ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME / RRUGËT E JETËS, 2
02/07/2020 07:25
ROMAN HISTORIK NË VAZHDIME, 2
Rrugët e jetës
Roman
4
- E kanë burgosur Mësuesin! - Tregoi Qëndrimi.
- Burgosur?! - Ia nguli sytë befas Jetoni.
- “Jeton! - I tha një ditë Mësuesi, derisa ia dha disa libra. Këto janë vetëm për ty, nuk bën t’i sheh dikush tjetër. Pasi t’i lexosh, mund t’i shpërndash nëpër shokë, që ke besim. Të kam thënë edhe herëve tjera, librat janë ushqim për jetë. Të bëjnë të jetosh sipas dashjes dhe mënyrës tënde. - Pasi e vështroi ngultas, drejt në sy, i tha:
- Në momentin e lindjes - ndërkohë me gisht i tregoi një pikë, që e bëri me laps, në një letër. - Kjo është pika zero. Nga kjo pikë mund të bësh disa lëvizje, harkore, eliptike, trekëndësha dhe shumëkëndësha tjerë, por gjithnjë mbarojnë në të njëjtën pikë, nëse nuk e shkëputë lapsin nga letra. Se janë vija të pashkëputura. Ai që i përkushtohet leximit, pa marrë parasysh në cilën fushë, do ta kuptojë, se nuk duhet të sillen brenda një vije të tillë, sepse, vështirë e ke, prandaj, duhet të dalësh nga ajo. Është labirint i pazgjidhur. Gjatë jetës, njeriu, nuk guxon të sillet vërdallë, po nuk pat rrugëdalje.
Pasi pushoi pak. Vizatoi një pikë tjetër dhe lapsin filloi ta lëvizë ngadalë, duke krijuar rrathë gjithnjë e më të mëdhenj.
- Ky quhet rrethi i Arkimedit. E sheh që nuk ka të sosur. Gjithnjë, vazhdon, dhe, kështu, edhe ne, në jetë, duhet të lëvizim, të gjejmë diçka të re, të përsosur, të mençur dhe të dobishme për kombin e shoqërinë. Nga pika e fillimit, duke ecur në jetë, zgjerohet rrethi, do të thotë, zgjerohet horizonti i diturisë, i veprimit, mbamendjes, nxjerrës së përfundimeve, pra, horizonti i jetës, horizonti…
- Shoku Mësues, - Foli, pa i hequr sytë nga lapsi dhe letra që e mbante. - Atëherë, pse i mësojmë edhe rrethet tjera?
- Ato të nevojiten për shkencë, ndërsa, ky rreth i Arkimedit, të hyn në shërbim të jetës!”
- Gjithë kjo iu soll nëpër kokë, ashtu siç kishte mbetur gojëhapur, pas lajmit që i dha Qëndrimi.
- Burg!?
- Po, në burg!
- Kush ta tha?
- Besa, vajza e tij.
- Kur?
- Sot, në mëngjes, herët, shtëpinë ia kishin bastisur, e bërë rrëmujë. Gjithçka kishin lëvizur nga vendi. Ajo më porositi për të të njoftuar dhe dëshiron të takohet me ty.
- Ku?
- Më trego ti, unë e përcjelli porosinë.
- Ku do të ishte mëse miri?
- Dilni për një akullore.
- Shumë mirë.
- Mirupafshim!
- Mirupafshim!
Ecte rrugës fytyrëngrysur dhe i thelluar në mendime. Nuk i kishte folur asnjëherë Mësuesi për burgun. Atë e kishte gjetur nëpër libra dhe autorë të ndryshëm kishin shkruar për ta. Secili e paraqiste në mënyrën e vet. Kishte lexuar edhe për burgosje politike. - “Pse nuk e pyeta Qëndrimin, për çka e kishin burgosur? Do ta mësoj nga Besa, me siguri… Paj, për politikë me siguri, se vetëm për këtë më fliste dhe mundohej të më përgatiste dhe e trasonte rrugën e bëries së politikës. Po, politikës kombëtare, për të cilën më fliste aq shumë, se edhe literatura që më jepte ishte e tillë. Madje, edhe porosia, që t’ua shpërndajë vetëm shokëve të besuar, tregon gjithçka. Pra, kjo qenka rruga e Mësuesit. Rrugë që e dërgoi në burg. Zaten, edhe ai vetë e tha, nuk di se cila rrugë do të më dalë përpara, ka pasur tjetër?! Më sigurt, të tërhiqej, por…” Çantën e kishte shtrënguar me të dyja duart, se i dukej, dikush donte t’ia rrëmbente.
- Mirëdita, Jeton.
- Mirëdita, Besa.
- Ulemi, - i tha Jetoni.
U ulën, pasi ajo e miratoi me lëvizje koke.
- Hë, si ndodhi?!
- Me të gdhirë, erdhën një mori milicësh. Filluan t’i binin derës me të madhe dhe trokitje…
- U ndal pak, Besa. Nuk ishin trokitje të zakonshme. Mezi e mbanin bagllamat derën. U ngrit babai dhe e hapi. Në derë u dukën dy civilë dhe disa milicë.
