ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME / RRUGËT E JETËS, 4

04/07/2020 07:09

ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME, 4

 

 

Rrugët e jetës

Roman

 

3

 

Sapo Jetoni hapi sytë në mëngjes, u ngrit, shumë lehtë dhe i dukej se kishte pushuar mjaft.  Atë natë, nuk kishte lexuar shumë, kishte rënë më herët se zakonisht, prandaj kishte fjetur mirë; ndoshta, e vetmja mbrëmje që kishte pushuar sa duhet. Mëngjesin e hëngrën të gjithë bashkë. Prindërit shkuan në punë, ndërsa, Jetoni mori një libër për ta shfletuar. I interesonte historia e revolucioneve, në disa shtete që kishin qenë të robëruara dhe kishin fituar lirinë. Në dorë i kishin rënë edhe disa libra të Enver Hoxhës, të cilat i lexonte me kërshëri. Literatura që vinte nga Shqipëria londineze, ia hapte horizontet për historinë kombëtare. Gjithë paraditen lexoi dhe herë-herë shënonte ndonjë mendim në fletore me ballina të trasha.

Doli nga shtëpia dhe filloi të shëtiste qendrës së Qytezës, më tepër për të ecur, se sa të takonte dike. Mendimet i shkonin gjithkund. Pra, me regjistrimin në fakultet, kishte filluar të eci një rruge jete dhe atë me plotë dëshirë, për t’u bërë një jurist i mirë, e, nesër-pasnesër një avokat i guximshëm. Iu kujtua se kishte hyrë edhe në një rrugë jete, së cilës nuk i shihej fundi, por me një bindje, se do t’ia dilte në krye, përkundër dallgëve që do t’ia sillte jeta. Dy rrugë, që shkonin paralel, që të dyja donin përkushtim dhe punë të zellshme. E para, donte punë, siç i thonë fjalës, për ta zënë karrigen, ndërsa, e dyta, përveç kësaj, kërkonte edhe konspiracion të thellë, e, guxim, për të mos bërë ndonjë gabim, jo vetëm për vete, por t’i ruante edhe shokët, që të mos dëmtohej çështja kombëtare, së cilës iu kishte përkushtuar tashmë.

Kishte tri vjet që Jetoni merrej me ushtrime fizike, për të kalitur trupin, për t’u përballuar torturave fizike, siç kishte lexuar nëpër libra, ndërsa, me shokët, edhe Mësuesin, nuk kishin bërë fjalë për këtë. Trupi kishte filluar të merrte pamjen e trapezit. Të gjithë e shikonin me lakmi, sepse, veç ishte bërë një burrë i kompletuar. Edhe fjala e tij zinte vend, kudo që i jepej rasti për të folur, se ishte i thjeshtë në shpjegimin e gjërave dhe e kuptonin të gjithë.

Ashtu, siç ishte në mendime, takoi Mësuesin, sikur të kishte mbirë nga dheu.

- Mirëdita, shoku Mësues!

- O, mirëdita, Jeton. Je duke shkuar diku?

- Jo, vetëm dola, sa për të pushuar pak, po Ju?

- U ktheva nga shkolla… Më kanë përjashtuar.

- Përjashtuar, po ti dole i pafajshëm?!

- Mjafton të hapet dosja njëherë dhe gjithnjë je në shënjestrën e tyre.

- E, tash?

- Kemi mjaft punë për të bërë. Ulemi diku?

- Ulemi.

Shkuan në ëmbëltore. Të gjithë të pranishmit i shikuan, dikush me kërshëri, dikush i habitur, dikush i gatshëm për të raportuar, se i kishte parë së bashku. Mësuesi, sikur i lexoi të gjithë në fytyrë, por, pa folur për ta, porositën akulloret.

Gjithë biseda ishte orientuar rreth studimeve të Jetonit. Jetoni i tregoi pse e kishte zgjedhur këtë fushë për studim. Mësuesi buzëqeshi lehtë, duke i miratuar me kokë arsyetimin. U ngritën dhe dolën jashtë. 

