po ndiente pezmatim që ëndrra u ndërpre pa e marrë vesh e arriti monumentin e heroit kombëtar apo jo. Fajësoi personin që i ra telefonit.
Mori aparatin dhe i ra numrit më të fundit. Nga ana tjetër u përgjigj një zë i njohur. Ylli, ti je?- e pyeti. Po, unë jam doktor.- u përgjigj njëri nga ish-bashkëpunëtorët dhe veglat e tij mediatike të hershme.
-Po hë pra, më thuaj pse më telefonove?- e pyeti të përgjumurin.
-Po, jo o doktor, çne unë në këtë orë? Është ora tre e gjysmë e natës. Unë isha në gjumë dhe nuk kam telefonuar njeri.
-Po mirë, mirë po numri yt më doli këtu. Hajt natën.
Ndërsa përpiqej të mbyllte telefonin dëgjoi zërin e tjetrit që mërmëriste me vete i bezdisur: “Hej bela, ky ka rrëshqitur fare”.
U përpoq të gjente ilaçet, por ato, përveç që ishin shumë, ndodheshin të shpërndara në dysheme nga hapjet e pakontrolluara të krahëve të tij gjatë ëndrrës kur i dukej se luftonte në bulevard kundërshtarët politikë për të mbërritur atje ku dëshironte. Po kërkonte haloperidolin që përdorte zakonisht si qetësues dhe që ishte njëri nga ilaçet që iu rekomandohej personave të prekur nga skizofrenia. Nuk po e gjente dot. Mori një tabletë paracetin. Nuk i bëri derman pasi ishte shumë e dobët për gjendjen e rëndë që po kalonte. U përpoq të flinte por ishte e kotë. Sapo e zinte gjumi i fillonin gulçimet dhe ngrihej sërish duke mallkuar ata që ia sillnin këto telashe dhe po e pengonin të ngjitej në “Everestin e Lavdisë” së dëshiruar për t’u bërë njëshi historik i Shqipërisë për të gjitha kohërat.
Sa herë ngrihej i dëshpëruar dhe i inatosur i dilnin lot dhimbjeje. Nuk ishte dhimbje fizike. Dhimbjen ia shkaktonte pamundësia për t’i mposhtur të gjithë, bashkë me mendimin se po shtoheshin gjasat që të tjerët ta poshtëronin me kalimin e moshës. Kishte thënë në një intervistë televizive se të parët e tij nuk qanin kurrë, por kishin qarë vetëm një herë kur rrezikohej fati i Kosovës. Tani i sillej ndërmend se ai kishte furnizuar me naftë makinerinë luftarake të serbëve kur populli i Kosovës përgatitej për luftë për pavarësi nga Serbia. Nuk kishte qarë gjatë luftës së Kosovës kur forcat serbe dhunuan, vranë dhe deportuan qindra mijëra kosovarë drejt Shqipërisë, mirëpo kishte qarë dhe kishte ndenjur tri ditë i mbyllur në shtëpi kur humbi pushtetin politik si kryeministër. Shpresonte që këtë akt të tij t’ia harronin shqiptarët dhe ta ngjisnin sërish në krye të vendit, së paku për hir të atdhetarizmit të tij që e mbronte si të trashëguar me breza.
Rreth orës 6 të mëngjesit u ngrit përfundimisht nga shtrati, lau faqet dhe sillej nëpër dhomë si kali në lëmë. E shoqja ishte shumë e vëmendshme ndaj tij. Sapo e dëgjoi hapi derën e dhomës së tij dhe e pyeti nëse e donte çajin në atë kohë apo më vonë. Kur po i sillte çajin dëgjoi se po i binte tryezës me grusht dhe belbëzonte me vete: do t’i shtyp, do ua ngrij buzëqeshjen në buzë, hëmmm! Ajo iu afrua ngadalë dhe i tha të mos merrej kaq herët me ta se, në fund të fundit “Koha jote do të vijë përsëri…”.
-A thue?- e pyeti, duke e parë drejt në sy.