- “Në emër të popullit, je i arrestuar!”- I thanë babës.
- “Në emër të cilit popull?”- I pyeti me zë të lartë.
- E shtrënguan për krahësh. E prangosen. Shtëpinë e bënë rrëmujë. Asgjë nuk lanë në vend të vet. Disa gjëra i largonin me këmbë. Ne fëmijët, ishim strukur pranë nënës dhe vetëm shikonim, pa bërë zë. Liridonit i shkonin lotët në sy dhe vetëm i përcillte.
- “I vogël je të luftosh me shtetin!” - I tha një civil, që mezi i shqiptoi fjalët. Si duket kishte qenë serb.
- Për politikë e paskan arrestuar?!
Ra heshtja. Me lugë merrnin akulloren dhe hanin në heshtje, kokulur.
- Jeton, - ngriti kokën Besa. - Baba, si duket, e kishte pritur arrestimin dhe më la një porosi për ty.
Jetoni e shikoi drejt në sy, i habitur.
- E paska pritur arrestimin?!
- Më tha, të kesh kujdes më shumë. Lajmëroi edhe shokët e tu. Lidhjen do ta merrni me Vetëtimën.
E dëgjonte me vëmendje.
- Ku e kanë dërguar? - E pyeti, sa për t’i dhënë të kuptonte, se e dinte se si të vepronte.
- Nuk e dimë, por shumë shpejt do ta mësojmë.
- E kanë arrestuar edhe ndonjë shok të tij?
- Nuk e di, por, duhet të interesohemi, për të zbuluar. Cili të ketë informata, le të lajmërojë tjetrin.
U ngritën, ngadalë. Vazhduan deri diku rrugën bashkë. I dukej se i gjithë qyteti kishte rënë në heshtje. Kalimtarët, sikur i vidhnin me bisht të syrit kah ecnin. U ndanë.
Tërë ditën u mundua të mësonte rreth arrestimit të Mësuesit. Në shtëpi, kur shkoi, si zakonisht, hyri në dhomën e vet. E thirrën për të ngrënë darkë.
- Mësuesin e kishin arrestuar, - I tha Baba.
Jetoni u bë, sikur nuk kishte dëgjuar dhe ia nguli sytë. Këtë gjest e bëri, se, ndoshta nga ai do të mësonte diçka.
- Një shok imi, - vazhdoi ai, - e kishte parë, kur e kishte marrë ndërrimin e dytë, duke e dërguar në Burgun e Qarkut të Qytetit. E kishin torturua shumë.
- Për çka? - E pyeti e shoqja.
- Për politikë.
- Vetëm?
- Vetëm, - dhe e shikoi me habi Baba.
Ra heshtja. Secili bluante në kokën e vet rreth Mësuesit dhe burgut. Ndoshta e kujtonin Mësuesin në atë moment dhe sjelljen e tij me nxënësit, kolegët, rrethin dhe aftësitë e komunikimit me të tjerët. “Tamam Mësues”, pëshpëritnin, kur dëgjonin të fliste ai.
- Tamam Mësues! - i dolën nga goja këto fjalë Babës së Jetonit.
- Ke pasë fatin që të ka mësuar ai. Tërë jetën do të ndjekin mësimet e tij, - i tha të birit. - Të rrallë si ai, por nuk ka qenë dashtë t’i shtjerë brirët me pushtetin. Pushteti bluan edhe eshtra! Këtu përfundoi jeta e tij dhe sikur mos të kishte hyrë llugave, ku ta di sa gjenerata do t’i kishte nxjerrë, të përgatitur për jetë.
- Kjo u pa që në fillim, kur e rroku ditarin, - foli, duke menduar, e shoqja. - Ne, mezi e regjistruam djalin në klasën e tij. Zaten, djemtë e zottë, nuk i lë pushteti rahat. Kanë mundur edhe t’i kurdisin diçka, sa për t’ia marrë ditarin.
- Jo. Ku ka tym ka edhe flakë. Që herët i shihej shkëndija e flakës që lëshonte. - I shoqi e shikoi me habi, të shoqen, - dhe nuk është pritur të ndodhte ndryshe.
Edhe Jetoni i shikonte dhe analizonte më vete, fjalët e prindërve. Babait i vinte keq, ndërsa e ëma, si e pa sherr, ia dha meritën.
“- Po, Mësues i zoti, - e forcoi mendimin e prindërve. - Të gjithë e marrin si shembull për të mirë, të shkathët, të përpiktë dhe të gjithëdijshëm.”
Me këto fjalë, sikur mbaruan. Shkuan nëpër dhoma të veta. Jetoni nxori një libër dhe filloi të lexojë. Ndenji deri vonë dhe, ashtu, me libër në dorë, e kishte zënë gjumi.
5
Gjithë fshati dhe qyteza pëshpëritnin për burgosjen e Mësuesit. Shumica shprehnin keqardhje për të, por edhe krenoheshin që kishte dalë një njeri i guximshëm, kundër pushtetit.
Flitej gjithçka.