- Do të takohemi së shpejti, zyrtarisht, - i pëshpëriti Mësuesi, deri sa po ndaheshin.

Jetoni mbet i befasuar pak, por, menjëherë, iu kujtua Organizata dhe takimet aty cilësoheshin si zyrtare. Vazhdoi rrugën, tash, pa qëllim të caktuar dhe mendjen e kishte te “takimi zyrtar”, siç i tha Mësuesi dhe vriste mendjen, se çka kishin për të diskutuar.

Erdhi edhe ky takim. Aty pa fytyra të reja, por mungonin disa të vjetra, siç ishte mësuar ky të shihte. Kishin ndërruar qytetin, si duket kishin zgjedhur një vend takim më të sigurt, për të cilin e kishte marrë përsipër organizatori.

- Urtakun e kemi ftuar në këtë takim, në kryesinë e organizatës, sipas sugjerimit të Mësuesit, por, edhe me sugjerimin e shokëve të rrethit.

- Ju faleminderit, që e keni pranuar sugjerimin tim, sepse, edhe unë jam nisur nga sugjerimi i shokëve, sidomos i Vetëtimës.

- Ne kemi shumë punë për të bërë, - tha kryesuesi.

Jetoni nuk dinte nëse ai ishte kryetari, apo udhëheqësi i mbledhjes. Pastaj, filloi të bëhej analiza e situatës politike, ekonomike dhe disa fushave tjera, që lidheshin drejtpërsëdrejti me jetën e qytetarëve. Secili e paraqiste situatën, sipas fahut të caktuar, për ta përcjellë. Diskutimet ishin në nivel akademik, sa Jetoni mbeti për një moment i stepur, nga aftësitë e elaborateve që bënin. Në fund të takimit, edhe pse nuk kishte folur asgjë, madje as që i ishte kërkuar, këtë e kishte parim, i sugjeruan.

- Urtak, ti do të përcjellësh gjendjen sociale, sepse, si duket, të shkon më përshtati dhe mund ta japësh kontributin tënd. Për këtë, edhe mund të shkruash, e, ne, do të përpiqemi për t’i botuar në shtypin tonë ilegal, apo, edhe të shpërndahen në formë pamfletesh. Hulumto dhe zgjero rrethin me kuadro të aftë dhe të ndërgjegjshëm, që janë të aftë për të marrë përgjegjësi, - i tha kryesuesi. - Mundesh ta përcjellësh situatën edhe nga profesioni i drejtësisë, duke bërë krahasimet për dënimet, kur bëhet fjalë për të njëjtën vepër penale, për shqiptarët dhe të tjerët. Për të gjitha këto na raporton dhe së bashku do të kujdesemi, si të arrij e vërteta deri te të gjitha shtresat e shoqërisë sonë.

- Ju faleminderit për besimin që keni krijuar për mua. Do të mundohem që të jem sa më i përpiktë dhe të hulumtojë, jo vetëm në këtë fushë, por, gjithkund, ku të më jepet mundësia.

- Se si do të organizosh shokët në rrethin tënd, dhe formën e organizimit, do të ndihmojë Mësuesi.

Jetoni nuk mundi ta përmbajë veten, kur dolën me Mësuesin, për t’u kthyer për shtëpi. Derisa iu afruan veturës, e cila i priste, i tha Mësuesit.

- Të faleminderit shoku Mësues, po shumë më kishe ngritur. Unë nuk i kam të gjitha ato aftësi që më janë atribuar, por, besoj se, nuk do të të koriti.

- Nuk kam shtuar asgjë. Të gjitha këto m’i kanë thënë shokët, për ty, kur dola prej burgut. Jam munduar t’i verifikojë dhe ashtu më doli. Unë dhe Vetëtima e paraqitëm rastin në organin më të lartë dhe ata kanë bërë disa verifikime dhe na propozuan që të të marrim me vete në këtë takim.

- Ata nuk më pyetën për asgjë, të paktën, të shihnin aftësitë e mia.