-Nuk ka si të jetë ndryshe,- ia ktheu ajo. Menjëherë i ndriti fytyra, u bë gazmor dhe iu përgjigj të shoqes: Ti gjithmonë ke qenë e mirë për mue. Ti meriton nji lapidar…
Vetëtimthi iu kujtua një padrejtësi që i kishte bërë të shoqes. Nuk e kishte dërguar asnjëherë në fshatin e tij të lindjes. Edhe vetë kishte gati 60 vjet që nuk shkonte atje qysh kur ishte nisur për në shkollë të mesme në Tiranë. Edhe po të kishte qenë i dënuar me burgim të përjetshëm do i kishin dhënë një herë leje për vaki mirëpo, ndërsa shumica e njerëzve ruajnë kujtime dhe mall për vendlindjen dhe shtëpinë e fëmijërisë, ai ndiente një makth dhe neveri pasi në fëmijëri kishte qenë dëshmitar i një ndodhie brenda kullës që nuk donte ta kujtonte asnjëherë. Kishte qenë një ngjarje që kishte përcaktuar shumë nga vetitë e personalitetit të tij si urrejtjen ndaj të tjerëve, dëshirën për hakmarrje dhe sundim të përjetshëm mbi ata që e rrethojnë.
Ndezi TV të dëgjonte lajmet. U inatos menjëherë dhe i thirri të shoqes:
– E dëgjon ç’bëhet?
– Çfarë ia ktheu ajo?
– Edhe ky maskarai Frangaj që i kam dhënë dikur miliona euro me tendera dhe reklama mashtron shqiptarët duke thënë se Presidenti i vendit sapo mbërriti në Vlorë sot.
– Po, ndoshta ka mbërritur,- u përgjigj ajo.
– Si, ka mbërritur dhe unë jam në shtëpi tani?
– Po ata po flasin për Presidentin në detyrë jo për ata që kanë qenë presidentë,- vazhdoi e shoqja.
– Hmmm!- mërmëriti,- domethënë nuk e kanë për mua. Po kësaj ç’i thue ti?- e pyeti të shoqen.
– Çfarë?- tha ajo.
– E lexon gazetën ti? Ai birboja që e kam pasur dikur kryeredaktor të gazetës dhe ishte një lloj Gebelsi, prandaj e pata bërë edhe nënkryetar partie, ka dhënë një intervistë dhe thotë se edhe unë jam njëlloj si të tjerët, një vdekatar i zakonshëm.
– Po hiqu tij, or burrë, kështu e kanë këta. Kur të kthehesh sërish atje ai do të të lutet dhe të të rrijë përsëri lepe-peqe, si dikur,- u mundua ta qetësonte e shoqja.
Ajo doli nga dhoma e tij ndërsa ai, me fytyrën prush dhe shumë nervoze, vazhdonte të përsëriste nëpër dhëmbë: Unë, njëlloj si të tjerët, njëlloj si roja e godinës apo të papunët e përditshëm që kërkojnë kanoçe në kazanët e plehrave? Pastaj u kujtua se ishte e enjte dhe nuk duhej të humbiste shumë kohë por të fillonte përgatitjet. Pasdite duhej të fliste në parlament.
E enjtja ishte dita e tij. Këtu ai duhej t’iu tregonte shqiptarëve por edhe të huajve që ndiqnin politikën e vendit se, në pushtet apo në opozitë, Shqipëria kishte një dhe vetëm një, të papërsëritshëm dhe të pazëvendësueshëm. Ai duhej të fliste më gjatë se gjithë të tjerët, më ashpër se të gjithë, me zë shumë të lartë, t’i kërcënonte kundërshtarët politikë me afera të sajuara enkas dhe t’i bënte ata të heshtnin, të trembeshin, dridheshin dhe nënshtroheshin, pse jo edhe t’i luteshin. Qenia e tyre në pushtet ishte një padrejtësi ndaj tij dhe, sigurisht, një gjë e përkohshme. Nëse ata nuk lëkundeshin atëherë ai do i bënte thirrje popullit të rrëmbente armët për t’i dhënë fund padrejtësive ndaj tij. Le të vriteshin shqiptarët mes vetes, punë e madhe. E kishte provuar edhe herë tjetër dhe kishte dalë i fituar.