- Keqas e kanë torturuar, - u shpreh njëri.
- Po bre, gjak e kishin bërë, - tha tjetri.
- Kur ia kishin hequr këmishën, i është hequr edhe lëkura, që iu kishte ngjitur, siç tregoi njëri që e kishte parë- tha i treti.
Besa, nuk i thoshte asgjë Jetonit, sepse, nuk i kishin lënë të shkonin në vizitë. Edhe avokati nuk e kishte kontaktuar ende. Madje, këta nuk dinin edhe kë kishte avokat, veçse i kishin lajmëruar se ai ishte caktuar sipas detyrës zyrtare.
Vetëtima e ndali Jotonin një ditë, deri sa ky kthehej nga mësimi.
- Tash je në vitin e fundit të shkollës së mesme? - E pyeti.
- Po, - Iu përgjigj.
- Çka ke ndër mend të studiosh?
- Ende nuk di.
- Mësuesi më ka thënë, se ti je i përgatitur për të gjitha lëndët dhe nuk e ke vështirë të zgjedhësh. Rrugët e jetës i ke të hapura, nuk ka problem për ty. Tek, tash, do të përballesh me dallgët e jetës.
- Më thoni diçka, për Mësuesin?
- Me shëndet është mirë. I fortë është ai. Asnjë fjalë nuk e ka nxjerrë nga goja. I ka shpëtuar shokët dhe puna po vazhdon, sikurse ora serkejsuf.
- I keni treguar familjes?
- Po, sot e takova edhe Besën dhe i tregova, siç po të tregoj edhe ty. Nuk kanë faj që brengosen aq shumë. Gjithçka është përhapur në popull, për t’na frikësuar, që mos ta vazhdojmë punën e tij. Kot e kanë me këtë propagandë. Ty, si po të ecin punët me shokë?
- Mirë. Ne, shpërndamë edhe një trakt, për arrestimin e Mësuesit.
- Na e mori mendja, se, ju e kishit bërë. Këto gjëra, më, nuk guxojnë të ndodhin. Nëse duhet komunikuar me popullin, ne do të merremi vesh dhe së bashku do të veprojmë. Mos të dalë se jemi dy organizata.
- Ne menduam…
- E di, Jeton. Ju keni menduar se ne, shokët, e kemi lënë mënjanë, apo, po ruhemi. Por, jo. Punën që keni bërë ju, duhet menduar mirë dhe nëse duhet ndërmarrë ndonjë veprim, ai do të merret në nivel vendi, e, jo, në nivel qyteti. Kjo e zvogëlon edhe autoritetin e Mësuesit, se mund të thonë, qenkan disa që brengosën për fatin e tij. Ndërsa, kur të ndërmerret në nivel vendi, qytetarët dhe pushteti do të mendojnë ndryshe. Do të shkruajë edhe shtypi, edhe ai i huaj. Kjo, tregon edhe seriozitetin e Organizatës.
- Pse keni heshtur, atëherë?!
- Jemi duke analizuar situatën dhe gjendjen e tij.
- Nuk qenka lehtë të bisedosh me ty. “Arrë e forte qenke. Këtë mendim ma pat dhënë Mësuesi, por, nuk e besova në tërësi”, - mendoi me vete.
- Dhe…?
- Pasi Mësuesi nuk ka pranuar, se i takon ndonjë organizate ilegale, ne nuk kemi se si t’i dalim në mbrojtje. Po t’i dalim në mbrojtje, torturat do të shtoheshin kundër tij dhe do ta mbanin ende në burg.
- Ne, ia kemi shtuar torturat?
- Jo. Nuk jeni marrë fortë seriozë nga ana e pushtetit. Më tepër ka tingëlluar si mllef i shfaqur, nga ata të cilët e kanë njohur Mësuesin përmes ditarit, sesa si bashkëveprimtar. Kjo le të mbetet me kaq. Do të takohemi edhe herave tjera, që të njihesh edhe me shokët tjerë.
- Edhe Besa i tha, se, e kishte pyetur kujdestari i klasës për traktin.
- Punë fëmijësh, më tha. Dikujt iu ka tekë dhe ka shkruar disa fjalë në letër, për ta trembur pushtetin. Arusha, me shoshë, nuk trembet! - Tregoi Besa.
- Veprim i nxituar, - tha Jetoni.
- Ajo u befasua, duke menduar se ishte penduar për çka kishte bërë.
- Je penduar?!
- Pendimi dhe nxitimi kanë dallim. Nuk jam penduar, por, jemi nxituar. Kjo ka mundur të sjellë dy pasoja, e para të arrestoheshim edhe ne, dhe, e dyta, t’ia zgjasin paraburgimin dhe torturat Mësuesit, duke menduar se prapa traktit qëndronte organizata.
Ajo, e shikoi në sy. Për herë të parë, e pa para vetes një burrë të pjekur, të thelluar në mendime, që, me pak fjalë, i dha për të kuptuar, se, me të vërtetë, ishin nxituar.
Nuk e çuan më gjatë dhe deri diku ecën në heshtje. U ndanë.
Vijon