- Ishte takimi i parë për ty dhe tash e ke në dorë për t’u treguar me punë konkrete. Që sot, do të jemi bashkudhëtarë gjer në realizimin e synimeve tona.

Hynë në veturë dhe u nisën për në Qytezë. Gjithë rrugën e kaloi duke menduar, e analizuar për gjithçka ndodhi në takimin. Shumë gjëra i dëgjoi për herë të parë, sidomos, për politikën e brendshme, atë të jashtme dhe në relacion me Shqipërinë e Enver Hoxhës. Më së shumti i bëri përshtypje ndihma që jepte Enveri, përmes diplomacisë, ambasadave dhe literaturës, të cilën e shfrytëzonte ilegalja.

4

 

Jetoni filloi angazhimin në studime dhe në organizatë. Qëndrimi, bashkë me Avdullahun dhe Besimin, merreshin me veprimtari ilegale, edhe pse këta dy ishin ende në shkollë të mesme. Zgjimi kombëtar ishte në rritje. Zhvilloheshin aktivitete përmes grupeve letrare, seksionit të dramës dhe folklorit. 

Një ditë, Jetoni shkoi pak më herët në ligjëratë, në amfiteatrin e madh, pa se rreth një studenteje ishin tubuar një grumbull i madh studentësh, e cila ishte nxehur duke ligjëruar dhe mbrojtur parimet e Kardelit për vetëqeverisjen dhe teorinë për kombin. Filloi edhe ta përqesh sistemin e Enver Hoxhës dhe nacionalizmin shqiptar, se i ngriti në qiell disa figura kombëtare, të cilat për të, nuk ishin asgjë, pos personalitete që i kishin krijuar në kokat e tyre, për t’iu kundërvu personaliteteve jugosllave dhe udhëheqjes politike të Kosovës. Pastaj, u fol për paktin e Varshavës e të NATO-s…

Nga të gjitha këto që dëgjoi Jetoni, iu afrua, duke i shtyrë t’ia lëshonin rrugën, dhe, menjëherë, e njohu.

- Kolege - Iu drejtua asaj. 

- Ajo ngriti shikimin, por edhe të tjerët e shikuan me habi, sepse, asnjëherë nuk ishte ekspozua dhe nuk e kishin parë qëndrimin që kishte marrë në fytyrë.

- Urdhëro koleg!

- Më vjen mirë që paske njohuri kaq të madhe, - Këtë ia tha me ironi, se edhe fjalët i tha duke i zgjatur më tepër.

- Tallesh?

- Nuk tallem. Të përgëzoj për këtë dhe të kam parë edhe herëve tjera, se del nga kontesti i studimeve dhe moshës që ke, e, të mos flasim për aftësinë e njëmendë që ke.

- E di ti, se unë kam kryer maturën në Angli, si nxënëse e dalluar, në shkollë të mesme. Nga të gjithë maturantët e Prishtinës, mua më kanë zgjedhur dhe m’i kanë hequr të gjitha shpenzimet.

- Ku të punojnë prindërit? 

- Prindërit? - U zu në befasi. - Çka ka të bëjë kjo me prindërit e mi?

- Shoh kolegët e tu, që kanë qenë në të njëjtën shkollë me ty, e, që janë larg me aftësi nga ti, për nga dituria, por nuk e kanë pasur këtë nder. - Nja dy shokë që i kishte, të angazhuar në organizatë, i kishit treguar për Studenten dhe i thanë se ajo është provokatore e madhe dhe po pësojnë bashkëbiseduesit e saj nga organet e sigurimit. Nëse këtë bisedë e ke nisur me porosi, për të provokuar, nuk është në rregull dhe më vjen shumë keq, në çfarë pozite ke rënë.

Të gjithë e shikuan habitshëm. Ajo filloi të dridhej nga nervoza.

- Koleg, do të thotë, nga ato që thashë, nuk paskan logjikë dhe nuk qëndrojnë drejt!?