Ai kishte lindur me idenë fikse se çdo gjë e mirë i duhej kushtuar atij dhe se nuk do të kishte një të dytë si ai. Kur ishte fëmijë dhe kishin dalë të kërkonin lopën në pyll me të vëllanë, ata kishin shkuar në drejtime të ndryshme. Kur po kthehej, pa lopën fare afër murit të livadhit. Vuri re se lopën e kishte gjetur i vëllai dhe po e çonte drejt kasolles. Vrapoi ta ndalonte dhe i tha të kthehej në shtëpi disa minuta pas tij dhe të thoshte se nuk kishte mundur ta gjente lopën. Askush tjetër nuk mund ta bënte një akt kaq të rëndësishëm sa ai që ta shquante mbi të tjerët në shtëpi dhe në fis. Askush nuk duhej të ishte para tij dhe as mbi atë. Lopa ngordhi një ditë dhe fisi e harroi këtë akt zotësie. Kjo nuk e shqetësonte por merakosej rreth mundësisë që edhe NATO të shpërbëhej ndonjë ditë dhe atëherë nuk i mbeste asgjë e mirë me të cilën të krenohej dhe ta përmendte historia e vendit të vet.
Gjithë çështja ishte që të paraqitej sa më mirë në parlament. Prandaj, u ngrit në këmbë, u vesh dhe u drejtua nga pasqyra e madhe e dhomës së tij të gjumit. Duhej t’i dërmonte kundërshtarët politikë. Ky fakt do t’i ngazëllente pa masë ndjekësit e shumtë, sidomos në zonat fshatare. Kishte qenë dhe mbetej idhulli i shumicës së katundarëve, pjesës që s’i kishte interesuar shumë dija dhe kultura. Ashtu si Haxhi Qamili që pohonte se nuk i nevojitej gjë Evropa sa të kishte Shijakun edhe këtij nuk i prishte punë mendimi dhe qëndrimi i shumicës së qytetit dhe pjesës më të arsimuar të vendit për aq kohë sa kishte me vete fshatarësinë. Në fund të fundit, nga një votë për kokë është vlera e mendimeve dhe gjykimeve në ditën e zgjedhjeve. Vetëm kjo kishte rëndësi.
Iu drejtua pasqyrës duke përfytyruar sikur iu drejtohej deputetëve në parlament dhe nisi provat e ligjërimit të ardhshëm. Iu duk vetja i gërmuqur e me shtrembërime të tjera, si Kuazimodo, personazhi i famshëm i Viktor Hygoit. U përpoq të drejtonte trupin pasi nuk shkonte ta shihnin shqiptarët ashtu njeriun që, për të krijuar mitin e pavdekësisë së vet, iu kishte thënë se ishte ngjitur në Murin e Madh Kinez dhe se kishte thyer rekordin e qëndrimit mbi ujë në det megjithëse nuk dinte fare not.
-Ju jeni të gjithë mafiozë sepse ju jeni neobllokmenë, gjakpirësit e popullit shqiptar, racë kriminelësh. Juve ju urren populli shqiptar dhe ju e urreni atë.
Ndërsa fliste dhe vepronte me gjeste, i kujtoheshin fotografitë që kishte bërë dikur thuajse me të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe ua tregonte shokëve si shenjë krenarie, i kujtohej fakti se iu ishte lutur dikur jo vetëm ta pranonin anëtar të asaj partie, por edhe që teserën e partisë t’ia jepnin në 8 nëntor, ditën e themelimit të Partisë Komuniste. Kjo kontradiktë midis atyre që mendonte dhe atyre që besonte se i nevojiteshin t’i thoshte i shkaktonin njëlloj buzëqeshjeje.
– Edhe ti atje,- vazhdoi duke bërë një rrotullim 180 gradë dhe duke drejtuar gishtin nga dera e dhomës, sikur po i drejtohej Kryeministrit që ndodhej pas shpinës së tij në Parlament,- ke qenë dhe mbetesh bllokmen, i biri i kriminelit, një Enver i dytë por populli shqiptar do ta tregojë shpejt vendin ashtu si etërve të tu…
Iu kujtuan menjëherë vizitat e shpeshta në shtëpinë e Hoxhës në fillim të viteve ’80 pasi kishte krijuar shoqëri me djalin e tij të dytë, si dhe shëtitjet me të familjarisht në liqenin e Pogradecit kur nuk lejonte askënd tjetër të voziste një varkë me rrema si shenjë përkushtimi dhe besnikërie ndaj familjes së parë të vendit. Gjithashtu, iu kujtuan fotografitë e shumta me ta si dhe një vjershë për Enver Hoxhën që kishte bërë dikur dhe ia ruante me besnikëri një poet nga vendlindja e vet. Mbi gjithçka i kujtohej kur e kishte takuar për herë të parë udhëheqësin kryesor komunist dhe për një javë refuzonte t’ua jepte dorën shokëve dhe kolegëve, sepse besonte se ia ndynin pasi ishte takuar me… Atë. Këtu nuk u përmbajt dhe filloi të buzëqeshë aq fort sa i shkoi goja vesh më vesh.
Fytyra e vet iu duk si e krokodilit. Kjo s’kishte ndodhur për herë të parë dhe nuk e shqetësonte aspak, madje, i bindur sa për simbolikën aq edhe se frikësonte kundërshtarët, i jepte zemër. Kishte qenë shumë i shqetësuar kur kohë më parë një gazetë e kishte krahasuar me një qen stani që leh fort dhe pa pushim gjithë ditën. Besonte se qeni mund të jetë edhe i hijshëm por atë shpesh e mposht ujku, ndërsa krokodili mbetet i vetmi sundimtar i tokës dhe ujit. Kjo kishte rëndësi. Në histori harrohesh shpejt për bukurinë, por kujtohesh gjithnjë për forcën, sidomos kur e përdor atë pa mëshirë dhe me dinakëri.
Kur ishte kthyer nga dera e dhomës me gishtin drejtuar drejt saj, nipi dhe mbesa që po ndiqnin shfaqjen e gjyshit nga vrima e çelësit ishin trembur dhe vrapin e kishin ndalur tek gjyshja për ta pyetur se çfarë po bënte gjyshi që thërriste aq fort dhe përdorte disa fjalë të pakuptueshme për ta. Ajo i qetësoi dhe iu tha me të qeshur se po luante teatër.
-Pse gjyshe, a ka luajtur gjyshi ndonjëherë në teatër?- e pyetën ata njëzëri.
– Gjithë jeta e tij ka qenë teatër,- ua ktheu ajo me buzëqeshje.
-Ka luajtur komedi apo tragjedi?- pyeti mbesa që ishte pak më e rritur dhe kishte lexuar diku për gjinitë letrare.
-Tamam-tamam,- vazhdoi gjyshja,- ai është një aktor komik por e ka shumë të lehtë ta shndërrojë rolin e tij në tragjik, sidomos për spektatorët që e duartrokasin pa e kuptuar si duhet.
Ndërkohë, nga dhoma e tij e gjumit vinin britma të luhatshme, me ngritje dhe ulje. E folura ishte si përçart dhe i ngjante një gramafoni të vjetër që i është prishur pllaka nga përdorimi i tepërt. Pasioni dhe gjendja gjithmonë e tensionuar emocionale ia prishnin fillin e mendimit ashtu si mbështetja e fletores në një sipërfaqe të paqëndrueshme prish bukurshkrimin. Vazhdonte t’iu “drejtohej” armiqve politikë: Shiko! Unë ju siguroj juuu se… jo po më thuej ti mue… E dini se çfarë? Jua baj fytyrën më të zezë se këpuca!… Ha, ha,ha! Ju mendoni se më frikësoni mue? A e dini kush jam unë? Po, po. Do jua ngrij buzëqeshjen në buzë unë juve… E kam thanë edhe herë tjetër. Shqipëria është e bukura e dheut… posi! Qesh ti sa të duesh. Zoti e ka bekue Shqipërinë… falangat e krimit komunist nuk kanë të ardhme. Ja u them me 100%, posi… ashtu do të bëhet… rroftë Shqipëria! Poshtë komunizmi!.. Rroftë Zoti!
Mbas përgatitjes për rolin që do të luante në sallën e Parlamentit ndihej i lodhur dhe mendoi se ishte koha për të ngrënë. Mori edhe një herë drejtqëndrim përballë pasqyrës, shtriu krahun e majtë lart dhe e tundi disa herë dorën e mbledhur grusht, por me gishtin tregues dhe atë të mesit të hapur, zakon që i kishte mbetur qysh nga viti 1990 kur iu desh që nderimin me grusht ta zëvendësonte me dy gishtat e hapur përpjetë. Në këtë kohë teshtiu fort dy herë dhe menjëherë, duke u kthyer mbrapa, tha: ‘Faleminderit!’ “. I ishte dukur se e gjithë salla e Parlamentit e kishin uruar “Shëndet! por sapo u rrotullua pa se ndodhej në dhomën e tij të fjetjes.
Rreth orës 10 i solli e shoqja ushqimin e zakonshëm, mirëpo nuk i hahej. Sapo kishte lexuar në gazeta një sondazh që kishte bërë OSBE me shqiptarët dhe ku, veç të tjerash, rezultonte se më shumë se gjysma e të pyeturve e vlerësonin Hoxhën si figurë që i kishte sjellë shumë gjëra pozitive vendit. Si është e mundur,- pyeste veten,- që ky popull është aq mosmirënjohës saqë 55% e tyre e çmojnë lart Hoxhën 30 vjet pas vdekjes së tij ndërsa mua, ndonëse i gjallë, as 30% nuk më vlerësojnë dhe, madje, ma patën hequr pushtetin pas katër muajve kur e mora për herë të parë? Prandaj ndihej krenar dhe aspak i penduar që i kishte dhunuar dhe ua kishte marrë votat, herë me falsifikim dhe herë me forcë, kësaj race të pagdhendur. Mendoi se ishte e nevojshme të ndërmerrte dy veprime për ta zhvlerësuar atë sondazh të mallkuar. E para, vendosi ta shpallë publikisht si të dirigjuar nga Edi Rama. Së dyti, pasi mendoi se shpallja e Hoxhës si Hitleri i Shqipërisë nuk kishte bërë shumë efekt, vendosi që, në rastin më të parë, ta shpallte Hoxhën “tradhtarin më të madh në historinë kombëtare”. U ndie i lehtësuar nga ardhja në mendje e këtyre dy ideve çarmatosëse.
Aty nga dreka i telefonoi një shoku dhe ish- kolegu të vjetër që drejtonte një klinikë private otorino-laringologjie. E pyeti se kur mund të shkonte për një vizitë mjekësore “rutinë”. Në mirëbesim i tha se nuk do të donte të kishte njeri tjetër aty në atë kohë. Ish-kolegu i caktoi një orë, kur tre punonjësit e tjerë të klinikës shkonin për drekë dhe aty s’kishte pacientë të tjerë. I tha së bijës ta çonte me makinë dhe të mos kishte roje me vete.
Kur vajti atje e la të bijën në makinë, hyri brenda dhe, pasi u përqafua me mjekun, mikun e vjetër i tha:
-Ndihem keq që vij këtu por kam një problem që mund ta ndaj veç me ty në mirëbesim.
-Pa problem,- ia ktheu ish-kolegu duke qeshur,- ne jemi miq të vjetër, pastaj e kemi edhe ca moshën dhe të gjithëve na kanë filluar defektet. Si është puna?
– Ka ca kohë që dëgjoj disa zhurma. A mund të më bësh një kontroll të veshëve?- e pyeti disi i ndrojtur.
Pasi e vizitoi me shumë kujdes dhe i bëri provën përkatëse të dëgjimit, ish- kolegu i tha me shaka:
-Ti je shëndosh e mirë por ke gjetur vizitën si sebep ngaqë të ka marrë malli për shoqërinë e vjetër.
-Shiko,- ia ktheu pacienti politikisht më i rëndësishëm që kishte hyrë ndonjëherë në atë klinikë,- unë vërtetë kam mall për shoqërinë e vjetër por problemi që kam është shumë serioz dhe dua që ta mbash vetëm për vete.
-Patjetër,- ia ktheu ish- kolegu duke marrë pamje serioze,- fol si me veten tënde, si qëndron puna?