- Kanë logjikën e sëmurë dhe provokuese. E para, ne sapo kemi filluar të mësojmë për historinë tonë dhe shumica e profesorëve, studentëve, nxënësve dhe qytetarëve, mezi po presin për ta mësuar të vërtetën. Kemi filluar ta kuptojmë se nuk jemi jugosllavë, por, shqiptarë. Po mësojmë se edhe ne kemi historinë tonë, bukur të lavdishme dhe jemi krenarë për këtë. E dyta, që është edhe më e rëndësishme, kemi dy atribute, që na karakterizojnë si komb: Flamurin dhe Universitetin. - Këto dy fjalë i tha me një theks të veçantë, për të kuptuar edhe të tjerët, se ku duheshin të mbështeten të tjerët, që me ligjëratën e vet, Studentja, mundohej t’i çorientonte. – Ndërsa, për teorinë e kombit, na shpjegon më së miri shkenca ndërkombëtare, e, këtu, në Jugosllavi, kemi profesor Fiamengon, i cili i nxjerrë teoritë mbi kombin, duke bërë analiza shkencore, mbështetur edhe në hulumtues të tjerë dhe si të vërtetë na e paraqet teorinë e Stalinit.

- Profesori ynë nuk e pranon Fiamengon dhe këtë teori! - E tha me nervozë dhe me një arrogancë.

- Duhet shikuar, mos ai profesor, është regjistruar jugosllav, sipas teorisë së Kardelit, i cili edhe polli teorinë e territorit-komb dhe fesë-komb?

- Ani?!

- Kjo e shpjegon të gjithën. Teoria e parë ka marrë llumin e të gjitha kombeve, ndërsa, teoria e dytë, na dëmton ne shqiptarëve.

Profesori, që kishte për të mbajtur ligjëratën e radhës, kishte ardhur dhe në heshtje përcillte debatin. Filloi t’i pëlqente mendimi i Jetonit, sepse, edhe vetë preferonte teorinë e Stalinit dhe këtë e ligjëronte dhe e mbante, kudo që i jepej mundësia.

- Profesor, - kumboi një zë dhe secili shkoi të ulej, aty ku e gjente një karrige të zbrazët.  

 

*

 *      *

 

Ajo vjeshtë ishte e bujshme. Në muajin dhjetor, pothuaj, gjithë Kosova, brenda natës, ishte mbushur me pamflete. Edhe Qendra e studentëve ishte mbushur me pamflete dhe flamuj kombëtarë. Ky aktivitet i tronditi gjithë qytetarët. Organet e udbës ishin vënë në gjueti, mblidhnin shënime, për njerëz të dyshimtë, merreshin në biseda informative, i torturonin, por nuk u ngrit asnjë aktakuzë. Kjo shtoi guximin e veprimtarëve, për të vepruar më me këmbëngulje.

Në pranverë, derisa Jetoni doli nga ligjërata, iu afruan dy veta dhe njëri nga xhepi i palltos i tregoi revolen. 

- Ec dhe mos shiko anash.

Hipën në një veturë edhe dolën nga oborri i fakultetit.

Iu hapën hetimet, zyrtarisht, një formalitet, se hetimet ata i kishin përfunduar, vetëm prisnin që ky ta pranonte akuzën. Torturat filluan ditën e natën, por, kryesisht, natën. I venin përpara emra, data, vende, duke iu kërcënuar se kishin dëshmitar për të gjitha këto, por më mirë t’i pranonte vetë, se sa kur të ballafaqohet me të vërtetën, që ky e mohonte.

Kjo vazhdoi për afro një muaj. Nuk kishte as shëtitje, për të cilën mësoi më vonë, por veten, qelinë dhe zyrat e udbës. Hetuesi kryesor, një malazez, vetëm i përvilte mëngët dhe me një kamxhik e priste, deri sa bashkëpunëtorët e tij shqipëfolës, ia lidhnin duart për një zinxhiri të varur në tavan. Këtij vetëm gishtat e këmbëve i preknin dyshemenë dhe herë pas here ia gjuanin ndonjë kovë uji, për ta kthyer në jetë, nga të fikëtit që i binte. Gjatë asaj kohe, kur i dilte kllapia, i ofronin një letër faksi, nëse ishte i gatshëm për të nënshkruar. Nëse do të pranonte, do e zgjidhnin, do ta bashkonin me të burgosurit tjerë, do t’i lejonin vizitat e familjes, avokatit…