-Sa herë ndodhem në ambiente publike, sidomos politike dhe pranë meje kalojnë personazhe politikë unë dëgjoj disa zhurma të pazakonshme, nga ato që i krijojmë pa dashje.
Doktori e pikasi problemin dhe, si tip shakaxhiu që ishte, i tha: Që të flasim pa doreza sepse njihemi prej 60 vitesh, a të duket se dikush pranë teje lëshon gazra që krijojnë zhurma…?
-Tamam, ashtu është i nderuar, dhe kam idenë se e bëjnë qëllimisht për të më poshtëruar. Ti e di fare mirë sa të ndyrë janë këta komunistët me të cilët bëj një luftë të pakompromis prej tri dekadash.
Ish-kolegu e kuptoi se pacienti “kishte shkuar për lesh” dhe vendosi të bëjë një shaka delikate duke e pyetur drejtpërdrejt: Mendon se pjerdhin për ty?
-Tamam, ashtu mendoj,- ia ktheu ky.
-Po, pse nuk thua shyqyr?- ia priti doktori,- Po të mos e bënin këtë do të thotë se nuk je dikush. A e ke dëgjuar shprehjen popullore që thotë “s’pjerdh njeri për ty!”?
-Shiko, i nderuem,- reagoi pacienti,- unë nuk po bëj shaka. Për mue ky është një problem madhor. Nuk mund të lejoj unë që disa birbo të më poshtërojnë me veprime të tilla publike.
Duke vënë re ndryshimin dramatik në fytyrën e tij mjeku mendoi për degradimin mendor të pacientit dhe, aty për aty, u hodh në një interpretim tjetër psikologjik.
-Ne shqiptarët, i dashur, kemi edhe një thënie tjetër për këto raste. Ti e di se, si në jug ashtu edhe në veri, përdoret shprehja domethënëse “I shpëtuan pordhët nga frika”. Pra, ata që ti mendon se i kryejnë këto akte, mund të mos i bëjnë për të të fyer ty por nga frika që ti iu kall atyre.
– Hmm!- mërmëriti dhe pastaj duke buzëqeshur, pyeti: A thue të jetë vërtetë kështu?
– Nëse anamneza që paraqet pacienti këtu është e saktë, atëherë unë konkludoj me bindje se vetëm kështu është,- u shpreh mjeku dhe i rrahu krahët,- por, si shok i vjetër, unë të këshilloj t’i injorosh fare këto raste dhe mos e mbaj mendjen atje.
Kur hyri në makinë e bija i kujtoi se nuk kishte seancë parlamentare atë ditë por vetëm mbledhje të komisioneve parlamentare. Atëherë i tha ta çonin në shtëpi pasi mbledhja e komisionit, ku ai bënte pjesë, fillonte pas dy orësh dhe atje do ta çonte shoferi i tij si zakonisht.
Në orën pesë pasdite mbërriti tek ndërtesa ku bëhej mbledhja dhe, me hap të shpejtë u nis të hynte brenda. Përveç rojeve, pa se në oborr dhe në korridor kishte shumë deputetë dhe njerëz të politikës. I mbante veshët ngritur por s’po dëgjonte asnjë zhurmë për be. Fillimisht u ndie i çliruar sepse nuk po e pirdhte kush, por pastaj e zuri një lloj ankthi i shkaktuar nga mëdyshja se si ishte më mirë, të dëgjonte apo të mos dëgjonte zhurmat e njohura.
-Në këtë jetë,- tha me vete,- është hall i madh. Hall të të pjerdhin dhe hall të mos pjerdhë kush për ty. Është vërtetë hall të dëgjosh pordhët e Erion Braçes dhe Taulant Ballës, por edhe pa pordhë nuk shtyhet jeta. Është vdekje për së gjalli. Gjithsesi,- vazhdoi,- sikur ta dija me siguri se e bëjnë për të më poshtëruar, ia vë zjarrin Shqipërisë derisa t’iu punoj qindin. Iu kujtua se shprehja më e pëlqyer prej tij ishte ajo e Luigjit të 15-të “Apres moi le deluge” që e kishte përdorur edhe vetë në shqip, “Pas meje u bëftë kiameti”. Pastaj e mundonte ideja se, megjithëse ia kishte vënë zjarrin disa herë vendit të tij, kur besonte se me kaos mund ta merrte ose mbante pushtetin, po ta përsëriste këtë gjë do të mbetej në histori si i vetmi njeri që i vuri zjarrin vendit për një pordhë.
U kthye i lodhur në shtëpi, por besonte se ia vlente të futej në facebook dhe të sajonte disa shpifje ndaj kundërshtarëve politikë, duke i paraqitur sikur ia kishin dërguar “qytetari dixhital” apo “oficeri dixhital”. E dinte mirë se të gjitha gazetat do i botonin të nesërmen dhe kjo do të thoshte fitore e dyfishtë: edhe rrënoheshin kundërshtarët politikë, por edhe ai vetë mbetej në qendër të vëmendjes. Nuk mund të duronte që të kalonin 24 orë pa e cituar apo pa ia përmendur emrin.
Si e mbaroi këtë ritual të përditshëm, hëngri diçka të lehtë dhe u shtri të flinte herët i sigurt se do të bënte gjumë të çrregullt. E prapëseprapë harroi të pinte ilaçet. Pa kaluar shumë kohë iu fanit një ëndërr e çuditshme. Iu duke se, ndërsa ishte duke ecur në këmbë drejt bulevardit kryesor të Tiranës, pa një kortezh mortor shumë të gjatë. Kurrë në jetën e tij, as në mitingjet më të mëdhenj politikë që kishte drejtuar dikur, nuk kishte parë aq shumë njerëz. Mori vendim t’u afrohej vjedhurazi për të parë se çfarë po ngjiste. Bulevardi ishte mbushur plot me njerëz që nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek stacioni i trenit.
Vuri re se arkivoli ishte shumë i vogël sa për një fëmijë të sapolindur. Atë e mbanin në krahë demokratët më të thekur të Bushatit dhe Mamurrasit që i ishin gjendur gjithnjë në ditët më të vështira të tij. Pas arkivolit vinin njerëzit më të afërt dhe nja 4-5 deputete demokrate nga Tropoja, Shkodra, Mirdita, Durrësi dhe Vlora, por kjo e fundit dukej më leshkorrë se shoqet. Deputetet e njohura qanin me ngashërim dhe vetëm qanin. Ato dhe pak të tjerë ishin veshur me të zeza. Për çudi shumica dërmuese e njerëzve ecnin lirshëm dhe dukeshin të qeshur e të gëzuar. Ç’të jetë ky hidhërim dhe gëzim i njëkohshëm?- pyeti veten dhe u mundua të afrohej akoma më shumë për të kuptuar gazavajin e çuditshëm. Nga afër mundi të lexojë disa parulla ku shkruhej: Ti s’ke vdekur! Ti jeton në zemrat tona! dhe në mes të pankartave iu duk se pa një fotografi të vetën shumë të madhe. Priti pas një kabine telefonike anës rrugës sa të kalonin thuajse të gjithë njerëzit dhe iu afrua një djali të ri, me besimin se nuk do ta njihte, dhe e pyeti: Cilin po dërgojnë në varreza sot?
Djaloshi, i qeshur, ia ktheu se kufoma e arkivolit kishte qenë shumë i njohur. I shkreti kishte qenë dy herë president dhe dy herë kryeministër i vendit.
-Po, si ka mundësi që një arkivol aq i vogël të zërë një president apo kryeministër?- e pyeti djaloshin me buzët që i dridheshin.
-Shpjegimi është i thjeshtë,- u përgjigj djaloshi,- populli po varros moralin e tij dhe jo trupin dhe kjo është më e rëndësishme prandaj janë grumbulluar kaq shumë njerëz.
Në çast, gjatë kësaj ëndrre të çuditshme që i ngjethi gjithë kurmin, iu duk se u largua nga bulevardi dhe ndodhej pas murit të varrezave. Atje pa një varr të madh, më i madhi dhe më i larti nga të gjithë. Ky ishte varri që kishte ëndërruar për të ardhmen, por për një të ardhme shumë të largët. Si çdo gjë tjetër edhe varri i tij duhej të ishte ndryshe nga ai i shqiptarëve të tjerë, gjithsesi më madhështor. E tmerroi fakti se kjo e ardhme kishte ardhur, por edhe më shumë u tmerrua kur lexoi ato që ishin shkruar poshtë fotografisë së tij të vendosur në ballinën kryesore të varrit. Epitafi thoshte: KËTU PREHET NJË I MARRË QË PËR TRIDHJETË VJET E TËRHOQI SHQIPËRINË ZVARRË.
Ia ktheu shpinën menjëherë. Nisi të largohej. Ndërmend i erdhi historia e Don Miguel de Manaras, të njohur si Don Zhuan. Ky pati jetuar në Sevilje të Spanjës në shekullin e 17-të. Dashuroi e përdhunoi mbi një mijë femra, disa prej tyre dhe disa prej të afërmve të tyre i grabiti dhe i vrau, por një ditë i ndodhi t’i kalonte pranë një procesion mortor dhe të vërë re më të pabesueshmen. Në arkivol ndodhej trupi i tij. I pyeti ata që përcillnin të vdekurin dhe ata ia konfirmuan dyshimet vizuale. Pas disa kohësh vdiq “i penduar” dhe kërkoi që në varrin e tij të shkruhej: Këtu prehet njeriu më i keq i botës.
U rrotullua në shtrat duke u betuar se nuk mund t’ia lejonte kurrsesi vetes të pendohej si Don Migueli dhe aq më pak që varri i tij të mbante atë epitaf. Duhej të shkruhej diçka madhështore që ta përjetësonte si më të madhin e të gjitha kohërave. Marazi i shkaktoi makth. U zgjua. U ngrit i djersitur, piu një grusht me ilaçe dhe shkoi menjëherë tek dhoma e të shoqes. Sa e pa të zverdhur dhe të kredhur në ethe, ajo brofi menjëherë nga shtrati dhe e rrëmbeu duke e pyetur se çfarë kishte.
Nuk donte t’ia tregonte kurrsesi ëndrrën që kishte parë, por e pyeti me përdëllim: Due të më thuash nji gja të vërtetë, por mendohu njëqind herë përpara se të përgjigjesh.
-Patjetër!- ia ktheu e shoqja e tronditur,- Ti e di se unë gjithmonë të vërtetën të kam thënë por vazhdo më tutje.
-Po, po, më ke thënë të vërtetën por kjo është e vërteta më e madhe e jetës time prandaj due të më thuash se si më dalin mue ëndrrat.
-Nuk po të kuptoj,- ia ktheu ajo,- çfarë do të thuash me këtë?
-Due me thanë, a e mban mend ti nëse ëndrrat e mija dalin ashtu siç i shoh apo e kundërta?
-Po, ti e di shumë mirë se ëndrrat kryesore të janë realizuar, sidomos kur ke parë ëndërr fitoret e pushtetit, pse çfarë ëndrre ke parë?
-Në fakt kam parë ëndrrën më të keqe të jetës time. Shpresoj të më dalë e kundërta.
-Sigurisht që e kundërta do të dalë por hajde të flesh tani ose, po deshe, ulu të flesh me mua. U mundua ta qetësonte pa ngulmuar t’i tregonte ëndrrën pasi nuk donte të shqetësohej në atë orë aq të vonë, aq më shumë që ëndrrat i kishte të përnatshme.
U shtri në shtratin e të shoqes, por nuk e zinte gjumi. Ajo e dëgjonte tek pëshpëriste: Zot bane të kundërtën! Zot bane të dalë ndryshe, vetëm për mirë. Nuk e meritoj unë këtë ëndërr… I dukej se makthi nuk do të përfundonte kurrë dhe se Zoti nuk kishte dëshirë ta ndihmonte.
* Këtë tregim e shkrova për idhujtarët që vazhdojnë ta adhurojnë pa kushte personazhin kryesor. Të gjithë lexuesve të tjerë iu kërkoj ndjesë për përdorimin e disa fjalëve jo shumë të hijshme por përshkrimi sa më besnik i sjelljeve të personazhit e kërkonte një gjë të tillë
DITA