Ky i shikonte me përbuzje dhe nuk lëshonte asnjë zë dhe jepte për të kuptuar, se nuk bëhej fjalë për nënshkrimin e atij dokumenti. Në kokë kishte vetëm vargjet e Gurakuqit. “Ndër kundërshtime…, mjerë ai që nuk qëndron!” kjo e ushqente dhe si nëpër filma i dilnin fytyrat e shokëve, sidomos, ajo e Mësuesit.

Dëshmitarët, për të cilët i thoshin se ishin të bollshëm, nuk i nxorën përpara, të cilët ky i lypte vazhdimisht, se kishte diçka të vërtetë në gjithë këtë. Kur doli, e kuptoi se askush nuk e kishte ditur ku kishte qenë tërë atë kohë. Qëndrimi, kur e pa, i shkuan lotët nga sytë, sepse, Jetoni kishte humbur bukur shumë në peshë dhe shihej lodhja në qepalla të syve. Mollëzat i kishin dalë, që i jepnin një pamje krejt tjetër fytyrës, sikur të kishte vuajtur nga një sëmundje e rëndë.

- Tash po e kuptoj, se ku ke qenë. Familja nuk e di dhe të kanë kërkuar në banesë, në ligjërata… Janë interesuar përmes shokëve të mësonin se ku ishe dhe nuk kanë lënë kund pa të kërkuar dhe pyetur. Ne nuk kishim informata dhe nuk dinim si të përgjigjeshim… Shko menjëherë në shtëpi.

Nuk e bëri dysh fjalën e Qëndrimit. Shkoi në shtëpi dhe vetëm në të shikuar Baba e kuptoi, përafërsisht se ku kishte qenë. T’i fliste, vonë iu duk, se vetë shoqëria me Mësuesin, i dha gjithçka për të kuptuar. Por, nga ana tjetër, i shihej krenaria, se nuk kishte pësuar askush prej tij.

Viti shkollor i humbi dhe tash filloi të mendojë më kthjellët. I tregoi Babës për këtë. Ky nuk e njihte sa duhet kombin e vet dhe gjithë njohja ishte përmes shokëve, shtypit, librave… detyra që i ishte caktuar, nga organizata, për ta përcjellë gjendjen ekonomike e sociale, i shtoi kureshtjen ta bënte një shëtitje dhe t’i shihte më për së afërmi bashkëkombësit e vet.

Me një çantë dhe me aparatin fotografik lëvizte nga njëri fshat në tjetrin, duke marrë shënime e fotografuar. Filloi të hulumtonte edhe për plojën e Tivarit, duke biseduar me të mbijetuarit, në mesin e të cilëve, edhe të plagosur, nga armët, madje edhe granata dore, jo vetëm në “Monopolin e Duhanit”, por edhe në pyll e fushë, ata që kishin arritur të iknin. Nga fshati në fshat, e nga qyteti në qytet, ditët i kalonin dhe shënimet e fotografitë shtoheshin gjithnjë e më tepër. Kaloi mbi dy muaj dhe në një kafene u ulë për të pushur, se, iu duk se i kishte dhënë fund turneut. Iu kujtua, se edhe Gandi kishte bërë një turne prej tre vjetësh, dhe, tek, atëherë, kishte vendosur t’i qasej politikës me gjithë fuqinë intelektuale që kishte. Njohja e kombit dhe gjendja e tij, ishte një përparësi shumë e madhe dhe tash e ndiente veten më të plotësuar.

I tregoi Mësuesit dhe Vetëtimës për këtë shëtitje dhe ua shpjegoi gjithë çka kishte parë e dëgjuar, e, që, të gjitha, i kishte në shënime, të ilustruara me fotografi. Bëri edhe një analizë dhe ua dërgoi kreut të organizatës.

 

Vijon

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode